Herë e shfaqur në mënyrë të
tërthortë apo të nënkuptuar dhe herë e shfaqur haptas, madje me pamjen e saj më
të vrazhdë, preja si dukuri e vetëgjyqësisë, e ndëshkimit apo e hakmarrjes
vihet re pothuajse në të gjitha1 këngët e epikës sonë heroike.
Këngët e kësaj epike
filluan të regjistroheshin e të botoheshin më vonë se sa gjinitë e llojet e
tjera folklorike. Ndonëse ishin mbledhur, madje botuar disa këngë të ciklit të
kreshnikëve, ato nuk u përfshinë në vëllimin “Kangë popullore gegnishte”: që u
botua në Sarajevë më 1911. Sipas At Zef Pëllumbit, në parathënien që i ka bërë
këtij libri, Fishta jep një gjykim të gabuar mbi këngët legjendare të
kreshnikëve, sepse ato nuk njiheshin mire aso kohe.2 Kur njohja e
tyre u bë më e plotë, kur “një kolekcion 342 kangësh u mblodhën me mund të madh
për gadi 40 vjet prej françeskanëvet”,3 optika ndaj tyre ndryshoi.
Madje në parathënien që shoqëroi botimin jubilar të “Visareve të Kombit” me
rastin e festimeve për 25 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u
tha pa mëdyshje se “shpirti i rapsodive asht fjesht shqiptar”.4
Pas luftës së dytë botërore
u intensifikuan kërkimet dhe studimet edhe për epikën shqiptare. Pa llogaritur
pasuritë e vjela në Kosovë, në Shqipëri u grumbullua një material i ri shumë i
pasur, mbi 2000 variante këngësh të këtij cikli dhe baladash legjendare.5
Në rastin më të pabujshëm
preja ngjan me gjuetinë në bjeshkë. Vetë çetimi ka si synim prenë.
Kur nisen me u ngjitë bjeshkës kreshnikët luten tu dalin kundërshtarët përpara,
të përleshen me ta e t’ua heqin krenat. Marrja e bagëtisë në kullotë a në
torishta, djegia e tëbanave, vathave, marrja e këmborëve dhe varja e tyre në
degët e lisave, vrasja e qenve dhe e çobanëve bashkë me bjeshkëtaret e
kundërshtarëve është pamja e përhershme e përfundimit të veprimit të heronjve
të këngëve të kreshnikëve. Duke rritur përmasën e tyre, aktet e dhunshme
përshkallëzohen më tej me grabitjen e femrave, shkatrrimin me barut të kullave,
kështjellave, dhe grabitjen e thesareve brenda tyre ose thjesht të “mallit
kimetli”.
Preja e vogël mund të vijë si rezultat i
çetimit. Ajo merr karakterin e grabitjes, por përmasat më të mëdha e
shkatrrimtare shfaqen pas luftës, kur edhe vriten dhjetra, qindra e mijra vetë.
Bashkë me rrafshimin e kalave, lufta sjell edhe rroposjen e qyteteve.
Protagonistët e përfshirë në konflikt ndodh që
me pre e nisin veprimin e tyre dhe po përmes presë i japin fund betejës, për të
hyrë në qerthullin e pambarimtë të antagonizmave të përgjakshme.
Preja shoqëron aksionin e heronjve të epikës
legjendare, ku përfshihen motive të hershme, që si moshë krijimi i “përkasin
periudhës së kalimit nga bashkësitë e gjëra etniko- politike ilire (shek.V-VI)
dhe të formimimit të kombësisë shqiptare( shek. X- XIV). Shek. XIVështë kufiri
kohor, kur zhduket domosdoshmëria historike që lind këngët e epikës
legjendare.”6
Fabrikimi
i armëve në shekullin XVshënon kohën kur kreshnikët tanë dalin nga skena e
veprimit dhe ndryhen në shpellë. Në kushtet e humbjes së burrnisë, heroizmi i
tyre zhvlerësohet. Në rrëfimin e njohur në prozë që shënon dhe mbarimin e
periudhës së kreshnikëve, tregohet se si një vuthjan teksa e zu nata në Logun e
bukur hetoi shpellën ku strehoheshin kreshnikët Muji dhe Halili prej kohësh pa
e parë dritën e diellit. Të dy madhështor në përmasa trupore, në bujari e në
mikpritje. Ishin mbyllë atje kur kishte dalë pushka e kur mësuan se ç’mund të
shkaktonte ajo. Menduan se skanë ç’ka bëjnë kreshnikët në këtë dhe, kur edhe
siç thanë me gojën e tyre “nji ma i keqi të çartë me këtë teshë. Tash rrojshin
aty të ndrymë me ndërmende të luftave e të çetimeve e s’dishrojshin tjetër
veçse ditën që me dalë edhe edhe i herë e me
shfrye n’ata gjind të mbrapshtë si
ujq që erdhne dikur kndej prej së largut e mjeruen dhenë tue ba plaçkë e
pre, tue djegë e tue pjekë.”7
Edhe përtej kufirit kur u shënua fundi i
gjesteve të kreshnikëve vazhdoi të mbetet i gjallë kujtimi i presë dhe
ngjashmëria e formave të realizimit të saj. Në kohëra historike, kur ngjarjet
pasqyrohen në dritën e ngjarjeve dhe fakteve reale ndryshoi qëndrimi ndaj
presë, por u ruajt përfytyrimi mbi pasojat shkatrrimtare të saj.Në mendësinë
popullore të ngurtësuar në norma kanunore, të mbledhura në treva të ndryshme
shqiptare, preja karakterizohet nga zhurma e saj e padurueshme që shoqërohet me
dhunë e krisma.
“Preja si
rrfeja. Lshoja rrugën!, - thuhet në malet e Pukës. - Mos me iu përgjegjë dikujt
dikush me Kanu për çka e ka tandue, i bje pre tufës a gjasë mbar ku ta ketë në
mal a në vrri”8. Në Mirditë “Preja bahet me t’vu në udhë…tuj marrë
vetëm gjanë e gjallë. Rrallë fort bashkë me tufën merren barij e
bjeshtare.Zhurma e presë si gurt e shemë të Malshejtit.9
Ndërsa në Dibër preja përfytyrohet si “përroi me
shi, merr çfarë gjen përpara. Preja asht rrëmbimi me forcë të armëve, kryesisht
të gjasë së gjallë, që burrat e një krahine bajnë në një krahinë tjetër.”10Mbrojtja
e presë në Dibër nuk ishte pune e lehtë. Për të siguruar tufën e grabitur deri
në cakun e mbërritjes duhej të përshkoheshin vise jo gjithnjë miqësore. Ndodhte
jo rrallë që grabitja të merrej vesh dhe rolet mund të këmbeheshin. Dikush më i
fortë ose me njerëz më të shumtë, zinte shtigjet dhe me forcën e armëve ta
hiqte prenë nga thonjtë.
Në zonën jugore të vendit, në Kurvelesh e vise
të tjera të Labërisë, ndër arbër siç i quanin më parë fqinjët e tyre, ndonëse
jo fort afër me skajin verior shqiptar, pamja e presë përsa i përket veprimit
të shpejtë luftarak është e krejt e njejtë. Edhe këtu me pre kuptohet “marrja
me forcë të armëve haptazi, o burra mbi ta me pallë sheshit të kopesë së
bagëtive të tjetrit në mal, në kullotë, në fushë a në vath…”11
Në
Kurbin, ku preja zakonisht ndodhte për punë kufijsh në mal, bjeshkë a kullosë,
përfshiheshin në konflikt bajrak me bajrak, rrallë katund me katunde a shtëpi
me shtëpi. Në të gjitha raste për shuarjen e konfliktit dhe minimizimin e
pasojave kanuni përcaktonte ndërmjetësit. 12
Në Lumë
marrja e presë nuk ishte aspak e lehtë, sepse shoqërohej shpesh edhe me
gjakderdhje. Pretari mund të linte kryet. “Ja huni, ja tirqit!”13
Parashikohej edhe rasti kur dikush prej pretarëve mund të vritej. Shpenzimet e
varrimit ku përfshihej edhe ceremoniali i mortit për të vrarin gjatë presë do
të përballoheshin nga pjestarët e tjerë që do të ktheheshin gjallë. Në kushtet
kur ashtu si gjahtarët edhe pretarët e ndanin në mënyrë të barabartë mallin a
gjënë e grabitur, familjes së të vrarit i takonte të merrte sa dyfishi i presë
që merrnin të tjerët.
Në rastet më të shpeshta në këngët e epikës
legjendare preja shprehet tërthorazi thjesht si një dalje paqësore e çetës “me
çetue”në bjeshkë. Haptas thuhet për të vrojtuar se u bënë ditë pa i parë
livadhet, ashtën e breshtën në shpatet e maleve. I ka marrë malli për krojet e
gurrat e bardha . Sytë janë të etur për bukuritë e peisazhit, por kërkojnë
diçka tjetër. Kësisoj të krijohet përshtypja e një gjahu për egërsira dhe në
fakt kërkimi i tyre gjahut i ngjan. Janë gati të mallkojnë bjeshkën, pse nuk po
shohin kund ndonjë shkja për t’ia shkurtuar kryet si ndëshkim për dhunën që i bën
vendit duke e shkelur pa lejen e tyre.
Ndonëse e ngjashme me rrufenë, në këngët e
kreshnikëve gjëma e presë nuk shkrep papritur si në qiellin pa re. Ajo duhet
parë bashkë me tërësinë e kumteve të rëndësishme historike e etike që përcjell
muza popullore. Në këngët e kreshnikëve përmes presë përcillet me mjetet e
poetikës historia e mbrojtjes së truallit arbëror nga sulmet e pandërprera të
pushtuesve të ndryshëm, kryesisht sllavëve, të cilët pasi kishin zënë ultësirat
donin të kapnin edhe lartësitë e bjeshkëvet ku vendasit ishin tkurrur në
mbrojtje të ekzistencës.
Teatri i luftimeve ndërmjet kreshnikëve të
Jutbinës e krajlave sllavë zhvillohej edhe nëpër qytete të Kotorrit, të
Kotorreve të Reja, të Budinës e të Zaharës dhe “në bjeshkët e nalta”, siç
shpreheshin me të drejtë botuesit e parë të këtyre këngëve, Bernardin Palaj dhe
Donat Kurti. Të tërhequr nga mitologjia klasike dhe veçanërisht nga paralelet e
shumta të epikës sonë me epikën homerike, shkaqet e luftrave të shumtën e
hërës, ato i shihnin tek rrëmbimi i grave “si në Iliadë rrëmbimi i Helenës.”14
Përsa i përket natyrës së konfliktit, pjesa e
dukshme si në rastin e rrëmbimeve të dyanshme të grave, duke qenë shpesh
pasojë, paraqitej si shkak duke fshehur pjesën më pak të dukshme, po më të
thellë e më të dhimbshme, siç ishte përpjekja për të ruajtur ekzistencën e
qenies në territoret që kërcënoheshin vazhdimisht nga dhuna e pushtimit.
Pamjet e presë shfaqen më qartë në mbi 60
variante të mbledhura të epit të Gjergj Elez Alisë ku përfshihen grupi i këngëve
të mirëfillta në të cilat vetë heroi i kundërvihet bajlozit a arapit të detit
dhe grupet e këngëve të tjera, ku në konflikt përfshihen edhe heronj të tjerë,
shumica vajza të veshura si djem. Në të gjitha variantet lufta kundër dhunuesit
të huaj, kundër padrejtësisë, arbitraritetit dhe mizorisë së tij përbën motivin
përbashkues me përmasa universale që edhe sipas folkloristit të shquar Qemal
Haxhihasani “ka shqetësuar njerëzimin në çdo kohë dhe në çdo anë të globit, nga
zanafilla e mendimit poetik kur në fantazinë e njeriut vërtiteshin hijet e
armiqve fabulozë- kuçedra e lubira, deri në luftrat bashkëkohore”.15
Kodi i qëndresës, i sakrificës sublime shfaqet në të gjitha këngët e heroit
Gjergj Elez Alia, figura e të cilit përbën një përmendore artistike të gjenisë
krijuese të popullit.
E keqja që kërcënohet nuk vjen për të poshtëruar
vëtëm një familje por mbarë vendin. Kumti mizor që të shtangë me egërsinë e tij
shfaq përmasat e lemerishme të së keqes. Barbaria e armikut kërkon t’i vërë
flakën krejt vendit. Haraçi është i rëndë, i paprovuar ndonjëherë.
“A dalë zani e paska marrun
dhenë,/ se i baloz i zi paska dalë prej detit./ Trim i prapë e belagji ish’
kanë, ia ki’ qitun dheut nji rreng të randë: /Tim për tim kah një dash të
pjekun,/ tim për tim kah një vashë me ja djergun,/ ditë me ditë kah një
kreshnik me premun,/javë për javë kah një krahinë me djegun!”16
Tim për tim, ditë me ditë, javë për javë.
Bajlozi me dhunën e shpallur kërkon të bëhet zotërues i hapësirës dhe i kohës.
Jo thjeshtë të dridhen gjallesat para tij. Nuk mjaftohet vetëm me nënshtrimin.
Llava e kësaj dhune synon të marrë përpara shtëpi, vasha, kreshnikë, krahina të
tëra njëra pas tjetrës. Ta zhbijë plotësisht jetën. Kjo zezonë e ngre heroin
nga shtrati i vdekjes. I qetë dhe sublim deri në fund, ndryshon edhe kumti i
tij për kundërshtarin.
“M’ke lypë motrën para se mejdanin/ m’ke lypë
berret para se çobanin…”17
Duke iu
kundërvënë mizorisë së bajlozit Gjergj Elez Alia është heroi që shpëton nderin
e tij, të familjes dhe të mbarë vendit.
Tubimi në kuvend pas shprazjes së pushkës
habertare, shestimi i rrethanave për ngjarjet që kanë ndodhur dhe që mund të
ndodhin dhe bashkimi i kreshnikëve në çetë është pamja më e dendur në këngët e
pikës legjendare. Një gjendje alarmi e vazhdueshme i karakterizon personazhet.
Kur janë në bjeshkë mendjen e kanë në shtëpi dhe anasjelltas. Kjo nuk ngjet
vetvetiu, as për ndonjë shkak a sëmundje të panjohur. Janë rrethanat jetësore
që u diktojnë vijën e sjelljes. Mungesa e qetësisë u vjen nga prania e fqinjve ekspansionistë
që u lakmojnë bjeshkët për tua kullotur pa shpërblim, ua lakmojnë pyjet,
luginat, vendbanimet. Fqinj tinzarë e të pabesë presin rastin që tu sulen natën
jo thjesht për t’i trembur, a për vetëm për t’i grabitur, por për t’i zhbirë
nga faqja e dheut.
Në rrethana të tilla është e kuptueshme pse
kreshnikët nuk mund të prehen në paqe, të flenë të qetë brenda kullave, të
largohen nga katundi e krahina qoftë edhe për pak ditë për tu çmallur me miqtë
e dashamirët. Nga çasti në çast mund t’ia behin banët shkije, kapedanë,
pendurë, krajla të karfosur në pancir çeliku, sejmenë të pashpirtë “haramzade”,
“krejt të pababë e t’ pa nanë, t’pa vlla e t’pa motër” që vijnë me urat e
zjarrit për të shkrumbuar gjithçka.
Në thelb të dukurisë së presë është konflikti i
thellë dhe i vazhdueshëm midis palëve antagoniste. Edhe kur preja kryhet si
aksion individual, nuk është fryt i një kokëshkrepje të e rastit, po si
rrjedhojë e një vazhde veprimesh paraprake dhe që gjithnjë përfshihet në një
anë të përcaktuar me kohë. Preja kurrë nuk mbetet një veprim i fshehtë, si
krimet e sotme që kërkojnë kohë për t’i zbuluar. Ajo deklarohet haptasi me
krenari edhe në rrethanat e vështira të burgut, kur xhelati mund të japë
urdhërin e vdekjes. Më e vështirë bëhet situata kur hetimet i kryen vetë
krajli, i cili i njeh mirë kundërshtarët e vet e që duket i vetëdijshëm se
përballë ka drejtues të rëndësishëm çetash që duke depërtuar deri thellë në
zotërimet e tij, i kanë shkaktuar shpesh humbje e fatkeqësi të rënda. Krajli
pyet se kush ia ka djegur sarajet. Sokol Halili në mënyrë lakonike, duke e
njohur rastin, mohon të ketë marrë pjesë në çetën që i dogji, por përgjigjet
krenar Osman Aga i Ri, që kundërshtarët sllav e njihnin si Arnaut Osmani:
“ - Pashë një zot, krajl që t’ka dhanë, / kurkand
n’qafë ti mos me marrë, / vetë sarajet un t’i kam djegë, / vetë un kullat t’i
kam shembë / edhe landët un t’i kam pre ./- Mirë se kullat ti m’i dogje, /
gjanë e mallin ku ma çove? / - Tanë n’Jutbinë, krajl ta kam çue. / - Mirë se
mallin ti ma more, / Babë e nanë ti ç’m’i bane? / - Tha n’ Jutbinë të dy i kam
çue, / n’dorë të tellallit i kam qitë, / kurrë i grosh s’kam mujtë me i shitë;
/ çajren vedit për ta s’dijta, / n’zyft e në peshkve, krajl t’i ljeva, / nuri
krajl, un të dy i dogja, / si zanat që lufta e ka pasë.”18
Mund të kërkohen në këtë këngë gjurmë të kohës
para shek.XIV, kur feudalë të vegjël shqiptarë ende nuk ishin forcuar sa të
kishin në zotërim të plotë territore autonome me atribute shtetërore, sepse në
qindvjetshin e trembëdhjetë, edhe sipas Shuflaj-it, filluan të forcoheshin
dinastët shqiptarë si kapiteni i Hotit apo “lidhja e barjakvet të Mirditës, e cilla aso kohe mund të dyndte nji
ushtrí 12,000 luftarësh”.19 Në kushtet e mungesës së
burgjevet, ishte e vështirë të izoloheshin pengjet ose robërit e zënë në luftë.
Mund të hetohen në këtë këngë gjithashtu edhe gjurmë të kohërave kur eksistonte
një treg ku robërit përmes ankandit publik shiteshin si skllevër. Në rastin kur
bëhej fjalë për blerjen e prindërve të një kundërshtari të njopur si Krajli,
mungesa e blerësve mund të shpjegohet ndoshta me kompaktësinë që ekzistonte në
bashkësinë shqiptare. Vrasja e kundërshtarëve në mungesë të kushteve për
ruajtjen e tyre pranohet nga Arnaut Osmani si mizori lufte, sepse rregullat e
paqes nuk do ta pranonin një gjë të tillë.
Krahas
gjurmëve ku duken kohërat homerike me ngjashmëritë midis personazheve dhe
motiveve të përbashkëta, mund të hetohen edhe gjurmë të kohëve më të vona.
Mbështetur në shprehjen “tim për tim”, studjues të ndryshëm hetojnë mënyrën e
vjeljes bizantine të taksave. Ose prania e gumanëve të zinj në këto këngë me
një mënyrë të veçantë sjelljeje e veshjesh të dallueshme që shpesh përdoren
edhe nga kreshnikët si armë maskimi, të shpie në kohërat kur gumanët si
popullsi u shfaqën në Ballkan në shek.XIII për tu zhdukur përfundimisht prej
kësaj skene në fund të shek.XIV.20
Prania e
elementëve të rinj janë shtesa të vona si shenjë e transmetimit gojor të
rapsodive nga brezi në brez deri në ditët tona. Janë të dukshme ndikimet
orientale të leksikut sidomos në variantet e këngëve nga zona e verilindjes.
Gjykuar nga huazimet më të reja sllave mund të hetohen edhe gjurmë nga
fillimshekulli XX, kur në Kosovë u instalua administrata e mbretërisë serbe.
Aso kohe fjala turke hyqymet (qeveri) zëvëndësohet me fjalën sllave dërzhavë.
Po kështu oka si njësi më e vjetër peshe zëvëndësohet me killa, ndërsa për
fjalën ton, përdoret vagan. Në kërkesat e balozit të zi përfshihen “njëmijë
copë gja të trasha”, ku asnjëra prej tyre nuk duhej të ishte nën “katërqin
killa” dhe si pjesë e haraçit duhej të përfshiheshin edhe “dhetë vagana grunë”
të qëruar e bërë gati për bluarje.21
Veçse
duhet shtuar se në këngët e kreshnikëve ngjarjet historike pasqyrohen të
mjegulluara e të përthyera përmes mendimit poetik legjendarizues. Kësisoj nuk
është e mundur të shquhen ngjarje konkrete, as heronj konkretë të njohur në
histori. Sidoqoftë, edhe pse jo nën dritën reale, këto këngë kanë përcjellë
ndër breza jehonën e brengës së heronjve të tyre prej ballafaqimeve tragjike në
mbrojtje të bjeshkëve e të trojeve të të parëve. Plagët e shkaktura nga
përplasjet e zgjatura ndër shekuj kanë lënë vragë të pashlyera, dhimbjen
tragjike të të cilave përcjell shpirti i këtyre këngëve.
Duke analizuar mendësitë zotëruese në ciklin e
kreshnikëve, Qemal Haxhihasani thekson që në fillim se heronjtë e rapsodive
tona e kanë “ndërgjegjen e qenies së tyre si pjestarë të një bashkësie
njerëzish me një kontekst të caktuar mendor kolektiv, shprehur me një tërësi
virtytesh morale e luftarake të veçantë ndaj bashkësive të tjera etnike që i
rrethojnë”.22
Studjues të shumtë nga Tirana23 kanë
shprehur mendimin se bërthama e këngëve të epikës heroike shqiptare është
ngjizur që në kontaktet e para të iliro-arbërorve me sllavët kur u dyndën në
Ballkan (Shek.VI- X) për tu formësuar më tepër kur konflikti erdhi duke u
acaruar dhe duke u zgjeruar me forcimin e pushtetit të dinastsë serbe të Stefan
Dushanit, kodi i të cilit shpallte zyrtarisht se fshatarëve do tua hiqte nga
dora malin e tyre për t’ia kaluar në zotërim feudalit serb. Mali për malësorin
ishte jeta e tij dhe e fëmijve, ishte trualli ku veronte e dimëronte. Grabitja
e bjeshkëve u shtri në Kosovë, në Rrafshin e Dukagjinit, në Vermosh e në Plavë
e Guci, pikërisht në vatrën e këngëve të kreshnikëve.
“Dhjetra
diploma dhurimi të sundimtarëve serbë, u lëshuan që nga fundi i shek.XIII në
favor të manastireve të mëdha serbe”, shkruan Aleks Buda24.
Manastirit të sapongritur në Dobrusht, ndër të tjera i jepeshin në pronësi 6
fshatra shqiptare bashkë me malin e Pikëllimës. (Ende gjallon pa nevojë ndër
harta në gjuhën shqipe Koritniku, emërtimi sllav i malit.) Kullotat e Pikllimës
ku do të kullosnin mijra desh, dele, kuaj e pela sipas dekretit të vitit 1349
jepeshin në emër të mbretit dhe të zotit për tu shfrytëzuar “në jetë të jetëve”25.
Më 1352 mbreti vdiq dhe pas pak dekadash edhe perandoria serbe u shemb.
Fshatrat e dhuruara bashkë me malin e Pikllimës janë ende aty ku ishin.
Historia i ka mjegulluar emrat e bashkësive
fshatare dhe të krerëve të tyre që i qëndruan dhunës serbe, por madhështia e
saj zbulohet nga masat drakoniane që parashihte kodi i Dushanit kundër kësaj
rezistence.
Duke gjykuar nga fryma e përgjithshme e këngëve
të kësaj epike, çeta e kreshnikëve ku përfshihen edhe personazhet më të njohur
të saj e pasqyron më së miri këtë qëndresë. Kreshnikët si kategori sociale i
përkisnin fshatarësisë së lire, që prerazi refuzontet çdo lloj haraçi që i
kërcënohej. Të vendosur në katundet e tyre në lugina bjeshkësh dhe në
rrafshulta rrëzë maleve, kreshnikët ishin fshatarë ndejtarë si gjithë malsorët.
Lëronin me parmendë tokën dhe kullotnin bjeshkën pa qenë të detyruar t’i
paguanin taksë ndokujt. Secili kishte pronën e tij, madje ndonjëri prej tyre,
si Basho Jona qe edhe më i pasur nga të tjerët, sepse kishte bjeshkët veta, në
hapësirat e të cilave mund të kullosnin edhe tufat e të tjerave kundrejt
pagesës së taksës së barit.
Heronjtë e këngëve jetojnë në kulla prej guri,
shpesh dy e trekatëshe, si çdo malësor i zakonshëm aso kohe, por edhe më vonë
si kulla e çdo rapsodi të nderuar të këngëve të kreshnikëve. Në katin e sipërm,
në mjedise të mbrojtura heronjtë ngjiteshin për të vëzhguar se mos dikush
afrohej e sulmonte bjeshkët. Ndrësa kur zjarri i luftës ndizej furishëm për
rreth kullës, luftëtarët bashkë me njerëzit e tjerë të familjes zbrisnin në
katin përdhes, i cili do t’i rezistonte çdo sulmi.
Kundërshtarët sllavë, “shkijet” nga ultësirat
fushore ku ishin instaluar, depërtonin tinëzisht në bjeshkë, ngrinin fushimin e
tyre me shatorre. Pas ushtrisë vërshonin çobanët dhe kopetë e dhenve.
Duke analizuar problematikën e mbrojtjes së
kullotave studjuesi Spiro Shkurti vëren se këto këngë pasqyrojnë periudhën kur
sllavët kishin mundur të pushtonin zonat fushore të pjesës veriore të vendit.
Nën trysninë pushtuese shqiptarët ishin tërhequr pjesërisht në malësi, në
kullotat verore. “Në asnjë rast në ciklin e kreshnikëve nuk bëhet fjalë për
kullotat dimërore dhe për shtegtimet vertikale nga mali në fushë e
anasjelltas…Ndër konfliktet e shumta të ciklit, sipas S. Shkurtit, ky është i
vetmi që në çdo rast merr ngjyra etnike: sllavët luftojnë për të pushtuar
bjeshkët e për tu ngulur aty, përderisa përpiqen të ndërtojnë kulla të
rrethuara me avlli; shqiptarët i mbrojnë ato me heroizëm”.26 Një
konflikt i pandërprerë, i përgjakshëm e me rrjedhoja tragjike, i filluar në
mesjetën e hershme para pushtimit osman.
Në kohën e vërshimeve osmane konfliktet
shqiptaro-sllave u dobësuan për një kohë, pasi të dy palët u gjendën përballë
një armiku të përbashkët. Beteja e Fushë Kosovës, kur forcat e një koalicioni
të gjerë ballkanik u mundën përballë osmanëve, shërbeu edhe për lindjen e një
epike të re, që do ta pasqyronte sipas vetëdijes historike realitetin, ku
trillimi dhe fantazia artistike i bëjnë vend situatave, ngjarjeve e personazheve
reale. Për shkak të kristalizimit të epikës historike gjatë pushtimit osman,
eposi legjendar, megjithëse e ndërpreu procesin e pasurimit me tema të reja,
vazhdoi të ruhej si një traditë artistike e së kaluarës. Strukturat, motivet
dhe personazhet kryesore të epikës legjendare, bashkë me baladat mesjetare u
ruajtën në kornizat tradicionale duke u pasuruar me elemente të reja.
Në kushtet e pushtimit, malësorët shqiptarë u
përpoqën të ruajnë vetqeverisjen e tyre, ndërsa sunduesit osmanë nga ana e tyre
ashpërsuan masat për ta shtrirë dhe forcuar sistemin e tyre të shfrytëzimit
feudal. Kundër masave shtrënguese të pushtuesit u organizuan kryengritje që
shpërthyen me forcë “në vitet 1565- 1566, 1570, 1575-1576, 1582, 1638,
1688-1690, 1701, 1708, 1714-1716 etj 27 Qëndresa kundërosmane
shërbeu si rrethanë e favorshme për ta zbutur e dobësuar konfliktin e vjetër
shqiptaro-sllav, por rrethanat për përtëritjen e armiqësisë nuk u ndërprenë
plotsisht, për shkak të politikës përçarëse që ndoqi pushteti qendror i Stambollit
për të shfrytëzuar forcat ushtarake të rekrutuara nga popujt e nënshtruar në
shtypjen e kryengritjeve çlirimtare duke nxitur veçanërisht armiqësinë midis
popujve fqinj. Kështu gjatë shekujve XVI-XVIII, sipas S.Pulahës, fshatarësia
kryengritëse e malësisë së sanxhakut të Shkodrës u vu në luftë përballë me
forcat ushtarake të krahinave fqinje sllave të Hercegovinës, Bosnjës e të
Serbisë.28
Edhe këto
fakte shërbyen të mos harrohen motivet e hershme të epikës legjendare. Është
kjo arsyeja që lahuta vazhdoi të ripërtërijë motivet më të hershme, të
ripërtrijë gjithashtu personazhet që përfaqësojnë falangën e gjithfarë
feudalëve sllavë që në krye të qindra e mijra trupave mësyjnë me zjarr e hekur
Jutbinën, Krahinën, Klladushën. Madje para se të shfaqeshin të organizuar në
formacione luftarake, ashtu siç ndodh edhe në kohrat modern, bajlozët pushtues
lëshonin kërcënime dhe ultimatume ogurzeza
Reagimi i kreshnikëve për tu përballur me të
keqen vjen nga një traditë e hershme qëndrese, në thelb të së cilës është
vendosmëria sublime për t’i dalë zot vehtes dhe vendit.
“Grueja e Mujit ka qitë e i ka thanë:? -Pashë
atë zot Mujo që t’ka dhanë, /mos Omerin shpijet me ma tretë, /se shtatë Omera
t’mirë si i pata, /shtatë Omera jam ka kjaj e ngrata…/ Muji grues çka qitë e i
ka thanë? /- Mos kjaj djelmt që n’luftë kanë dekë, / mos kjaj t’gjallët, që
n’bjeshkë duen me çetue, / se dekë ma e amël, s’asht se n’luftë m’ u pre, /
n’luftë m’u pre pa i lanë marre vedit.”29
Figurat
më të qenësishme të kreshnikëve ku koncentrohen tiparet më heroike e më sublime
mishërohen te vëllezërit Muji, trimi që dridh gur e dhe e Halili, që nuk i lë
gjë mangut vëllait të parë. Si pjestarë të çetës së kreshnikëve a si kreshnikë
që luftojnë të vetmuar janë individualizuar edhe Dezdar Osman Aga, Butaline
Tali, Basho Jona, Zuku Bajraktar, Ali Bajraktari, Omeri i Ri, Musa Qesexhi,
Lule Frangu, Çika e Plakut të moçëm etj.
“U ka pri Muja ma i pari, / njit mbas tij Sokol
Halili, / njit mbas tij Ali Bajraktari, / Njit mbas tij dhe Arnaut Osmani,
/njit mbas tij ai Shaban Evimadhi, / njit mbas tij Dezdar Osman Aga, / fill
mbas tij dhe Hysejn Aga i Ri…”30
Preja e çetës kreshnike kur dalin në bjeshkë a
dynden prej saj drejt zjarrit të luftës, ka karakter mbrojtës. Ajo vjen si akt
hakmarrës dhe ndëshkues për dhunimin e bjeshkëve dhe të kullave nga pala
kundërshtare që në të shumtën e rasteve ka të bëjë me çeta individësh
kryesisht, kapedanë, harambashë e krajla edhe me fuqi të jashtëzakonshme, me
tre zemra e tre gjarpinj brenda tyre, që i përkasin botës sllave dhe që nuk
zgjedhin gjithnjë të paralajmërojnë sulmet e tyre. Ato nuk kursejnë pleqtë,
fëmijtë, as gratë e pambrojtura. Shkelin livadhet, mrizet, hallakatin ashtën e
breshtën, turbullojnë e shterrin ujrat, rrëzojnë pa vakt dushkun e lisave.
Dhunojnë të gjallët e të vdekurit. Djegin kulla e rrënojnë krahinën. Fyejnë dhe
plagosin në shpirt zanat e malit, orët e vendit dhe orët e bijve të këtij
vendi. Krajli i Kotorrit, Krajlisë, Senjës, Talirit, Maxharrit, Mores, Jenovës,
veç e veç apo të shtatë krajlat së bashku përbëjnë palën kundërshtare prej së
cilës vijnë valë-valë sulme të pareshtura.
Në rastet kur reshnikët mblidhen në kuvend dhe
pa e ditur mënxyrën që u ka ngjarë, lëvdohen me njëri-tjetrin për dyqanet që
kanë, mburren për kuajt e shpejtë, çikat e grabitura, krerët që kanë prerë,
Muji ua ftoh mburrjen, duke ua kujtuar se Galiqe Galani po ua ha bjeshkën me
900 dhen që i ruajnë 9 çobanë e 9 bjeshkatare. Edhe Milloshe Pavli është
ngjitur në bjeshkë me dy mijë dhen dhe njëqind çobanë rrogtarë. Ndërsa Basho
Jonës për nëntë bjeshkët e veta, të pushtuara prej Radit, nuk ia paguajnë
travinën (taksa e barit) dhe nuk e lënë t’i shohë as me sy. Tri
bjeshkët e thata që i kanë mbetur, nuk i duhen askujt.
“Po
e kundron ashtën për rreth, / kurkund rrugë përtej nuk ka, / përmbi ashtë ish
shkam i gjallë, / për nën ashta të tanë rrëgallë. /Mërthye ahat degë me degë, /
rrezes s’diellit shtek s’i lanë.”31
“Terri i natës ashtën e ka
mlue, /drita e hanës veç tue ndritë npër aha, /tue prarue ahat e ashtit, / mirë
po i lbardhë fushat e bjeshkëve, / n’terr po i len ballet ndër gropa, / mnera
t’merr syni me i pa…”32
Nga një ndjenjë e thellë
admirimi burojnë fjalë të tilla.
Fishta do të mrekullohej nga përshkrimi që i
bën muza malësore bukurisë së femrës. Në parathënien që shkroi për botimin e
“Kanunit të Lekë Dukagjinit” në vitin 1933 Ai shprehte bindjen se mjeshtria
poetike rapsodit, e kultivuar midis madhështisë së maleve, mund të krahasohej
për nga dlirësia e bukuria e ngjyrave edhe me mjeshtrit e njohur të lirikës si
Petrarka. Por nisur nga mjediset e ndryshme ku zë fill krijimi, kulla e
fildishtë e letrarit dhe natyra e gjallë ku frymëzohet rapsodi, Fishta
përfundon duke përvijuar edhe dallimet midis tyre:
“ Prandej, mund të jét, ndoshta, se « Laura » e Petrarkës âsht nji
«Venus», mbrû m’shkumë të detit; por sugurisht se «Tanusha» e rapsodit të
Dukagjinit âsht e bardha, ajo «Athenaja», shpërthye e armatisne prej rrashtet
të Zeusit rruféflakrues’’33
Një bukuri e pashoqe
bjeshkësh duket në epikën shqiptare. Rapsodin e e mahnit loja e stinëve në
ndërrimin e ngjyrave, reshjet pranverore që mugullojnë barin dhe rritin lulet,
qielli i kthjelltë i verës përmes degëve qindravjeçare të ahishtes, toka me
gufmimin e rrënjëve, mbuluar nga gjethet, krojet, gurrat e akullta, larat e borës
së përjetshme, bashkat e reve dhe tufat e dhenve, kënga e zogjve dhe e
këmborëve, lodrimi i kuajve në logje e livadhe. Vetmia e vjeshtës kur
fishkëllojnë molikat nga era, gjëmimi i dimrave në qiellin e kërleshur dhe në
ortiqet që bien me oshëtimë shpateve. Në qiellin si lot, një diell i largët që
shndrin fort po nuk nxeh, fryma që kristalizohet sa del nga goja dhe ngrirja e krojeve. Drita e
bujshme e ditës e ngrohur nga i bukuri i qiellit, heshtja e natës, ku terri i
thellë në korije, gropa e lugje shpohet me heshtat e hënës, drita e së cilës
derdhet butë rrafshit të blertë.
Duket se rapsodi është i
lidhur me vendin e tij që e do deri në vetflijim. Vetëm bjeshkët u kanë mbetura
kreshnikëve, ku ata gdhijnë dhe ngrysen. Atje bëjnë jetën dhe vdekjen, ndaj nuk
ka vend për të tjerë.
“Shkoj kallxoj, bir, Galan
Harambashit,/ Gjallë tuj kanë, thuj, Muja në Klladushë, / stanet n’bjeshkë, ti
more qysh me i qitë?! / T’i ka pre, thuj, dyqin copa lopë, /t’i ka pre pesqind
copa berre, / t’i ka pre nizet e nandë çoban, / Nëpër lisa kumonat t’i ka
vjerrë” 34
Nga furia hakmarrëse
staneve të shkjaut u del
flaka. Ndërsa barijtë, baçicat e sejmenët vriten pa mëshirë, tufat e tyre me
tre, pesë a nëntë mijë dhen vihen përpara për t’i zbritur pranë kullave
kreshnike në gji të bjeshkëve. Si mall preje, bagëtitë mund të theren për mish,
të ndahen në mënyrë të barabartë (“për pushkë”) për secilin nga pjesmarrësit në
luftë ose mund të mbahen në ruajtje “‘jesir”, për t’i shkëmbyer në kushte të
favorshme me palën kundërshtare. Sy për sy e dhëmb për dhëmb. Mund të thuhet se
egërsia e shkjaut shpërblehet jo rrallë proporcionalisht me të njëjtën masë nga
hakmarrësit. Edhe taktikat e luftës ku dinakëria dhe maskimi kanë rolin e vet,
ndonëse të qortueshme, janë përvetësuar edhe nga kreshnikët vendas .
Ndoshta ka vend të flitet
edhe për rrethanat kur preja ndodh si nevojë e pjestarëve më të rinj në çetë
për tu afirmuar. Të rinjtë si Zuku Bajraktar a Sokol Halili janë të kthjellët
në mendime, po fjala pak u dëgjohet në kuvend, ndërsa trimëritë bëjnë sikur nuk
ua shohin ose më keq akoma ua përvetësojnë të tjerët. Ky mosbesim ndoshta duhet
parë edhe me pushtetin që kërkon të mbajë sipas të drejtës zakonore vëllai i
parë. Me vendin që i jepet Mujit në këtë rol, si prijës i familjes dhe i çetës
për “me rujt ftyrën e tij, të oxhakut” dhe nderin e të gjithëve, dhe kur
veprimet e tij i bën në përputhje me këto interesa, e drejta e tij si vëllai i
parë është e përligjur. Në këto raste ndëshkohen gjestet e papjekura të të
rinjve që dështojnë në kuturisjet e tyre përbetuese se o do të bënin ndonjë
trimëri, ose do të linin kryet ndër shkja. Pas fitoreve të para ata plagosen,
zihen rob pa luftuar dhe burgosen në bodrumet e kështjellave midis ujit të
qelbur e kallamishteve, ku të hanë bollat e gjarpinjtë.
Muji është heroi, praninë e të cilit si prijës
fitimtar e kërkojnë njerëzit dhe orët, qeniet e pavdekshme që ashtu si heronjtë
e lashtësisë, e kanë marrë atë në mbrojtje. Më shumë se sa qenia si vëllai i
parë, Mujit i japin përparësi sukseset si prijës në dyluftime e luftra.
Kundërshtarët janë gjithnjë në ethe për ta ditur se ku gjendet e me çfarë
merret. Prania e tij nuk le këmbë armiku të afrohet në trojet e të parëve. Edhe
kur vdekja e Mujit bëhet e pashmangshme, kënga gjen mënyrën për ta ringjallur,
jo për tu ngjitur në qiell si Jezu Krishti, por për të rimarrë drejtimin e
qëndresës kundër të huajve.
Edhe në personazhet që i
përkasin brezit më të ri si Zuku Bajraktar, Ali Aga i Ri, Sokol Halili, etj
gjenden paralele të tyre me heronj të mitologjisë greke. Është e dukshme hija e
Orestit tek Zuku, që hakmerret ndaj nënës për nderin e babait të dhunuar për së
vdekuri, fuqia mbretërore e Agamemnonit te Muji që kërkon t’i marrë prenë,
Rrushen e Bardhë, Zukut, nipit të tij ose hija e Akilit tek Halili, kur kërkon
ta ngrehë Llabutanin si qen nëpër rrgalle e zalle nga fusha e betejës deri në
Jutbinë. Duhen përfillur sigurisht këto paralele ngjashmërie të trashëguara
edhe nga fqinjësia e pandërprerë e shqiptarëve me grekët. Si në maje malesh ku
bora e re shtron mbi borën e vjetër edhe te epika në rrjedhë të kohës janë
përtërirë a pluhurosur tipare të vjetra për tu shtresuar pamje më të reja. Muji
e kundërshton prerë Halilin që kërkon t’i dhunojë kufomën kundërshtarit të
vrarë jo vetëm me autoritetin e vëllait të madh, por duke i kujtuar respektimin
e zakoneve të vendit, që për asnjë arsye nuk e lejon përdhosjen e të vdekurit.
“Sall prej t’ dekunsh,
marre ty me t’ardhë…/ se tan trimnija Halil që paske bamun, / me kët fjalë t’i
vedit ia ke hupun!”35
Por vendi ka nevojë për përtëritjen e heronjve
dhe të heroizmit, ndaj këmbëngulja për afirmim e të rinjve shihet me
simpati.Kur mosbesimi ndaj të rinjve kalon në përçmim e përbuzje, e drejta e
brezit më të vjetër, e vëllait të parë shpërdorohet dhe kalon në anën tjetër. Pushteti
nuk është i përjetshëm. Sado i fortë që është, shkul lisa nga toka, rrëzon
shkëmbenj, qet flakë për goje e për sysh, edhe Mujën dëshmohet se e shpon
shigjeta dhe e pret shpata. Ai plagoset, madje kur e tepron me padrejtësinë e
tij ndaj të rinjve vihet në pozitë të vështirë dhe poshtëruese. Në ndonjë rast,
kur para betejës ka përzënë Halilin nga kuvendi, kundërshtrët ia behin në
bjeshkë, e zënë rob dhe e lidhin me zinxhir bashkë me të tjeërët atje ku
lidheshin qentë në dyer stanesh a torishtash. Duhet ndërhyrja vendimtare e
Halilit që me anë të luftës ta çlirojë atë bashkë me tridhjetë agët e tjerë. Të
përzënët me përbuzje kthehen si shpëtimtarë. Afirmimi i të rinjve kështu merr
edhe notat e përqeshjes hakmarrëse.
Në rastin e Omerit të Ri,
djalit të Mujit, afirmimi i tij edhe në moshë të re mendojmë se pasqyron edhe
dëshirën që pushteti të trashëgohet në linjë të drejtpërdrejtë nga vëllai i
parë tek djali i vëllait të parë. Mbase kështu shtohet edhe një vështrim tjetër
rreth vështirësive të martesës së Halilit dhe mungesës së trashëgimtarëve të
tij. Por edhe trashëgimia e Mujit pamundësohet nga vrasjet e njëpasnjëshme të
djemve të tij. Bjeshka është mbushur me muranat madhështore të shtatë Omerave.
Në larminë e motiveve që bëjnë të mundur
realizimin e presë, mund të flitet gjithashtu edhe për një ndjenjë
individualiste që nxit aksionet që e shquajnë, e nxjerrin heroin mbi të tjerët.
Edhe kjo prirje përkon plotësisht me natyrën e kreshnikëve që gjestet e
trimërisë i kanë në gjak. Kur prirja individualiste i shërben interesave të
gjithë pjestarëve të bashkësisëë ku bëjnë pjesë ajo lëvdohet dhe nxitet. Fryma
përçarëse që pakëson energjitë dhe forcat e kësaj bashkësie në përballimin e së
keqes, përçmohet e dënohet. Duke iu druajtur përçarjes Muja zotohet të heqë
dorë nga lavdia edhe nga pjesa e presë që i takon vetëm që të shmanget ndarja.
“Tana luftat në Krajli që
bahen, / edhe plaçkën’Krajli që bahen, / me tefter ty po t’i la, / veç prej
meje çetën mos e ndaj.”36
Preja shfaqet edhe si formë haraçi që i venë
“shkijet” njëri-tjetrit. Xhure Harambashi i kërkon Krajlit të tij:
“Treçin desh t’pjekun t’i
due, / treçin voza me raki, / çikën tane me pru me ta me fjetë. 37..
Në verën e vitit 1905, F.B.
Nopça ndërmori një sërë udhëtimesh për tu njohur me Shqipërinë. Ai
qëndroi për disa ditë edhe në Alpe, në malin e Jezercës ku shijoi mikpritjen e
malësorëve duke ngrënë mish, mazë, bukë misri, qumësht, kos dhe qepë, që sipas
tij, jepeshin me bollëk. Mungesa e ujit zgjidhej duke shkrirë borën e
përjetshme. Aso kohe banda malazezësh sulmonin stanet e shqiptarëve. Ndërsa
ishte larguar nga Alpet, shoqëruesi i tij shqiptar Mehmet Zeneli në Raguzë
“ishte mërzitur shumë nga udhëtimet, se kishte kohë pa vjedhur dhe se vjedhja
ishte diçka shumë e këndshme”. 38
Në jetë mund të ketë
aventurierë që ngjashëm me pasionin për gjahun, dalin për pre për të vjedhur a
grabitur, jo për ndonjë nevojë, po për qejf, se kjo mënyrë jetese u ka hyrë në
gjak, sa në mungesë të saj, i merr malli dhe nuk mund të jetojnë pa të. Kjo
lloj preje për të përmbushur epshin vetjak nuk haset në këngët e botura të
kreshnikëve. Kryesisht preja, sa kemi vënë re, motivohet si hakmarrje për
dhunimin e vatrës, djegien e kullave, në mungesë të zotërve, kur gjendeshin të
pambrojtura. Edhe pse hasen raste, kur dylyftimet zgjidhen përmes mashtrimit
dhe dinakërisë, kjo nuk është forma më e pëlqyeshme për kreshnikët e epikës
sonë. Veçanërisht ruajtja e zakoneve të të parëve është e shenjtë për
malësorët, krijuesit dhe bartësit e kësaj epike. Ata dallojnë kryekëput prej të
tjerëve edhe në motivet e presë që bëjnë. Heronjtë vendas nuk u shmangen luftimeve
ballazi, por, ndonëse gjithnjë me forca më të pakta se kundërshtarët mashtrues,
tinzarë e të pabesë, kanë gjithnjë kurajon që me parzmin e vet t’i bëhen
mburojë vendit. Pabesia dhe dredhitë mbeten si tipare të një sjellje të ultë e
të përbuzshme, ndaj zgjedhin me burrëri e pa mëdyshje fushën e mejdanit.
Në portretizimin e Mujit dhe të Halilit, në
këngën “Muji te Mbreti” heronjtë kryesorë të epikës vihen nën dritën e palës
kundërshtare që ankohen kundër tyre tek autoriteti më i lartë i pushtetit, tek
mbreti duke i paraqitur edhe me atributet e pretarit që duke i thyer i ka bërë
të gjitha drumet (udhët) të pakalueshme, të gjithë bajlozët që e kanë
përballuar në mejdan Muji i ka pa prerë, madje nuk po le as djalë të ri që të
rritet. I kërkojnë sundimtarit të botës, siç sundon të gjithë, t‘i sundojë e
nënshtrojë edhe Mujin me Halilin. Ankesa, krahas të vërtetave kishte dhe
shpifjen. Nuk ka vrasje të rinjsh, vetëm pse i përkasin kundërshtarit. Nuk ka
strategji aq të sofistikuar që duke vrarë të pafajshëm, të sigurosh të ardhmen,
por kjo strategji del
se ka ekzistuar me kohë tek të tjerët. Zhdukja e kundërshtarit nuk u ka shkuar
kurrrë ndër mend malësorëve, të cilët gjakmarrjen e kanë përdorur brenda caqeve
të lejuara nga kodi zakonor. Preja e tyre bëhet për derte të mëdha, si ndëshkim
për vatrat e dhunuara. Ndryshojnë motivet nga buron preja e palës tjetër. Në të
shumtën e rasteve këngët zbulojnë cmirën e kapedanëve dhe krajlave që pushtetin
e tyre absolut donin ta shtrinin edhe në trevat ku ende nuk kishin depërtuar.
Dhe për t’i hapur udhë realizimit të ambicjes, duheshin qëruar hesapet me
drejtuesit e trevave kryeneçe. Për të shfarosur jo vetëm agët po të gjithë
banorët e Jutbinës, Krajli i Kotorrit nuk ngurron t’i drejtohet një krimineli
si Mark Vuketiqi që “tri herë haznën krajlit ia ka thye!”40, bile
t’i premtojë që nëse do të vriste 30 agallarët bashkë me Mujin e Halilin ai do
ta vendoste në fronin e vet.
“Bash në vend tem krajl kam
me t’ba”.39
Edhe Marku duke pranuar
“detyrën” parashtron kërkesat e tij.
“ Ni mij djelm ti me m’i
ba, / tan’ t’pa nan’ e tan’ t’pa babë, / tan’ t’pa shpi e tan’ t’pa plang, / me
m’i vesh’ e me m’i mathë, / edhe rrogat me m’ia pague, / me i dhan’ zahire edhe
fyshekë…/ ja kam me lan’ kryet në Jutbinë,/ ja kam me i pre 30 agallarët”40
Ndërkohë që burrat nuk
gjenden në krahinë, të maskuar si vendasit futet banda e krajlit dhe vendos
gjendjen e terrorit përqark Jutbinës sa banorët, kryesisht gra e fëmijë mbetën
të tmerruar:
“As s’u gzojshin drita për
me dalë, / as s’u gzojshin nata për me u errë!”41
Ndonëse nuk gjendet i formuluar qartë koncepti
atdheut në këngët e kreshnikëve, heronjtë janë të vetëdijshëm për përkatësine e
tyre etnike. Ato e dallojnë veten prej të tjerëve nga gjuha e të parëve,
zakonet, mënyra e organizimit shoqëror dhe fryma e kolektivitetit si njerëz të
një gjaku. Luftojnë për territorin e tyre, për mbrojtjen e njerëzve dhe të
pasurisë që zotërojnë. Kanë një frymë të theksuar përkrahjeje e solidariteti
dhe janë në gjendje të japin jetën për të çliruar babain, motrat, vëllezërit
dhe të njohurit e tyre nga fatkeqësitë eventuale. E kanë traditë trimërinë dhe
luftën, e kanë për turp t’ia kthejnë shpinën shkjaut. Ashtu të organizuar i përgjigjen
gjithmonë kushtrimit për tu mbledhur në kuvend për t’i dalë të keqes përpara,
për të mos lejuar kullotjen e bjeshkëve nga mijra berre të kundërshtarit, për
mbrojtjen e truallit etnik, të jetës dhe të nderit të armëve, nderit të konakut
e të dheut, për ruajtjen e bjeshkëve, të krojeve, mrizeve të zanave dhe
tringëllimën e këmborëve.
Kur është fjala për
shpëtimin e njerëzve të tyre nga burgu ose nga kthetrat e vdekjes kreshnikët
kapërcejnë lugje e maja, përshkojnë përrenj e lumenj të turbullt, ku gjaku
ishte më i shumtë se uji, fluturojnë mbi fusha deri te fortesat e krajlit, që
pushtohen rrufeshëm me një dalldi sulmi si deti i egër kur i trandet tokës,
digjen e rrafshohen kulla bashkë me njerëzit brenda.
“Qaty Muji për fushe a dalë
/ e e ka ba një piskamë t’madhe, / janë shemb kullat deri n’themele / E ta
trandun deti me hi mbrendë, / kanë gjimue malet si për mot t’lig…/ me dhambë
trimat duen sho-shojn me shkye, / me dhambë gjogat duen sho-shojn me marrë./
Notojnë kurmat fellë në det,/notojnë trupat nëpër gjak../ a turrë djali si i
tërbue, / gjallë me dorë krajlin ka xanë / qatherë burrat kanë marrë unat, /
shpejt qyteti ka marrë zjarr, /ka marrë zjarr n’fund e n’ maje…/ Tri herë
dielli ka pranue, / tri herë hana ka ague, / kurkund zjarmi me pushue”42.
Preja në këngët e kreshnikëve vjen si ndëshkim
ndaj dhunuesve për zaptimin e bjeshkëve e bagëtive të grabitura, si hakmarrje
ndaj rrëmbimit të njerëzve të fisit, të burgosjes e vrasjes së tyre. Ajo vjen
gjithashtu si ndëshkim për mashtrimin e besën e shkelur dhe për të vënë në vend
nderin e dhunuar.
Bibliografi
1. Lidhur me temën në shqyrtim janë
shfrytëzuar disa botime që përfaqësojnë këngë kreshnikësh të mbledhura në zonat
mbi lumin Drin, të konsideruara si treva e mirëfilltë e krijimit të tyre, por edhe
në zona më periferike të tyre duke provuar ekzistencën e tyre edhe atje ku më
parë gabimisht mendohej se nuk shtriheshin aq masivisht. Këto botime janë:
Visaret e Kombit, 2, Tiranë 1937, Folklor Shqiptar II, Epika legjendare,
vëllimi i parë, Tiranë 1966, Epika legjendare, vëllimi i dytë, Tiranë 1983,
Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë 1983, Këngë kreshnikësh II,
Prishtinë 1991.
2. At Zef Pëllumbi, Këngë popullore
gegnishte, botimi II, Shkodër, 2005, f.9
3. Bernardin Palaj, Donat Kurti, Visaret e
Kombit, 2, Tiranë 1937, f. XI
4. Po aty
5. Alfred Uçi, Çështje të folklorit shqiptar, 2,
Tiranë 1986, f.5
6. Po aty, f.16
7. Epika legjendare, vëllimi i dytë, Tiranë
1983, f.332
8. Xhemal Meçi, Kanuni I Lekë Dukagjinit,
Varianti I Pukës, Tiranë 1997, f. 91
9. Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit,
Varianti I Mirditës, Tiranë 2002, f.
10. Xhafer Martini,, Kanuni I maleve të
Dibrës, Toranë, 2003, f.545
11. Ismet Elezi, Kanuni i Labërisë, Tiranë…
faqe 472
12. Frano Ilia, Kanuni i Skënderbeut, Milot
1993, f.203
13. Shefqet Hoxha, E drejta dokësore në Lumë,
Kanuni i Lumës, Tiranë, 2013, f. 231
14. Bernardin Palaj, Donat Kurti,, vep.cit. f
XIV
15. Qemal Haxhihasani, Çeshtje të folklorit
shqiptar, 4 f11-14
16, 17, 18, 29,30, 31, 32, 34, 35, 36, 37,
38, 39, 40, 41, 42: Gjergj Elez Alia, Folklor Shqiptar II, Epika legjendare,
vëllimi i parë, Tiranë 1966,f.87-91; Arnaut Osmani, po aty,f.161; Deka e
Omerit, po aty, f.243; Halili çliron agajt nga Ivan Kapidani, Epika legjendare,
vellimi II, Tiranë 1983, f.83; Gjeto Basho Muji, Martesa, Epika legjendare,
vëllimi i parë, Tiranë 1966, f53; Orët e Mujit, po aty, f.60; Muja e Galan
Harambashi, Këngë Kreshnike, 2, Prishtinë 1991, f.66; Halili merr gjokun e
Mujit, Visare të Kombit…f.185; Muji shpëton Ymer Bajraktarin Epikë legjendare
nga rrethi i Kukësit, Tiranë 1983, f.132; Sokol Halili prêt Xhure Harambashi,
po aty, f. 63; Çikat e Jutbinës mbysin Marke Vuketiqin, Epika legjendare,
vëllimi i dytë, Tiranë 1983 f.114-115; Martesa e Halilit, Folklor Shqiptar II,
Epika legjendare, vëllimi i parë, Tiranë 1966, f 86.
19. At Gjergj Fishta, kanuni I Lekë
Dukagjinit, Shkodër, 1933
20. Qemal Haxhihasani, Kultura Popullore, nr.1,
Tiranë1991, f.33
21. Këngë kreshnikësh II, Prishtinë 1991, f.4
22. Qemal Haxhihasani, vep, cit f.17
23. Alfred Uçi, Aleks Buda, Qemal Haxhihasani,
Andromaqi Gjergji, Safet Hoxha, Çeshtje të folklorit shqiptar, 2, Simpoziumi
“Epika heroike shqiptare”,Tiranë 1983; Ismail Kadare, autobiografia e popullit
në vargje, Tiranë 1980;Fatos Arapi, Këngë të moçme shqiptare, Tiranë 1986;
Selami Pulaha, Spiro Shkurti, Çeshtje të folklorit shqiptar, 3, Tiranë 1987;
Qemal Haxhihasani, Çeshtje të folklorit shqiptar, 4; Qemal Haxhihasani, Kultura
Popullore, nr.1, Tiranë1991
24. Aleks Buda, Çeshtje të folklorit
shqiptar, 2, Simpoziumi “Epika heroike shqiptare”,Tiranë 1983, f.53
25. Shefqet Hoxha, Luma në luftrat për liri
26. Spiro Shkurti, Çeshtje të folklorit
shqiptar, 3, Tiranë 1987, f.215
27. SelamiPulaha, po aty, f.178
28. po aty
33. At Gjergj Fishta, kanuni I Lekë Dukagjinit, Shkodër,
1933
39. F.
B. Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan, Plejad, Tiranë 2007, f.226