Showing posts with label Tudor Mușatescu. Show all posts
Showing posts with label Tudor Mușatescu. Show all posts

„Muza ime ka qenë jeta” – Humori i ndritshëm i Tudor Mushateskut

(”Muza mea a fost viața” – Umorul luminos al lui Tudor Mușatescu)

Njëri nga humoristët më të mëdhenj të letrave rumune, - nëse do të qe përkthyer si e sa duhet, padyshim do të kish pasur një vend nderi në humorin evropian e më gjerë, - u lind më 22 nëntor 1903 dhe ndërroi jetë më 4 nëntor 1970.

Pasi mbaroi studimet e larta për Letërsi e Filozofi në Bukuresht, punoi për disa vjet si inspektor teatrosh dhe drejtues i disa kompanive teatrore. I ati e shihte si avokat të shquar, e ëma si inxhinier, kumbara këmbëngulte t’ia hynte medoemos mjekësisë. I gjyshi qe bindur se nipi do të bëhej pronar i madh tokash, ndëra i ungji, Vlëdesku, ish-ministër, e shtynte drejt diplomacisë. Askush nuk më këshilloi të bëhesha ai që jam e as parashikoi se do të sosja shkrimtar, dëshmon më vonë Mushatesku. 

Mes vështirësish të panumurta, shkruan vetëm natën: komedi, drama, romane, poezi, epigrame, skenarë filmash. „Valsi i Titanikut”, i luajtur me aq sukses edhe në Shqipëri, e bëri të njohur, pa mbuluar me hije vepra të tjera, si „Esku” dhe „Ëndërra e një nate dimri”.

Ishte ndër nismëtarët e Akademisë së Humoristëve Rumunë. 

Shprehjet e Mushateskut qarkullojnë parreshtur në të gjitha shtresat e shoqërisë rumune dhe zgjojnë një buzëqeshje të përzier herë me hidhërim, herë me keqardhje e pendesë, por gjithmonë plot magjepsje. 

Ja disa nga shprehjet dhe dëshmitë e Mushateskut (shkëputur nga të famshmet mushatizma dhe nga Ditari intim):


Që kur dolën pasqyrat, u dyfishua bota.

 

U martova që të bindem se isha shumë më mirë si beqar.

 

E mbi të gjitha këto: varfëria, të cilën nuk e kam hak dhe që po nis të më shkatërrojë buzëqeshjet.