Pär Lagerkvist: Babai dhe unë


Sjell ndërmend se njëherë, - isha nja dhjetë vjeç, - gjatë një pasditeje të diele, babai më mori përdore që të shkojmë në pyll e të dëgjojmë këngën e zogjve. Ia bëmë me dorë nënës, që s’mund të vinte me ne; duhej të rrinte në shtëpi e të përgatiste darkën. Dielli ende ndriçonte ngrohtë dhe ne u nisëm për udhë. S’para e kisha marrë fort seriozisht ngjarjen me këngën e zogjve, që s’më dukej kushedi ç’gjë e bukur a e mrekullueshme; babai dhe unë ishim njerëz të shëndetshëm e me kryet mbi supe, lindur në fshat dhe të mësuar me natyrën, ndaj edhe s’hidheshim në erë për aq gjë. Por ishte një pasdite të diele dhe babai kishte pushim. U çapitëm mbi shina, atje ku s’lejohej të ecje, por babai punonte në hekurudha dhe kish të drejtën të çapitej mbi to. Nga kodërzat anës shinave hyje menjëherë në pyll.

Befas dëgjuam këngën e zogjve dhe gjithë tingujt e tjerë. Nga shkurret vinte cicërima e trumcakëve dhe e bilbilave të vegjël, e harabelave dhe e mëllenjave, si edhe mbarë gumëzhima që të rrethon sapo hyn në një pyll. Toka ishte e mbuluar me anemona, mështeknat sapo kishin nxjerrë sythat dhe bredhat përhapnin aromën e tyre të freskët. Një erë e këndshme vinte nga të gjitha anët, ndërsa toka avullonte lehtë, sepse dielli e ngrohte. Kudo mbretëronin jeta dhe lëvizja; grerëzat e mëdha dilnin nga foletë e tyre, mushkonjat vërtiteshin pranë kënetave, ndërsa nga shkurret fluturonin me shpejtësi zogj të vegjël që i gëlltisnin dhe pastaj zhdukeshin sërish nëpër ferra sa hap e mbyll sytë. Pa pandehur dëgjuam një tren që shfrynte dhe u desh të zbrisnim nga kodërza; babai përshëndeti mekanikun e lokomotivës duke çuar dy gishta anës pallarisë së të dielës, ndërsa mekaniku e përshëndeti ushtarakisht, me një shenjë dore; gjithçka ndodhi shumë shpejt.

Vijuam të ecnim përpara mbi trarët e njomur nga katrani, zbutur prej vapës; gjithçka lëshonte erë: vajrat e vagonëve, qymyri, katrani dhe barërat e egra, të përziera me njëra-tjetrën. Hidhnim hapa të mëdhenj, që të shkelnim mbi trarët e shinave e jo mbi pjesët prej hekuri, mbi të cilin ishte e vështirë të ecje dhe që të prishte këpucët. Shinat shkëlqenin në diell. Në të dy krahët e hekurudhës shkisnin tela telefoni që këndonin kur u kaloje pranë. Po, ishte një ditë tejet e bukur! Qielli i kulluar, pa asnjë re dhe, siç thoshte babai, as që mund të fanitej ndonjë re në një ditë të tillë. Pas njëfarë kohe, hasëm një fushë me tërshërë, djathtas shinave; pronari, të cilin e njihnim, e kish plehëruar mirë tokën. Tërshëra qe rritur e dendur dhe me të njëtën lartësi. Babai e shqyrtoi me shprehjen e një mjeshtri dhe dukej se qe i kënaqur. Unë s’para ia thosha në këto punë, sepse isha rritur në qytet. Arritëm edhe tek ura mbi përroin që shpesh ka pak ujë, por që tani dukej vorbull. Mbaheshim përdore që të mos pengoheshim nëpër trarë. Shpejt mbërritëm tek shtëpia e rojtarit të hekurudhës, mbuluar e tëra me gjethe, mollë e degë hardhie të egër, dhe hymë ta përshëndesnim; rojtari na ftoi për një kanë me qumësht dhe na tregoi derrat, pulat dhe pemët e lulëzuara, pastaj vazhduam udhën. Donim të arrinim tek gjoli i madh, ku ishte më bukur se kudo tjetër; atje na ftonte edhe diçka tjetër e veçantë: pak më tutje, në luginë, gjoli kalonte para shtëpisë ku babai pat kaluar fëmininë. Zakonisht nuk ktheheshim mbrapsht pa kaluar pranë shtëpisë ku babai pat jetuar fëmininë, ndaj edhe ate ditë ecëm deri në fund, pas një shëtitjeje të këndshme. Gati iu avitëm stacionit tjetër hekurudhor, por ndalëm. Babai kontrolloi nëse semafori ishte në rregull, se babai mendonte gjithmonë për gjithçka. Ndaluam buzë lumit. Përgjatë brigjeve, pylli i dendur pasqyrohej mbi ujëra; gjithçka ishte vetëm dritë e freski, teksa nga liqenet e vegjël të majave frynte një fllad i lehtë. Zbritëm me kujdes dhe u endëm pak anës ujërave. Babai më tregoi vendet e mira për peshkim. Këtu pat qëndruar ai mbi shkëmbinj, kur ishte fëmijë, dhe pat ndenjur në pritë të levrekëve për ditë me radhë; shpesh nuk fanitej asnjë peshk – po megjithatë çfarë jete e bukur! Tani s’kish më kohë për peshkim. Më pas, rendëm anës brigjeve, luajtëm, hodhëm mbi ujëra copa lëvoresh që i merrte shtjella e lumit, dhe qëlluam me gurë për të parë se guri i cilit shkonte më larg, dhe të dy ishim plot gazmend, të gatshëm për lojëra fëminie, edhe babai, edhe unë. Dikur u ndjemë të lodhur, menduam se mjaftonte dhe duhej të ktheheshim në shtëpi.

E ja që nisi të errej. Pylli sikur ishte tjetër pyll; nuk qe bash terr, por gati terr. Filluam të shpeshtonim hapat. Nëna do të qe bërë merak duke na pritur me darkën gati. Ajo trembej gjithmonë se mos ndodhte ndonjë e keqe. Por s’ish fjala për këtë. Pat qenë një ditë e mrekullueshme dhe nuk patën ndodhur veçse ato që duhej të ndodhnin. Ishim mëse të kënaqur.

Vetëm se po errej hap pas hapi. Trungjet ishin aq të çuditshëm! Rrinin e na dëgjonin çdo hap, a thua se dinin cilët ishim. Një trung kishte në prehër një xixëllonjë që na ndiqte me vështrimin pincë nga errësira. Shtrëngova dorën e babait, por ai s’e kish vënë re atë shkëlqim të çuditshëm xixëllonje dhe vetëm çapitej përpara. Qe errur tejmase. Arritëm tek ura mbi përrua. Atje poshtë uji hungëronte aq frikshëm, sa dukej sikur donte të na gëlltiste, ndërsa rreth nesh ndehej humnera. Ecnim me kujdes mbi trarët e shinave, me hapa të mëdhenj, duke u mbajtur fort përdore, që të mos binim. Besoja se babai do të më merrte në krahë, por ai s’më tha asgjë: pa dyshim mendonte se mund të ecja njëlloj si ai dhe nuk dukej i merakosur. Ecëm më tej. Babai çapitej i qetë në terr, me hapa të barabartë, pa nxjerrë zë, zhytur në mendimet e veta. S’mund të kuptoja se si mund të ishe aq i qetë në atë errësirë. Vështrova përreth i tmerruar. Anembanë vetëm terr. Mezi arrija të merrja frymë thellë, se, po të fusje aq terr në vete, ishte e rrezikshme, thoja me vete, mund edhe të vdesësh. Po, asokohe ashtu besoja. Rruga mbyllej drejt, si ndonjë humnerë e zezë sa nata. Shtyllat e telefonit ngriheshin fantomatike drejt qiellit dhe zukatnin mbytur, sikur dikush të flitkej që nën tokë, nga thellësitë: filxhanët e bardhë prej porcelani ngjisheshin të trembur njëri pas tjetrit dhe dukej se dëgjonin. Gjithçka ishte e dalë binarësh. Asgjë nuk ishte siç duhej, asgjë s’ishte e vërtetë, gjithçka lëvrinte si nën një magji. Iu afrova babait dhe i pëshpërita:

- Babi, pse është kaq tmerr kur është errësirë?

- Jo, biri i babit, asgjë s’është e tmerrshme, - tha ai dhe më kapi përdore.

- Po, po, është siç them unë.

- Jo, bir, mos mendo më kështu. Nuk e di që kemi një Zot?

Ndihesha aq i vetmuar, aq i braktisur! Çudia ishte se vetëm unë isha trembur, jo edhe babai, dhe se nuk mendonim njëlloj. E çuditshme ishte edhe se ato që më pat thënë babai nuk më kishin ndihmuar aspak që të mos kem frikë. E madje as ç’më pat thënë për Zotin nuk më kish vlejtur. Më dukej se edhe babai ishte i frikshëm. Tmerri sundonte anembanë, në terr, nën trungje, mes shtyllave të telefonit që bubullonin mbytur, gjithkund e gjithkënd. Por s’mund ta vije re.

Çapiteshim të heshtur, secili zhytur në mendime. Zemra më tkurrej sikur terri t’i qe përvjedhur brenda dhe kish nisur ta shtypte.

E, kur po merrnim një kthes, dëgjova befas një hungërimë të fuqishme nga pas! U zgjuam të tmerruar nga mendimet.

Babai më tërhoqi mënjanë, për drejt humnerës, dhe më mbajti fort. Treni brofi afër nesh. Një tren i zi, me të gjithë vagonët të errët; rendte si i tërbuar. Ç’tren të ishte, vallë, se në atë orë s’kalonte kurrfarë treni! E ndoqëm me sy të tmerruar. Zjarri shpërndante një flakë të harbuar, kur dikush gërryente qymyr në lokomotivën e fuqishme, dhe shkëndijat vërtiteshin egërsisht në natë. Ishte tmerr.

Mekaniku qëndronte i zbehtë, i palëvizshëm, me tipare të ngurtësuara, ndriçuar nga zjarri. Babai nuk e njihte, nuk dinte kush është, dhe mekaniku vështronte vetëm përpara, sikur asgjë tjetër të mos vlente përveç rendjes drejt-e-përpara në terr, në terrin pa kufij.

I trandur, duke u dridhur nga tmerri, rrija e ndiqja me sy atë fanitje llahtarisëse. Derisa e gëlltiti nata. Babai më hipi mbi binarë dhe nxituam drejt shtëpisë. Tha:

- Çudi e madhe, ç’tren të ketë qenë? Dhe makanikun nuk e njihja!

Pastaj heshti. Ndërsa unë dridhesha purtekë. Treni pat qenë vetëm për mua, vetëm për mua.

Parandieja se çfarë lajmi më sillte: ishte shqetësimi që do të vinte, e gjithë panjohja, për të cilën babai nuk dinte asgjë dhe kundër së cilës s’do të kish mundur të më mbronte. E tillë duhej të qe bota, jeta për mua: jo si për babain, në jetën e të cilit gjithçka pat qenë e qetë dhe e sigurt. Për mua nuk do të qe fjala për një botë të zakonshme, për një jetë të zakonshme. Jeta ime do të dyndej të digjej në terrin pa fund.


Pär Lagerkvist, Tata şi cu mine (Far och jag) në Povestiri amare (RO; SV: Bittra berättelser, 1924). Shqipëruar nga rumanishtja („Povestiri amare”, përkthyes Florin Murgescu, botim i vitit 1969, Editura pentru Literatură Universală, koleksioni „Meridiane”, me një parathënie nga Alexandru Sever. Revista Haemus Nr. 66-70, rubrika ”Elogium pro lingua tertia”