Eranda Allmetaj: "Ligjërata e brendshme e personazheve në disa prej prozave të shkurtra të Migjenit dhe shkrimitarit Lu Xun"


Në shpjegimin e tij si koncept, narracioni definohet si akti ose procesi i rrëfimit të një historie. Në aspektin letrar, narracioni kuptohet si mënyra apo stili me të cilin rrëfehet një histori ose novelë. Teoricieni letrar Gerard Genette e përkufizon rrëfimin si reprezentim i një ngjarjeje, ose i një vargu ngjarjesh, reale a fiktive, me anën e ligjërimit, e në mënyrë më të veçantë, me ligjërimin e shkruar[1].
Aspekti narrativ në fushën e letërsisë ka qenë gjithmonë në proces evoluimi, ku tërësia e elementeve narrative ka gjetur shfaqje të formave të larmishme në varësi edhe të mbizotërimit të zhanrit apo natyrës së formave letrare. Që në zanafillën e krijimtarive letrare narracioni ka qenë pjesë përbërëse e rëndësishme e veprave apo shkrimeve me natyrë letrare, por kritika herë i ka dhënë rol parësor e herë të tjera e ka lënë në hije. Kryesisht në kohët e hershme letërsia shihej e lidhur me shkencat e tjera dhe kritika ndaj saj nuk kishte si të mos ndikohej nga ky aspekt. Teoritë e ndryshme letrare i kanë dhënë përparësi aspekteve të ndryshme në varësi të këndvështrimit që ato kanë pasur në thelb.
Me kalimin e kohës, teoritë letrare filluan të krijonin një ndarje nga këto dukuri duke synuar studimin e veprave bazuar vetëm në aspekte letrare dhe duke lënë mënjanë aspekte të cilat konsideroheshin jashtëletrare. Siç dhe gjuhëtari dhe teoricieni letrar Roman Jackobson përkufizon që subjekti i studiuesve dhe shkollave letrare nuk duhet të jetë letërsia, por elementet të cilët e bëjnë një vepër të jetë letrare The subject of literary scholarship is not literature in its totality but literariness i.e. that which makes of a given work a work of literature[2].
 
Vëmendja e studiuesve ndaj këtij aspekti ka nxjerrë në pah vlera të vërteta të veprave letrare, duke marrë parasysh karakteristikat e tyre themelore të bazuara në gjuhën e përdorur nga autorët dhe mënyrën se si ato i kanë strukturuar mendimet e tyre. Ky aspekt është i rëndësishëm të studiohet edhe në veprat e Lu Xun dhe Migjenit, duke qenë se të dy shkrimtarët janë themeluesit e të ashtuquajturës prozë e shkurtër, e cila ishte një risi në aspektin strukturor letrar. Trajtimi i ngjarjeve me rëndësi të thellë shoqërore, psikologjike dhe filozofike në vetëm disa faqe është thelbi, zotësia dhe karakteristika përbashkuese dhe dalluese me shkrimtarët e tjerë të Lu Xun dhe Migjenit. Krahas strukturimit të prozave të tyre të shkurtra në vetëm disa faqe, narracioni i brendshëm karakterizohet po ashtu nga forma të shumta, duke gjetur shprehje të larmishme herë në trajtimin e ngjarjes nga autorët e herë nga personazhet. Ndërthurja e tyre, si dhe përdorimi i teknikave të tjera, po aq të vlefshme i bën prozat e tyre me një natyrë të veçantë strukturore e po ashtu me një trajtesë me stil të hollë të anës përmbajtësore.
Narracioni është boshti qendror i një proze letrare. Teknikat dhe metodat krijuese të shkrimtarit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shijet dhe përzgjedhjen individuale të lexuesit. Në rastin e letërsisë shqipe dhe kineze, në periudhën e adaptimit të teknikave të letërsisë moderne nga vendet perëndimore, u pa e nevojshme që të ndërhyhej pikërisht në elementet gjuhësore dhe stilistikë të mënyrës së të bërit letërsi. Kryesisht rrëfimet e hershme përmbanin narrator i cili shprehej në vetë të tretë, duke krijuar kështu një lloj distancimi me lexuesin. Krahas kësaj, përshkrimi dhe detajet me funksion njohës sipërfaqësor ishin pothuajse karakteristikë e tyre. Me kalimin e kohës, këto teknika narrative filluan të zëvendësoheshin me metoda të reja krijuese, si: zhvillimi i dialogut me një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, prania e monologut si ligjëratë e brendshme e personazhit dhe përfshirja e lexuesit në rrëfim.
Teknikat e sipërpërmendura janë pjesë e dukshme edhe në prozat e shkurtra të Lu Xun dhe Migjenit. Gjatë analizës në aspektin narrativ dalin në pah një sërë karakteristikash krijuese të të dy shkrimtarëve, të cilat herë përngjasojnë e herë përbëjnë tipare dalluese të gjithsecilit.

Monologu, ligjërata e brendshme e personazheve

Në tërësinë e elementeve narrativë për ndërtimin strukturor dhe përmbajtësor të një vepre gjejmë përdorimin e teknikave të ndryshme nga ana e autorëve. Terminologjia e përdorur për përkufizimin e tyre gjen përdorime të ndryshme sipas këndvështrimit të teoricienëve letrarë. Elementët e një diskursi narrativ përfshijnë së pari pozicionin në të cilin autori e vendos rrëfyesin, pra fokalizimi apo këndvështrimi i narratorit. Bazuar në këtë aspekt, rrëfimtari merr pozicione të ndryshme duke qenë herë narrator i jashtëm, herë i brendshëm e herë të tjera i gjithëdijshëm. Në këtë këndvështrim krijohet marrëdhënia në të cilën autori vendos rrëfimtarin me subjektin, rezultati i së cilës është sjellja e ngjarjes në mënyrë sa më të realizuar në sytë e lexuesit.
Krahas pozicionimeve të ndryshme të rrëfimtarit kundrejt ngjarjes, autori mund të zgjedhë edhe teknikën narrative të vendosjes së marrëdhënies së drejtpërdrejtë të rrëfimtarit me lexuesin. Mënyra më e mirë e realizimit të saj është nëpërmjet monologut, si një nga format më të fshehta dhe intime të të rrëfyerit.
Nga vetë koncepti, monologu është e folura me vetennjë ligjëratë ose mendim thënë dhe drejtuar vetë vetes. Në fushën e letërsisë ky procedim është konceptuar si një nga ligjëratat më të sinqerta dhe me ndjesi shumë të afërta të personazhit me lexuesit. Në momentin që rrëfehet duket se përveç unit narrativ dhe lexuesit askush tjetër nuk ka dijeni rreth asaj që ndodh.
Monologu shpeshherë është përdorur me qëllim analizën psiko-emocionale të personazhit. Duke u shprehur ai vetë për veten e tij besueshmëria dhe pastërtia e ligjëratës është më e lartë tek lexuesi. Ai mund të realizohet në mendimet e brendshme të personazhit, nën zë, por mund të jetë edhe i shprehur me zë, duke marrë forma të ndryshme si monologu i brendshëm, monologu narrativ apo monologu dramatik. Gjithashtu, shprehja nëpërmjet tij mund të jetë emocionale ose logjike, një mendim apo gjykim i monologuesit. Përdorimin e monologut e vëmë re edhe në prozat e Lu Xun dhe Migjenit, të tilla, si: Nesër, Një ngjarje e vogël, Një familje e lumtur, Studenti në shtëpi, Bukën tonë të përditshme falna sot. Përdorimi i monologut në këto proza del herë si monolog narrativherë si analizues i mendimeve filozofike apo pikëpyetjeve që e shqetësojnë monologuesin e herë të tjera si monolog i strukturuar brenda dialogut për të treguar kundërshtinë me dialoguesin.


* Autorja ndjek studimet doktorale pranë Beijing Foreign Studies University, ku është edhe Asistent Pedagoge e gjuhës shqipe.

** Artikulli i plotë në Haemus Plus




[1] Genett, Gerard, Narrative Discourse, Cornell University Presss, New York, 1980, f. 25.
[2] Hawkes, Terence, Structuralism and Semiotics, Methuen & Co. ltd, 1977, fq. 61.