1.
Siç dihet - tashmë gjerësisht - në teorinë e
relativitetit shpejtësia e dritës është kufitare: asnjë objekt e informacion nuk mund të lëvizë më shpejt se
drita në zbrazëti.
Po sipas kësaj teorie, nëse lëvizet me shpejtësinë e dritës koha mbetet
në vend.
Çfarë lëviz me shpejtësinë e dritës në mos drita vetë?
Deri këtu vetëm kemi përsëritur ca gjëra që mësohen në gjimnaz e që tifozët e »Star
Trek«-ut i dinë përmendësh.
Prej këtu e më poshtë vijon arsyetimi ynë. Ai do të jetë i rreptë për nga thjeshtësia.
Nëse koha mbetet
në vend kur lëvizet me shpejtësinë e dritës e me këtë lëviz drita në zbrazëti, (nëse mund të flitet për shpejtësi kur koha mbetet në vend) atëherë kjo kohë kufitare - si edhe shpejtësia e dritës brendapërbrenda sistemit ku shpaloset: atij të dritës vetë - nuk mund të ketë vlerë tjetër përpos vlerës 1.
Të gjitha lëvizjet e tjera
duhen vendosur pastaj në raport me të, pasi shpejtësia e dritës është kuti me të cilën do të matim pjesën tjetër e kjo marrëveshje do të ishte e natyrës aksiomatike,
mu ashtu siç biem në një mendje që një metër është njësia me të cilën matim gjatësitë e pse kjo është kështu, - pse 1 e jo 0, bie fjala, - kjo është tjetër aksiomë, matematike kësaj radhe, që do të nënkuptonte se
sistemi matematik që kemi zgjedhur do ta përjashtonte zeron si të tillë, që do të thotë se në një sistem
koordinatash karteziane (ortogonal) x, y për shembull, prerja e boshteve, vlera e saj do të ishte 1 e jo 0, siç shënohet rëndom.