Ndue Ukaj: Pasqyra e një gjenerali


Në qytetin verior Sh, rrëzë maleve të larta që preknin qiellin kaltërosh, e përtej brigjeve të lumit, me një pamje përrallore, shtrihej fshati Lekë. Mu aty, në një lartësi të dukshme për çdo sy kalimtari, si shkëmb i thepisur, rrinte një shtëpi e vjetër, aq e vjetër, sa s’mbahej mend. Askush s’e dinte saktësisht vjetërsinë e saj. S’dihej kush e kishte ndërtuar, e ma pak, pronë e kujt qe. Prej kur mbahej mend, shtëpia ruante të pandryshuar një ngjyrë të frikshme, si ngjyrë dheu. E tillë çfarë ishte, ajo i kishte gjitha karakteristikat e një shtëpi misterioze.
E kjo s’ishte e tëra në lidhej me historinë e asaj shtëpie, sepse ajo që e bënte atë ma të ankthshme ishte diçka që ndodhej brenda saj. Ishte një pasqyrë, nga e cila shihej e gjithë shtëpia, madje edhe skutat ma të fshehta, ndonëse ajo ishte e vendosur në hyrje të ngrehinës disakatëshe, me shumë dhoma si labirinte. Përtej pasqyrës, ndodhej një korridor dhe disa dyer të mëdha, mirëpo, sipas rrëfimeve, askush deri me sot s’kishte arritur të kalonte matanë pasqyrës.

Kjo pasqyre, e tillë siç ishte, dukej si çati e identitetit të shtëpisë.
Atëbotë, në atë zonë u emërua një gjeneral, nami i të cilit kishte marr dhenë.
Sapo mori detyrën gjenerali, lajmi për shtëpinë me pasqyrë i shkreptiu si rrufeja që godet në qiell të kthjelltë.
Gjenerali trashaman, me besim të padiskutueshëm te vetja, i papërmbajtur në beteja, me të dëgjuar shushuritjet që bëheshin rreth shtëpisë dhe pasqyrës u zotua: do ta zhbëj.
Në fjalimin e para banorëve, ai u zotua se me ardhjen e tij në atë zonë, njerëzit s’do të kishin shumë tempuj ku të kërkonin të vërtetën, sepse e vërteta ishte një: ajo e luftës së gjeneralit për liri. Mu për këtë, ai u tërbua kur dëgjoi se në atë në atë shtëpi gjithnjë e më shumë shkonin njerëz me qëllimin e vetëm: të shihnin vetveten.
Gjenerali i inatosur s’foli në shtab me askënd për punën e shtëpisë e as të pasqyrës. Mirëpo në zyrën e tij, një ditë korriku të nxehtë, thirri një nga një gjithë ata që dinin diçka rreth shtëpisë dhe pasqyrës së saj. I dëgjoi të gjithë me vëmendje dhe pa bërë asnjë fjalë me ta. Gjenerali me fytyrën të vrenjtur, i pamposhtur, siç i pëlqente të quhej, u trondit nga ato që thuheshin për pasqyrën dhe shtëpinë.
E një ditë prej ditësh, pavërejtur e kuptoi se pasqyra dhe shtëpia, filluan të zënin vend në mendjen e tij dhe të bëheshin sfidat e para në ushtrimin e pushtetit të tij.
Për hir të vërtetës, duhet thënë: gjeneralit ma shumë i bënte përshtypje ajo që thuhej për pasqyrën dhe për reflektimin e fuqishëm që kishte ajo sesa shtëpia në vetvete.
Tek dëgjoi fjalët e një plaku, që i thoshte se kjo pasqyrë dikujt ia kishte marrë të pamurit, dikë e kishte rrëzua përtokë, e dikë tjetër e kishte hedhur si një penel të lehtë jashtë portës së shtëpisë, ai u tërbua.
Qe dëgjuar po ashtu të thuhej se ajo pasqyrë dinte të ishte fatkobe, për ata që e shikonin me hidhërim, ashtu sikurse edhe për ata që e vështronin me dyshim.
Pasqyrë ishte pasqyrë vetëm për ata që e shikonin vetën në të, pa dëshira, si shembull, t’i mbulonin njollat në ballë apo gratë t’i fshehin rrudha në fytyrë.
Gjitha këto që i kishte dëgjuar për pasqyrën dhe shtëpinë, gjenerali i kujtoi derisa një ditë, me mërrola në fytyrën e tij dhe një pamje të egër, eci drejt saj. Kur iu afrua shtëpisë, për herë të parë u zhgënjye nga vetvetja dhe e kaploi një panik i papërshkrueshëm. Nxori armën, të cilën e shtrëngonte fort, si gjen ma të çmueshme, në duart e tija të trasha që i dridheshin si kurrë më parë. Shoqëruesi që ishte me të nuk po kuptonte asgjë.
Kur u afrua pranë derës së shtëpisë, ai ndali hovin dhe me këmbën e djathtë e shkelmoi një derë të vogël, e cila u hap pa krijua ndonjë zhurmë të çuditshme. Gjenerali u ndal për një çast aty dhe kundroi një pamje të shkretë. Humbëtirë. Nga aty, s’shihej gjë brenda. Iu afrua edhe pak hyrjes dhe teksa avitej, atij i shtoheshin të rrahurat në zemër. As nga aty s’shihte asgjë, veç gjysmë errësirës që shfaqej e frikshme matanë derës. Një frikë që s’e kishte përjetuar kurrë, iu ngjit trupit të tij me uniformë dhe e shtrëngonte fort. Kishte krye shumë aksione me rreziqe të mëdha, dhe asnjë s’i ngjante këtij.
Gjenerali i zemëruar, lëvizi ngadalë drejt derës dhe përnjëherë iu kujtua shkollimi i tij për mina. Këmbët i shkëpuste nga toka, me ngadalësi të habitshme, sikur me to po kalonte nëpër mina vdekjeprurëse dhe jo nëpër një derë të braktisur.
Ato çaste një re e zezë, kalonte nëpër qiell dhe u ndal para diellit. Për pak çaste, ra një hije e mirëpritur, në atë ditë me temperaturë të lartë. Gjenerali lëvizi trupin edhe njëherë, dhe tani u gjend brenda shtëpisë. Mori frymë thellë dhe me një shikim përbuzës, e drejtoi trupin sikur kur jepte urdhra. Në një pikë të pa matshme për sytë e tij, u shfaq pasqyra. Dukej sikur rrinte e pa kapur askund.
Një pasqyrë në ajër-tha me qesëndi.
Armën shpejt e shpejt e futi në brez dhe i buzëqeshi pasqyrës me një cinizëm të stilit të tij prej ushtaraku urdhërdhënës. Pasqyra lëvizi vetvetiu dhe bëri një rrotullim, ndërsa ai u rrëzua përtokë. Brenda shtëpisë ra një heshtje mortore.
Pastaj pasqyra erdhi në vendin e vet, ndërsa gjenerali përpiqej të merrte vetën ngadalë për t’u ngritë sërish në këmbë. Vetullat e trasha që i shihte pas sa e sa vitesh aq dukshëm në pasqyrë, ia errësonin sytë edhe ma shumë. Pamja e tij kështu dukej tejet e egër: e zymtë, urryese, shpërfillëse, një pamje që s’dëshironte ta shihte për asnjë çmim.
Për një çast ai u mundua ta zbuste zemërimin e vet dhe e pa vetën sërish në pasqyrë, duke provue të qeshte përsëri, por e qeshura e tij ishte sërish cinike në stilin prej urdhërdhënësi. Sapo ky qeshi, pasqyra u rrotullua përsëri, ndërsa ai serish u rrëzua përtokë si një lis i madh pa rrënjë.
Gjenerali tashmë i lodhur, disa herë radhazi e përsëriti të njëjtin veprim. U zhgënjye pa masë me pafuqinë e vet. I zemëruar, e kuptoi se pasqyra s’ishte një lodër, me të cilin mund të qesëndisej. Pas një hutie disaminutëshe, vendosi ta zbusë shikimin prej gjenerali të rreptë. E heshtjen brenda shtëpisë e prishnin vetëm lëvizjet e ngadalta të tij.
Ai qeshi, mirëpo pasqyra sërish u rrotullua dhe reflektoi ma shumë në fytyrën e tij.
Gjenerali i shtrimë për tokë, tani provonte të ngrihej përsëri në këmbë, ndërkohë që pasqyra kthehej në vendin e vet. Ai, përherë të parë e këqyri pasqyrën me një ndjenjë pendimi dhe pa një njollë të madhe në ballin e tij, atë njollë që e mbante të mbuluar prej kohës kur ishte bërë gjeneral, pas një lufte disa vjeçare. U step. Ajo ishte njolla e fshehtë e tij, që s’e dinte askush veç tij.
Deshi të bërtiste e t’i ndjente qielli uturimat e tij, por me zor u përmbajt.
Atë shenjë, qysh atëherë, gjenerali e kishte mbulua me pëlhurën e shndërruar në kapelë ushtarake. E ajo kapelë, me një shenjë në ballë, u bë simbol i fuqisë së tij. Vitet kishin bërë që gjenerali të harronte se nën atë shenjë, fshihej një plagë e luftës, që për një moment, sa çel e mbyll sytë, atij ia hapi një kapitull të ri që ishte mbuluar me pëlhurë harrese. Atij iu kujtua e kaluara që i tingëlloi në veshë si jehona e një muzike të padëshiruar e të përmortshme dhe diçka po shembej brenda tij.
Mendime ta palidhura e tërhiqnin zvarrë, ndërkohë që pasqyra u ndriçua edhe ma shumë, ndërsa ai e pa se ajo rrinte e fort përballë trupit të tij të rrëzuar si lis i madh dhe s’ i ndahej, si hija në një natë me hanë. Gjenerali asnjëherë s’kishte besuar se dikush mund ta nënshtronte- e hiç ma pak, një pasqyrë, në një shtëpi të braktisur. Ishte tallur me të dhe me gjitha atë që i kishin folur për të. Mirëpo, i gjendur vetëm përballë kësaj pasqyre, për herë të parë në jetën e tij, e pa se tashmë ai s’kishte formulë: si të triumfonte, veçse duhej t’i dorëzohej asaj dhe t’ia mbathte nga kishte ardhur.
Gjenerali tani e shihte se s’mund të fshiheshin të vërtetat e fytyrës së tij, përballë pasqyrës që ia ndriçonte: të vërteta që i kishte fsheh jo vetëm nga bashkëpunëtorët e tij, po madje edhe nga vetja e tij.
A mbulohet dielli me shoshë- tha dhe u përpoq m’e ngritë trupin e tij të rënduar që ishte shtri para pasqyrës së shtëpisë. E largoi shikimin e saj, shikoi kah dera, e cila, iu duk tepër e vogël, që ta nxinte trupin e tij të madh. Të dilte jashtë, i dukej e pamundur e të rrinte brenda, edhe ma e pamundur.
Pasi u pendua fort pse erdhi, për pak sa nuk lëshoi një britmë urdhërdhënës, të tilla çfarë kishte dhënë shpeshherë para betejave të vështira. Zëri si dilte, sepse diçka ia ndali në fyt. Ai s’ishte tani i zoti të lëvizte as qepallat e tij e as buzët e etura.
S’ishte më as të ikte, e më pak kishte dëshirë të ballafaqohej me pasqyrën. I zymtë në fytyrë dhe i tronditur në shpirt, tha me vete: Unë jam një hiç. Jam një gjeneral që kam nënshtrua çdo kënd, e s’mbërrij ta nënshtroj një pasqyrë të thjeshtë, ku e shoh vetën time. Ah, ç’jemi ne gjeneralët, racë e ndytë, të varur nga punët dhe sukseset, e këqyrim vetën shumë rrallë në pasqyrë. Jemi zero, të etur për fitore dhe beteja, për dekorata e pushtet dhe harrojmë gjitha ato gjurmë që lamë pas nesh, ato gjurmë që na përplasën në fytyrë kur jemi të pafuqishëm përballë tyre.
Atë s’e shihte askush, por vetja i dukej sikur të ishte para një ekrani të madh, ku kishin ngulur sytë shumë njerëz të vendit të tij.
E në të vërtet nga ai shumë njerëz prisnin një rrëfim.
Atij asnjëherë s’i kishte shkuar mendja të pendohej për zullumin që kishte bërë ushtria nën urdhrat e tij. Lëshoi një ofshamë të tillë, çfarë lëshojnë vetëm njerëzit që humbin gjëra tejet të çmueshme në jetë, e jo një gjeneral i shtrimë për tokë përballë një pasqyre, në një shtëpi të vetmuar dhe i rrethuar nga mure të pa banuara.
Për herë të parë ndjeu një nevojë të çuditshme; një nevojë që i vinte nga brenda, një nevojë që s’ishte gjë tjetër, veç dëshirë për pendim. Ai donte tani përpara ta kishte një prift me zhgun, ku ta përkulte gjurin dhe të rrëfente gjithë jetën e tij. Në vend të priftit, a një tryeze gjyqi, me letra të shumta e dëshmitarë në radhë, ai përballë kishte pasqyrën e shtëpisë së vjetër, të cilën ishte përbetuar se do ta thyente. Gjenerali s’arriti ta shkrep asnjë plumb në pasqyre, por u rrëzua nën pushtetin e saj, që pas shumë vitesh ia shfaqi rrudhat në ballin e tij dhe një njollë që e fshihte nga kapela ushtarake që mbante me krenari.
Ai qëndronte aty i shtrirë dhe e shikoi përsëri pasqyrën. Pa një fytyrë të shëmtuar, të lodhur dhe pa asnjë shenjë shkëlqimi.
 Filloi t’i urrej vetullat e tij që ia kishin errësuar sytë, atë sy shporues që dikur shfaqeshin ngazëllim e shkëlqim, forcë e egërsi. Ndërsa tani vetullat në pasqyrë i dukeshin si kreshta malesh të djegura që kundërmonin aromë të keqe.
Gjenerali e ktheu kokën prapa. Dera, ishte tepër e vogël për sytë e tij që kishin hyrë thellë dhe dukeshin si përrenj të thamë. S’dinte si dilej prej kësaj skëterre ku hyri me dëshirë. Në të vërtetë, skëterra ma e madhe, ajo që tanimë ishte vonë të kalohej, ishte në kujtesën e tij, aty ku ruheshin ma të ndytat e jetës së tij- ato që s’ia kishte treguar askujt.
 Tani kujtesa e tij po shpartallohej si një kështjellë e mposhtur, e trupi i tij i rrëzuar përballë një pasqyre po ndjente dhembje. Si flamur i braktisur, pas një beteje të ashpër, iu duk etja për pushtet, gradat dhe shkrimet nëpër gazeta për famën e tij, përballë një pasqyre, aty ku nami i tij i ngjante një buburrec mezi të dukshëm.
Pasqyra vazhdonte ta ndriçonte edhe ma shumë fytyrën e tij të zbehtë si dylli, ndërsa ai i katandisur në një dëshpërim të thellë, përballë një pasqyrën që i rrinte si një përbindësh, shihte trupin e tij të rrëzuar për tokë.
Shtëpia iu ngjante një ngrehinë që e përpiu si toka e çarë pas një tërmeti. E urrejtja për pasqyrën iu shtua, bashkë me dëshirën që të ikte prej saj.
Gjenerali mbylli sytë e ra në mendime.
Sa vështirë është ta shohësh vetën para pasqyrës të vërtetës- tha me vete.
Për një çast e kuptoi se ma nuk zotëronte asgjë, siç ia kishte ana të ëndërronte. Ai tashmë ishte i pafuqishëm edhe për veten e tij. 
Vajzat kur e shohin vetën në pasqyrë, gjithmonë e mendojnë vetën ma të bukura sesa që janë. Ndërsa gjeneralët, në fund të jetës së tyre, shpeshherë e shohin pasqyrën si të vetmin vend ku mund të rrinë pa u pështy. 
Pas disa minutash, u ngrit ngadalë dhe doli jashtë.
Muzgu ra. Aty këtu kishin filluar të ndizeshin dritat e qytetit që shtrihej poshtë këmbëve të tij...