Pasqyra
e lëndës: 1. Mallkimi me e pa “thonjëza”, 2. Shkrimi – mes
lumturisë së njeriut dhe asaj të shpirtit, 3. Gjuha dhe Bekimi
sipas së tashmes, 4. Shtëpia dhe Baraspesha (në shumës e në njëjës)
“Në dimrin e vitit 2019, në Bukuresht ndodhi diçka që
duhet të bindë se Fundi i Botës, ai I Panjohuri, mund të vijë pikërisht siç nuk
e pret dot askush (pavarësisht sa fjalë ka në gjuhë). Sepse secili prej nesh e
harton Fundin e Botës në bazë të ëndrrave të paplotësuara. Një shi i zakonshëm
dimëror u shndërrua befas në akull, mbështolli gjer edhe degëzat më të holla,
fijet e mbrame të barit, kangjellat, çatitë, muret, madje edhe, - poetikisht,
por aspak rastësisht: kutitë e mëshirës dhe të postës. Në vetëm pak orë, pemët
nisën të thyheshin, ngaqë akulli tkurrej dhe pesha e gjithçkaje nuk qe parashikuar të
duronte aq ujë të ngrirë e aq ngrohtësi të shpenzuar për ngricë. U shembën
shumë çati e mure, plasën trungje, shtatore, shishe, gurë, fjalë të urta.
Vërtet mbeteshe pa gojë para një befasie të atillë, e cila, po të shkruhej si
poezi, do të tingëllonte të paktën e pabesueshme. Ishte një metaforë gati e
njësuar me atë që njeriu i sotëm po i përgatit vetes duke kërkuar me çdo çmim
një jetë më të mirë, pa marrë parasysh se një jetë më e mirë (jo më e bukur)
nënkupton një vetmim më të madh. I zhveshur nga çdo pushtet, si ajo foshnja që
vjen në botë pa asgjë dhe që po aq e varfër kthehet në(n)
tokë, gjatë orëve aq të bukura e të frikshme të ngrirjes, u duk sikur gjithë
ç'mund të na falte kjo jetë ishte poezia mes së cilës u gjendëm dhe së cilës
nuk mund t’i shtohej, hiqej, apo korrigjohej (apo korrigjuhej) asgjë. Një poezi
që ishte varg pas vargu Fundi i Botës, por më i lehtë e pakrahasimisht më i
bukur nga ç’e kishim përfytyruar. Poezi, të cilën njeriu, as me arritjet
marramendëse të teknologjisë e as me forcën e pafundme për të ndrequr a
prishur, nuk e vinte dot në fjalë. Madje as nuk e kopjonte dot pikërisht ngaqë nuk ishte autori”.
Mallkimi me e pa “thonjëza”
Mes një libri ende të pabotuar dhe një tjetri të saponisur, qënia e shkrimtarit ballkanas sheh, kushedi për të satën herë, gjëra që ia hapin syrin gjer në skaje ku ky kërcënon të mos lerë vend për trurin (si tek strucat), por sidomos për gjëndrën e metaforave. Dikur e kam quajtur Ballkanin “Fuçi Metaforash”[1], duke pasur parasysh letërsinë e jashtëzakonshme që shkruhet në këtë hapësirë, por sidomos dhuntinë e ngjarjeve të mbrapshta për t’u shndërruar në art. Një art i shlyer me çmim gjaku e dhembjesh pa fund, aq sa nganjëherë duket sikur, nëse çmimi ulet sadopak, arti zhduket.
Po ta këqyrim sot si qënie (apo njësi)
shoqërore dhe poetike, ballkanasi është mishërim i të gjitha cilësive /
mangësive (thonjëzat duhet t’i vendosë, ose jo, secili lexues) që nuk mund të
ngujohet në politically correct e as në etjen e vetë
ballkanasit për të qenë edhe i pangatërrueshëm, edhe përparimtar, në një hap me
kohën. Shpesh ky hap është përcaktuar e matur me kujdes nga ata që jetën
ballkanike e kanë parë si fyerje, ndërsa vetë ballkanasin – si një breshëri
reagimesh të pakontrollueshme, që ndodhin vetëm për të të treguar se sa i
mpirë, ose i pajetë je. As hapësira që njihet nën pseudonimin Ballkan
nuk ndryshon fort nga banorët e vet. Ngjarjet përsëriten me një përpikmëri që shkurton
kujtesën dhe që shpesh duket si mërzi shkretuese. Kjo të kujton një pemë që çel
prore fruta të ndryshme, por të cilat kanë çnjerëzisht të njëjtën shije,
pavarësisht trajtave, ngjyrave e emërtimeve. Ajo që quhet kujtesë e
mirë, frymëzuese e pjellore, në vend që të të ruajë emrin, mund të të
dëbojë nga trutë, nga gjuha vetjake e madje edhe nga shpirti. Ndërsa kujtesa
e dobët, si zakonisht, i bën mirë trupit dhe keq shpirtit. E meqë shtimi i
numrit të ilaçeve, të sëmundjeve dhe të lumenjve me këshilla se si të rrojmë sa
më gjatë e sa më mirë ka rrënjosur bindjen se trupi vërtet është,
paaftësia për të rënë dakort se çfarë është shpirti, -
megjithëse ky mban trupin gjallë, jo e kundërta, dhe kaherë vdekja njihet si
ngjarje ku “jepet shpirt” (diku jashtë tokës dhe së tashmes) dhe “lihet trup”
(nën qiell e nën tokë), - i jep shpirtit trajtat e një trilli poetik. Në fakt,
kur sundimi i mërzisë zgjerohet, shpirti është vërtet Poezia, dhe anasjelltas,
por Poezia si modus vivendi e moriendi, jo si degë
e krijimtarisë artistike. Sado hidhur të tingëllojë, nëse globalizimi do t’ua
nënshtrojë shqisat ballkanase një të jetuari që e sheh mirëqënien lëndore si
paqe shpirtërore, ka rrezik që, nga të gjitha bëmat e historisë ballkanike,
mund të mbeten vetëm pak letërsi, ndoshta jo më e mira, dhe disa fjalë të urta.
Jemi në një jetë ku, sa më egër e padrejtësisht të vuash nga
ato që ndodhin në mbarë Ballkanin, sidomos nga ngjarje me të cilat mund të
betohesh se nuk të lidh asgjë, aq më pak ndjen se mund të flasësh në emër të
vuajtjeve / arritjeve të atyre që ngulmojnë se vuajnë / ngadhnjejnë më shumë.
Për fat, ende këtu mund të shkruash në emrin (jo numrin) tënd, në njërën ose në
disa nga gjuhët që ende përkthehen me shumë vështirësi.
Mes një libri të botuar dhe një tjetri të saposhkruar,
shkrimtari ballkanas di se të gjithë librat e tij, sado të mahnitin e të
zgjojnë adhurim, smirë, mëri, zili krijuese etj, do të mblidhen në më të
parëndësishmin qosh të bibliotekave, nga ku as nevoja për të nxjerrë letër për
libra të rinj nga letra e shkruar keq, nuk do t’i nxjerrë. Lexuesi i sotëm, me
gjithnjë e më pak përjashtime, ka bindjen se ushqimi me letërsi nuk shquhet
fare nga ushqimi me lugë bosh, duke harruar, mes të tjerash, se nga luga bosh
dalin gati gjithmonë kryeveprat. Ai nuk beson më se leximi gjer në
përjetim i letërsisë mund të dhurojë një jetë më të bukur, ndonëse jo
më të mirë, ndoshta ngaqë e sheh të mirën si pa lidhje me të Bukurën.
Askund tjetër sa në këto treva nuk qarkullojnë kaq
dendur, gati me epërsi dijetarësh, a thua se folësit jetojnë në qiell dhe
s’kanë pikë përgjegjësie, bindjet se:
a. “Jemi të mallkuar”,
b. ”Treva të bekuara – gjynah që janë të banuara /
populluara”
dhe c. “Nuk do bëhemi kurrë” (njerëz / vende të
qytetëruar etj).
Vërtet, gjendja e hapësirës ballkanike, prej një kohe
të pamatëshme, është “E rëndë, por e qëndrueshme”. Nuk është pak, po të
kemi parasysh se, sipas mendësisë ballkanase, “E mira dhe e keqja s’kanë
fund”. Gjendja i ngjan një gadishulli që s’është
as fund i tmerrshëm, por as ndonjë tmerr pa fund. Është një pezullí mes dy
humnerash, njëra e mirëfilltë, tjetra prej kujtese; një fund, me të cilin jemi
mësuar dhe të cilit s’do të donim t’ia njihnim fundin. Këtu kujtesa
historike, në vend që të shfrytëzohet për të shmangur tragjedi joprodhimtare[2],
përdoret për fikjen e shpresës, ose për mbajtjen e saj brenda disa përmasash sa
më të politike.
Në kushte
të tilla, çdo fillim, pas fundit me të cilin jemi regjur, duket si mallkim.
Koha nuk bind askënd se ka rrjedhur e s’kthehet, as për keq, as për mirë, por
vetëm për asnjanësim të gjithçkaje, ndonëse ndërkohë, sidomos në
periudha të rënda, - që vërtet ngjasonin me të fundmin Fund të Botës, - shumë
ballkanas janë flijuar, disa që të mbijetojë shpirti, disa thjesht që të
mbijetojnë. Jo rrallë, dijenitë e paraardhësve dhe të dhënat historike janë kaq
të pasqyruara në jetën e breznive ende të gjalla, saqë edhe mund të zgjojnë
dyshime nëse jemi lindur si qënie më vete, apo mbushim kalimthi me shpirt
(frymë) trupa të hershëm, si edhe anasjelltas, pakashumë si në një shërbim
ushtarak.
Mallkimi (në shqip mund të zbërthehet edhe si i
-kuar me mall- / kim me mall – për një botë më të
mirë, jo medoemos edhe për një vete më të mirë), ka krejt tjetër kuptim e rol
për Letërsinë. Lidhja mes Mallkimit dhe Letërsisë nis njëheresh me ato
përshkrime (“për-gojime”) që e detyruan njeriun të pyeste se cila nga botët,
ajo që shihte e prekte, apo ajo që dëgjonte a lexonte, ishte e Vërteta. Qysh
atëhere, Letërsia bëhet e sipërfaqëshme gjatë periudhash “të bekuara”, ndërsa
Mallkimi – i domosdoshëm, qoftë edhe vetëm ngaqë ushqen Letërsinë me lëndë
të parë (duhet thënë shpirt të parë). Nga ky këndvështrim,
Mallkimi është njëherazi: lidhje e vazhdueshme me Krijuesin, ruajtje e
hierarkisë së Krjimit dhe njohje-pranim i hapësirës jetike e mendore, - Shtëpia,
- ku jemi ata që duhet të jemi, teksa hapësira që shënjohet nga
fjala “Jashtë” ka vetëm kuptimin “tjetërsim”.
Lidhur me gjendjen pa rrugëdalje, por të
qëndrueshme, dhe fundin, me të cilin jemi mësuar e madje miqësuar brez pas
brezi, po sjell në kujtesë vetëm dëshmitë e murgut Josif Vrienios[3],
që u thirr nga Perandori dhe nga Patriarku i Kostandinopojës për të mbajtur
fjalime kushtuar Zotit. Ai duhej ta sqaronte e ta bindte popullin se Zoti nuk
është një mjet i stërholluar nënshtrimi e zhvatjeje, as shpikje e shkrimtarëve,
por Ai që Ishte dhe që Është dhe që do të Jetë. Vrienos-it i
kërkuan ndihmë fare pak kohë para se Kështjella e Perandorit, - që lidhte dy
kontinente[4], - të pushtohej nga otomanët. Mes të tjerash, ai tha:
"… Se Emrin e Perëndishëm, sharë e nëpërkëmbur, nuk E mbrojmë, kur
duhet gjer edhe të vdesim për Të; se veten dhe të tjerët i shajmë përditë dhe i
mbulojmë me shumë mallkime; se shpesh betohemi pa pikë frikë për emrin
frikësues e të shenjtë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, pastaj shkelim betimin,
madje pa qenë nevoja; se shumë herë ankohemi kundër Zotit, o që bie shi, o që
s’bie, o pse është ngrohtë, o pse është ftohtë, o pse disave u ka dhënë pasuri,
ndërsa të tjerët vuajnë urie, pse fryn kriveci, me një fjalë, jemi bërë gjykues
të pamëshirshëm të Zotit. Ndërsa shumë prej nesh njollosin besimin ortodoks,
kryqin dhe ligjin e shenjtë të Zotit, si ca të pafé, dhe asnjëri nga ata që i
dëgjojnë nuk ngre krye; Se, sa burrat, aq edhe gratë, s’kanë turp të enden
lakuriq udhëve; Se i japin vetë vajzat e tyre të përdhosen; Se gratë kanë nisur
të mbajnë veshje burrash; Se festat e shenjta i kalojnë me këngë e valle
satanike, me dehje e zakone të huaja, e s’u vjen turp; Se gjithnjë e më tepër
po marrim besimet e magjistarëve e të fallxhorëve, madje edhe në raste
sëmundjesh kërkojmë ndihmën e tyre; Se i largohemi gjithnjë më shumë virtytit
dhe shkojmë drejt mëkatit; Se është larguar mëshira dhe është shumëfishuar
urrejtja; Se prijësat tanë janë të padrejtë dhe zhvatës; gjykatësit marrin
bakshish; ata që duhet të lidhin marrëveshje janë gënjeshtarë; qytetarët vetëm
tallen; fshatarët janë të patrú; dhe të gjithë – në një gjendje të mjeruar, për
të vënë kujën; Se të panjollat tona janë më të paturpshme se lavirat, vejushat
– gjithnjë e më të çuditshme, të martuarit përçmojnë e shpërfillin besnikërinë
e martesës, të rinjtë janë të shthurur, ndërsa pleqtë – pjanecë; klerikët E
kanë harruar Zotin; murgjit kanë dalë nga rruga e mirë, kurse njerëzit e kësaj
bote kanë dalë krejtësisht nga vetja; Se fytyra jonë është bërë e paturpshme
dhe joshje për mëkatin, dhe gjer edhe kur i bëjmë të gjitha të ligat e
mundshme, prapë i marrim si të parëndësishme. Jemi bërë të gjithë të
paturpshëm. Të kotë janë bërë të gjithë mësimet, pa kuptim – shembujt e mirë.
Tani nderohen më tepër ata që jetojnë në shthurje, sesa ata që mundohen për
virtytin; Se s’kalon ditë a orë që të mos i mërzitim vëllezërit tanë me shpifje
e gjykime; Se shumë prej nesh jetojnë në dehje, shfrenim, tradhëti
bashkëshortore, papastërti, armiqësi, smirë, korrupsion e vjedhje; Se jemi bërë
kryelartë, mburravecë, dashnorë argjendi, egoistë, mosmirënjohës, të
panënshtruar, dezertorë, zhvatës, tradhëtarë, të pafytyrë, të padrejtë, të
papenduar, të pamëshirshëm; (…) Këto, pra, dhe shumë të tjera
të ngjashme, kanë tërhequr ndëshkimet e Zotit ndaj nesh".[5]
Ndoshta ngaqë globalizimi po tret dallimet, pa bërë
dallime, pamja që na përcjell Josif Vrienos-i duket e vlefshme për çdo qendër e
cep të rruzullit – dhe kjo është njëra nga shenjat se Letërsia rrezikon të
braktiset nga Mallkimi dhe i ka ditët e numëruara. Ëndërrimtarë të mëdhenj
lirie, herë me mllef, herë me ndoht, herë për karshillëk e herë për të mos u
fikur mërzie, herë me humor të zi a shumëngjyrësh, pa ditur nëse shtimin e
lirisë e duan për të ndërtuar a për të shkatërruar më mirë,
ballkanasit pasurojnë fjalët e urta me të dije që u po vlejnë gjithnjë e më pak
bashkëkohësve dhe pasardhësve të tyre, të cilët, ndoshta për t’u hakmarrë
pavetëdijshëm ndaj dendësisë së trandjeve të kaluara, duke parë se ato nuk u
kanë falur një jetë më të mirë, zgjedhin gjithnjë e më shpesh një mënyrë jetese
me kujtesë të butë, të begatë në vogëlima e të varfër në ide, pakashumë si
njeriu që, kur ushqehet në vetmi, ndërpret të folurën me vete. Nuk mendojnë se
kjo lloj jete ka diçka nga binjakëzimi gati i plotë i shtëpive me orendi,
tablo, qilima, veshje, ndonjëherë edhe libra që janë në modë. Moda bëhet modus
vivendi dhe e pushton me aq begati vëmendjen, saqë ndryshimet për keq
u ndodhin vetëm të tjerëve.
Urtësia ballkanase di prej kohësh se: Politikanët
vazhdojnë të përdorin gënjeshtrën për t’i zgjatur jetën zgjedhës dhe zgjedhën
për t’i zgjatur jetën gënjeshtrës; rritja e prodhimit të prangave shpesh duket
si zgjerim i lirisë; kur shtohet lakmia, pakësohet trimëria; e ardhmja i ngjan
një treni, të cilit i ndërrohet drejtimi i shinave çdo ditë dhe që, për çudi,
pó në të tashme përfundon; jo pak rrugaçë bëhen emra rrugësh; shumica e rrugëve
të çojnë në mërgim; siduket ëndrra e politikanëve për përmirësimin e këtyre
trojeve është aq e madhe në krahasim me ç'mund të bëjnë, saqë ata vihen
plotësisht në shërbim të shkatërrimtarëve; gjithnjë e më pak vetë duan ta
pranojnë se e vetmja zgjidhje për të mos u plakur është të vdesësh i ri;
varfëri nuk është varfëria, por mungesa e trajtës së Shpirtit[6]; në
vendet ku vidhet shumë, jeta ende është e pasur (të paktën për
Letërsinë).
Shkrimi – mes lumturisë së njeriut dhe asaj të shpirtit
Por “pasuria” që buron nga vjedhjet, alias Letërsia,
nuk mund të lexohet e plotë dhe kjo i mëson njerëzit të mos
kërkojnë shumë nga jeta. Edhe kur nuk është kalbur nëpër bodrume (përfshi ata
të vëmendjes), Letërsia e Mirëfilltë vetëm mund të shijohet me hamendje dhe me
njëfarë krenarie që vepron si një lloj magme metaforash, duke u endur mes së
dukshmes dhe së padukshmes. Kësisoj një letërsi e jashtëzakonshme që ka qenë e
shkruar, rishkruhet gojarisht në mendjen e çdo lexuesi / shkrimtari të
përkushtuar. Gjatë një bisede që duhet lexuar shumë herë[7],
dijetari rumun Marian Popa (l. 1938) shprehet se “... disa autorë të
tjerë (ballkanas – sh. im) nuk arritën ta shihnin dritën e
ditës, nuk mundën t’i shihnin të botuar dorëshkrimet. Ata dhe veprat e tyre u
shfarosën. Disa vjet para botimit të “Gargantua”-së, në Tërgovishte[8] ishin
përfunduar së shkruari dy libra te ngjashëm, por shumë më interesantë sesa libri
i Rabëlesë. Pranë qytetit Vaslui[9] jetonte një prozator
që hartoi një Don Kishot të jashtëzakonshëm. Duke gjykuar nga disa shkrime dhe
nga gjithfarë burimesh e dëshmish, një autor i pashkolluar nga Densushi[10] pat
përfunduar në vitin 1532 tridhjetë e dy dramat historike dhe komeditë e tij, që
mund të krahasoheshin me krijimtarinë shekspiriane, por të cilën e shmangte
përmes thelbit estetik krejt të ndryshëm. Por këta autorë u vranë, veprat e
tyre u zhdukën në fshehtësi. Disa vepra humbën njëheresh me mërgimin e
autorëve. Disa shtypshkronja të fshehta e madje edhe ajo e Coresi-t[11],
botuan ngutshëm një sërë librash që nuk kishin asnjë lidhje me ideologjinë dhe
praktikën fetare: gjithë ç’u zbulua, o dogj. Disa nga vendasit që s’mund të
qëndronin, ikën ku mundën: një pjesë vazhduan të shkruanin në gjuhën amtare, si
Budai-Deleanu[12]; të tjerët, si Dimitrie Cantemir-i[13],
përdorën gjuhën e vendit ku mërguan, ndërsa disa të tjerë ndryshuan emrat,
kështuqë askush s’e di më nga vanë e ku sosën. Ajo zbrazëti historike, ai
shekull pa beletristikë, kanë qënë, në fakt, një plotni e fshehur. Në një epokë
pasigurie, kur njeriu është nën kohëra e jo kohërat nën njeriun,
siç thotë një autor i asaj periudhe, - që ndjente në lëkurën e vet se
ç’thoshte, - manastiret dhe konakët rënkonin nga dorëshkrimet. Pjesa më e madhe
u zhdukën. Mbase gjenden ende shumë, të fshehur, të harruar. Dikur do të zbulohen, dhe atëhere zbrazëtia historike do të mbushet”[14].
Zhdukja e një pasurie të tillë, e mbështetur edhe nga
sasia e kryeveprave tashmë të botuara, që mbeten për shumë kohë, ose
përgjithmonë të panjohura (derisa lexuesi ndoshta bindet se letërsia mesatare
është e vetmja e mundshme) çon njëherazi në varfërimin dhe frymëzimin e qënies
ballkanike. Mund të quhet edhe si mallkim mbi thelbin dhe pamjen,
për shkak të vetëprishjes[15], por që ende ka për
bekim plotninë e fshehur, qoftë të shkruarën ende të fshehur a të
panjohur, qoftë atë që shkruhet ndërkohë.
Gjuha dhe Bekimi sipas së tashmes
Më tepër se shumë popuj të tjerë, ballkanasit kanë
dëshmuar se mund të hiqen për vite me radhë sikur besojnë (në) diçka, (në) të
cilën jo vetëm s('e) besojnë, por edhe e urrejnë. Si qënie që s’mund të
dashurojnë pa urryer sadopak e s’mund të urrejnë pa dashur sadopak, ata as nuk
mund të besojnë pa dyshuar sadopak e s’mund të dyshojnë pa besuar sadopak (në
atë që thonë e bëjnë). Këto i kanë mësuar që shpesh të mos
besojnë atë që duhet besuar dhe që dëshmohej qartë se duhej besuar, gjer edhe
kur mosbesimi i shkatërronte dhe besimi i shpëtonte.
Kuptimi i lirisë dhe i mënyrave që zgjidhen për të
jetuar më mirë këtu është të paktën i
çuditshëm. Rrallëkund tjetër njerëzit kanë aftësinë për të menduar kaq
lirë dhe për t’u shprehur me gjuhë të drunjtë. Ndoshta e duan aq dëshpërimisht
lirinë, saqë e mban secili të kyçur, vetëm për vete, gjer edhe kur di se liria
e papërdorur është burgim që mund të zgjasë pa fund. Bindja më e përhapur tani
është se, në ngarendjen për të jetuar më mirë, liria pengon –
dëshmi, sipas ithtarëve përkatës, se më të mirën nuk e sundon e as nuk e sjell
liria.
Gjatë të jetuarit si në një pjesë teatri, hartuar me
një si-gjuhë që fsheh lirinë e mendimit dhe ku jeta e aktorëve shpesh njësohet
me të personazheve, u ndërmorën edhe masa për të dalë nga gjendja e rëndë, por
e qëndrueshme. Për gjysmë shekulli, përmes njërës nga ujditë më të mbrapshta
mes politikës dhe letërsisë, ballkanasit u vetëshpallën dhe u hoqën si të
bekuar, si më të lumturit në botë. Një diktaturë vërtet çnjerëzore
veproi dorëpërdore e gjuhë-për-gjuhe me një
letërsi të ngurtë dhe shkatërruese ndërgjegjesh, kujtese e shijesh, dhe ushtroi
si kurrë më parë torturën e gjuhës së drunjtë mbi Gjuhën e Epërme të secilit
popull ballkanas – njëfarë përdorimi i Efektit Placebo ndaj një gjendjeje që
nuk ishte sëmundje, duke e vendosur sëmundjen e vërtetë në vend të sistemit
parësor të shenjave. Thonjëzat e mallkimit iu vendosën bekimit. Ishte njëherazi
edhe një dëbim i egër e afatgjatë nga kufijtë e natyrshëm të qënies ballkanike,
si nga Shtëpia, dhe mbajtja peng e saj në një hapësirë që do t’i jepte
dalëngadalë përmasat e veta nën-njerëzore. Si lëvizje e maskuar politike,
letërsia e realizmit socialit ndërroi shpejt fytyrë dhe, duke shfrytëzuar
mjegullën e termave ideologjikë, kulturorë, shpirtërorë, shoqërorë etj, por
sidomos vështirësitë e natyrshme pas rënies de jure të
diktaturës, vazhdon edhe sot të tundë flamurin e qytetërimit përparimtar,
mbështetur fuqishëm nga lexuesit me veshë e jo me gjuhë
vetjake, ndoshta derisa edhe lexuesi i fundit i pavarur të jetojë aq më
mirë, sa të heqë dorë nga leximi. Ndërkaq, varfërimi i jetës shpirtërore
dhe zbërthimi i gjithçkaje me mjete vetëm ekonomikë, mbase do ta mbyllin krejt
në vete Letërsinë e Mirëfilltë, atë që nuk shëron veten duke “sëmurur” lexuesit
e as nuk “shëron” lexuesit duke sëmurur veten. Në këtë ndeshje shumë më të
ashpër nga sa duket, mirëqënia dhe jetëgjatësia hëpërhë duken si mallkime dhe
rrallojnë radhët e lexuesve.
Nënshtrimi ndaj politikes ka edhe një shkak tjetër,
thellësisht ballkanik, dhe që shfrytëzohet mjeshtërisht nga të pushtetshmit. I
velur nga pamundësitë për të përmbushur ëndrrat dhe nga pafuqia, të cilën, edhe
kur s’është, e shpreh si mençuri, ballkanasi, gjendur mes trysnive të
panumërta, - që nga ftesat për votime e deri tek tundimet për të ndërruar zanát
sa herë e kërkon koha, - mendon për politikanin e pushtuar nga
pushteti: Sa të më shkatërrojë ky që është kaq nën nivelin tim dhe që
kujton se më përfaqëson, më mirë po bëj si thotë. Ndaj edhe fytyra
e brendshme (Shëmbëlltyra Fillestare) e të nënshtruarve njësohet me
atë të nënshtruesve.
Në fund të viteve ’80, ngujuar nga diktatura në
Craiova të Rumanisë, i vetmuar aq sa bisedonte me personazhet e veta, që, me
kalimin e kohës, iu bënë më të gjallë se të gjallët, I. D. Sîrbu[16] përcjell
një pamje të jetës që duket si e shkruar nesër, jo aq vjet më
parë: “Isha kudo: në shkollë, në Shtëpinë e Kulturës, në Këshill. Asnjë
fytyrë njeriu. Fytyra e burrit të pashëm e të fuqishëm është zhdukur, fytyrat e
pleqve apo të poetëve që plaken në mirësi e ndershmëri nuk ekzistojnë më. Rinia
është e shëmtuar, e mbrapshtë dhe e egër. Shahet, përdhoset, fjalët nuk thuhen,
por lehen. Gjysma e fshatit rron nga vjedhjet, gjysma tjetër lyp në
qytet. Kam parë profesorë frëngjishteje e
rumanishteje që deheshin si derrat. Vetëm ditën e tretë, në udhë drejt
stacionit të trenit, më zunë sytë një burrë të pashëm, të qetë, veshur pastër.
Ishte veterineri i fshatit. E ka ruajtur të paprekur njerëzillëkun ngaqë, falë
zanatit, është i detyruar të rrijë gjithë ditën afër grazhdeve, stallave...”[17].
Dhembja e vetmitarit Sîrbu, njohës si pakkush i
kulturës botërore dhe i të fshehtave të jetës së përditshme, i syrgjynosur
jashtë shoqërisë për vite me radhë (nuk dihet kush ia zuri vendin e
punës) nuk përqëndrohet aq tek shformimi i Fytyrë-Shëmbëlltyrës ballkanike,
sesa tek Fjalët që nuk thuhen, por lehen. Nga një makth i tillë,
veç shtimit të dashurisë për kafshët vetjake (më tepër
se shtëpiake dhe që, sipas të dhënave, përthithin sasi të
mëdha shqetësimesh nga të zotët e tyre, si ca vaksina, melheme a spitale
lëvizës), është rrënjosur edhe bindja se jeta më e mirë është
e mundshme sidomos pa një gjuhë të pasur. Po nuk lehe,
rrezikon të çosh jetë qeni (pa thonjëza), në kohëra kur jeta e njeriut është
shumë më e rëndë se jeta e shumicës së qenve me e pa zot.
Mbi Ballkan janë dyndur prore gjuhë të rreme, që mund
të emërtohen kundragjuhë. Por asnjëra deri më tash nuk ka zvogëluar kaq
njerëz sa çerekgjuha (të themi), dhe që të kujton atë prijësin
e lashtë, i cili, me ushtri të armatosur gjer në dhëmbë, por me vetëm pesëqind
fjalë në gjuhë, u sul të pushtonte aq toka sa mund të shihte në kalërim e
sipër. E shfarosën jo ata që kishin ushtri më të mëdha, por gjuhë më të pasura.
Ndaj s’është për t’u habitur nëse lehja e fjalëve do të sjellë
luftëra të reja, fati i së cilave mund të jetë i ndryshëm nga ato të lashtësisë.
Varfërimi i qëllimshëm i gjuhës zgjerohet njëherazi me
frikën. Në Shqipërinë e viteve ’80, për shembull, etja e lindur për sadopak
jetë të natyrshme mpakej nën frikën që ishte bërë qelizore dhe shtonte edhe
frikën, edhe varfërinë e gjuhës. Nuk ishte një pasurim jete nga ai që të le pa
gojë, por e kundërta, sepse edhe varfërimi mund t’ia marrë gojën njeriut. As
edhe të sëmurët nga mendtë nuk guxonin të flisnin kundër, ose të
thoshin të vërtetën. Sëmundja nuk mund të shërbente si parzmore. Di raste kur
të sëmurë me dhunti poezie u këndonin arritjeve të jetës nën diktaturë gati
njëlloj si korifenjtë e realizmit socialist.
Nuk di nëse aq të cituarit rrathë të Ferrit kanë vend
edhe për ata që ligështojnë shpirtra[18], jo me ligësi të njohura,
por me rrjeta fjalësh të shitura dhe që, kundrejt fitimesh
kalimtarë, po përhapin ndër ballkanas ngricën shpirtërore të kukullave. Një
shekull më parë, Maeterlinck-u[19] synonte që pjesët e tij
teatrore të luheshin nga kukullat (ato – në skenë, zërat e aktorëve nga
prapaskena), sepse kjo do të ruante të pacënuar hijeshinë dhe thellësinë e
tekstit. Por Meterlinku shkruante tekste gjeniale, të cilëve aktorët e
gjallë, si zëvendëskukulla, mund t’u ndërronin kahun e t’i prishnin.
Në dimrin e viti 2019, në Bukuresht ndodhi diçka që
duhet të bindë se Fundi i Botës, ai I Panjohuri, mund të vijë pikërisht siç nuk
e pret dot askush (pavarësisht sa fjalë ka në gjuhë). Sepse secili prej nesh e
harton Fundin e Botës në bazë të ëndrrave të paplotësuara. Një shi i zakonshëm
dimëror u shndërrua befas në akull, mbështolli gjer edhe degëzat më të holla,
fijet e mbrame të barit, kangjellat, çatitë, muret, madje edhe, - poetikisht,
por aspak rastësisht, - kutitë e mëshirës dhe të postës. Në vetëm pak orë,
pemët nisën të thyheshin, ngaqë akulli tkurrej dhe pesha e gjithçkaje nuk
qe parashikuar të duronte aq ujë të ngrirë e aq ngrohtësi të
shpenzuar për ngricë. U shembën shumë çati e mure, plasën trungje, shtatore,
shishe, gurë, fjalë të urta. Vërtet mbeteshe pa gojë para një befasie të
atillë, e cila, po të shkruhej si poezi, do të tingëllonte të paktën e
pabesueshme. Ishte një metaforë gati e njësuar me atë që njeriu i sotëm po i
përgatit vetes, duke kërkuar me çdo çmim një jetë më të mirë, pa marrë parasysh
se një jetë më e mirë (jo më e bukur) nënkupton një vetmim më të madh. Zhveshur
nga çdo pushtet, si ajo foshnja që vjen në botë pa asgjë dhe që po aq e
varfër kthehet në(n) tokë, gjatë orëve aq të bukura e të
frikshme të ngrirjes, u duk sikur gjithë ç’mund të na falte kjo jetë ishte
poezia, mes së cilës u gjendëm dhe së cilës nuk mund t’i shtohej, hiqej,
korrigjohej (apo korrigjuhej) asgjë. Një poezi që ishte varg pas
vargu Fundi i Botës, por më i lehtë e pakrahasimisht më i bukur nga ç’e kishim
përfytyruar. Poezi, të cilën njeriu, as me arritjet marramendëse të
teknologjisë e as me forcën e pafundme për të ndrequr a prishur, nuk e
vinte dot në fjalë. Madje as
nuk e kopjonte dot, pikërisht ngaqë nuk ishte autori.
Pak para se
e lehura të të dukej më e merituar se e folura, Fundi i Botës u kthye në
Hapësirën e paprekshme të Mundësive. Rikthimi në tokë e
detyroi syrin të shihte me një qartësi të pashitshme gjendjen e rëndë, por të
qëndrueshme që e rrethonte. Prekja e një poezie të tillë do ta
ketë shtyrë dikur edhe Sîrbu-n të rrëfehej me shkrim: "E kam humbur
krejt krenarinë time prej shtetasi, krenarinë shoqërore, etnike, fetare; më
është zvjerdhur kombi, ndërsa Ballkani më duket thjesht si një tas pështymash
për fuqitë e mëdha. Vetëm besimin në Gjuhë, në Mirësi e në Flijim nuk e kam
humbur. Përmes tyre, si ndonjë fëmijë, ribëj përditë edhe këtë lodrën që quhet
Shpresë".
Një shndërrim i thjeshtë shiu në akull mjafton për të
na bindur se nuk na duhet aq një jetë më e mirë, sesa pak frymë fëminie dhe një
shpresë më e madhe për të mos humbur poezinë.
Shtëpia dhe Baraspesha (në shumës e në njëjës)
Pasi ra Perdja e Hekurt, ballkanasi mori trajtën e një
njeriu, të cilit ia zgjerojnë befas shtëpinë, aq sa rrezikon të mos i dalë jeta
për ta parë të gjithën. Një pronar i tillë tundohet oreçast
nga mania e bujkrobit tolstojan, të cilit i premtuan se do ta ketë tokën gjer
atje ku do të ndalet së vrapuari dhe që vdiq gjithnjë e më i kamur,
por jo aq i kamur sa do të qe bërë po të kish hedhur edhe një hap. Hapja e
kufijve ajrosi shpirtra e mendje, por nisi të fashitë mallin, këtë pasuri të
kahershme të Ballkanit. Gjatë rrugëtimeve brenda shtëpisë në zgjerim e sipër,
ballkanasi kuptoi edhe një herë se sa e shtrenjtë është shtëpia e
tjetrit, rrjedhimisht e veta, dhe se pse ka dalë shprehja ”Shtëpi më
vete – varr më vete”. Nuk është fjala as për varrin, as për vdekjen, por
për mëvetësinë, të pangatërrueshmen, fshehtësinë që duhet të ketë Shtëpia (edhe
si qënie, edhe si gjuhë, edhe si trajtë shpirtërore). Pas epokash kur i
përkushtohej çdo utopie sikur ajo të ishte ideali më i lartë dhe dëbonte, ose
shpërfillte ideale të mirëfilltë, sikur të ishin utopi rrënimtare, ballkanasi
ndërroi, ose jetës së tij iu ndërrua kahu i flijimit. E këmbeu me një
jetë më të mirë, si pagë për një jetë edhe më të mirë.
Ai që, edhe në kushte shtazarake luftonte të bëhej dikush, të mbetej në
Kujtesë, qoftë edhe vetëm si shembull për pasardhësit, u dashurua pas të qënit
askush, ose diçka. Diçka si dikush, dikush si diçka,
pra askush në kuptimin e pagjykueshëm të fjalës. Ky është më i
mbrojtur, nuk lakmohet fort nga hallet, nuk synon të mbetet në asnjë kujtesë,
mjafton të sigurojë një jetë më të mirë. Mësimet se „Më e mira është armikja
e së Mirës” dhe „Atij që ankohet / të pakënaqurit, i merren dhuratat”
nuk janë të vlefshme për sa kohë dhuratat e askushit nuk i kalojnë përmasat e
tij e mezi duken. Për çudi, e Mira është nën nivelin e tij dhe ai s’ka si të
mos i përkushtohet Më së mirës. Kuptohet, çmimi për t’u bërë askush, - që është
dështim i vetëdijshëm për të dalë nga vëmendja e fatkeqësive, - hakmerret
shpesh përmes nevojës për bujë e emër dhe sidomos përmes përdorimit të mjeteve
që tashmë u përkasin dikushëve. Kjo mbush qënien me asgjë, dhe me aq asgjë nuk mbushet
dot asnjë shtëpi që s’ndalet së zgjeruari.
Në pamje të parë, të mësipërmit zgjedhin dështimin jo
si hakmarrje ndaj flijimeve të hershme që nuk sollën një jetë më të mirë, por
nga frika, për t'u mbrojtur. Shumica tashmë e di se një Curriculum Vitae i
pasur mund të jetë hasmi më i mbrapshtë i njeriut, sidomos në një shoqëri ku
puna ka shumë trajta skllavërie dhe ku të jesh i papunë nënkupton të
shkatërrosh më pak. Por, për fat të keq, një jetë më e mirë nuk vjen po të
pasurohesh me ide, ose me kulturë. Shumë të rinj që nuk kanë lexuar asgjë veç
librave shkollorë dhe qyfyreve të internetit, punësohen duke dorëzuar jetëshkrime ku
dëshmohet vetëm se dikur janë lindur, synojnë një jetë më të mirë, dinë shkrim
e këndim dhe nuk kanë vdekur. Kështu e shpëtojnë shkatërrimin
e shkallëzuar nga të papunët me Curriculum Vitae të pasur.
Në pamje të dytë, pyetjet shtrohen disi ndryshe:
Vallë, ballkanasit dështojnë me qëllim që këto treva të mbeten të bekuara, apo
ngrihen heraherës mbi mesataren, gjithmonë me çmim flijimi a dështimi që niveli i
Mallkimit të mos ndryshojë?
Në pamje të tretë, sado ngjethëse të tingëllojë, mund
të thuhet se, pavetëdijshëm, madje pa e dashur, dështojnë për të mos lënë
pa shpirt të parë artin e madh.
Kur Perdja e Hekurt ra, edhe pragu i Portave të
Lindjes (ku asgjë s’merret seriozisht[20]) ndryshoi. Në fare pak kohë,
tek vërente se vuajtjet e stërgjata nuk marrin menjëherë shpërblim dhe jeta më
e mirë vonohej, ballkanasi – përfaqësues i shumicës iu drejtua vëllezërve
perëndimorë – përfaqësues të pakicës (pritur e trajtuar si perëndi, por edhe si
perëndues të gjithçkaje të veçantë) me shumë fjalime që mund të përmblidhen në
fjalinë: Ju po na pasuroni letërsinë...
Për arsye të ngjashme, por nga një tjetër modus
vivendi, shkrimtarët ballkanas iu drejtuan pó atyre perëndimorëve, por edhe
ballkanasve “të shitur”: Ju po na pakësoni mallkimin...
Gjendja vazhdon të jetë e rëndë, por e qëndrueshme; e
qëndrueshme, por e rëndë. Askush nuk mund të vendosë nëse ferri është më i
pranueshëm në rrathë (ku ndëshkimi s’ka fund, sepse duhet ta nisë gjithnjë nga
fillimi), apo në katrorë, si qelitë e burgut (ku ndëshkimi ka një fund të
paktën kohor). Letërsia ushqehet njëlloj edhe nga rrathët, edhe nga katrorët.
Vlerën e saj e ridëshmon, mes shumë të tjerash, edhe një shtetas italian, që
ndihet krenar se ka një katragjysh në “Ferrin” e Dantes.
Arratia, mërgimi ndeshen me mësimin e hershëm të
Filokalisë: “Të mos jenë sprovat dhe betejat shkak largimi nga vendi ku
ndodhemi, sepse vështirësitë janë shenja se aty i kemi pëlqyer Zotit”.*
Mjafton një pushim mes një libri të sapobotuar dhe një tjetri ende në
dorëshkrim për t’u bindur se vërtet Krijuesi lufton nga brenda e jashtë nesh
për ne, në vendin tonë. Mbase prandaj çdo “ushtar” i këtyre trevave ndihet aq
shpesh udhëheqës.
Poezia mbetet ende “ana tjetër e krenarisë”
(Elytis dixit). Kjo krenari kërcënohet përditë nga çerekgjuha, nga etja për një
jetë më të mirë dhe nga shkrimarët që ende s’pranojnë se janë lindur për
tjetërgjë. Të tjerët, gjithnjë e më të paktë, flasin me personazhet e tyre dhe
luten “Mos na lerë, o Zot, në dorën e jopoetëve (apo shpoetëve)
të zellshëm”. Në Ballkan ka shumë gjendje, kur Lutja është më e fuqishmja gjë
që mund të bësh.
Nevoja për të ruajtur Baraspeshën, - lexo: mëvetësinë,
gjuhën, shpirtin dhe përmasat e Shtëpisë, - sjell sprova të papritura. Mes
shkrimtarit dhe ballkanasit, mes një libri dhe tjetrit, mes Poezisë dhe
Përditshmërisë, mes Gjuhës dhe çerekgjuhës, krejt jorastësisht ndesh në një
tekst që nuk është përkthyer ende në asnjë gjuhë të huaj. “Kur dikush arrin
diçka që i ka lypur shumë mund, brenda tij nis të punojë mburrja. (...) Ajo që
arrijmë, mund të na ndyjë më tepër se vetë mëkati. Ajo që fitojmë, mund të na i
përmbysë pikëqendrat emocionale në mënyrë të atillë sa të na e mbushë shpirtin
me helm. / Të hollat që vijnë drejt nesh mund të na bëjnë zemër-gurë e kopracë,
ashtu sikurse suksesi mund të na shembë në humnerën e frikshme të sëmundjeve
shpirtërore. / Rruga drejt dashurisë ngushtohet, kur i shohim të tjerët nga
lartësitë e shqiponjave në fluturim. Butësia e zemrës thahet në degët e
përbuzjes, nga urrejtja dhe vetëlëvdatat, nëse shpirti nuk është i përgatitur
ta pranojë arritjen e vet me thjeshtësinë dhe hijeshinë e një luleje.... /
Gjithë ç’ka arrijmë për veten tonë dhe na sjell energji, ka vetinë të kthehet
kundër atyre që përpëliten, ende, në vuajtje e mëkat. Sytë tanë nuk janë
ngjizur për përçmim, por për të shprehur fytyrën e dashurisë që vuan të dalë
nga shpirtrat tanë. Sukseset nuk na jepen për t’u fryrë mes pendësh, si në
veshjet e shtatoreve, por për t’i shndërruar në dashuri, në zhvillim dhe në
përkushtim ndaj njerëzve përreth. (...) Nëse ia ke dalë mbanë në jetë, mos u
kap pas dështimeve të tjetrit, që të mos zgjosh në vete krimbin e egër të
krenarisë e të mburrjeve. Fitorja në diçka është energjia e dashurisë dhe e
aftësisë sate për të pranuar jetën, por ajo nuk mbetet e palëvizshme, nuk është
si ndonjë mal a oqean. (...) Mburrja dhe krenaria e fitoreve të zbresin,
dalëngadalë, nga piedestali yt, sepse ato vizatojnë në qiellin e jetës sate
ngjarje që u përshtaten. (...) Dobësohu, gëzohu dhe hesht! Ler duhanin, gëzohu
dhe hesht! Pastro oborrin tënd, gëzoju pastërtisë dhe leri plehërat e fqinjit
atje ku vetë fqinji i ka vënë. Sepse mes fqinjit dhe plehërave të tij ekziston
një marrëdhënie e fshehtë, disa ndjenja që ti nuk i njeh, nuk i merr dot me
mend, dhe shkaqe që do të mbeten mbase përgjithmonë të fshehura për mendjen dhe
zemrën tënde. / Mes njeriut të shëndoshë dhe mishit të tij ekziston një
marrëdhënie e fshehtë. Një ujdi. Një sekret. Një ndjenjë e pakuptueshme. Një
emocion i pa(për)mbyllur. Një dashuri e zmbrapsur. Dhjami është mësuesi i të
shëndoshit. Vesi është mësuesi i njeriut me vese. Dhe në jetën tonë nuk ka
mësues më të ashpër sesa veset dhe paaftësitë tona. / Tani e di, di se çdo
urrejtje, çdo kundërshti, çdo mbajtje mend e së keqes, çdo mungesë mëshire,
mirëkuptimi, butësie, simpatie (...) është një mëkat dhe një papastërti; jo
vetëm vrasja, plagosja, goditja, vjedhja, sharja, dëbimi, por çdo vulgaritet,
nëpërkëmbje, çdo dyshim i mbrapshtë vjen nga i paudhi e prish gjithçka. Tani e
di, e mësova edhe unë...”[21].
Pyetjet bëhen gjerdan: a ia vlen të durosh një jetë
ballkanike vetëm për hir të artit të madh; a ia vlen të bësh art të epërm për
njerëz që shijojnë me zor dhe mbajnë të pandryshueshme një jetë të
tillë sidomos duke synuar me çdo çmim një jetë më të mirë; a duhet
vetëm të jetosh sa më gjatë, duke shmangur me çdo çmim vdekjen e trupit, duke
shpërfillur atë të shpirtit; çfarë mund të përdoret në vend të frymës për të marrë
frymë; vërtet i merret dhurata të pakënaqurit, apo dhurata përkatëse është
tepër e vogël; si do të kish qenë kjo lloj jete pa artin, si do të kish qenë
arti pa këtë lloj jete. Janë pyetje krejt të pavlefshme, në mos po çmendurisht
poetike për ata që lexojnë me veshë e dëgjojnë me sy, por asnjëherë edhe me
zemër.
2021
[1] Comunicare in-humanum est,
Bukuresht 2014.
[2] Letërsia mund t’i emërtojë edhe shkrijuese –
fjalë e imja A.-Ch. Kyçyku.
[3] Josif Vrienios (gr. Ιωσήφ ο Βρυέννιος) – murg i ditur bizantin i shekullit XV, nga
Manastiri i Studitëve, autor shkrimesh të rëndësishme shpirtërore. Njihet edhe
si Shën Gojarti i Ri. Ishte mësuesi i Patriarkut të
Kostandinopojës, Genad II Shkollarit. U lind rreth vitit 1400 dhe ndërroi jetë mes viteve 1431 dhe 1438.
[4] Kostandinopoja kishte rreth 22,5 km mure
mbrojtës, më të fuqishmit në epokë.
[5] Arhim. Filothei Zervakos, Një ngjarje e
denjë për t’u kujtuar, Mărturie Ortodoxă Iubitoare de Dumnezeu, Fletorja
64, vjeshta e vitit 1995.
[6] Filokalia në rumanisht.
[7] Marius Tupan, Marian Popa, Avokati i të
paudhit, Fundația Luceafărul, Bukuresht, 2003.
[8] Kryeqyteti i parë i Rumanisë.
[9] Qytet në krahinën Moldova / Moldavi të Rumanisë.
[10] Qytezë e hershme në rrethin
Hunedoara të Rumanisë.
[11] I njohur edhe si Diacon Coresi / Dhjaku Coresi
(vdekur në vitin 1583 në Brașov) dhjak ortodoks, përkthyes dhe mjeshtër
tipograf rumun nga qyteti i Tërgovishtes. Është botuesi i librave të parë të
rumanishtes, rreth 35 tituj, në disa qindra kopje.
[12] Ioan
Budai-Deleanu (1760-1820) shkrimtar, teolog, filolog, gjuhëtar, historian arti
dhe jurist.
[13] Dimitrie Cantemir (1673-1723) dy herë
sundimtar i Moldavisë, dijetar, etnograf, gjeograf, filozof, historian,
gjuhëtar, muzikolog e kompozitor, anëtar i Akademisë së Shkencave të Berlinit
(Akademia Mbretërore Prusake e Shkencave / Königlich-Preußische Akademie der
Wissenschaften).
[14] Fryma e thënieve të Marian Popa-s ndjek parimet
e protokronizmit, - lëvizje me peshë në kulturën rumune dhe që
ngjason njëfarësoj me pellazgjizmin e disa shkrimeve në shqip.
Detaje të protokronizmit gjenden me shumicë në veprën poetike dhe publicistike
të Emineskut, i cili paditet disa herë në vit për ksenofobi dhe nacionalizëm
të tepruar, por që, në fakt, ka reaguar ndaj rënies / prishjes së
bashkatdhetarëve të kohës, ndaj mercenarizmit dhe shitjes së punës apo të
shpirtit, si i vetëdijshëm se përfaqëson një mishërim të epërm të racës nga
rrjedh (Rumuni absolut, siç e quan mendimtari Petre Țuțea). Atdhetaria e
Emineskut nuk është veçse shprehja e disa të vërtetave që shqetësonin politikën
e epokës, kur zbrazëtia etnike që kërcënonte identitetin
kombëtar rritej përmes mënjanimit / dëbimit të vlerave të mirëfillta, për t’ua
ruajtur, ose shtuar vendet vlerave të mesme, por sidomos për
t’ua liruar të huajve që rëndom mbeten pa emër, pa punë e pa kamje në
vendlindjet e tyre. Shih edhe Trialog [Ese ndërdisiplinore mbi
lidhjet e letërsisë me mërgimin dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur
Kujtesën dhe Metaforën], Bukuresht, 2016 – work in progress.
[15] Dhjata e Vjetër, Fillesa I, 26 : "Ta
bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës Sonë dhe në ngjasim me Ne”.
[16] Ion Dezideriu Sîrbu, njohur edhe si Ion D. Sîrbu
apo I. D. Sîrbu (1919-1989), bir minatori, luftëtar në frontin e Lindjes,
student i shkëlqyer në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në qytetin rumun
Cluj-Napoca, një nga majat e padiskutueshme e gjithaq të panjohura të mendimit
rumun e evropian. Mënjanohet nga jeta kulturore në vitet ’50 ‘për orientime
idealiste’. Më 16 shtator 1957 arrestohet nën akuzën se ‘nuk ka denoncuar’
disa të njohur të dyshimtë dhe burgoset për 6 vjet. Pas lirimit, i ndalohet botimi dhe internohet në vendlindje (Petrila), ku
punon si vagonashtyrës miniere. Më vonë emërohet në Teatrin e Valea Jiului (i
cili sot i mban emrin) dhe punon për nëntë vjet si sekretar letrar i Teatrit
Kombëtar të Craiova-s, ku vuajti e shkroi në kushtet e një arresti shtëpiak të
pashpallur. Veç shumë vëllimeve me prozë e dramaturgji, është autor i një
ditari të jashtëzakonshëm (Gazeta / Ditari e/i një gazetari pa gazetë).
[17] Jurnalul unui jurnalist fără jurnal / Gazeta
/ Ditari e/i një gazetari pa gazetë, vëllimi I, Editura Scrisul
Românesc, Craiova, 1993, përkujdesur nga Elisabeta Sîrbu. (Fjala jurnal në rumanisht ka edhe kuptimin ditar,
pra titulli i librit është edhe Ditari i një gazetari pa ditar) F.
277-278.
[18] “Mjerë ju, o librarë* e farisenj të shtirur!
Sepse u mbyllni njerëzve Mbretërinë e Qiejve; sepse as vetë nuk hyni në Të, e
as ata që duan të hyjnë nuk i lini të hyjnë”. Ungjilli sipas Mateut 23.13.
Shkrimet e Shenjta e trajtojnë ligështimin e shpirtrave si një mëkat më të
rëndë se vrasja. * Në disa përkthime është përdorur fjala Skribë. Librar/ë e kam shqipëruar nga fjala
rumune Cărturar/i, që nuk përfshin shkrimtarët, por ata që merren
me libra, njerëz të ditur, hulumtues etj.*
[19] Maurice Polydore Marie Bernard Maeterlinck
(1862-1949), dramaturg, poet dhe eseist belg, laureati i Çmimit Nobel për
Letërsi në vitin 1911.
[20] ”Que voulez-vous, nous sommes ici aux portes
de l'Orient, où tout est pris à la légère..." (Çfarë doni ju, jemi
në dyert e Orientit / Lindjes, ku gjithçka e kanë marrë si me shaka, në
kuptimin: asgjë s’merret / s’duhet marrë seriozisht). Thënë nga
Raymond Poincaré. Shprehja është cituar nga prozatori Mateiu I. Caragiale
në Craii de Curtea Veche (Esnafët e Oborrit te Vjetër),
njëra nga kryeveprat e prozës rumune. Për të dhëna më shkencore
shih edhe Două Europe – un divorţ intelectual? / Dy Evropa
– një divorc intelektual? (Akad.
Răzvan Theodorescu në dialog me Akad. Kopi Kyçykun), rumanisht, shqip,
anglisht, Sh. B. Arvin Press, Bukuresht, 2004.
[21] Nicolae Steinhard (1912-1989), murg ortodoks me
prejardhje hebraike, konvertuar në burg, shkrimtar, eseist, mendimtar, autor i
një libri vegimtar rreth vuajtjes si mundësi për të gjetur Veten në kushte
çnjerëzore (Ditari i lumturisë / Jurnalul fericirii). Copëza është
shkëputur nga eseja Rreth së keqes njerëzore / Despre răutatea umană).