Bogdan Munteanu, lindur më 28 prill 1979 në Arad të
Rumanisë, jeton në Timishoara, autor i tre vëllimeve me tregime (Vals mbi
fije merimangash, 2010; Mirë se të humba, Incognito!, 2011 dhe Harrove
të qeshësh, 2016).
Rri si hajvan para shtëpisë
së Xhixhit, mbështjellë me pallton e tij të re. Është dhjetor, ftohtë, fryn
era.
Tmerr fare.
Xhixhi po vdes dhe unë
duhet të gjej një mijë lei*.
Si dreqin t’ia prish
qejfin? Po vdes! Dhe s’i kam ato të holla, nga t’i nxjerr kur s’i kam? Flas
edhe me vete në rrugë. Mjaft, qepe, qetësohu!
Nuk shkon. Dua t’ia dal
mbanë, ta heq nga mendja këtë vizitë të çmendur, të bërtas, t’i ulërij dikujt.
I telefonoj sime shoqeje. Telefoni, Laura, kështu. Ah, ia qif...! S’paskam
kredi! S’kam punë, s’kam asgjë. Vetëm borxhe, kaq. Mor, Xhixhi, mor, ç’po më bën
ti mua?
E njoh Xhixhin që kur isha
një pëllëmbë. Banonte në pallatin B11, ndërsa unë sapo isha shpërngulur në B12.
Plot dy javë ndenja mbyllur në shtëpi derisa mora guximin të dal. E kisha parë
përditë Xhixhin nga dritarja, ishte më i madh e më i shëndoshë se bashkëmoshatarët
dhe i rrihte të gjithë, po të mos i vinte për mbarë ndonjë gjë. Një ditë e mora
zemrën ndër dhëmbë, si i thonë, dhe dola në rrugicë. Asnjë s’ma vari, me përjashtim
të bullafiqit. Erdhi si plumbi tek unë. Dridhesha, nuk dija si qe puna. I pëlqeja,
i kisha hyrë në zemër, ashtu papritmas, apo vetëm qe kurreshtar? Ky osh’
pallati im, hungëroi dhe më shtyu me gish në bark. Ti ç’kërkon këtu? Belbëzova
se sapo jam vendosur aty dhe s’kisha ku të dilja. Nuk i erdhi për mbarë. Më vështroi
vëngër, m’u avit dhe më gromësiu në fytyrë. Kjo më shpëtoi! Kisha marrë pjesë në
qindra gara gromësimash me çetën e dikurshme të shokëve, para se të vija në
qytet, dhe mund të gromësija në çdo lloj mënyre e në çdo kohë. U tërhoqa një
hap mbrapa, thitha ajër mirë dhe lëshova më të përbindshmen gromësimë të jetës
sime, me të cilën i magjepsa Xhixhin dhe të tjerët. Në fillim u ngurosën, sikur
të kishin dëgjuar ndonjë dinozaur. Pastaj ia plasën së qeshurës sa iu shtrembëruan
këmbët. Bëj edhe një herë, edhe një herë, e edhe një herë – më mbajtën ashtu
nuk di sa kohë, gajaseshin së qeshuri pas çdo gromësime dhe më luteshin edhe një,
edhe një, e fundit! Nuk më nxinin lëkurët nga gëzimi! Xhixhi më mori menjëherë
nën flatrat e tij mbrojtëse. Kush krruhej me mua, krruhej me Xhixhin. Duhej vetëm
të gromësija kur i tekej dhe kish qejf ai. Një ujdi që më vinte mrekullisht për
mbarë. Futboll, cingla, zara, të fshehta të vogla, bixhoz, pastaj pije, femra,
sërish të fshehta, më të mëdha – një miqësi që s’kish si prishej.
E megjithatë për një kohë i
premë lidhjet. Nuk folëm vite me radhë. Sapo i kishim kaluar të tridhjetat. Çfarë
ndodhi:
Një: Xhixhi ra keq në
dashuri, po keq fare ama, pas një goce, Loredana quhej. Do martohem, më tha një
ditë. Pandeha se po tallej dhe gromësiva lehtë, që të çlodhja atmosferën. Mirpo
robi nuk po bënte shaka, nxori nga xhepi i gjoksit një ftesë ku nguceshin zemërza,
tollumbacka e zoçka. Urime, gëzohem, thashë tek hiqesha si i gëzuar.
Pas dasme e pashë gjithnjë
e më rrallë. Më ngrinte nervat, se gjithë kohën dërdëlliste se sa mirë ia
kalonte ai i martuar dhe sa ustalleshë ishte Loredana, e jo vetëm aq, se jo më
kot e kishte marrë për grua vetëm tre muaj pas njohjes, Loredana lart, Loredana
poshtë, dhe mblidhi trutë njëherë e mirë dhe merr edhe ti një grua si e imja –
nuk thoshte si e imja, por të paktën
ashtu më tingëllonte mua. Aq i dashuruar ishte, saqë një ditë harroi të më
thoshte të gromësija – gjë e papame
deri atëhere. Kjo më dhembi shumë. Aq shumë, sa s’isha në gjendje t’i thoja
asgjë.
Dy pikë një: Në rastet e
rralla kur Xhixhi sillte ndërmend se diku gjalloja edhe unë dhe më ftonte, - më
fort për forcë zakoni, - në folenë e tyre të lumturive, Loredana qeshte me
qyfyret e mia më tepër se me qyfyret e Xhixhit dhe më shihte në sy më tepër nga
sa shihte Xhixhin. Ishte vërtet ustalleshë. As që do ta kisha vrarë mendjen, po
të mos kish qenë miqësia me Xhixhin në mes.
Dy pikë dy: Gjatë vizitës së
tretë a të katërt, Xhixhit iu kujtuan zakonet tona të hershme. Gromësi, more!
Thirri. U gjallërova sa hap e mbyll sytë, por u shfryva menjëherë, se ishte një
femër aty, s’mund të isha i pagdhendur. Mirpo ngulmuan të dy, iu kish hipur
vera në kokë. Mirë, thashë, dhe lëshova një gromësimë për mirësjellje, që të
mos fyeja askënd. Më duartrokitën, u ndjeva shkëlqyer dhe gëlltita një raki,
por jo kjo është e rëndësishme, por fakti që, kur Xhixhi shkoi në banjë, Loredana
i mbështolli krahët rreth meje dhe më pëshpëriti derrkuc dhe ma kafshoi butë bulën e veshit, gjë që më bëri t’i
harroja lojnat me cingla, kaluçin, bixhozin, dehjet, miqësitë dhe të gjithë
Xhixhët e Xhixhikët e botës. Derrkuc je
vetë, ia preva dhe e pickova në bythë, ndërsa ajo ia plasi së qeshurës dhe,
- meqë Xhixhi sa po tërhiqte ujin e hales, - më dha shpullën më të këndshme që
pata ngrënë.
Tre: S’kaloi as një muaj
dhe Loredana u bë këmbëngulëse dhe histerike dhe ma merrte frymën me të dua derrkuco po s’erdhe do t’i them
xhixhit dhe do ta shohësh vetë. Nisa t’i bëja bisht, por ishte ca si vonë.
Xhixhi më bëri telefon dhe ulëriu o plehër,
o dashnor prej leshi, si munde të bësh diçka të tillë e ashtu me radhë.
Loredana kish marrë kot dhe i kish treguar gjer edhe për kafshimin e bulës së
veshit dhe ato që kishin pasuar, dukej qartë. Reagova pafajnisht dhe natyrshëm ç’ke mor Xhixhi luajte mendsh, qepe se tani vij e të therr si berr, ulëriu
ai. E qepa dhe u pendova që pata lënduar mikun. Nuk erdhi të më therrte si
berr, por u nda menjëherë nga Loredana – e prisja këtë, qysh në vegjëli ishte
kokëkrisur.
Për t’u pajtuar u pajtuam
pas nja pesë vjetësh, kur e ftova në dasmën time me Laurën, pas së cilës isha
dashuruar pikërisht ngaqë nuk qe ustalleshë. U ngurosa kur Xhixhi u fanit në
dasmë, vërtet s’e kisha pritur se do të vinte. U hoqëm të dy sikur patëm
harruar ç’pat ngjarë. U martua për herë të dytë me një Sanda-Sanda, iu fut
tregtisë, bëri një hale lekë – m’i tha të gjitha këto ftohtë, tek pinim nga një
cigare, para kishës. Pastaj më uroi edhe më ftohtë: shtëpi të gurtë**.
Ndërsa unë i thashë falemnderit dhe ëëë, gëzohem shumë që erdhe, po prapë më
vinte ta pyesja nëse edhe kjo Sanda ishte ustalleshë si puna e Loredanës –
mendim marrok që s’më jepte paqe dhe më bënte të ndihesha keq. Kur mbaruam
cigaret, Xhixhi më futi një shpullë, aq sa ngrinë të gjithë dasmorët, dhe tha kaq, more, më kaloi. Tani gromësi! Gromësiva
para kishës. Fort. Më dhimbte nofulla, por jo për këtë shkak më rodhën lotët.
Pas dasme, nisëm të takoheshim
çdo javë. Luanim tavëll, thoshim fjalë të ndyra dhe qeshnim. Pinim e hanim si të
pafytyrët, gjithnjë me lekët e Xhixhit. Xhixhi ishte pasanik, unë – i varfër.
Xhixhi ishte i madh e i fuqishëm, unë – mjerë unë. Xhixhi ishte XXL, unë – një
L i gjorë.
Tani Xhixhi po vdiste,
kurse unë isha i shëndetshëm dhe po aq i varfër. E dija prej nja dy muajsh se
qe rëndë, rëndë sa më s’ ka, dhe e kishin nisur në shtëpi, s’kishin ç’t’i bënin
më në spital. E vizitoja mjaftueshëm shpesh, me qëllim që vdekja e tij e
pashmangshme të bëhej diçka e zakontë. As më dridheshin më gjunjët kur e
shihja. Qe dobësuar nja 40 kile, kish pamje të tmerrshme. Sy si prej zhabe, dalë
zgavrash, faqe të thithura nga brenda, kokalla, eshtra, një tufë kockash gati i
dilnin lëkurësh. Prej nja dy javësh nuk kish më fuqi as të ngrihej nga shtrati,
vetëm lëngonte, dhe i vetmi preokupim për të dukej doza e morfinës. Sapo hyja në
dhomën e tij, filloja të shfryja, nuk e duroja dot heshtjen, më dukej sikur çdo
çast heshtjeje thithte një pikë jete nga Xhixhi, flisja për fëmininë, e mban
mend kur, po atëhere kur, lëvizja, përdridhesha, e kur më shpëtonte ndonjë gromësimë,
gjoja si gabimthi, qeshte edhe ai, si fantazmë. E ja ashtu kalonte një gjysmë
ore, ika, usta, po të lë të flesh, po të mbyllen sytë, ai më përgjërohej, jo, të
rri edhe ca, ja, dhe gogësinte sytë, për të më dëshmuar se nuk i flihej. Më
prekte me dorën e tij skeletike, më kaplonte mëshira, nuk e doja këtë gjendje,
nuk doja ta lija të më shantazhonte
dhe e gënjeja, duhet të ik, më grind shefi se jam vonuar, si, nuk të thashë që
gjeta punë në një gazetë, hajt, bre, Xhixhkë, të thashë. Qeshja, prekja me
kujdes batanijen me të cilën qe mbuluar, nuk duroja t’ia ndieja kokallat. Përvidhesha
jashtë dhomës dhe e harroja menjëherë. Kisha hallet e mia, më kishin dëbuar nga
puna pak pasi qe sëmurur Xhixhi, ia dilnim mbanë gjithnjë e më vështirë,
jetonim vetëm me lekët e Laurës, fare pak edhe ata, dhe me borxhet, po ç’ta
zgjat tani, puna qe keq fare. Xhixhi po vdiste, e dija se mund të më ndihmonte
përfundimisht sa hap e mbyll sytë, por nuk guxoja t’i kërkoja të holla pikërisht
ngaqë po vdiste! I vetmi borxh që mund të laja ishte miqësia. I shkoja për
vizitë, i tregoja përralla, ikja. As që duhej ta mashtroja, e dinte që do të
vdesë. Mori fund, mërmëriste. Gjer për Krishtlindje merr fund.
Dua të qaj, të ulërij, dua
të më qetësojë Laura, ta harroj këtë vizitë tek Xhixhi. Po ja, s’kam kredi në
telefon! E marr më këmbë, pthu, ky thëllim më dëshpëron. Mbërrij në stacionin e
autobusit. Ndez nje cigare, duhet të qetësohem, ta ribëj filmin e ngjarjeve,
mbase lidhet diçka si duhet.
Pallton, tha Xhixhi i përvuajtur
dhe i bëri shenjë së shoqes që ta sillte. Isha i paqartë. Ç’pallto? Si është
puna? Sanda solli pallton dhe ma vuri në krahë, është e re, atij s’i duhet më,
pëshpëriti, ç’të bëjë me të? Ai mua: Të rri mirë? Provoje! Bëra me duar a, s’është nevoja, por në vete gëzohesha,
më vinte për mbarë ajo dhuratë. Vërtet, ç’të bënte më
Xhixhi me të? Po ma jepte mua. Edhe unë do të kisha vepruar njëlloj. E vesha pallton
e Xhixhit, më rrinte e madhe, e dija. Ai është, në fakt kish qenë XXL, unë – një L mjerane. Ama prapë më vinte për mbarë
dhurata. Falenderova, buzëqesha, kërkova ndonjë shaka, duhet të shëndoshem
(huh, ç’shaka budallaqe), vij nesër a pasnesër, u thashë dhe i bëra shenjë Sandës
të ma vinte xheken e vjetër në një qese. Nisa të bëja prapakthehu, shëndet
Xhixhkë. Dhe e dëgjoj tek hungëron lodhshëm: njëzet milionë, aq kam dhënë për të.
Hugo Boss. Ngriva. Pse ma thoshte këtë? Ç’lidhje kishte çmimi i palltos? Dhuratave
u hiqen çmimet. Nuk e bën robin të ndihet ngushtë dhe borxhli duke i kujtuar sa
ke dhënë për dhuratën që po i bën. E atëhere pason bomba: ta jap me dhjetë
milionë. E re fringo. Qelepir.
Si?!
Ç’dhjetë?
Ç’qelepir?
Po ma shiste?!?!
Vështrova krahëprerë
drejt Sandës, mbase ajo e kundërshtonte, mbase më bindte se ishte një shaka e çuditshme,
se njerëzit bëjnë të tilla kur janë në vdekje e sipër, Sanda duhej të thoshte
diçka! Mirpo ja që ajo heshtte, ma kish rrasur tashmë xheken e vjetër në qese
dhe më shikonte si ndonjë debile. Madje edhe buzëqeshte! Më dridheshin gjunjët,
si atëhere kur mora vesh se Xhixhi po ik nga kjo botë. Rrija në mes të dhomës,
i mpirë dhe qesharak, me Hugo Boss-in mbi vete, më rridhnin djersët dhe s’mund
ta shihja Xhixhin në sy. Përfytyroja sikur po nxjerr një mijë lei nga xhepi, në
kartëmonedha të vogla, pesçe, dhjeçe, i hedh ato në ajër dhe ato bien mbi
Xhixhin dhe ia mbulojnë trupin e ligur, se si ai dilte i lumtur nga kukumalja
me lekë dhe niste t’i numëronte, dhe se si njoftoja unë ngadhnjimtar, duke gromësirë,
çdo dhjeçe që stivoste në dorë. Por s’i kisha ato të holla. Xhixhi po vdiste
dhe, ngaqë po vdiste, duhej t’ia bëja qejfin. Pa fjalë! Ëëë, t’i sjell, ë, herën
tjetër, belbëzova dhe ia mbatha bashkë me atë pallto të mallkuar rreth vetes. Në
rrugë kuptova se e kisha harruar qesen me xheken e vjetër. Nuk thanë gjë, as
ai, as Sanda. E vunë në qese dhe ç’menduan? Qelepir. Ose ndoshta ishe unë tepër
i turbulluar.
Nuk i lidhja dot gjërat në
atë thëllim. Vetëm marrëzira më kalonin nëpër mend. Xhixhi i donte lekët, e
dija. Edhe mua më donte, s’mund të mohohej. Hajt të lozim tavëll! Hajt! Hajt të
pimë! Hajt. Hajt të të them një sekret! Hajt. Gromësi! Grrdgtmhdhrrrr. Edhe një
herë! Gmanpsosaea. Unë, nga ana ime, i doja lekët, por nuk dija t’i fitoja.
Mbase prandaj edhe e doja Xhixhin. Nisa të bëja llogarira se sa herë kishim dalë
sëbashku dhe sa lekë kish harxhuar ai me mua në bërxolla derri e pata e gjeldetë
e lopë e whisky dhe me ç’na pëlqente të mbushnim zorrët. Arrita në përfundimin
se i detyroja dhjetë pallto, jo një, dhe çmeritesha që gjithë ç’mund t’i jepja
unë tani nuk matej me monedhën e tij. Kot fare. Do të gjeja një mijë lei dhe
pikë.
Është vigjilja e Vitit të
Ri. Jam në varrimin e Xhixhit. Xhekja ime e vjeshtës dhe dy trikot nuk i bëjnë
ballë acarit. Pres që prifti të bëjë kryqin, do bëj edhe unë nga dhjetë, pësëmbëdhjetë
kryqe, ndoshta do të çmpihem pak. Mirpo prifti po e zgjat fjalimin dhe më ngre
nervat. Shoh majtas. Atje do të duhej të ishte ime shoqe, por është sëmurë.
Asgjë e rëndë, do t’i kalojë. Vështroj djathtas. Loredana qan. Ngjitet pas meje
dhe kjo më gjallëron disi.
A, palltoja. E shita. Me
500, nuk ia them në tregti. Gjysma ikën për ilaçet e Laurës dhe për kurorën e
Xhixhit, kusurin e piva kur mora vesh se vdiq Xhixhi. Gromësiva një ditë të tërë
nëpër mejhane, por s’pati më pikë magjie.
* Monedha e sotme rumune; 1 mijë
lei (ron) është e barazvlershme me rreth 250 euro.
** Urim popullor rumun për dasmë.