Showing posts with label Haemus Plus. Show all posts
Showing posts with label Haemus Plus. Show all posts

Dr. Klementina Shiba: "Argumentimi element i thelbësor në ligjërim dhe komunikim"



Një sërë kërkimesh janë orientuar në studimet cilësore mbështetur nga mjete sasiore dhe kanë arritur në rrjedhime (konkluzione) mbi formulimin e kërkimeve «intelligjente» mbi një kampion të të dhënave të ligjërimit si në fushën semantike, ashtu dhe në fushën gramatikore. Analiza e ligjërimit zë një vend të privilegjuar në objektin e kërkimeve të ndryshme e për të realizuar atë duhet të pajisesh me mjete që edhe pse janë klasike kanë dhënë rezultate të vlefshme në fushën e shkencave humane dhe sociale. Analiza e të dhënave të një ligjërimi, tashmë, përfshin një shumëllojshmëri metodash, mbështetur në burime të shumta, të cilat kanë për qëllim të zbulojnë informacione "thelbësore" në një ligjërim të dhënë, në ndihmë të mësimit të gjuhëve të huaja. Për të arrritur në konkluzione, analizën e fillojmë me pyetjet përkatëse që mbulojnë fushën e analizës leksikore, gjuhësore, atë të njohjes e informacionit dhe, së fundmi, atë të tematikës. Duke u mbështetur në keto burime, në studim do të analizohen probleme metodologjike dhe teorike: ligjërimi dhe përfaqësimi, gjuha dhe parashtrimi i saj, strukturimi dhe komunikimi, interpretimi dhe abstraksioni.

Eranda Allmetaj: "Ligjërata e brendshme e personazheve në disa prej prozave të shkurtra të Migjenit dhe shkrimitarit Lu Xun"


Në shpjegimin e tij si koncept, narracioni definohet si akti ose procesi i rrëfimit të një historie. Në aspektin letrar, narracioni kuptohet si mënyra apo stili me të cilin rrëfehet një histori ose novelë. Teoricieni letrar Gerard Genette e përkufizon rrëfimin si reprezentim i një ngjarjeje, ose i një vargu ngjarjesh, reale a fiktive, me anën e ligjërimit, e në mënyrë më të veçantë, me ligjërimin e shkruar[1].
Aspekti narrativ në fushën e letërsisë ka qenë gjithmonë në proces evoluimi, ku tërësia e elementeve narrative ka gjetur shfaqje të formave të larmishme në varësi edhe të mbizotërimit të zhanrit apo natyrës së formave letrare. Që në zanafillën e krijimtarive letrare narracioni ka qenë pjesë përbërëse e rëndësishme e veprave apo shkrimeve me natyrë letrare, por kritika herë i ka dhënë rol parësor e herë të tjera e ka lënë në hije. Kryesisht në kohët e hershme letërsia shihej e lidhur me shkencat e tjera dhe kritika ndaj saj nuk kishte si të mos ndikohej nga ky aspekt. Teoritë e ndryshme letrare i kanë dhënë përparësi aspekteve të ndryshme në varësi të këndvështrimit që ato kanë pasur në thelb.
Me kalimin e kohës, teoritë letrare filluan të krijonin një ndarje nga këto dukuri duke synuar studimin e veprave bazuar vetëm në aspekte letrare dhe duke lënë mënjanë aspekte të cilat konsideroheshin jashtëletrare. Siç dhe gjuhëtari dhe teoricieni letrar Roman Jackobson përkufizon që subjekti i studiuesve dhe shkollave letrare nuk duhet të jetë letërsia, por elementet të cilët e bëjnë një vepër të jetë letrare The subject of literary scholarship is not literature in its totality but literariness i.e. that which makes of a given work a work of literature[2].