Duke e
pasur Hegelin si pikënisje, Vischer-i e përcakton të Bukurën si njësim i harmonishëm
mes shpirtërores dhe lëndores, mishërimi plastik, ku ideja shfaqet në plotninë
e vet, në të dukshme – arti i Greqisë antike dhe i Gëtes mund të jepen si
shembuj. Vetë Vischer-i e emërton këtë idealrealizëm, një etiketë që iu vu edhe
artit të Runebergut. Praktikisht, u desh që të vulosej si idealrealizëm krejt epoka
mes romantizmit dhe e realizmit dhe u hulumtua se si ndikimet u përzgjatën në
vizionin mbi letërsinë qysh në fillimin e shekullit XX. Estetika e të parit
Komitet Nobel është një shembull bindës në këtë pikëpamje. Estetika wirseniane* ka parasysh një krijimtari që ribashkon një koncept idealist mbi realitetin me
një ‚konkretësi’ ndijesore. Tipari i një ‚mjeshti të madh’ është se ky ‚rijep
me qartësi jetën e njeriut’ (1903), por një synim i tillë realist nuk është
veçse njëri nga përbërësit. Tjetri është një perspektivë e pranuar edhe nga
Gëtja, mbi natyrën si sinonim për ‚të vërtetën’ dhe ‚frymën’, një shprehje-kyçe
‚në përputhje me natyrën’, kurse Fänrik ståls sägner citohet si model në lidhje
me karakterizimin ‚në përputhje me natyrën’ (1909). (...) Vlerat e larta
estetike quhen ‚masë’, ‚baraspeshë’ dhe ‚harmoni’ – fjalë nderi, që mund të
gjenden në konceptin e Winckelmann-it për artin e Greqisë antike, si ‚edle
Einfalt und stille Grösse’ (Thjeshtësi fisnike dhe madhështi e qetë). Figura
etalon është sërish Gëtja, por krejt estetika vischeriane i ngre këto vlera në
rangun e normave të arta.
* Wirseniane vjen nga Carl David af Wirsén (9 dhjetor 1842 - 12 qershor 1912) poet e kritik letrar suedez, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze në periudhën 1884-1912.
* Wirseniane vjen nga Carl David af Wirsén (9 dhjetor 1842 - 12 qershor 1912) poet e kritik letrar suedez, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze në periudhën 1884-1912.
[Pjesë nga
libri „Çmimi për letërsinë”, Sh. B. Institutit Kulturor Rumun,
Bukuresht, 2003,
kapitulli ‚Froni, altari dhe familja’]