Në përmbledhjen me titull Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e
letërsisë shqiptare, të studiuesit Arian Leka do të gjinden të reflektuara
sprova hulumtimi mbi një sërë çështjesh që cekin studimet mbi letërsinë shqipe
dhe traditat studimore përkatëse, ashtu dhe studime të thelluara mbi autorë të
veçantë, njohja e të cilëve nuk ka ardhur në kohën dhe qasjet e duhura, për
arsye rrethanash dhe zhvillimesh tipike për artin e letërsinë në vendin tonë.
Evidentimi dhe kontekstualizimi përkatës orientohet më së miri nga ndarjet
kryesore tematike që autori nënvizon në pasqyrën përkatëse, pikërisht me titujt
Mitologji; Klasikë; Realizëm socialist;
Bashkëkohësi e që bën të mundur të krijohet një ide paraprake mbi njësitë
që e përbëjnë përmbledhjen në fjalë. Përbashkimi i mësipërm i konceptuar në
pikëpamje tematike dhe autoriale nuk cenon hapësirën e leximit të mëvetësishëm
të krerëve të kësaj përmbledhjeje, në të cilën do të mund të gjurmohet një
lëndë e pasur në burime bibliografike, në zëra të përveçëm, në kontribute që
kanë ndikuar në krijimin e parahistorikut të trajtesave në fjalë, por dhe në
argumente që grishin kureshtjen për mënyrën e shtjellimit të tyre nga ana e
autorit të përmbledhjes.
E iniciuar me një trajtesë që ka si premisë studime të mirëfillta mbi mitet, toposet dhe receptimin e tyre në mendimin filozofik botëror, kjo përmbledhje do të ketë në përbërje të vet dhe trajtesa që të tilla çështje do t’i reflektojë të pasqyruara në shkrimtarinë e autorëve të veçantë të letërsisë sonë, madje, të autorëve që për dekada të tëra nuk u përmendën as me titujt e veprave, pavarësisht se njiheshin fort mirë nga shkrimtarë dhe kritikë të letërsisë. Mitologjia dhe mitet ndërkohë rivijnë në një sprovë hyrëse që bën të mundur të rikalojmë në kujtesë dhe reflektime një sërë autorësh që zbërthyen elemente të rrëfenjave më në zë të një tërësie konceptesh me të cilat mund të rindertohet sot e kësaj dite një filozofi e botës mitologjike, e konkretizuar në trashëgiminë e çmuar të botës antike greke.[1]
Trajtesa me titull Figura të mitologjisë në epikën
shqiptare-propozim për një rrugë alternative të mbërritjes së tyre në Epos,
përbën një mundësi për të ndërthurur çështje të traditave studimore që kanë
vetë mitin si objekt vëzhgimi, më tej, reflekse konceptesh të ngjashme në
hulumtues të botës sonë antike, dhe të shfaqjeve të veçanta që përbëjnë përherë
argumente me interes diskutimi.
Vështrimi diakronik që merr në
konsideratë observimet e Hahn-it, Nopça-s mbi figura të veçanta në botën e
mitologjisë, por dhe vjeljet e Eqrem
Çabejt, apo më vonë të Bernardin Palajt O.F.M. e Rrok Gurashit O.F.M. përbën
një medium të rëndësishëm në orientimin e autorit për të specifikuar sa të
pranishme ishin elemente analogjike të konkretizuara në personazhe mitike, me
gjasë të afërta me ato të bëra pjesë prej kohësh në letërsinë antike botërore.
Introduktimi
i trajtesave me një bazë solide teorike dhe ilustruese bie në sy dhe në
vështrimin me titull Mitologji e krishterë në krijimtarinë
e Gjergj Fishtës, radhitur në pikëpamje tematike pikërisht në kapitullin kushtuar
mitologjisë. Vështrime të antropologëve të njohur, të cilëve vetë emri u
asociohet me punime serioze mbi çështje të origjinës dhe konceptimit të miteve,
shfaqjes dhe receptimit të tyre në një botë të parakrishterë u paraprijnë
sytheve në të cilat një aspekt i veçantë
i krijimtarisë së Gjergj Fishtës bëhet objekt trajtimi. Dimensioni
diakronik spikat qartë dhe në këtë trajtesë, duke qenë se rimerren krijime të
veçanta të Fishtës në dekada që i prijnë realizimit të vëllimeve më të
tematizuara që mbajnë autorësinë e tij, po ashtu dhe prirje të ngjashme që
ndeshen në autorë të së njëjtës traditë shkrimore, por mjaft më të hershëm në
kohë. Vetë tematika që qëndron e shprehur që në titull të kësaj trajtese ka
ofruar një fushë të gjerë gjurmimi, duke pasur parasysh hapësirën e shtrirjes
së kontributeve të Atë Gjergj Fishtës në të përkohshme, në vëllime antologjike,
më tej në përmbledhje të tematizuara që bëjnë të mundur të mund të kihet
parasysh dhe rrethana kohore e zanafillës së mjaft motiveve, të rimarra prej
tij në momente të caktuara. Mitologji e krishterë në
krijimtarinë e Gjergj Fishtës
paraqitet si një sprovë e përpunuar në hollësi e nënçështje, në të cilat
kënaqshëm do të mund të shtjellohet një parahistori e konsiderimit të miteve
dhe e reflektimit të tyre në religjionet, për më tepër dhe një parathënie mbi
botimin e krijimeve që më tej do të bëjnë të mundur të lidhet drejtpërdrejt
emri i Atë Gjergj Fishtës O.F.M. me krijimtarinë lirike.[2]
Nuk bëhet fjalë vetëm për dekadat e
para të shekullit të kaluar, bëhet fjalë dhe për segmente kohore paraardhëse,
në të cilat është parapërgatitur rrugëtimi kompleks i një autori të cilin nuk
mundi ta zhbëjë nga kujtesa jonë as regjimi totalitar që me skemat e tij ndikoi
dhe në receptimin e autorëve të veçantë të letërsisë shqipe, pa të cilët vetë
historia e kësaj të fundit do të rezultojë patjetër e mangët, por dhe pa
tharmin e një tërësie kulturore që një gjeneratë e caktuar shkrimtarësh e pati
në natyrshmërinë e të krijuarit dhe të të shprehurit të mendimit.
Janë shumë procese që te vetë Fishta
duhen gjurmuar qoftë dhe duke iu kushtuar secilës prej gjinive që u lëvruan
prej tij në vite, bashkë me formatin filologjik që për ne përbën një orientim
të vyer nëse u qasemi lirikave, melodramatikës, epikës, publicistikës,
krijimeve dedikatore dhe agjiografike, por dhe terminologjisë që në shkrimtarinë
e tij përbën një burim fort të pasur në vështrimin e studiuesve të veprës e të
artit të tij të të shkruarit.
Parashtresa që bën të mundur të
rithirren në vëmendje autorë të mendimit filozofik botëror, që volën nga
mitologjia topose e përveçime të rimarra më tej në studime të një niveli të
thellë ezegjetik, me reflektime mbi natyrën njerëzore dhe aftësinë e saj në të
krijuar përbën dhe një paradhomë të ndrequr hijshëm, që natyrshëm na përafron
ndaj trajtesës së mirëfilltë mbi krijimtarinë lirike të Fishtës dhe konceptimin
e saj në vështrimin e autorit. Si një nga trajtesat më të thelluara të kësaj
përmbledhjeje, në të do të mund të konsultohen burime referimi nga publicistika
e kohës, nga variantet e botimit të veprave të Fishtës, të ridimensionuara dhe
në kohë të ndryshme.
Një syth të rëndësishëm do ta përbëjë trajtesa mbi fabulat e Santorit, në të cilën do të spikasë qartë një vëmendje kritike ndaj shkallës së njohjes së shkrimtarisë së këtij autori arbëresh në traditën e studimeve tona letrare, në vështrim konsiderues ndërkohë dhe të ndërmendjes së tij në gjurmimet e K. Kamsit, Z. Kodrës, K. Kodrës, më tej të koleges sonë Merita Sauku-Bruci, përpiluese dhe përgatitëse serioze e botimeve filologjike e kritike të veprave të tij.[3] Orientimi i vëmendjes ndaj një modeli gjinor të veçantë siç paraqitet fabula bën të mundur që jo vetëm të kryhen vëzhgime tekstore mbi variantet e Santorit, por dhe të gjurmohen tekste të mëhershme që shpien në mënyrë të pashmangshme si në autorët që tradita botërore i njeh si themelues të vetë zhanrit, ashtu dhe në vështrime kritike mbi çka Santori sjell prej modeleve paraardhëse, duke spikatur dhe vetë për elemente origjinaliteti. Autori i trajtesës sjell analiza të hollësishme tekstore, duke nënvizuar në çdo rasë rëndësinë e çdo termi specifik që duhet përdorur nga ana e studiuesit, si në kuptimin e autorësisë së Santorit, ashtu dhe në atë që lidhet me dimensionin e përkthyesit.[4]
[1] Shih në veçanti Hyrje (f.11-15), në Figura të mitologjisë në epikën shqiptare dhe propozim për një rrugë alternative të mbërritjes së tyre ne epos, në A.Leka, Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2022, f.11-41, botuar më parë në revistën Antropologji (ASA, IAKSA), V.2 Nr. 1, 2019, f. 119-148.
[2] A. Leka, Mitologji
e krishterë në krijimtarinë e Gjergj Fishtës, në Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare, Akademia
e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2022, f.43-56.
[3] Shih gjithashtu A. Leka, Përrallëzat e Santorit: përkthim, krijimtari, përshtatje -motive dhe burime, në Studime filologjike, n.3-4, 2019,
f.47-63.
[4] Shih gjithashtu A. Leka, Përrallëzat e Santorit: përkthim, krijimtari, përshtatje -motive dhe burime, në Konsensus
dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare, Akademia e
Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2022, f.63.