Showing posts with label Poezi Rumune. Show all posts
Showing posts with label Poezi Rumune. Show all posts

Valeriu Matei: Gjumë ujku (Somn de lup)

 

Gjumë ujku

(Somn de lup)

 

Fle me tëmthin mbi ndehjen e borës

flakur në larg, përndjekur si ujk

dhe jam prej fisi që pat mbajtur ujkun në flamur

dhe jam prej fisi që flijon aedët

dhe me tëmthin prej ujku fle mbi ndehjen e borës.

 

Ujk vetmitar

            sundimtar në kodrën hijeshtruese

mes meje mërmërit dhimbja stërgjyshore

dhe plumbat e aq përndjekësve

            më ngulmojnë në gjoks

dhe në tingull briri, në tingull dhimsurak

më pushton bora që valëvitet nën hënë.

 

Shkretia, nata

            nata, shkretia

endet mes nesh, fis ujqërish

përhumbshëm, duke ndarë atin nga biri

duke mbuluar tryezën, kandilin, qivurin...

mure

mure të lartë nga ku s’ke si shqitesh...

 

Në ngarendjen e përndjekësve bora shkëndijon

mbaj në qafë byzylyk shkëlqimtar prej hëne

dhe ëndërroj gjinjtë e tu të bardhë, o grua,

unë ujku për fli

            ujku prej gjaku të dhënë presë

kur me tëmthin e plagosur

rrjedh gjak mbi ndehjen e borës.

Gabriela Melinescu: Terr prej drite jam

p o e z i 

Eseiste, poete, prozatore e shprehjes rumune, franceze dhe suedeze (Bukuresht, 16 gusht 1942- Stockholm, 15 tetor 2024). Pas mbarimit të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Bukureshtit, punoi në revistat e njohura Femeia (Gruaja) dhe Luceafărul (Ylli i Dritës). Njihet si frymëzuesja e mjaft poezive të Nicita Stănescu-t (1933-1983), me të cilin pati një lidhje kohëgjatë dashurie. U vendos në Suedi në vitin 1975, pas martesës me botuesin belg René Coeckelberghs. Deri në atë vit shkroi e botoi vëllimet Ceremoni dimri, Qënie abstrakte, Brenda Ligjit, Një sëmundje me prejardhje hyjnore, Betim varfërie, nderi e nënshtrimi, Mërmëritja e botës, Kundër të dashurit, si dhe dy libra në prozë. Pas vitit 1989, botoi rumanisht Ditar suedez në disa vëllime – vegimtar jo vetëm për jetën letrare europiane, por edhe për shumëgjuhësinë e shkrimtarëve, përkushtimin, vuajtjet krijuese. Në gjuhën suedeze, në të cilën filloi të shkruajë pak kohë pas mërgimit, shkroi e botoi librat: Dera e ndaluar, Zoti pjellor, Babai i gënjeshtrës, Fëmijët e durimit, Ujqit ngjiten në qiell, Mbretëresha e rrugës, Njeriu-zog, Dritë drejt dritës, Ndërrimi i pendëve, Në shtëpi në një vend të huaj, Nëna si Zot, Mbi shpinën e zogut të artë etj. Përktheu rumanisht vepra nga Emanuel Swedenborg, August Strindberg, Stig Dagerman, Gunnar Ekelöf, Kjell Espmark, Brigitta Trotzig dhe Goran Sonnevi. Krijimtaria e Gabriela Melinescu-t është vlerësuar me disa çmime letrare të rëndësishme.

 

Ende është natë

(Încă e noapte)

 

Ende është natë dhe mendoj në terr

për ditën e parë të botës

Në fillim ishte drita

dhe drita ishte errësirë

e ngrohta qe e ftohtë

dhe e ftohta absolute qe e ngrohtë.

Terri u bë lëndor

kapur në trajta të çuditshme

Këta dy sy të rritur në kokë

ndjejnë atë që ndjen Toka

kur mbi të rritet gjelbërimi.

Terr drite jam

dhe mbi kodrat e kurmit tim

lindet mëngjesi.

Paul Vinicius: historia e një plage të freskët

(l. 1953, Rumani)

e pra
kur kthehem unë në vendin
që të tjerët
rëndom
e quajnë nështëpi
nata ka rënë kaherë
dhe nis beteja me shkallët.
janë ca shkallë të koklavitura
spirale
motra me terrin
dhe alkoolin në venat e mia
e që tek bredhin sa andej-këndej
më marramendin.

s’është aspak e lehtë të zbresësh
bashkë me shkallët
nga kati i shtatë në të pestin
vëlla me terrin
dhe me alkoolin në venat e mia
që enden
të dehura me gjak
sa andej këndej
nëpër trupin e vrimuar e pothuajse të huaj
si ndonjë fabrikë rreziqesh.

ndonëse s’është rasti
përfytyrimi im mbi parajsën
është një fushë e rrafshët
plot me tryeza
me karrike
pa kurrfarë shkallësh
dhe
aty-këtu
nga një pijetore.
Shqipëroi A.-Ch. Kyçyku

Elena Vlădăreanu: krisja e tretë e kujtimit

(l. 1981, Rumani)


qysh tani do të nisin
të pluskojë mamaja dhe shtëpitë përreth
fabrika e çimentos në skaj të qytetit
po trokita në mur
muri tingëllon si bosh
mishi im i mavijosur nga e ftohta
gajasem e ngrirë më këmbë
duke u çmeritur mes çarjes së murit
të shoh në cep të udhës anësore
mbuluar kokekëmbë
me një tis të hollë çimentoje
tek tërheq pas vetes një tufë
ushtarësh teneqeje
nderon me dorën te kapela
pastaj ngrihesh në ajër
si një flluskë sapuni

Shqipëroi A.-Ch. Kyçyku


Horia Gârbea: Shenjat e kalimit / Semnele trecerii - Poezi/i


Horia Gârbea (Horia Gërbea), shkrimtar i shquar bashkëkohor rumun, inxhinier e doktor shkencash, lindur më 10 gusht 1962 në Bukuresht, autor dramash, komedish, vëllimesh poetike, veprash shkencore, romanesh, esesh, kritikash letrare; përkthyes i njohur i Shekspirit. Anëtar i Komitetit drejtues të Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, drejtor i Teatrit të Damaturgëve Rumunë.


do të jem
(voi fi)

nuk dua të
të takoj në një rruginë
mbuluar me degë bredhash
nuk dua të rrimë
në ndonjë mullar
madje as në
pllajën ku
vallëzon titania me xhindet
madje as në
bregun e lodhur të detit

dua të të ndjek
në një qytet të vjetër
e të koklavitur
me rrugë të ngushta
kufizuar nga varrezat
ku të shumtët
nuk varrosen nën tokë
por nën mbetje të vdekurish të tjerë

Paul Vinicius: [Para se të lindej] înainte de a se fi născut

E pata ëndërruar para se të lindej
ndonëse
në shuplakën e saj
jeta do të na pritej befas
në moshën 20 vjeç

e pata ëndërruar
kur dikush
në lagje
më tha se vërtet e kish parë
qe gjallë
vetëm se qe martuar me një të verbër
që s’dinte gjë tjetër
veç këngës

dhe unë s’u habita
aspak


Eugen Jebeleanu: Hanibali


Askush nuk kish ato që kish ai
kreninë e mrekullueshme
dhe elefantët
dhe putrat e tyre që thërrmonin vertebrat
e këtyre Alpeve të zbardhur nga tmerri.

Shkelte, mezi ndihej, mbi shkëmbinj
dhe dëgjohej në hënë
askush s’i pat parë trompetat
prej guri gjarpërues të këtyre bishave.


Dhe nuk fituan.

Ioan Es Pop: po të mos kisha qënë i detyruar të flisja (dacă n-aș fi fost obligat să vorbesc)


po të mos kisha qënë i detyruar të flisja
nuk do të kisha folur kurrë.
gjer mbusha gjashtë vjeç s’ma kërkuan
dhe qe mirë, se rrija në të folme
si nën një këmbanë prej gize përsosmërisht të mbyllur.

fshihja atje një shkencë
që, në moshën gjashtë vjeçare, më detyruan ta humb
e shihja ëngjëllin jo në gjumë, po përnjimend
në mes të ditës
kur realiteti është i pakundërshtueshëm.

nuk ua kam falur as faktin
që më çuan në shkollë
ku duhej të flisja
kurse më vonë: të rropatem t’u ngjaj
të tjerëve, që s’pushonin së foluri
dhe tundnin duar e këmbë
duke me turbulluar me jetën e tyre.

Claudiu Komartin: Poezi/i


Claudiu Komartin (l. 1983, Bukuresht) ka mbaruar gjimnazin dhe ka nisur të lexojë, të shkruajë e të përkthejë. Pa mbushut të njëzetat, ka botuar një vëllim poetik, Mjeshtri i kukullave dhe pagjumësi të tjera (Păpușarul și alte insomnii, Vinea, 2003), pasuar nga Cirku shtëpiak (Circul domestic, Cartea Românească, 2005), Një stinë në Berçeni (Un anotimp în Berceni / lagje e Bukureshtit, Cartier, 2009) dhe kobalt (cobalt, Casa de Editură Max Blecher, 2013). Dy vëllimet e parë janë ribotuar në vitet 2007 dhe 2010 jo ngaqë kanë pasur sukses të jashtëzakonshëm, por ngaqë fillimisht qenë botuar në shumë pak kopje. Në vitin 2012, shtëpia botuese vjeneze Korrespondenzen i botoi antologjinë dygjuhëshe Und wir werden die Maschinen für uns weinen lassen, përkthyer në gjermanisht nga Georg Aescht, ndërsa në vitin 2015 iu botuan vëllimet Vrpce potaman za balu mesa (Treći Trg, Beograd, përkhtim në sërbisht nga Ljubinka Stankov Perinac) dhe Bir Garip Roman (Yitik Ülke Yayınları, Stamboll, përkthyer në turqisht nga Gökçenur Ç.). Nga viti 2009 organizon serinë e takimeve dhe leximeve publike Instituti Bleher (Institutul Blecher), ndërsa nga viti 2010 është kryeredaktor i revistës  „Poesis internațional” dhe i Shtëpisë së Botimeve Max Blecher.  (C. Komartin)

Eshtërza

(Oscioare)          


S’ke asnjë arsye të trembesh, më tha S.-ja, furia e të cilit, e ftohtë, mezi
e përmbajtur, bënte llampat të puliteshin në restorantin e shkretë të katit përdhes
të hotelit.
Ështe i vdekur dhe pikë.
Po, ishte, ishte im atë, por ka vdekur.
E pata pritur këtë prej shumë kohësh, që tani të mund të ndiej ndonjëfare pendese.
Mendo sa i torturuar ka qenë, një njeri i shkëlqyer si ai, mbyllur ashtu në trupin e vet, gjithë këta vite.
S’mund ta humbasim kohën me pendesa. As që do ta vësh re se kur
Ka kaluar koha dhe je bërë ti ky plak i rrjedhur që zvarrit
këmbët slow-motion në korridor.
Gjithë do të pengohesh e do të biesh hundazi para hyrjes.
Sendet dinë më mirë se ne të zhduken. Gërmat – po ashtu,
fjalët.
Veglat muzikore kthehen më në fund në tallash.
Perdet, partiturat, ciflat dhe ashklat prej eshtrash bëhen pluhur i imët, dhe disqet
shndërrohen në një brumë të zi e të djegshëm, dhe sahatet me qyqe gëlltiten në
terr.
Krejt letërsia që ke lexuar dhe që ke dashur të lexosh,
Miliona vëllime nga bibliotekat e botës do të ngucen nesër në një çip
më të vogël se thoi, ndërsa debili kujdestar i stacionit kozmik
ku do të mbahen tërë këto vjetërsira do ta gëlltitë gabimisht njëheresh
me darkën.
Do t’i fryhet barku dhe do të vdesë.
Do të jetë një punë e fëlliqur.
Dhe të qeshurat do të ndalen, sepse do të marrin fund shakatë dhe askujt s’do
t’ia ketë ënda ta çojë kohën me ironira. Disa qenër të egër e të sëmurë
do të brejnë eshtërzat vezulluese të Woody Allen-it.
Çfarëdoqoftë, s’ke asnjë arsye të trembesh.

Gabriela Melinescu: Me shkrue (A scrie)

Kur shkruajmë duhet
të ruajmë largësinë
ndaj asaj që ka ndodhur
në fjalë.
Si atëhere kur
shpëton dikë
nga mbytja:
Duhet ta mbash
shtrënguar
por jo fort afër vetes
që të mos të tërheqë
edhe ty me veten
në thellësi

Valeriu Matei: Ekuacionet e pezmit (Ecuaţiile disperării)

Valeriu Matei (l. 31 mars 1959), shkrimtar, akademik, themelues dhe / ose drejtues institucionesh, botues vizionar, prani e jashtëzakonshme në jetën dhe vetëdijën kulturore e shkencore rumune, autor i një sëre veprash letrare – Shtylla prej zjarri (Stâlpul de foc, 1988), Gjumë ujku (Somn de lup, 1990), Vdekja s’ka stadium (Moartea n-are teren de fotbal, 1998), Elegjitë e Djalit Plangprishës (Elegiile Fiului Risipitor, 2010), Kafeneja „Kambana” (Cafeneaua „Clopotul”, 2016), pjesë teatri, ese, studime etj, – Valeriu Matei, siç ka vënë re kritika e specializuar „nuk shkruan me stilograf, por me degën e një shelgu lotues”. Lindur në të njëjtën datë me poetin e madh rumun Nichita Stănescu, “Matei vjen nga Kishinjevi në Plojesht, në qytetin e Nikitës, për të ripërjetuar momentin yjor ndërmjet qenies, metafizikës dhe historisë. Valeriu Matei është një nga figurat emblematike të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare të Besarabisë. Kur ka qenë e nevojshme, poeti ka veshur edhe përkrenaren e politikanit. Nuk u kaplua nga ky mision dhe i dha poezisë zgjidhje estetike të mbamendshme. E ka përqafuar fort metaforën me historinë, duke u bërë poet modern, me zotërim të shkëlqyer të gjuhës rumune. Ka përkitje të thella me poezinë e madhe rumune. Ioan Aleksandru ka zbuluar tek Valeriu Matei “një fuqi të fjalës dhe një thellësi të ligjërimit si rrallëherë mund të haset tek një i ri i sotëm, në gjuhën e Emineskut”. Për Valeriu Matei-n poezia është një mënyrë përjetimi hyjnor, një mjet mbijetimi, por, në rast nevoje, edhe një mburojë e shtizë. Një poet i shquar dhe një njeri me mirësi të madhe. Një mik i rrallëgjetshëm. (George Parzha) 

 

 

1.

qytetthe mbi eshtra, Xhokonda të mbështjella në

veshjen e tymtë të një buzëqeshjeje

të hapur si një stacion treni,

 

Danubi prej lotësh nuk ka më shtrat

kripa e dherave është kalbur në gjak,

 

jo fitore, jo vetmi,

qeni hipur majë piramidës

do të vdesë në trekëndshin vigjilues

i dërrmuar në mesnatë

prej një fije bari

 

 

2.

përmes mendimit kolektiv të rrugës

kalon rinia e përskuqur e mjegullës

 hipur mbi kalë të bardhë,

kalon shqiponja e mbarsur e shënjuar

në të vetmen vijë të trurit

me yllin e kuq në pesë cepa të verbër,

 

kalon kamioni me xhamat të vrimuar

nga mustaqet e mëdha të xha xho-së,

kalëron një bullafiq i vrenjtur

mbi jetën politike

dhe një rreze e përkthyer në prapashtesat e habisë

puthitur me një emër apostulli,

 

kalojnë, kalojnë, na kalojnë,

nëpër mendimin kolektiv, nëpër

mënyrën e të menduarit të përbashkët

kurrgjëja, orvatja e kurrgjësë,

fjalimet e kameleonëve gagaçë

gjasmues të mendimit kolektiv të rrugës