Showing posts with label "Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare". Show all posts
Showing posts with label "Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare". Show all posts

Evalda Paci: Mbi disa emra dhe mite të letërsisë shqipe

Arian Leka: Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2022.

Në përmbledhjen me titull Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare, të studiuesit Arian Leka do të gjinden të reflektuara sprova hulumtimi mbi një sërë çështjesh që cekin studimet mbi letërsinë shqipe dhe traditat studimore përkatëse, ashtu dhe studime të thelluara mbi autorë të veçantë, njohja e të cilëve nuk ka ardhur në kohën dhe qasjet e duhura, për arsye rrethanash dhe zhvillimesh tipike për artin e letërsinë në vendin tonë. Evidentimi dhe kontekstualizimi përkatës orientohet më së miri nga ndarjet kryesore tematike që autori nënvizon në pasqyrën përkatëse, pikërisht me titujt Mitologji; Klasikë; Realizëm socialist; Bashkëkohësi e që bën të mundur të krijohet një ide paraprake mbi njësitë që e përbëjnë përmbledhjen në fjalë. Përbashkimi i mësipërm i konceptuar në pikëpamje tematike dhe autoriale nuk cenon hapësirën e leximit të mëvetësishëm të krerëve të kësaj përmbledhjeje, në të cilën do të mund të gjurmohet një lëndë e pasur në burime bibliografike, në zëra të përveçëm, në kontribute që kanë ndikuar në krijimin e parahistorikut të trajtesave në fjalë, por dhe në argumente që grishin kureshtjen për mënyrën e shtjellimit të tyre nga ana e autorit të përmbledhjes.

E iniciuar me një trajtesë që ka si premisë studime të mirëfillta mbi mitet, toposet dhe receptimin e tyre në mendimin filozofik botëror, kjo përmbledhje do të ketë në përbërje të vet dhe trajtesa që të tilla çështje do t’i reflektojë të pasqyruara në shkrimtarinë e autorëve të veçantë të letërsisë sonë, madje, të autorëve që për dekada të tëra nuk u përmendën as me titujt e veprave, pavarësisht se njiheshin fort mirë nga shkrimtarë dhe kritikë të letërsisë. Mitologjia dhe mitet ndërkohë rivijnë në një sprovë hyrëse që bën të mundur të rikalojmë në kujtesë dhe reflektime një sërë autorësh që zbërthyen elemente të rrëfenjave më në zë të një tërësie konceptesh me të cilat mund të rindertohet sot e kësaj dite një filozofi e botës mitologjike, e konkretizuar në trashëgiminë e çmuar të botës antike greke.[1]