Marta Topçiu*: Zhvillimi i të menduarit kritik dhe formimi i mendimtarëve kritikë mbetet për do kohë një ndër sfidat më të mëdha të shkollimit

Abstrakt

Punimi prezanton ide dhe praktika që lidhen me mësimdhënien e orientuar drejt zhvillimit të mendimit kritik, në mënyrë që mësuesit të përfitojnë dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur. Ai transmeton informacion mbi të menduarin kritik, ekspozon 5 nga konceptimet kryesore të mendimit kritik të shpërndara në mjedisin edukativ: -ato të Ennis, Lipman, McPeck, të Paul dhe Siegel duke nxjerrë të veçantat dhe të përbashkëtat midis tyre. Punimi nxjerr në pah parimet dhe praktikat në edukimin e mendimit kritik të cilat kërkojnë përmirësimin e qëndrimeve dhe aftësitë lidhur me mendimin kritik. Ai pasqyron kushtet që favorizojnë mësimdhënien në prodhimin e mendimtarëve kritikë. Ai përshkruan mënyrën e përpunimit të një strategjie mësimdhënieje që ka objekt formimin e mendimit kritik. Ai analizon situata konkrete që vijnë nëpërmjet shembujsh nxjerrë nga praktika në edukim. Punimi qartëson se të përmirësosh mendimin kritik nuk do të thotë të mjaftohesh me aplikimin e një metode unike dhe të sigurt, sepse nuk ka një të tillë. Mësuesit i duhet vetëm punë dhe guxim që të marrë përsipër risqet në varësi të zgjedhjeve të veta. Kur momenti është i përshtatshëm ai duhet të veprojë.
Punimi synon sensibilizimin e personave që synojnë këtë objektiv, qofshin këta prindër, qytetarë të preokupuar për edukimin apo nxënës. Ai u drejtohet mësuesve të të gjitha niveleve shkollore si edhe studentëve të fushës së edukimit.

Fjalët kyçe: mendim kritik, mësimdhënie, aftësi dhe qëndrime, proces dhe mjete vlerësimi. 

Abstract:

The paper presents ideas and practices that are related to teaching oriented towards the development of critical thinking, so that teachers would benefit and act independently. It transmits information on critical thinking, exhibits five from the main concepts of critical thinking shared in educational environment: the concepts of Ennis, Lipman, Mc Peck, Paul and Siegel by drawing (eliciting) the peculiarities and the common aspects among them. 
The research emphasizes the principles and practices in the development of critical thinking which require the improvement of the attitudes and skills regarding critical thinking. It reflects the conditions which favor teaching in preparing critical thinkers. It describes the way a teaching strategy is elaborated, whose object is the development of critical thinking. It analyzes real situations taken from examples of practices in education. The research clarifies that the improvement of critical thinking is not enough and equal to the application of a unique and certain method because there is not any like that. The teachers need work and courage to undertake risks depending on his solutions. When the appropriate moment comes, teachers need to act. 
The article aims to raise the awareness of the people who have this objective, being them parents, citizens who are concerned about education or students. It addresses to teachers of all educational levels, as well as to students of the educational sphere. 

Hyrje

Rritja e shkallës së inteligjencës tek nxënësit mbetet për edukatorët qëllim dhe sfidë njëkohësisht. Prej shumë vitesh, veçanërisht në SH.B.A, ky finalitet edukativ kristalizohet rreth formimit dhe zhvillimit të mendimit kritik. (critical thinking). Edhe pse mendimi kritik si koncept hap rrugë për shumë definicione, s’ka dyshim se të gjitha ato konvergojnë drejt idesë së mbrojtur nga Jacque Boisvert (1999) se bëhet fjalë për një mendim që arrin përpikmëri të madhe intelektuale. Ndryshe nga disa pozicione të ekzagjeruara që e prezantojnë mendimin kritik si “një çelës të artë” për problemet sociale dhe morale, punimi nxjerr në pah rëndësinë e mendimit kritik për individin dhe për shoqërinë. 
A e përmbush shkolla në mënyrën e duhur rolin e saj lidhur me formimin dhe zhvillimin e të menduarit kritik tek nxënësit? 
Mjetet pedagogjike që posedojnë mësuesit, për të zhvilluar mendimin kritik tek nxënësit janë relativisht të shumta por realisht ato aplikohen nga një numër i vogël mësuesish. Shumë edukatorë kanë përpunuar dhe eksperimentuar strategji të mësimdhënies dhe programe në ndihmë të formimit; kanë formuluar parime, që mund të aplikohen me gjithë klasën; kanë ndërtuar instrumenta që synojnë vlerësimin e progresit të mendimit kritik.
Ky punim prezanton ide dhe praktika të mësimdhënies që synojnë nxitjen e mendimit kritik, transmeton informacione mbi të menduarin kritik; (ç’është ai, pse është i domosdoshëm, si formohet brenda kuadrit të mësimdhënies, në ç’mënyre vlerësohet progresi i tij) duke na nxitur të reflektojmë lidhur me të gjitha këto pyetje. 
Ai kërkon të sensibilizojë prindër, vendimmarrës politikë, qytetarë të preokupuar për edukimin dhe progresin e të menduarit kritik.
Në mënyrë të veçantë ai u drejtohet mësuesve të të gjitha niveleve shkollore dhe studentëve në fushën e edukimit, në mënyrë që nëpërmjet mësimdhënies të prodhojnë njerëz të rinj që mendojnë në mënyrë kritike. Që nxënësit, studentët dhe mësuesit e ardhshëm të kenë çelsin e shpirtit kritik, përbën një sfidë e cila është sa didaktike, pedagogjike, personale edhe politike.

Natyra e mendimit kritik

Gjithë progresi i njerëzimit mbështetet mbi aftësinë e çdo qenieje njerëzore për të menduar. Kur mendojmë, trajtojmë informacionet që marrim, duke u mbështetur mbi atë ç’ka dime, dhe zakonisht sjellim gjykime. Shpesh mund të gabohemi në gjykimet tona. Këtu mendimi “kritik” mund të na ndihmojë.
Le të nisim me elementët kryesorë që ravijëzojnë konturet e mendimit kritik, duke shqyrtuar pesë konceptime të rëndësishme të tij në fushën e edukimit, për të reflektuar më pas mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e tij. 
Le të prezantojmë rolet dhe detyrat që i propozohen shkollës lidhur me mendimin kritik për të gjykuar më pas mbi arritjet dhe rezultatet reale të këtij institucioni në këtë fushë. 
Para paraqitjes së definicioneve dhe konceptimeve të veçanta do të ishte me vend dëshira për ta parë mendimin kritik në tre këndvështrime komplementare:
Si strategji e të menduarit; si investigim; si proces;
Strategji e të menduarit
Nëse do t’i ktheheshim klasifikimit të aftësive të të menduarit sigurisht që do ta shihnim mendimin kritik mes tyre. Romeno (1995) përcakton 3 kategori të mëdha aftësish të të menduarit (thinking skills)1:
aftësitë bazë, 
strategjitë e të menduarit (mendimi kritik), 
aftësitë metakonjitive. 

*Aftësitë që përbëjnë bazën e procesit të të menduarit i shërbejnë analizës, trajtimit të informacionit, klasifikimit, përgjithësimit, etj.

* Strategjitë e të menduarit përfaqësojnë tërësi veprimesh, operacionesh që realizohen njëra pas tjetrës. Bëhet fjalë për formim konceptesh, kultivim aftësish krijuese, marrje vendimesh, zgjidhje problemesh, të cilat kërkojnë një koordinim që nuk është i nevojshëm për aftësitë bazë. 

*Aftësitë konjitive lejojnë të drejtojmë dhe kontrollojmë aftësitë bazë dhe strategjitë e të menduarit nëpërmjet veprimesh të planifikuara si shqyrtimit dhe vlerësimit që ne u bëjmë proceseve të të menduarit.
More in: Revista Haemus




Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Departamenti i Metodologjive të Mësimdhënies.