DIXIT

Monsinjor Vladimir Gjika

Nëse E do Zotin, si mund të urresh?!

Zoti na do aq shumë, sa i çmerit ata që s’E njohin si dashuri.

Ka vetëm një problem: të arrish të duash gjithë ç’do Zoti dhe t’i duash të gjitha ashtu siç i do Ai.

Dashuria është njëherazi pasuria e një uni që vetëkapërcehet, duke synuar të kapërcejë veten, dhe varfëria e një uni që s’i mjafton vetes dhe që nuk synon veçse t’i mjaftojë vetes.

Duaji të gjitha qëniet dhe gjërat që të vështrojnë.

I afërmi – streha e fshehtë e Zotit.

Duaje Zotin dhe do të dish të dëgjosh. Të dëgjosh çfarë të thonë gjërat, njerëzit, Zoti dhe ngjarjet.

Vullneti për t’i dashur ata që nuk i do është ndoshta më pak i vështirë se sa t’i duash më mirë ata që do.

Të mendosh në vend të të tjerëve, atëhere kur ia del mbanë, është shpesh një mjet i mirë që të mendosh për ta.

Çdo vepër bamirësie, - pa e kuptuar, - është një vepër që përfshin pafundësinë.



Një libër i bërë mirë duhet të jetë një libër që shndërrohet në një bamirësi.

Zoti u shket mes gishtash atyre që s’E kanë në zemër.

Harresa është jo rrallë një opinion.

Mos u mundo të bësh nga vetja një kryevepër, por një mjet lumturimi.

Hakmarrjet e harresës janë ndër më të ashprat.

Kur s’bën asgjë është mënyra më e sigurtë për të bërë keq, për të bërë të keqen.

Hakmarrja më e tmerrshme, sidomos nga ana e gjërave, është hakmarrja e vonuar.

Dashuria ime është mundimi im; gjer edhe mundimi im është dashuri.

Vdekja – një mënyrë daljeje nga koha.

Nuk do të jetosh me të vërtetë përveçse në daljen nga vdekja jote.

Sa më tepër të kujtosh vdekjen tënde, aq më pak do të të kujtojë ajo.

Njerëzit që janë të përgatitur për vdekje jetojnë më bukur e më shumë.

Një veti e të vdekurve në krahasim me ne është se e dinë të vërtetën.

Të vdekurit kanë mësuar çiltërsinë.

Kaq njerëz bëjnë sigurime për jetë – e sa të paktë janë ata që sigurohen për vdekje …

Vdekja – sabati i një gjaku që dëshiron të çlodhet.

Pamja e një zhvarrimi është më e dhimbshme se sa pamja e një varrimi.

Qortimi i të vdekurve mund të jetë një nga drithmat më munduese të të gjallëve.

Leximi na ndihmon të dëgjojmë të vdekurit. Lutja ndihmon të vdekurit të na dëgjojnë.

S’ka histori nëse nuk ka dëshmitarë.

Zbukurojmë me fjalën “qytetërim” udhën që ka përshkuar njerëzimi që nga njeriu i shpellave tek njeriu i mejhaneve.

Kur magjia e zezë i merr vendin mrekullisë dhe babëzia Shenjtërisë, babëzia synon të shtjerë në dorë të gjithëfuqishmen.

Ruaje Zotin ashtu siç të ruan Ai!

Deviza për ata që E duan Zotin: «Të presin gjithçka e të mos tremben nga asgjë».

Adhurimi i sahanlëpirjes përdhos adhurimin dhe rrënjos sahanlëpirjen.

Për shumë vetë, në ditët tona, të marrësh frymë domethënë: të rënkosh.

Sa mirë është ta shohim Zotin atje ku është dhe ashtu siç është, jo atje ku s’është e ashtu siç nuk është!

E vërteta ftohet kur nevojitet gjakftohtësi dhe ngrohet kur nevojitet besim e entuziazëm.

Është një e fshehtë e madhe të dish ta vendosësh theksin atje ku duhet.

Fjalët e jetës nuk janë të jetës përveçse pasi kanë qenë të jetuara.

Fjalët e jetës gjejnë vend në çdo jetë dhe mund t’u japin jetë atyre që s’e njohin dhe s’e kanë njohur jetën ndonjëherë.

Mund t’i hapim a t’i mbyllim humnerat, sipas dëshirës. Mirpo ato mbeten gjithnjë rreth nesh, më të pranishme e më të fuqishme se ne.

Ka vështrime që kalojnë përmes çdo gjëjë dhe që nëpërmjet çdo gjëjë mbërrijnë deri tek Zoti.

Njerëzit që dijnë ç’duhet të bëjnë janë pothuajse të vetmit që edhe dinë se ç’bëjnë.

Do të fillosh të jesh ai që duhet të jesh dhe të shohësh ato që ekzistojnë kur përtej fjalëve dhe ideve do të shohësh realitetet që janë atje.

Sa më shumë Humnera të njohësh, aq më mirë do ta kuptosh Zotin.

Suksesi është iluzioni ynë më i dendur.

Ajo që duhet thënë, duhet thënë mirë.

Mëso të lexosh shpejt dhe ngadalë: janë dy mënyra për të lexuar dy herë ato që lexon; e nëse ia del mbanë, do t’i dish dy herë më mirë ato që di.

Uni përfaqëson brenda nesh vëmendjen e epërme të njeriut dhe të Zotit.

Pakënaqësitë përballohen mbase më vështirë se sa vuajtjet, ngaqë njëherazi me pakënaqësitë, diçka nga mungesa e dinjitetit të tyre derdhet mbi ne.

Gjer edhe kur Zoti të duket larg, - e mund të jetë vërtet larg, - mos harro se shpirti yt ka si të mbërrijë tek Ai. E gjen dhe E njeh.

Të ndëshkosh një keqbërës domethënë të bëhesh bamirësi i tij më i mençur.

Në sytë e Zotit ai që gënjehet në të vërtetë është vetë gënjeshtari.

Të duash Zotin është, nga të gjitha pikëpamjet, mënyra më e mirë për të kaluar kohën.

Disa gjëra thuhen dhe thuhen mirë me qëllim që njerëzit të mund t’i rrëmbejnë gjithmonë, kurse disa gjëra të tjera thuhen mirë me qëllim që njerëzit të mos flasin më kurrë për to.

Ruaju nga vetja dhe kësisoj do të vuash më pak nga të tjerët, por edhe të tjerët do t’i bësh të vuajnë më pak…

Nëse dëshiron të krijosh një mendim për njerëzit, sill ndërmend gjërat që ata i harrojnë më shpesh e më lehtë. Kjo recetë mbetet e vlefshme edhe ndaj teje.

Qielli është një mundim.

Nëse je në kërkim të një miku, zgjidh Zotin. Është miku më i sigurtë dhe më i afërt për ty. S’ka asnjë të metë. E për më tepër: të njeh më mirë se ç’njeh ti vetveten.

Përgatit nga pak pavdekësi në të gjitha, për të gjitha, përmes të gjithave tek të gjithë, bashkë me gjithë të tjerët.

Filozofia nënkupton Mençuri, kurse Mençuria – Harmoni Hyjnore.

Të mendojmë Zotin – rruga më e mirë për të mos humbur kohë e për të fituar përjetësi.

Po e vendose Zotin në gjithçka bën, do ta gjesh në gjithçka të ndodh.

Lutja jote të qarkullojë në të gjitha, e fshehur, e fuqishme dhe e gjallë si gjaku.

Porositë e Zotit rëndojnë mbi supet tanë, por me peshën e flatrave.

S’ka aq rëndësi çfarë bën, se sa mënyra si e bën, e as ato që të ndodhin, në krahasim me mënyrën si i pret.

Të ledhatosh (shpirtërisht) domethënë të mbjellësh në shpirtin e atij që vuan një realitet më të vërtetë se sa dhembja e tij.

Të ledhatosh ka kuptimin t’i japësh jetë një shprese.

Të ledhatosh do të thotë t’i mundësosh të përvuajturit që të tejshohë mes nesh dashurinë e Zotit ndaj tij.

Zoti është i vetmi që, në mëninë e Tij, nuk harron të dojë.

Të harrosh vetveten nënkupton gjithmonë të zesh vendin që të takon.

Zoti bën që gjërat e kësaj bote të heqin dorë prej nesh atëhere kur ne nuk heqim dorë mjaft shpejt nga gjërat e kësaj bote.

Hiri… një padurim i Zotit. Ai dëshiron t’i ketë të gjithë fëmijët me Vete, sa më shpejt, para gjithçkaje e me çdo çmim.

Është një dhuratë falas, është mrekullia e parakohshme, ushtrimi i së „drejtës së faljes”.

„Patiens quia aeternus” (I duruar, sepse është i përjetshëm). „Impatiens quia amans” (I paduruar, sepse na do).

Mirësia nuk është në thelb veçse trajta më e përkryer dhe më e thjeshtë e drejtësisë.

Nuk E duam Zotin ashtu siç duhet nëse, duke E dashur, nuk dimë Ta bëjmë të dashur për të tjerët.

Nuk do të gjykohemi e nuk do të ndëshkohemi asnjëherë përveçse nga Dashuria, në emër të Dashurisë dhe në varësi të dashurisë sonë.

Kur s’ke asgjë për të dhënë, mund të japësh më shumë se gjithçka, një lutje, dhe çfarë lutjeje!… lutjen e mrekullueshme të të varfërit.

Nëse nuk ke ç’t’i japësh Zotit, jepja turpin e të mospasurit çfarë.

Përunjja që i vendos gjërat në shkallën e Zotit është edhe shkalla që lejon ngjitjen për tek Zoti.

Sa më tepër të dhurojë dikush nga zemra, aq më pak varfërohet… Sa më tepër të flijohet, aq më tepër shtohet… O Zot, jepmë atë që duhet të dhuroj, që të kem nga ku të jap me të vërtetë dhe në mënyrë të atille, që të ndjehet se Ti je Ai që dhuron përmes meje.

Mund të kesh armiq. Ti mos ji kurrë armiku i ndokujt.

Në shkencë njeriu nuk bën gjë tjetër veçse lyp nga gjërat disa të fshehta të nënshtrimit të tyre ndaj Zotit.

Të trajtohesh vrazhdë: ja një nga mënyrat, e jo më e rëndomta, e ngjashmërisë me Zotin.

Vetë fakti që na kaplon mërzia, është shenja e dhuntisë sonë hyjnore.

Zot, kujtoji ata që po i harroj dhe të cilët duhet t’i kujtoj. Bëj që kjo kujtesë e perëndishme t’u jetë më e vlefshme se sa po t’i kisha kujtuar unë.


* Lulja parfumon gjer edhe dorën që e këput
Zgjodhi dhe shqipëroi nga rumanishtja A.-Ch. Kyçyku