Showing posts with label Pär Lagerkvist. Show all posts
Showing posts with label Pär Lagerkvist. Show all posts

Pär Lagerkvist: Babai dhe unë


Sjell ndërmend se njëherë, - isha nja dhjetë vjeç, - gjatë një pasditeje të diele, babai më mori përdore që të shkojmë në pyll e të dëgjojmë këngën e zogjve. Ia bëmë me dorë nënës, që s’mund të vinte me ne; duhej të rrinte në shtëpi e të përgatiste darkën. Dielli ende ndriçonte ngrohtë dhe ne u nisëm për udhë. S’para e kisha marrë fort seriozisht ngjarjen me këngën e zogjve, që s’më dukej kushedi ç’gjë e bukur a e mrekullueshme; babai dhe unë ishim njerëz të shëndetshëm e me kryet mbi supe, lindur në fshat dhe të mësuar me natyrën, ndaj edhe s’hidheshim në erë për aq gjë. Por ishte një pasdite të diele dhe babai kishte pushim. U çapitëm mbi shina, atje ku s’lejohej të ecje, por babai punonte në hekurudha dhe kish të drejtën të çapitej mbi to. Nga kodërzat anës shinave hyje menjëherë në pyll.

Befas dëgjuam këngën e zogjve dhe gjithë tingujt e tjerë. Nga shkurret vinte cicërima e trumcakëve dhe e bilbilave të vegjël, e harabelave dhe e mëllenjave, si edhe mbarë gumëzhima që të rrethon sapo hyn në një pyll. Toka ishte e mbuluar me anemona, mështeknat sapo kishin nxjerrë sythat dhe bredhat përhapnin aromën e tyre të freskët. Një erë e këndshme vinte nga të gjitha anët, ndërsa toka avullonte lehtë, sepse dielli e ngrohte. Kudo mbretëronin jeta dhe lëvizja; grerëzat e mëdha dilnin nga foletë e tyre, mushkonjat vërtiteshin pranë kënetave, ndërsa nga shkurret fluturonin me shpejtësi zogj të vegjël që i gëlltisnin dhe pastaj zhdukeshin sërish nëpër ferra sa hap e mbyll sytë. Pa pandehur dëgjuam një tren që shfrynte dhe u desh të zbrisnim nga kodërza; babai përshëndeti mekanikun e lokomotivës duke çuar dy gishta anës pallarisë së të dielës, ndërsa mekaniku e përshëndeti ushtarakisht, me një shenjë dore; gjithçka ndodhi shumë shpejt.

Pär Lagerkvist: [M’u lejua vetëm…]


Doja të dija
por m’u lejua vetëm të pyesja,

Doja dritë,
por m’u lejua vetëm të digjesha.

Kërkova të pashprehëshmen,
por m’u lejua vetëm të rroj.

U qava,
por askush nuk kuptoi ç’doja
të thoja.


Pär Lagerkvist: Kaq rrugë pa udhëtarë

Kaq rrugë pa udhëtarë do të jenë tash e tutje
dhe kaq kthina kërkuar nga askush.

Të rrënuara e të harruara do t’i gjejnë
pasardhësit, duke i pandehur të hijshme
siç na dukeshin në rini
rrugët e harruara, të vjetra
me barin e butë që kundërmonte era mente
rrugët ku
niseshim në muzg e në mbrëmje
dhe kur pandehnim se s’kemi asnjë pikëmbërritje.

PÄR LAGERKVIST: Të përndershmet eshtra

[Prozator suedez (1891-1974), autor i disa kryeveprave, si ‚Barabbas’ (1950), ‚Xhuxhi’ (Dvärgen, 1944), ‚Xhelati’ (Bödeln, 1933), laureat i Çmimit Nobel në letërsi („për fuqinë artistike dhe origjinalitetin e thellë, me të cilat kërkoi në krjimtarinë e tij përgjigjen ndaj pyetjeve të përjetshme të njerëzimit” – Juria Nobel, 1951). „Virtyti i tij më i dukshëm, - shkroi studjuesja Irene Scobbie, - është aftësia për t’i trupëzuar idetë e veta në diçka të prekshme, në fytyra gati të gdhendura, që na mbeten në mendje dhe na bëjnë t’i rikthehemi shpesh çështjes së të mirës dhe së keqes, jetës dhe vdekjes, botës lëndore dhe asaj shpirtërore”.]

Dy popuj patën çuar një luftë të ashpër kundër njëri-tjetrit, dhe të dy ishin tepër krenarë për këtë. Ishin ende të lidhur me atë luftë, me një përkushtim të madh jetik, para të cilit preokupimet e vockëla njerëzore nuk përfaqësonin asgjë.
Ata që kishin mbetur gjallë, iu kushtuan çështjes së luftës me një zjarrmi fanatike. Nga të dyja anët e kufirit, - se betejat qenë zhvilluar edhe në një krah, edhe në tjetrin, ndërsa luftëtarët qenë masakruar tmerrësisht, - secili popull pat ngritur nga një monument madhështor, në nderim të atyre që ishin flijuar për atdheun, dhe tani preheshin nën tokën e tij. Popujt vinin në pelegrinazh, secili tek të vetët; u mbaheshin turmave fjalime të përflakur për heronjtë , eshtrat e të cilëve preheshin nën dhé, të flijuar me një vdekjeje heroike, mbuluar me lavdi në jetë të jetëve.
Befas u përhap në të dy popujt një thashethem i çuditshëm lidhur me diçka që ndodhkej netëve në fushën e dikurshme të luftës. Lugetërit, të vdekurit, u ngritkëshin nga varret, kapërcenin kufirin, dhe kërkonin shoshoqin sikur të qënkëshin pajtuar.