Punimi prezanton ide dhe praktika që lidhen me mësimdhënien e orientuar drejt zhvillimit të mendimit kritik, në mënyrë që mësuesit të përfitojnë dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur. Ai transmeton informacion mbi të menduarin kritik, ekspozon 5 nga konceptimet kryesore të mendimit kritik të shpërndara në mjedisin edukativ: -ato të Ennis, Lipman, McPeck, të Paul dhe Siegel duke nxjerrë të veçantat dhe të përbashkëtat midis tyre. Punimi nxjerr në pah parimet dhe praktikat në edukimin e mendimit kritik të cilat kërkojnë përmirësimin e qëndrimeve dhe aftësitë lidhur me mendimin kritik. Ai pasqyron kushtet që favorizojnë mësimdhënien në prodhimin e mendimtarëve kritikë. Ai përshkruan mënyrën e përpunimit të një strategjie mësimdhënieje që ka objekt formimin e mendimit kritik. Ai analizon situata konkrete që vijnë nëpërmjet shembujsh nxjerrë nga praktika në edukim. Punimi qartëson se të përmirësosh mendimin kritik nuk do të thotë të mjaftohesh me aplikimin e një metode unike dhe të sigurt, sepse nuk ka një të tillë. Mësuesit i duhet vetëm punë dhe guxim që të marrë përsipër risqet në varësi të zgjedhjeve të veta. Kur momenti është i përshtatshëm ai duhet të veprojë.
Punimi synon sensibilizimin e personave që synojnë këtë objektiv, qofshin këta prindër, qytetarë të preokupuar për edukimin apo nxënës. Ai u drejtohet mësuesve të të gjitha niveleve shkollore si edhe studentëve të fushës së edukimit.
Fjalët kyçe: mendim kritik, mësimdhënie, aftësi dhe qëndrime, proces dhe mjete vlerësimi.