Showing posts with label Florin Murgescu. Show all posts
Showing posts with label Florin Murgescu. Show all posts

Pär Lagerkvist: Babai dhe unë


Sjell ndërmend se njëherë, - isha nja dhjetë vjeç, - gjatë një pasditeje të diele, babai më mori përdore që të shkojmë në pyll e të dëgjojmë këngën e zogjve. Ia bëmë me dorë nënës, që s’mund të vinte me ne; duhej të rrinte në shtëpi e të përgatiste darkën. Dielli ende ndriçonte ngrohtë dhe ne u nisëm për udhë. S’para e kisha marrë fort seriozisht ngjarjen me këngën e zogjve, që s’më dukej kushedi ç’gjë e bukur a e mrekullueshme; babai dhe unë ishim njerëz të shëndetshëm e me kryet mbi supe, lindur në fshat dhe të mësuar me natyrën, ndaj edhe s’hidheshim në erë për aq gjë. Por ishte një pasdite të diele dhe babai kishte pushim. U çapitëm mbi shina, atje ku s’lejohej të ecje, por babai punonte në hekurudha dhe kish të drejtën të çapitej mbi to. Nga kodërzat anës shinave hyje menjëherë në pyll.

Befas dëgjuam këngën e zogjve dhe gjithë tingujt e tjerë. Nga shkurret vinte cicërima e trumcakëve dhe e bilbilave të vegjël, e harabelave dhe e mëllenjave, si edhe mbarë gumëzhima që të rrethon sapo hyn në një pyll. Toka ishte e mbuluar me anemona, mështeknat sapo kishin nxjerrë sythat dhe bredhat përhapnin aromën e tyre të freskët. Një erë e këndshme vinte nga të gjitha anët, ndërsa toka avullonte lehtë, sepse dielli e ngrohte. Kudo mbretëronin jeta dhe lëvizja; grerëzat e mëdha dilnin nga foletë e tyre, mushkonjat vërtiteshin pranë kënetave, ndërsa nga shkurret fluturonin me shpejtësi zogj të vegjël që i gëlltisnin dhe pastaj zhdukeshin sërish nëpër ferra sa hap e mbyll sytë. Pa pandehur dëgjuam një tren që shfrynte dhe u desh të zbrisnim nga kodërza; babai përshëndeti mekanikun e lokomotivës duke çuar dy gishta anës pallarisë së të dielës, ndërsa mekaniku e përshëndeti ushtarakisht, me një shenjë dore; gjithçka ndodhi shumë shpejt.