Showing posts with label Dixit. Show all posts
Showing posts with label Dixit. Show all posts

Shën Nektari i Eginës: Për lajkatimin

Lajkatimi është një e keqe e neveritshme, fshehur nën maskën e miqësisë; lajkatimi është një përkëdhelje joshëse dhe me fjalë paraqitet si miqësore, dëshmi mirësie dhe përkushtim ndaj gjërash që s’kanë asnjë vlerë. Mbi lajkatim, si mbi varr, gjendet i shkruar vetëm emri i miqësisë. Lajkatimi është një ves i shpirtit të prishur, që është sëmurur dhe s’ka asgjë të shëndetshme në vete; lajka është dinake, pa asgjë të shenjtë, e shtirur dhe mashtruese. Lajkatimi prish shpirtrat që e pranojnë.
Karakteri i lajkatarit. Ky është një individ i prishur, i ulët, pa pikë vlere; ai ledhator shpirtrat e dobët, ndërsa fjalët i ka plot mashtrim; premton miqësinë dhe hiqet sikur po fal besnikërinë e përkryer, por zemra e tij urren, goja e tij flet për dendësinë e dashurisë; ai e larton njeriun të cilit i bën lajka për veprime të denueshme dhe gjymton cilësitë e njerëzve të virtytshëm, të denjë për vlerësime; ai zhubros mendimet e shpirtit dhe nuk lejon të duket e vërteta e gjërave. Lajkatari zileps ata që jetojnë në shthurje dhe i admiron ata që i shpenzojnë pasuritë në vetëshkatërrim; u mburr mendimet dhe u ngre në qiell aftësitë e duarve; ai ngulmon se shfrenimi është virtyt dhe e quan marrëzinë si shkencën dhe dijen më të epërme. E mburr njeriun që s’është i denjë për pasurinë e vet dhe e tall të mirin që jeton në varfëri; i çmon njerëzit për shkak të kamjes dhe shkel me këmbë gjërat e denja për admirim. Lajkatarët i joshin me fjalë të ëmbla njerëzit pa të keq dhe bëjnë çmos që të kenë pushtet mbi ta. Duke i mburrur, i turbullojnë dhe u mjegullojnë udhën e jetës. Janë më dinakë se dhelpra dhe më të mbrapshtë se korbat, sepse me mashtrim e joshje prishin e ndyjnë shpirtrat; përdorin çdo mjet dhe s’janë veçse përfitues. Plutarku thotë se asnjë lloj njerëzish nuk nuk është më plot me vese sesa lloji i lajkatarëve, që ia dalin shumë shpejt mbanë e me sukses t’i gjunjëzojnë të rinjtë. Shën Vasili i Madh shprehet për lajkatarët: “Për sa kohë ka bukën në gojë, lajkatari mburr, gudulis, adhuron, por, me t’u ngritur nga tryeza, i hedh mallkimet si gurë mbi atë që, pak më parë, për shkak të stomakut, e lavdonte sikur të ishte Zoti”.
Lajkatari çnderon e bastis gjërat që u përkasin të tjerëve; e bekon me zë të lartë mikun në mëngjes, mirpo në mbrëmje e mallkon dhe është gati që, duke përdorur fjalë të bukura e të këndshme, t’ia marrë gjer edhe rroben e trupit.
Antisteni thoshte: “Më mirë të biesh mes korbave, sesa mes lajkatarëve; të parët të dëmtojnë trupin, ndërsa të dytët të prishin shpirtin”. 
Shën Vasili i Madh e krahason lajkatarin me një shumëkëmbësh: “Thuhet se, ashtu sikurse shumëkëmbëshi e ndërron ngjyrën sipas vendit ku ndodhet, ashtu edhe lajkatari e ndërron mendjen në varësi të bindjeve të atyre me të cilët rri”.  
Lajkatari është më i ulëti ndër njerëz.



[Shkëputur nga: Shën Nektari i Eginës, “Njih vetveten, ose për virtytin” (Cunoaste-te pe tine insuti sau Despre virtute), Editura Sophia, 2012]

Mihai Eminescu: Jo hamall që ngarkon kujtesën (Nu un hamal care-și încarcă memoria)

Thelbi i një shkolle është që nxënësi të mësojë atje më tepër nga sa i mësohet, më shumë nga sa di vetë mësuesi. Sapo t’i zgjohet kurreshtja për sendet, sapo shqisat dhe gjykimi nisin të burojnë nga vëzhgimet, nxënësi arrin përmes mendimit vetjak në përfundime të cilat nuk gjenden në libra. Por le ta lemë këtë çështje; mjafton që shkolla të mos jetë një depo njohurish të huaja, por një gjimnastikë e krejt individualitetit të njeriut; nxënësi – jo një hamall që e ngarkon kujtesën me thasë lëvozhgash të ca ideve të huaja, nën të cilat rënkon, por një njeri që i ushtron të gjitha fuqitë e veta të zgjuarsisë, duke forcuar aparatin intelektual, ashtu siç pasurohet një gjimnast, edhe në forcë, edhe në shkathtësi. E kemi fjalën për shkollat fillore dhe të mesme, jo për universitetet; në universitete metoda ndryshon, se këtu kërkohet shkencë dhe vetëm shkencë.

[Mihai Eminescu, în art. "Nu știm cum să ne esplicăm...", gazeta "Timpul", 12 korrik 1880; "Opere politice", 2008, p. 834]



Tompa Gábor: Njerëz që mund të shihen në pasqyrë / Oameni care se pot privi în oglindă

(regjisor teatri, Rumani) 

Jo, nuk më interesojnë këto demagogji populiste që thonë se publiku duhet shërbyer. Nuk është e vërtetë. Publiku duhet shërbyer në restorant, në bordell. Jo në letërsi, jo në art. Arti, po nuk pasqyroi, me mjetet e veta të veçanta, realitetin, dhe po nuk u përpoq të shtrojë pyetje të rëndësishme për ekzistencën njerëzore, po nuk ishte një mjet edukimi jo vetëm drejt kulturës së epërme, por edhe drejt njerzillëkut, e humb kuptimin. Kultura nuk duhet marrë si një mjet edukimi i masave. Kjo është fatkeqësia. Kjo vjen nga fryma e turmës dhe të gjithë diktatorët spekulojnë bash me frymën e turmës. Është e vërtetë se teatri ka një ndikim magjik mbi një grup njerëzish, mbi një sallë... Po sa mund të zgjerohemi? Në stadiume? Teatri nuk është një mjet agjitacioni masiv. Është tjetërgjë. Sigurisht që disa regjisorë të rëndësishëm të këtij shekulli kanë synuar pjesëmarrjen, afrimin, kanë dashur të kthehen në ritual, Brook-u, Andrei Șerban-i, Artaud-i, Grotowski. Por Grotowski u bë i rëndësishëm dhe e pamundur të shmangej pavarësisht se nuk besoj që pjesët e tij i panë më shumë se 10.000 vetë. Ai ka vënë në skenë për 35-40 vetë! Nuk e mohoj as karakterin ndonjëherë elitist të teatrit. Jam i bindur se një pjesë e mirë teatri u kumton diçka të gjitha niveleve të spektatorëve, por qëllimi i saj është të ngjizë njerëz të pjekur, shtetas të lirë, për të cilët kemi shumë nevojë dhe të cilët mund të marrin vendime vetjake, mund të shihen në pasqyrë dhe mund të ndeshen me qënien e vet.

Eugjen Ionesku: “… bëhet fjalë për Zotin në mënyrë aq të qartë, saqë askush nuk e kuptoi”.


(pjesë nga një bisedë për krishterimin)[1]

Eugjen Jonesku: Ajo që më duket skandaloze është fakti që Kisha duket se kërkon të vetasgjësohet në Histori, aq shumë trembet se mos dalë jashtë Historisë. Kjo është e tmerrshme sepse në të vërtetë roli i saj është të jetë jashtë Historisë, ta udhëheqë botën drejt Së Përjetshmes, prandaj ajo duhet ta ngrejë Historinë në mbi-Histori, duhet të japë teknikat e faljes dhe të soditjes. Tani ajo duket se nuk bën gjë tjetër përveçse politikë dhe demagogji. Kisha nuk dëshiron të humbë klientelën, por të fitojë edhe klientë të tjerë. Kjo është një shënjë laicizimi me të vërtetë dëshpëruese. Sot njeriu ka nevojë pikërisht për një ishull, i cili të mos rrihet nga erërat e Historisë, që t’u bëjë ballë stuhive, që të mos jetë i përkohshëm. Domethënë për atë që Kisha nuk e do më, nuk mundet më, nuk e di më, nuk përpiqet të japë më apo të propozojë.

GRIGOR SINAITI: Tre llojet e të shkruarit

Sipas Maksimit të madh, tri janë llojet e pandëshkuara dhe të papërçmuara të së shkruarës: ato që shkruhen për të mbajtur mend; për dobinë e të tjerëve; dhe për dëgjesë. Nën këtë prizëm janë hartuar shumë shkrime nga ata që kanë synuar përunjësinë. Kurse ai që shkruan për t’u pëlqyer, për t’u dukur dhe për lavdi të rreme do ta marrë pagën e vet, pa pasur asnjë dobi këtu dhe asnjë shpërblim në amëshim, por do të ndëshkohet si dikush që ka nxjerrë për shitje në tezgë fjalën e Zotit, që të fitojë dinakërisht kënaqësinë prej njerëzve.

MIHAI EMINESCU: Drita nuk ndizet veçse për ata që shohin... / Lumina nu se aprinde decât pentru cei care văd...

Ai vend që, përmes veprimtarisë së institucioneve të tij, inkurajon padijën, mungesën e vendimmarrjes, të karakterit, madje i dekoron, dëshmon se është në shpërbërje të plotë.

E keqja kryesore që kërcënon vitalitetin e popullit tonë ëstë demagogjia.

Ligjet e një populli, të drejtat e tij, nuk rrjedhin veçse nga ai vetë.

Natyra e popullit, instinktet dhe prirjet e trashëguara, gjenia e tij, që shpesh, e panjohur, ndjek një ide teksa tjerr në veglën e kohës – këto duhet të jenë vendimtare në jetën e një shteti, jo majmunllëku ndaj ligjeve dhe zakoneve të huaja.

Zakonet pa ligje mund të bëjnë gjithçka; ligji pa zakonet – gati asgjë. Atdhedashuria nuk është vetëm dashuri ndaj tokës që të ka lindur, por sidomos ndaj së shkuarës, pa të cilën nuk ekziston dashuri ndaj atdheut.

E fshehta e jetëgjatësisë së një shteti është ruajtja e hierarkisë së meritave.

Bashkëkohësit janë historianët më të këqinj.

Barazia nuk ekziston përveçse në matematikë.

LASGUSH PORADECI: Artisti ri-krijues / Artistul re-creator

“… artistul adevărat nu întreabă DE UNDE scoate materia brută a creaţilor sale; el întreabă: a realizat din acea materie brută o operă ORIGINALĂ, NOUĂ, PUTERNICĂ, PLINĂ DE EXPRESIVITATE PERSONALĂ? Imitaţie – revelează erudiţii!; O NOUĂ CREAŢIE – REVELEAZĂ poetul! O nouă creaţie din vechea materie… Niciuna dintre toate operele artistice mondiale nu este originală; trupul lor este străin; numai SUFLETUL lor nu poate fi disputat de nimeni. Nici de om, nici de divinitate. Omul este MAI PUŢIN decât divinitatea, divinitatea este MAI MULT decât omul, dar sufletul leagă omul cu divinitatea palpitând maiestuos între ei. Iată! Acesta este SUFLETUL adevăratelor opere de artă, FIINŢA METAFIZICĂ a artistului RE-CREATOR, (fiinţă - n. n.) TOPITĂ în OPERA-REACREAŢIE a lui”.

[Lasgush Poradeci, Opera, vol. II, 
Editura Onufri, Tiranë 1999, p. 13.]

PETRE ȚUŢEA: Shkalla e vlerave njerëzore / Scara valorilor umane

Shkalla e vlerave njerëzore përmban: shenjtorin, heroin, gjeniun dhe njeriun e zakonshëm, kurse jashtë këtyre ndodhet keqbërësi.

Nëse sistemet e vjetër u zbrazën nga përmbajtja, kjo nuk domethënë se nuk mund të krijohen sisteme të rinj. Por, nëse sistemet dhe stilet zëvendësohen me vështirësi, ngaqë krijimi i të rinjve mbetet e vështirë, në mos po i pamundur, loja e pafundme e nuancave i ofron shpirtit krijues të popujve dhe njerëzve mundësi të pakufishme.


Sistemi më i përshtatshëm socio-politik është liberalizmi. Sepse siguron elitën drejtuese, ngadhnjimin e personalitetit, të elitës drejtuese, dhe nuk shqetëson me asgjë ecurinë dogmatike të botës së krishterë. Në klimën e krijuar nga liberalët mund të merret frymë shpirtërisht dhe mund të përparohet materialisht, teksa vlerat lëvizin të pashqetësuara nga askush. Demokracia është më pak se liberalizmi, i cili ka në njëfarë mënyre edhe një aspekt aristokratik.
[Nga interneti]

ION D. SÎRBU: Izma / Isme

Përmes vdekjes, ajo që është universale në unin tonë i rikthehet, ose i shtohet njësisë, ashtu siç bula e vesës kthehet në oqean...

Vetëm kush di të vdesë meriton të jetojë!

Pushteti është gjithmonë i djathtë. E majta mbetet e majtë vetëm për aq kohë sa ëndërron, ose lufton për pushtet; me ta shtënë në dorë atë pushtet (dhe në rastin e saj s’mund të jetë fjala veçse për pushtetin Total), dalngadalë, falë qënies së gjërave (dhe të njerëzve), ajo kalon, qetë, por me siguri, drejt së djathtës (nacionalizëm, shovinizëm, autoktonizëm, protokronizëm, ksenofobi). Nga ky çast, tek e majta nuk mbeten veçse vejushat, jetimët, librarët vetmitarë, disa ish-mësues, shumica e komunistëve naivë, tepër sentimentalë, ose tepër të kulturuar.

Mbase Historisë, konceptuar si një lumë i kujtesës kolektive, i shpëton, gjatë çasteve të veta të mjegullta, nga një fletë në erë; dhe atëbotë, ajo fletë e harruar, tashmë e jetuar, mund të na fanitet si ndonjë vegim, vizion, zgjidhje përfundimtare... Për shembull, duket se tani po jetojmë duke rijetuar një kapitull nga epoka fanariote.
[Nga interneti]

MARIAN POPA: Fjala ‘e vërtetë’ / Cuvântul ‚adevăr’

Do t’i përgjigjesha pyetjes me një pyetje si përgjigje. Pse, - kur nuk ekzistokan konspiracione planetare, - u ra në ujdi që dokumentet e mbrame lidhur me Luftën e Dytë Botërore, përfunduar në maj 1945, të bëhen publike vetëm pas 100 vjetësh, pra më 2045? Pse prej qindra vjetësh Vatikani fsheh dokumente? Pse institutet amerikane nuk pranuan t’i përgjigej kërkesës rumune lidhur me disa dokumente të agjentëve rumunë të Gjermanisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Rreth rënies së komunizmit më njoftoi në fshehtësi dikush, - në gusht 1979, - që erdhi drejt meje, ndonëse nuk pata këmbyer kurrë me të ndonjë fjalë. Vetëm njiheshim dhe përshëndeteshim. „U vendos braktisja”, më tha. Aq. Tundi kokën, buzëqeshi në drejtim tjetër, që unë të shoh se po buzëqesh, dhe u zhduk siç erdhi. (...) Qysh atëhere nisa të jem i vëmendshëm ndaj simptomave. Sepse njëlloj si natyra, as shoqëria njerëzore, nuk bën kërcime. (...)

Nuk më pëlqen fjala ‚E Vërtetë’. Pse? Sepse natyra e saj është ajo që shprehet në një aforizëm të kibernetikanit Heinz von Foerster: „E vërteta është shpikja e një gënjeshtari”. (...) Nëse e vërteta nuk ka dalë në shesh kur ngjarja ndodh, atëhere më kot del në shesh më vonë. Nëse nuk është trillim, E vërteta është një mrekulli nga Dhjata e Vjetër, ose e Re: e Vërteta e përzjerë me Vërtetimin. Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë takim të udhëheqësve të fuqive të mëdha. Prandaj nuk kemi nga t’ia mbajmë dhe duhet të themi Po. Përndryshe pse u likujduan Çausheskët aq shpejt? Nuk është një turp për ne protokronistët që të ngjasojmë me frëngët e vitit 1789, me rusët e vitit 1917, apo me italianët, – edhe këta bij të historisë së përgjithshme – që e trajtuan Musolinin dhe dashnoren e tij si ca gjedhë për thrrtore? A nuk ishte Çaushesku i afërt me të gjithë krerët e mëdhenj të botës? Në fund të fundit, shpesh kam menduar se, për mua, nga ajo ngjarje, gjëja kryesore që duhet të kujtoj me mirënjohje është se pika terminus, të cilën nuk e vuri askush, ose që e vunë udhëheqësit e fuqive të mëdha, pasi vendosën ta mbyllnin atë epokë, më lejoi të kem një fund të përkryer për Historinë* time.

* „Historia e letërsisë rumune me sot, me nesër” – Vepër studimore, filozofike, historike dhe shpirtërore, me mbi dhjetë mijë faqe, e Marian Popës, botuar në fillim të shekullit XXI. Për nga thellësia, gjykimet dhe dendësia e të dhënave, Historia... mund të vihet pranë enciklopedive më të pasura të kulturës Evropiane e më gjerë.
 
[Pjesë nga libri „Avokati i të paudhit”
(Avocatul diavolului), Bukuresht, 2003]

INGMAR BERGMAN: Filmi si ëndërr / Filmul ca un vis

Filmi është vetjak. Teatri është objektiv.

Per mua kinematografia është në radhë të parë dhe veçanërisht afrim ndaj fytyrave. Fytyrave njerëzore. Kam vënë re se kjo më magjeps gjithnjë e më shumë – dhe ajo që përjetoj është pafundësisht tërheqëse. Jo çdo fytyrë, por fytyrat e aktorëve. Kur humb shqisën e lojës, duhet të heqësh dorë. Nëse harron se është një lojë dhe si kineast imiton realitetin, atëhere ke marrë udhën drejt një mashtrimi të tmerrshëm të vetvetes.

Kur filmi nuk është një dokument, është një ëndërr.

I vetmi instrument në profesionin tim është intuita. E kam provuar këtë kur punoja në teatër, ose në studio, me aktorët e mi; unë thjesht ndjej, nuk di si ta kem ndryshe situatën nën kontroll dhe si të bashkëpunoj me aktorët.

Në njëfarë mënyre, unë nuk di asgjë për mesazhet, apo simbolet, apo gjëra të tilla. Mbetem gjithmonë i befasuar pasi njerëzit më pyesin për mesazhet, sepse, kur bëj një film, unë dua vetëm të krijoj një lidhje me qëniet e tjera njerëzore, të rrëfej një ngjarje, ose vetëm të jem bashkë me to dhe t’i lëviz, që të ndjejnë diçka të caktuar. Nganjëherë, kur kam mesazhe, gjithçka shkon sëprapthi…

Gjëja më e rëndësishme është dëgjimi, - dëgjimi i regjisorit dhe dëgjimi i aktorit; dëgjimi ndaj njëri-tjetrit.

Nëse intuita është instrumenti ynë mendor, kamera është instrumenti ynë fizik.

[Ingmar Bergman Interviews, edited by Raphael Shargel,
University Press of Mississippi / Jackson, 2007]

FEDERICO FELLINI: Lejomëni të gaboj / Permiteți-mi să greșesc

Artisti, sikurse vepra artistike, kanë në thelb një karakter protestues. Duke përhapur e mbështetur të renë, përmes më së mirës, drejt më së mirës, vepra artistike duhet të kundërshtojë vetë mjedisin që e ka lindur. Çdo vepër artistike bart në thelb ligjin e vet jetik, - i ndryshëm nga një artist tek tjetri, - që përbën një provokim kundër çdo interpretimesh të ngurta, duke dhënë vetëm kështu masën e së vërtetës së vet. Preteksti, pikënisja kanë më pak rëndësi. Këto edhe mund të mohohen krejtësisht. Me rëndësi është nëse vepra mund të zgjojë një lloj fiksioni, shprehës për botëkuptimin e artistit, në marrëdhënie me temperamentin e tij.

Të vërtetën time psikologjike nuk e njoh. E kërkoj. Po kështu kërkoj një rrugë çlirimi nga disa mbistruktura edukative, ose matrica intelektuale të trashëguara. Një artist është njeriu që synon pandalshëm drejt pikës së mbrame, të rritet, por nuk duhet t’ia dalë mbanë asnjëherë.

Rezervoj të drejtën ta kundërshtoj veten. Nuk dua ta humb të drejtën për të thënë marrëzira dhe kërkoj përunjësisht të më lejojnë të gënjehem herë pas here.
[Nga libri „Takime joshës” (Întâlniri seducătoare), 
Adina Darian, Sh. B. Silex, Bukuresht, 1998]

VASILE ANDRU: Jetë dhe shenjë / Viață și semn

PËRPARËSIA E KARAKTERIT NDAJ IDEVE. A ka, vallë, individë me një kulturë të epërme dhe me një karakter të ulët? Pra, a është e mundur një pavarësi e pjesshme ndërmjet kulturës dhe karakterit? Gjërat mund të jenë si më poshtë: Njohuritë që nuk kanë pasur një ndikim të thellë shndërrues nuk quhen kulturë, por informacion. Kurse informacioni është tjetër gjë në krahasim me kulturën. Ështe ana e saj sasiore, është premisa e saj, është trampolina e saj, është varri i saj.

EKIZSTON NJË ‚GJUHË E LASHTË DHE E MENÇUR’? Eminesku na zgjon edhe sot mendime me këtë pyetje. Një kritik na përgjigjet me jo: nuk ekziston ‚një gjuhë e lashtë dhe e mençur’, përveçse në paraqitjet utopike të poetëve’.
Kam pyetur veten se si mund të ishte... Gjuhën e lashtë nuk e njohim, natyrisht, veçse përmes shkrimit. Kurse shkrimi ishte ai vetë, - dhe duhet të jetë edhe tani, - një bast me mençurinë.
Një tjetër vëzhgim. Hasim sintagma latine, dy-tri fjalë; sot na duhet të përdorim fjali të tëra dhe shtjellime ligjërimtare, që t’i përkthejmë. Latinishtja ishte më sintetike. Vallë, ‚nyja’ e fjalëve të lashta vuan tani nga një shpërthim dhe një zgjerim?!
Dendësia e së folmes, tepria e realitetit që përkapet, arrihet përmes ripërqëndrimit gjuhësor.

PLEQ NË NJË KULTURË TË RE. Një kritik amerikan thoshte se një kulturë e plakur interesohet në mënyrë obsesive për qëllimin dhe jo për hijeshinë e rrugës drejt mbërritjes. Kur të preokupon rruga e përshkuar, domethënë se je ende i ri...

[Pjesë nga libri „Jetë dhe shenjë” (Viață și semn),
Sh. B. Herald, Bukuresht, 2005]

KJELL ESPMARK: Thjeshtësi fisnike dhe madhështi e qetë / Simplitate nobilă şi măreţie calmă

Duke e pasur Hegelin si pikënisje, Vischer-i e përcakton të Bukurën si njësim i harmonishëm mes shpirtërores dhe lëndores, mishërimi plastik, ku ideja shfaqet në plotninë e vet, në të dukshme – arti i Greqisë antike dhe i Gëtes mund të jepen si shembuj. Vetë Vischer-i e emërton këtë idealrealizëm, një etiketë që iu vu edhe artit të Runebergut. Praktikisht, u desh që të vulosej si idealrealizëm krejt epoka mes romantizmit dhe e realizmit dhe u hulumtua se si ndikimet u përzgjatën në vizionin mbi letërsinë qysh në fillimin e shekullit XX. Estetika e të parit Komitet Nobel është një shembull bindës në këtë pikëpamje. Estetika wirseniane* ka parasysh një krijimtari që ribashkon një koncept idealist mbi realitetin me një ‚konkretësi’ ndijesore. Tipari i një ‚mjeshti të madh’ është se ky ‚rijep me qartësi jetën e njeriut’ (1903), por një synim i tillë realist nuk është veçse njëri nga përbërësit. Tjetri është një perspektivë e pranuar edhe nga Gëtja, mbi natyrën si sinonim për ‚të vërtetën’ dhe ‚frymën’, një shprehje-kyçe ‚në përputhje me natyrën’, kurse Fänrik ståls sägner citohet si model në lidhje me karakterizimin ‚në përputhje me natyrën’ (1909). (...) Vlerat e larta estetike quhen ‚masë’, ‚baraspeshë’ dhe ‚harmoni’ – fjalë nderi, që mund të gjenden në konceptin e Winckelmann-it për artin e Greqisë antike, si ‚edle Einfalt und stille Grösse’ (Thjeshtësi fisnike dhe madhështi e qetë). Figura etalon është sërish Gëtja, por krejt estetika vischeriane i ngre këto vlera në rangun e normave të arta.

* Wirseniane vjen nga Carl David af Wirsén (9 dhjetor 1842 - 12 qershor 1912) poet e kritik letrar suedez, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze në periudhën 1884-1912. 

[Pjesë nga libri „Çmimi për letërsinë”, Sh. B. Institutit Kulturor Rumun, 
Bukuresht, 2003, kapitulli ‚Froni, altari dhe familja’]

ALEXANDER ZINOVIEV: Teatri dhe tregjet / Teatrul și târgurile

Situata është e koklavitur, sepse, nga njëra anë ka ekzistuar ideologjia marksist-leniniste në nivel teorik, ta quajmë, kurse nga ana tjetër, ideologjia praktike, ta quajmë, e cila s’ka fare të bëjë me këtë marksizëm-leninizëm. Në nivelin praktik njerëzit donin të bënin karierë, të fitonin TË HOLLA, të punonin sa më pak dhe të përfitonin sa më shumë që të ishte e mundur. Ky nivel është kapur me detaje në të gjithë librat e mi. Ka qënë një kontradiktë brenda ideologjisë marksiste. Ndërsa brenda ideologjisë kapitaliste nuk ka kontradikta mes dy shtresave (niveleve). Të gjithë lëvizin në të njëjtin drejtim: pronë, të mira materiale, liri. Në nivelin praktik të ideologjisë mund të shohësh shkrimtarë të famshëm, filozofë, psikologë. Qeveria sovjetike, sistemi politik, ideologjia zyrtare donin që njeriu të punonte pa marrë kurrgjë si shpërblim, dhe vlerat shpirtërore trymbetoheshin si më të rëndësishme nga ato materiale. Jam njeri tipik nga kjo pikëpamje. Niveli im i jetesës ishte më i ulët se sa i fshesaxhiut që bënte pastrim në zyrën time. Nuk kisha asgjë. Për mua ishte shumë më e rëndësishme ta kaloja kohën me miqtë e mi, të lexoja, të shkruaja. Majakovski thoshte se një këmishë e pastër i mjaftonte. Edhe mua. Udhëheqësit komunistë do të kishin dashur që të gjithë njerëzit të ishin të tillë. Mirpo, teksa unë dhe disa miq mund të ishim të tillë, nuk mund t’u kërkoje të njëjtën gjë 250 milion shtetasve sovjetikë. Shumica e tyre ishin krejt shpërfillës ndaj nivelit teorik të ideologjisë. Ata donin të hanin, të pinin, të edukonin fëmijët. Dhe propaganda perëndimore ishte tejet efikase në Bashkimin Sovjetik, që të mund të përputhej me ideologjinë praktike të popullit sovjetik. Propaganda sovjetike dhe ajo perëndimore zgjatën me dhjetra vjet, por s’patën aspak të bënin me ide abstrakte, me koncepte. Perëndimi kritikoi mënyrën e jetesës në Bashkimin Sovjetik. Propaganda perëndimore tërhoqi vëmendjen drejt pikave të dobëta të jetës sonë dhe ua paraqiti lindorëve Perëndimin sikur ky të ishte vetë parajsa. Shumë njerëz nga Bashkimi Sovjetik vizituan Perëndimin. Dhe ç’bënë kur mbërritën? Rendën nëpër dyqane që të blinin gjëra. Askush mes qindra vetëve që erdhën këtu në Mynih, ku ne jemi prej pesëmbëdhjetë vjetësh, nuk shkoi në muzeum, apo në teatër. As edhe një i vetëm. Akademikë, shkrimtarë, piktorë, të gjithë u sulën menjëherë të bënin tregti.


[Kultura e ideve, bisedë e Aleksandër Zinovjevit me Crisula Stefanescu-n, Nr. 299 / 11 nëntor 2010]

DIXIT

Monsinjor Vladimir Gjika

Nëse E do Zotin, si mund të urresh?!

Zoti na do aq shumë, sa i çmerit ata që s’E njohin si dashuri.

Ka vetëm një problem: të arrish të duash gjithë ç’do Zoti dhe t’i duash të gjitha ashtu siç i do Ai.

Dashuria është njëherazi pasuria e një uni që vetëkapërcehet, duke synuar të kapërcejë veten, dhe varfëria e një uni që s’i mjafton vetes dhe që nuk synon veçse t’i mjaftojë vetes.

Duaji të gjitha qëniet dhe gjërat që të vështrojnë.

I afërmi – streha e fshehtë e Zotit.

Duaje Zotin dhe do të dish të dëgjosh. Të dëgjosh çfarë të thonë gjërat, njerëzit, Zoti dhe ngjarjet.

Vullneti për t’i dashur ata që nuk i do është ndoshta më pak i vështirë se sa t’i duash më mirë ata që do.

Të mendosh në vend të të tjerëve, atëhere kur ia del mbanë, është shpesh një mjet i mirë që të mendosh për ta.

Çdo vepër bamirësie, - pa e kuptuar, - është një vepër që përfshin pafundësinë.