Valeriu
Matei (lindur me 31 mars 1959 në komunën Kazangic, rrethi
Lăpușna, Basarabí), shkrimtar, akademik, themelues dhe / ose drejtues
institucionesh, botues vizionar, prani e jashtëzakonshme në jetën dhe vetëdijën
kulturore e shkencore rumune, autor i një sërë veprash letrare – Shtylla prej
zjarri (Stâlpul de foc, 1988), Gjumë ujku (Somn de lup, 1990), Elegjitë e
Djalit Plangprishës (Elegiile Fiului Risipitor, 2010), Kafeneja „Kambana”
(Cafeneaua „Clopotul”, 2016), Ziliada (lojë fjalësh zi – ditë,
rum. dhe Iliada, Iaşi, 2008); 101 poema (București, 2009); Kafeja e gotës së dashurisë (Cafeaua din
paharul iubirii), Râmnicu Sărat, 2011); Kryqëzata
Ballkanike (Cruciada Balcanică, Chişinău, 2013); Gurë të bardhë, gurë të zinj (Pietre albe, pietre negre, CD,
Chişinău, 2013); Ekuacionet e pezmit
(Ecuaţiile disperării, Bucureşti, 2015); Nata
e shenjave. Poemat e qëndresës
antisovjetike dhe antikomuniste (Noaptea semnelor. Poemele rezistenţei
antisovietice şi anticomuniste, Iaşi, 2019); Anatomia e reales (Anatomia realului, Iaşi, 2021), Mbrëmësore mbretërore (Vecernie regală,
Chişinău, 2021). Ka shkruar edhe pjesë teatri, ese, studime etj. Siç ka vënë re kritika
e specializuar, Valeriu Matei „nuk shkruan me stilograf, por me degën e një
shelgu lotues”.
Poeti është edhe një nga figurat
emblematike të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare të Basarabisë. Poezia e tij është përkthyer anglisht, frëngjist, spanjisht,
shqip, gjermanisht, rusisht, italisht, bullgarisht, greqisht, letonisht, azerisht,
maqedonisht, hungarisht, sllovakisht, suedisht, turqisht etj.
Kompozitorë dhe
interpretues të njohur kanë krijuar, frymëzuar nga vargjet e tij, vepra
muzikore në zhanre të ndryshme.
Valeriu Matei ka përkthyer
nga poezia franceze, spanjolle, ruse, angleze dhe letoneze.
I janë akorduar shumë çmime letrarë e kulturorë, mes të cilëve Çmimi ”Mihai Eminescu” i Akademisë Rumune (1996, për vëllimin Vdekja e Zenonit (Moartea lui Zenon), Çmimi i Madh ”Nichita Stănescu” për poezi (1995), Çmimi i Madh ”Nichita Stănescu” – Opera Omnia dhe Trofeu ”Nichita Stănescu” (2002), Çmimi për letërsi i diasporës rumune në Gjermani (2004), Çmimi ”Frontiera Poesis” i Festivalit Ndërkombëtar Poesis (2007, Satu Mare), Çmimi për poezi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Moldavisë (2008 dhe 2010), Çmimi ”Libri i Poezisë i Vitit” i Panairit Ndërkombëtar të Librit (Kishinjev, 2010) etj. Është dekoruar me Urdhrin Kombëtar "Ylli i Rumanisë" (Steaua României), në gradën Komandor (2004), me Urdhrin e Republikës (Republika e Moldavisë, 2010), me Medaljen "Mihai Eminescu" (Rumani, 2000), me Medaljen ”Dimitrie Cantemir” (Republika e Moldavisë, 2013), me Medaljen ”Mihai Eminescu” (Republika e Moldavisë, 2014) etj.
1.
qytetthe mbi eshtra, Xhokonda të mbështjella në
veshjen e tymtë të një buzëqeshjeje
të hapur si një stacion treni,
Danubi prej lotësh nuk ka më shtrat
kripa e dherave është kalbur në gjak,
jo fitore, jo vetmi,
qeni hipur majë piramidës
do të vdesë në trekëndshin vigjilues
i dërrmuar në mesnatë
prej një fije bari
2.
përmes mendimit kolektiv të rrugës
kalon rinia e përskuqur e mjegullës
hipur mbi kalë të bardhë,
kalon shqiponja e mbarsur e shënjuar
në të vetmen vijë të trurit
me yllin e kuq në pesë cepa të verbër,
kalon kamioni me xhamat të vrimuar
nga mustaqet e mëdha të xha xho-së,
kalëron një bullafiq i vrenjtur
mbi jetën politike
dhe një rreze e përkthyer në prapashtesat e habisë
puthitur me një emër apostulli,
kalojnë, kalojnë, na kalojnë,
nëpër mendimin kolektiv, nëpër
mënyrën e të menduarit të përbashkët
kurrgjëja, orvatja e kurrgjësë,
fjalimet e kameleonëve gagaçë
gjasmues të mendimit kolektiv të rrugës