Showing posts with label "Ligjërata e brendshme e personazheve në disa prej prozave të shkurtra të Migjenit dhe shkrimitarit Lu Xun". Show all posts
Showing posts with label "Ligjërata e brendshme e personazheve në disa prej prozave të shkurtra të Migjenit dhe shkrimitarit Lu Xun". Show all posts

Eranda Allmetaj: "Ligjërata e brendshme e personazheve në disa prej prozave të shkurtra të Migjenit dhe shkrimitarit Lu Xun"


Në shpjegimin e tij si koncept, narracioni definohet si akti ose procesi i rrëfimit të një historie. Në aspektin letrar, narracioni kuptohet si mënyra apo stili me të cilin rrëfehet një histori ose novelë. Teoricieni letrar Gerard Genette e përkufizon rrëfimin si reprezentim i një ngjarjeje, ose i një vargu ngjarjesh, reale a fiktive, me anën e ligjërimit, e në mënyrë më të veçantë, me ligjërimin e shkruar[1].
Aspekti narrativ në fushën e letërsisë ka qenë gjithmonë në proces evoluimi, ku tërësia e elementeve narrative ka gjetur shfaqje të formave të larmishme në varësi edhe të mbizotërimit të zhanrit apo natyrës së formave letrare. Që në zanafillën e krijimtarive letrare narracioni ka qenë pjesë përbërëse e rëndësishme e veprave apo shkrimeve me natyrë letrare, por kritika herë i ka dhënë rol parësor e herë të tjera e ka lënë në hije. Kryesisht në kohët e hershme letërsia shihej e lidhur me shkencat e tjera dhe kritika ndaj saj nuk kishte si të mos ndikohej nga ky aspekt. Teoritë e ndryshme letrare i kanë dhënë përparësi aspekteve të ndryshme në varësi të këndvështrimit që ato kanë pasur në thelb.
Me kalimin e kohës, teoritë letrare filluan të krijonin një ndarje nga këto dukuri duke synuar studimin e veprave bazuar vetëm në aspekte letrare dhe duke lënë mënjanë aspekte të cilat konsideroheshin jashtëletrare. Siç dhe gjuhëtari dhe teoricieni letrar Roman Jackobson përkufizon që subjekti i studiuesve dhe shkollave letrare nuk duhet të jetë letërsia, por elementet të cilët e bëjnë një vepër të jetë letrare The subject of literary scholarship is not literature in its totality but literariness i.e. that which makes of a given work a work of literature[2].