Do t’i
përgjigjesha pyetjes me një pyetje si përgjigje. Pse, - kur nuk ekzistokan
konspiracione planetare, - u ra në ujdi që dokumentet e mbrame lidhur me Luftën
e Dytë Botërore, përfunduar në maj 1945, të bëhen publike vetëm pas 100
vjetësh, pra më 2045? Pse prej qindra vjetësh Vatikani fsheh dokumente? Pse
institutet amerikane nuk pranuan t’i përgjigej kërkesës rumune lidhur me disa
dokumente të agjentëve rumunë të Gjermanisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Rreth rënies
së komunizmit më njoftoi në fshehtësi dikush, - në gusht 1979, - që erdhi drejt
meje, ndonëse nuk pata këmbyer kurrë me të ndonjë fjalë. Vetëm njiheshim dhe
përshëndeteshim. „U vendos braktisja”, më tha. Aq. Tundi kokën, buzëqeshi në
drejtim tjetër, që unë të shoh se po buzëqesh, dhe u zhduk siç erdhi. (...)
Qysh atëhere nisa të jem i vëmendshëm ndaj simptomave. Sepse njëlloj si natyra,
as shoqëria njerëzore, nuk bën kërcime. (...)
Nuk më
pëlqen fjala ‚E Vërtetë’. Pse? Sepse natyra e saj është ajo që shprehet në një
aforizëm të kibernetikanit Heinz von Foerster: „E vërteta është shpikja e një
gënjeshtari”. (...) Nëse e vërteta nuk ka dalë në shesh kur ngjarja ndodh,
atëhere më kot del në shesh më vonë. Nëse nuk është trillim, E vërteta është
një mrekulli nga Dhjata e Vjetër, ose e Re: e Vërteta e përzjerë me Vërtetimin.
Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë takim të udhëheqësve të fuqive të mëdha.
Prandaj nuk kemi nga t’ia mbajmë dhe duhet të themi Po. Përndryshe pse u
likujduan Çausheskët aq shpejt? Nuk është një turp për ne protokronistët që të
ngjasojmë me frëngët e vitit 1789, me rusët e vitit 1917, apo me italianët, –
edhe këta bij të historisë së përgjithshme – që e trajtuan Musolinin dhe
dashnoren e tij si ca gjedhë për thrrtore? A nuk ishte Çaushesku i afërt me të
gjithë krerët e mëdhenj të botës? Në fund të fundit, shpesh kam menduar se, për
mua, nga ajo ngjarje, gjëja kryesore që duhet të kujtoj me mirënjohje është se
pika terminus, të cilën nuk e vuri askush, ose që e vunë udhëheqësit e fuqive
të mëdha, pasi vendosën ta mbyllnin atë epokë, më lejoi të kem një fund të
përkryer për Historinë* time.
* „Historia
e letërsisë rumune me sot, me nesër” – Vepër studimore, filozofike, historike
dhe shpirtërore, me mbi dhjetë mijë faqe, e Marian Popës, botuar në fillim të
shekullit XXI. Për nga thellësia, gjykimet dhe dendësia e të dhënave,
Historia... mund të vihet pranë enciklopedive më të pasura të kulturës
Evropiane e më gjerë.
[Pjesë nga
libri „Avokati i të paudhit”
(Avocatul
diavolului), Bukuresht, 2003]