Valeriu Matei: Gjumë ujku (Somn de lup)

 

Gjumë ujku

(Somn de lup)

 

Fle me tëmthin mbi ndehjen e borës

flakur në larg, përndjekur si ujk

dhe jam prej fisi që pat mbajtur ujkun në flamur

dhe jam prej fisi që flijon aedët

dhe me tëmthin prej ujku fle mbi ndehjen e borës.

 

Ujk vetmitar

            sundimtar në kodrën hijeshtruese

mes meje mërmërit dhimbja stërgjyshore

dhe plumbat e aq përndjekësve

            më ngulmojnë në gjoks

dhe në tingull briri, në tingull dhimsurak

më pushton bora që valëvitet nën hënë.

 

Shkretia, nata

            nata, shkretia

endet mes nesh, fis ujqërish

përhumbshëm, duke ndarë atin nga biri

duke mbuluar tryezën, kandilin, qivurin...

mure

mure të lartë nga ku s’ke si shqitesh...

 

Në ngarendjen e përndjekësve bora shkëndijon

mbaj në qafë byzylyk shkëlqimtar prej hëne

dhe ëndërroj gjinjtë e tu të bardhë, o grua,

unë ujku për fli

            ujku prej gjaku të dhënë presë

kur me tëmthin e plagosur

rrjedh gjak mbi ndehjen e borës.

 

 

Muzika

(Muzica)

 

Muzika vërtet ka jetën e vet.

Është fshehur pas kreshtës së kodrës, në përëndim,

Dhe ma bën me sy, çapkëne:

- Ende s’më ke gjetur?

 

Por sot nuk rend më si në fëmini

të shoh si fle dielli pas kodrës,

t’i bëj shenjë muzikës të ringjallet

duke zbritur tatëpjetë lumit.

 

Jam naji* i natyrës – i them – do mësoj

            tingujt mbarë dhe ritmin e fshehur

Telat e frymëmarrjes sime presin

t’i ngre harmonitë më lart

            në një shkallë qiellore, hap pas hapi

 

Jetën e vet ka muzika

dhe më mbrujt ditët e ëndërrat

fshehtësitë e saj më përndritin trishtimet, humnerat

dhe shpeshherë më mundin, më lartojnë.

1974


* Vegël e lashtë muzikore, quajtur edhe fyell i shumëfishtë, thelbësor në muzikën rumune.

 

 

Vdekja e Zenonit

(Moartea lui Zenon)

 

Motto: Ç’do të kish qenë guximi yt, Akil, po të mos kishe qenë i cenueshëm?

 

Thuhet se Zenoni paskësh vdekur

kur pá shigjetën duke përshkuar

breshkën e pafajshme që rendte

drejt ëndrrës fëminore të Akilit

dhe ëndrra e tij ishte të shpëtonte

nga thembra – ajo epilepsi

që na ze frymën kur duhet

të jemi të fuqishëm.

 

O, shigjetë që më përndjek,

nuk do më përshkosh,

veç ëndrra pas së cilës sot po rend

lëvrin e pandryshuar në fytyrë,

e nëse të fshehtën time ta them –

edhe të përgjërohem:

kalo anës meje,

joshësen hije ma largo,

se unë s’jam veçse thembër

e bërë për t’u përshkuar

siç është edhe bota.

 

 

Zgjodhi e shqipëroi Kopi Kyçyku