Lajkatimi është një e keqe e neveritshme,
fshehur nën maskën e miqësisë; lajkatimi është një përkëdhelje joshëse dhe me
fjalë paraqitet si miqësore, dëshmi mirësie dhe përkushtim ndaj gjërash që
s’kanë asnjë vlerë. Mbi lajkatim, si mbi varr, gjendet i shkruar vetëm emri i
miqësisë. Lajkatimi është një ves i shpirtit të prishur, që është sëmurur dhe
s’ka asgjë të shëndetshme në vete; lajka është dinake, pa asgjë të shenjtë, e
shtirur dhe mashtruese. Lajkatimi prish shpirtrat që e pranojnë.
Karakteri i
lajkatarit.
Ky është një individ i prishur, i ulët, pa pikë vlere; ai ledhator shpirtrat e
dobët, ndërsa fjalët i ka plot mashtrim; premton miqësinë dhe hiqet sikur po
fal besnikërinë e përkryer, por zemra e tij urren, goja e tij flet për dendësinë
e dashurisë; ai e larton njeriun të cilit i bën lajka për veprime të denueshme
dhe gjymton cilësitë e njerëzve të virtytshëm, të denjë për vlerësime; ai
zhubros mendimet e shpirtit dhe nuk lejon të duket e vërteta e gjërave.
Lajkatari zileps ata që jetojnë në shthurje dhe i admiron ata që i shpenzojnë
pasuritë në vetëshkatërrim; u mburr mendimet dhe u ngre në qiell aftësitë e
duarve; ai ngulmon se shfrenimi është virtyt dhe e quan marrëzinë si shkencën
dhe dijen më të epërme. E mburr njeriun që s’është i denjë për pasurinë e vet
dhe e tall të mirin që jeton në varfëri; i çmon njerëzit për shkak të kamjes
dhe shkel me këmbë gjërat e denja për admirim. Lajkatarët i joshin me fjalë të ëmbla
njerëzit pa të keq dhe bëjnë çmos që të kenë pushtet mbi ta. Duke i mburrur, i
turbullojnë dhe u mjegullojnë udhën e jetës. Janë më dinakë se dhelpra dhe më të
mbrapshtë se korbat, sepse me mashtrim e joshje prishin e ndyjnë shpirtrat; përdorin
çdo mjet dhe s’janë veçse përfitues. Plutarku thotë se asnjë lloj njerëzish nuk nuk është më plot me vese sesa lloji i
lajkatarëve, që ia dalin shumë shpejt mbanë e me sukses t’i gjunjëzojnë të
rinjtë. Shën Vasili i Madh shprehet për lajkatarët: “Për sa kohë ka bukën në gojë, lajkatari mburr, gudulis, adhuron, por,
me t’u ngritur nga tryeza, i hedh mallkimet si gurë mbi atë që, pak më parë, për
shkak të stomakut, e lavdonte sikur të ishte Zoti”.
Lajkatari çnderon e bastis gjërat që u përkasin
të tjerëve; e bekon me zë të lartë mikun në mëngjes, mirpo në mbrëmje e mallkon
dhe është gati që, duke përdorur fjalë të bukura e të këndshme, t’ia marrë gjer
edhe rroben e trupit.
Antisteni thoshte: “Më mirë të biesh mes korbave, sesa mes lajkatarëve; të parët të dëmtojnë
trupin, ndërsa të dytët të prishin shpirtin”.
Shën Vasili i Madh e krahason lajkatarin me një
shumëkëmbësh: “Thuhet se, ashtu sikurse
shumëkëmbëshi e ndërron ngjyrën sipas vendit ku ndodhet, ashtu edhe lajkatari e
ndërron mendjen në varësi të bindjeve të atyre me të cilët rri”.
Lajkatari është më i ulëti ndër njerëz.
[Shkëputur nga: Shën Nektari i Eginës, “Njih vetveten, ose për virtytin” (Cunoaste-te pe tine insuti sau Despre
virtute), Editura Sophia, 2012]