Sipas Maksimit të madh, tri janë llojet e pandëshkuara dhe të papërçmuara të së shkruarës: ato që shkruhen për të mbajtur mend; për dobinë e të tjerëve; dhe për dëgjesë. Nën këtë prizëm janë hartuar shumë shkrime nga ata që kanë synuar përunjësinë. Kurse ai që shkruan për t’u pëlqyer, për t’u dukur dhe për lavdi të rreme do ta marrë pagën e vet, pa pasur asnjë dobi këtu dhe asnjë shpërblim në amëshim, por do të ndëshkohet si dikush që ka nxjerrë për shitje në tezgë fjalën e Zotit, që të fitojë dinakërisht kënaqësinë prej njerëzve.