Showing posts with label Balcanon. Show all posts
Showing posts with label Balcanon. Show all posts

Ardian-Christian Kyçyku: Dështimi si modus vivendi në Ballkan


Pasqyra e lëndës: 1. Mallkimi me e pa “thonjëza”, 2. Shkrimi – mes lumturisë së njeriut dhe asaj të shpirtit, 3. Gjuha dhe Bekimi sipas së tashmes, 4. Shtëpia dhe Baraspesha (në shumës e në njëjës)

 

“Në dimrin e vitit 2019, në Bukuresht ndodhi diçka që duhet të bindë se Fundi i Botës, ai I Panjohuri, mund të vijë pikërisht siç nuk e pret dot askush (pavarësisht sa fjalë ka në gjuhë). Sepse secili prej nesh e harton Fundin e Botës në bazë të ëndrrave të paplotësuara. Një shi i zakonshëm dimëror u shndërrua befas në akull, mbështolli gjer edhe degëzat më të holla, fijet e mbrame të barit, kangjellat, çatitë, muret, madje edhe, - poetikisht, por aspak rastësisht: kutitë e mëshirës dhe të postës. Në vetëm pak orë, pemët nisën të thyheshin, ngaqë akulli tkurrej dhe pesha e gjithçkaje nuk qe parashikuar të duronte aq ujë të ngrirë e aq ngrohtësi të shpenzuar për ngricë. U shembën shumë çati e mure, plasën trungje, shtatore, shishe, gurë, fjalë të urta. Vërtet mbeteshe pa gojë para një befasie të atillë, e cila, po të shkruhej si poezi, do të tingëllonte të paktën e pabesueshme. Ishte një metaforë gati e njësuar me atë që njeriu i sotëm po i përgatit vetes duke kërkuar me çdo çmim një jetë më të mirë, pa marrë parasysh se një jetë më e mirë (jo më e bukur) nënkupton një vetmim më të madh. I zhveshur nga çdo pushtet, si ajo foshnja që vjen në botë pa asgjë dhe që po aq e varfër kthehet në(n) tokë, gjatë orëve aq të bukura e të frikshme të ngrirjes, u duk sikur gjithë ç'mund të na falte kjo jetë ishte poezia mes së cilës u gjendëm dhe së cilës nuk mund t’i shtohej, hiqej, apo korrigjohej (apo korrigjuhej) asgjë. Një poezi që ishte varg pas vargu Fundi i Botës, por më i lehtë e pakrahasimisht më i bukur nga ç’e kishim përfytyruar. Poezi, të cilën njeriu, as me arritjet marramendëse të teknologjisë e as me forcën e pafundme për të ndrequr a prishur, nuk e vinte dot në fjalë. Madje as nuk e kopjonte dot pikërisht ngaqë nuk ishte autori”. 

 

Mallkimi me e pa “thonjëza”  

Mes një libri ende të pabotuar dhe një tjetri të saponisur, qënia e shkrimtarit ballkanas sheh, kushedi për të satën herë, gjëra që ia hapin syrin gjer në skaje ku ky kërcënon të mos lerë vend për trurin (si tek strucat), por sidomos për gjëndrën e metaforave. Dikur e kam quajtur Ballkanin “Fuçi Metaforash”[1], duke pasur parasysh letërsinë e jashtëzakonshme që shkruhet në këtë hapësirë, por sidomos dhuntinë e ngjarjeve të mbrapshta për t’u shndërruar në art. Një art i shlyer me çmim gjaku e dhembjesh pa fund, aq sa nganjëherë duket sikur, nëse çmimi ulet sadopak, arti zhduket.