Poezia është kontributi i parë letrar i njeriut. Ajo lulëzoi si mjet me të cilin idetë, ngjarjet, çdo kumt qenë përcjellur nga një brez në tjetrin shumë kohë para se të përdorej proza.
Qysh prej qytetërimeve të mëhershme, poezia
ka qenë mjet komunikimi i ligjit, i historisë, depo e kujtesës së popullit,
argëtim i tij, veprimtari ezoterike për grupe të vogla (elita), etj.
Fillimisht, llojet e para poetike, psalmet e
himnet, këndoheshin të shoqëruara me muzikë në tempujt fetarë.U këndohej
hyjnive pagane si diellit, hënës dhe çdo gjëje që adhurohej nga njerëzit. Me
kalimin e kohëve ato u ndanë nga muzika, por ruajtën ritmin dhe thirrjet
emocionale që karakterizonin tekstin. Dalëngadalë, poezia filloi të trajtojë
motive laike, duke u ndarë kështu nga besimi.U dedikohej heronjve, bëmave të
tyre heroike. Më vonë lindën oda, poezia pastorale, elegjia, dhe llojet e
ndryshme të poezisë lirike. Emrin që gëzon sot poezia lirike e mori ngase në
kohët e lashta këndohej e shoqëruar me lirë.
Tragjedia dhe epika në kohën e antikitetit
grek shkruheshin në vargje. Kështu vazhdoi gjatë qytetërimëve perëndimore me
dramën dhe narrativën epike. Përvojat publike, shprehja e kulturës së një
kombi, e një klase drejtuese a e një grupi shoqëror u bartën përmes poezisë. “Poetët
janë ligjdhënësit e panjohur të botës” ka shkruar Shelley.
Me kalimin e kohës, poezia, duke braktisur
dramën, që u tërhoq përgjithësisht në domenin e prozës, dhe narrativën heroike,
që kaloi kryesisht tek romani, i mbet lirikës, e cila u struk më së shumti në
një komunikim intim. Ajo u bë shprehje e botës së brendshme të të dashuruarit,
të atdhetarit, të filozofit, të besimtarit, etj.
Poezia është arti më i vështirë për t’u
përcaktuar. Më duket se poeti ynë hermetik i heshtjes 50-vjeçare, Zef Zorba, i
ka dhënë zgjidhjen më mbushamendëse kësaj çështjeje, kur ka thënë: “Si të na
shkojë mendja me përkufizue të pakufizueshmen? E pikërisht poezia asht e
pakufizueshme.”
Me gjithë këtë, ajo është arti që është
çanësuar më shumë se çdo art tjetër. Ajo është përcaktuar shkëncërisht dhe
artistikisht. Një gjë e tillë është plotësisht normale, sepse poezia është
trualli artistik i universales njerëzore, ku jetojnë parajsa dhe ferri, qielli
dhe toka, yjtë dhe hëna, e gjithë natyra, fushat e malet, zogjtë e pemët, po
kryesisht njeriu, jeta dhe vdekja, dhimbja dhe lumturia, të gjithë elementet e
lëndës dhe të shpirtit, më shumë se kudo tjetër.
Kushti i parë, më i qenësishmi, i poezisë
lirike është krijimi artistik i një përfytyrimi sa më të pasur kuptimisht. Sepse
lirika mbështetet tërësisht në figurën e imagjinatës së sajuar prej përjetimeve
të poetit dhe sendërtimit të saj nga lexuesi, gjatë leximit rikrijues që është
gjithnjë individual.Vargjet që lexojmë janë vetëm lulet, kurse rrënjët,
kërcellin dhe gemat e tyre duhet t’i kërkojmë në përfytyrimet dhe emocionet
tona.
Në qenësinë e saj, lirika
është si një shkëmb në breg të detit, shkëmb i mendimit të larë e të lëmuar nga
dallgët e brengës për njeriun dhe njerëzimin – një dhimbje universale. Sepse
vetë poezia është universale në dimensionet e saj të bukurisë së shpirtit.
Poeti nobelist italian
Salvatore Quasimodo (1901-1968), duke bërë fjalë për poezinë lirike ka shkruar:
“Kur poezia fillon të thotë pushon së qeni”; duke nxjerrë në pah natyrën
evokuese e sugjestionuese të saj; ndërsa poeti amerikan Archibald MacLeish
(1892-1982), në esenë e tij poetike “Ars Poetica”, e ka përforcuar këtë mendim,
duke thënë: “Poezia nuk duhet të thotë, por të jetë”. “Ajo që mund të
shpjegohet nuk është poezi”, ka shkruar poeti i madh irlandes William B. Yeats
(1865-1939). Tagora na e ka dhënë aq bukur këtë fakt estetik:
“Kur mbasi të ketë dëgjuar të
recitohet një poezi imja, ndonjë më thotë: “Nuk e kam kuptuar’, unë jam i
detyruar të hesht.
Në qoftë se i merrni erë një
luleje dhe thoni: ‘Nuk kuptoj’ – përgjigjja ime është: ‘Këtu nuk ka gjë të
pakuptueshme, është vetëm erë e mirë’.
Dhe në qoftë se, megjithëkëtë,
ju ngulni këmbë duke thënë: ‘E di, po ç’kuptim ka?’. Atëherë nuk më mbetet
tjetër veç të ndërroj bisedë ose të bëhem i pakuptueshëm, duke pohuar se era e
mirë është forma që merr gëzimi i gjithësisë në një lule”.
Do të ishim plotësisht të
gabuar, nëse në përcaktimet e mësipërme do të gjenim një poezi të pakuptueshme
ose të pakuptimtë. Krejt e kundërta: poetët e cituar kërkojnë që poezia në sa
më pak fjalë të krijojë një përfytyrim sa më të gjerë që të shprehë një përvojë
sa më të pasur dhe të transmetojë një kumt sa më të qartë. Dhe me që në poezi
nuk parashtrohen idetë, por jepet përjetimi vetjak i tyre nëpërmjet intuitës dhe
përfytyrimit ndjenjësor, lexuesit i duhet të rigjallërojë, të rikrijojë në
vetëdijen e tij përvojën përfytyruese të poetit, dhe mundësisht dridhjet
emocionale të zemrës së tij, pra “ta ndjejë” poezinë, nëse dëshiron të
përjetojë atë që Leonardo Da Vinci e ka quajtur gëzimi i të kuptuarit dhe që
është simbas tij “kënaqësia më fisnike” e njeriut.
Mitologjia greke, në figurën e
Orfeut ka çanësuar një kuptimësi tejet të vlertë të poezisë, në kohën kur ajo
nuk ishte ndarë ende nga melodia. Orfeu mbahet këngëtari-poet më i shquar që
jetoi para Homerit. Pindari, liriku më i madh i antikitetit grek, e quan atë “Babai i
këngës”. Aq e magjishme ishte kënga e tij e shoqëruar me lirë, sa që qetësonte
kafshët e egra, i bënte pemët të përkuleshin për ta dëgjuar, shkëmbinjtë të
afroheshin, tallazet e detit të qetësoheshin…Kur xhelozia e grave që e
dashuronin e copëtoi kortarë-kortarë dhe kokën ia hodhi në lumin Ebro, ajo nuk
u mbyt, por qëndroi mbi valë dhe vazhdoi të këndojë. Më vonë ajo u shndërrua në
orakull. Kështu e ka përfytyruar mitologjia greke poezinë: magjinë, bukurinë,
vlerën, pavdekshmërinë dhe profecinë e saj. Mesazhi i saj: një ilaç jo vetëm
për dhimbjen njerëzore, por edhe të botës së gjallë.
(Vijon në Revistë)