Showing posts with label Tradita / Tradiții. Show all posts
Showing posts with label Tradita / Tradiții. Show all posts

Ndue Ukaj: Humusi kulturor e poetik i Martin Camajt

Shkrimtari dhe albanologu Martin Camaj, i lindur në Temal të Dukagjinit, shkoi në Kolegjin Saverian, aty ku para tij u edukuan shumë shkrimtarë e dijetarë shqiptarë. Aty mori bazat e para të formimit klasik, të cilat i thelloi nëpër qendra të ndryshme. Djaloshi i ri që la malet Temalit, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit” zbriti në Shkodrën e kulturës- dhe në kolegj, pati fatin të kishte për rektor, eruditin At Zef Valentini. Shkollimi iu ndërpreu në vitin 1946, kur regjimi komunist ndaloi përfundimisht aktivitet e kolegjit. Nga këtu, kaloi 4 vite të vështira në Prekal, dhe vendosi të largohej nga atdheu.
Janë momentumet politike të kohës, ato që ia prishin ëndrrat. Ideologjia staliniste lëshoi rrënjë në Shqipëri. Atëbotë, Camaj i ri e me ndjeshmëri të theksuara- i edukuar me frymë lirie e ndërgjegje refuzuese, vendosi ta braktiste vendin. Arshi Pipa, gjithashtu një i arratisur, duke e shpjeguar këtë akt thotë se Martin Camaj “është tipiku i intelektualit europiano-lindor që, për arsye politike, braktis atdheun dhe shëtit nga një vend në tjetrin. Po me të ngulitur diku- e ndërkohë s’është më i ri në moshë-e kupton se është e pamundur për të, të lëshojë rrënjë në tokën e re. E përndjek nostalgjia për atdheun e vet. E nëse qëllon të jetë shkrimtar, do ta shprehë këtë nostalgji duke u përpjekur të sillet rreth një teme-bazë, atë të humusit të vet kulturor.”

Izet Duraku: Preja në këngët e kreshnikëve


Herë e shfaqur në mënyrë të tërthortë apo të nënkuptuar dhe herë e shfaqur haptas, madje me pamjen e saj më të vrazhdë, preja si dukuri e vetëgjyqësisë, e ndëshkimit apo e hakmarrjes vihet re pothuajse në të gjitha1 këngët e epikës sonë heroike.
Këngët e kësaj epike filluan të regjistroheshin e të botoheshin më vonë se sa gjinitë e llojet e tjera folklorike. Ndonëse ishin mbledhur, madje botuar disa këngë të ciklit të kreshnikëve, ato nuk u përfshinë në vëllimin “Kangë popullore gegnishte”: që u botua në Sarajevë më 1911. Sipas At Zef Pëllumbit, në parathënien që i ka bërë këtij libri, Fishta jep një gjykim të gabuar mbi këngët legjendare të kreshnikëve, sepse ato nuk njiheshin mire aso kohe.2 Kur njohja e tyre u bë më e plotë, kur “një kolekcion 342 kangësh u mblodhën me mund të madh për gadi 40 vjet prej françeskanëvet”,3 optika ndaj tyre ndryshoi. Madje në parathënien që shoqëroi botimin jubilar të “Visareve të Kombit” me rastin e festimeve për 25 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u tha pa mëdyshje se “shpirti i rapsodive asht fjesht shqiptar”.4