Poezia është kontributi i parë letrar i njeriut. Ajo lulëzoi si mjet me të cilin idetë, ngjarjet, çdo kumt qenë përcjellur nga një brez në tjetrin shumë kohë para se të përdorej proza.
Qysh prej qytetërimeve të mëhershme, poezia
ka qenë mjet komunikimi i ligjit, i historisë, depo e kujtesës së popullit,
argëtim i tij, veprimtari ezoterike për grupe të vogla (elita), etj.
Fillimisht, llojet e para poetike, psalmet e
himnet, këndoheshin të shoqëruara me muzikë në tempujt fetarë.U këndohej
hyjnive pagane si diellit, hënës dhe çdo gjëje që adhurohej nga njerëzit. Me
kalimin e kohëve ato u ndanë nga muzika, por ruajtën ritmin dhe thirrjet
emocionale që karakterizonin tekstin. Dalëngadalë, poezia filloi të trajtojë
motive laike, duke u ndarë kështu nga besimi.U dedikohej heronjve, bëmave të
tyre heroike. Më vonë lindën oda, poezia pastorale, elegjia, dhe llojet e
ndryshme të poezisë lirike. Emrin që gëzon sot poezia lirike e mori ngase në
kohët e lashta këndohej e shoqëruar me lirë.
Tragjedia dhe epika në kohën e antikitetit
grek shkruheshin në vargje. Kështu vazhdoi gjatë qytetërimëve perëndimore me
dramën dhe narrativën epike. Përvojat publike, shprehja e kulturës së një
kombi, e një klase drejtuese a e një grupi shoqëror u bartën përmes poezisë. “Poetët
janë ligjdhënësit e panjohur të botës” ka shkruar Shelley.
Me kalimin e kohës, poezia, duke braktisur
dramën, që u tërhoq përgjithësisht në domenin e prozës, dhe narrativën heroike,
që kaloi kryesisht tek romani, i mbet lirikës, e cila u struk më së shumti në
një komunikim intim. Ajo u bë shprehje e botës së brendshme të të dashuruarit,
të atdhetarit, të filozofit, të besimtarit, etj.