p o e z i
Eseiste, poete,
prozatore e shprehjes rumune, franceze dhe suedeze (Bukuresht, 16 gusht 1942-
Stockholm, 15 tetor 2024). Pas mbarimit të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e
Bukureshtit, punoi në
revistat e njohura Femeia (Gruaja) dhe Luceafărul (Ylli i Dritës). Njihet si frymëzuesja e mjaft poezive të Nicita Stănescu-t
(1933-1983), me të cilin pati një lidhje kohëgjatë dashurie. U vendos në Suedi
në vitin 1975, pas martesës me botuesin belg René Coeckelberghs. Deri në atë vit shkroi e botoi vëllimet Ceremoni dimri, Qënie abstrakte,
Brenda Ligjit, Një sëmundje me prejardhje hyjnore, Betim varfërie, nderi e
nënshtrimi, Mërmëritja e botës, Kundër të dashurit, si dhe dy libra në
prozë. Pas vitit 1989, botoi rumanisht Ditar suedez në disa vëllime – vegimtar jo vetëm për jetën letrare europiane, por edhe
për shumëgjuhësinë e shkrimtarëve, përkushtimin, vuajtjet krijuese. Në gjuhën
suedeze, në të cilën filloi të shkruajë pak kohë pas mërgimit, shkroi e botoi
librat: Dera
e ndaluar, Zoti pjellor, Babai i
gënjeshtrës, Fëmijët e durimit, Ujqit ngjiten në qiell, Mbretëresha e rrugës,
Njeriu-zog, Dritë drejt dritës, Ndërrimi i pendëve, Në shtëpi në një vend të
huaj, Nëna si Zot, Mbi shpinën e zogut të artë etj. Përktheu rumanisht
vepra nga Emanuel Swedenborg, August Strindberg, Stig Dagerman, Gunnar Ekelöf,
Kjell Espmark, Brigitta Trotzig dhe Goran Sonnevi. Krijimtaria e Gabriela
Melinescu-t është vlerësuar me disa çmime letrare të rëndësishme.
Ende është natë
(Încă
e noapte)
Ende është natë dhe
mendoj në terr
për ditën e parë të
botës
Në fillim ishte drita
dhe drita ishte errësirë
e ngrohta qe e ftohtë
dhe e ftohta absolute qe
e ngrohtë.
Terri u bë lëndor
kapur në trajta të
çuditshme
Këta dy sy të rritur në
kokë
ndjejnë atë që ndjen
Toka
kur mbi të rritet
gjelbërimi.
Terr drite jam
dhe mbi kodrat e kurmit
tim
lindet mëngjesi.
Me shkrue
(A
scrie)
Kur shkruajmë duhet
të ruajmë largësinë
ndaj asaj që ka ndodhur
në fjalë.
Si atëhere kur
shpëton dikë
nga mbytja:
Duhet ta mbash
shtrënguar
por jo fort afër vetes
që mos të tërheqë
edhe ty me veten
në thellësi
Shtëpia prej tymi
(Casa de fum)
Qeramidhet e shtëpisë
sonë janë prej tymi.
Shihet një flaut i
pezulluar.
Shtrati këndon vetmitar.
Tri herë qofsh i lavduar
o tym
për ty di se është një
majë për t’u ngjitur
Asgjëja shkëlqen mes
shtëpisë
Mbaj në gojë një diamant
Mes sendesh të gjalla
këndoj psallme
me hap marramendës
prifti të lashtë.
Askush s’mund ta ndalë
proçesionin
E njerëzve të shndërruar
në zëmbakë
Shihet shtëpia jonë prej
tymi
dhe gjithë ata që kanë
këmbë, flatra e rrënjë.
I vdekuri për vizitë
(Cel
mort în vizită)
Natë me hënë.
Dikush lutet në shtëpinë
mbi mua.
Jam veshur me fustanin e
bardhë vezullues
rilexoj poemën e Thomas
Hardy-t
„She at his funeral”
Befas fanitet për mua
zëvendësi i zogjve dhe
thotë:
Mos ji e trishtuar. Jam
me ty.
Ndajmë bukë e verë.
Pastaj gjithë natën
lexon me zërin e tij të
dashur vargje
shkruar
në botën tjetër.
Ai dëshiron menjëherë
të presë bezen e Hënës
dhe të bëjë prej saj dy
këmishë
me të cilat të veshë
dy shpirtrat tanë
binjakë.
Ushtrim
(Exerciţiu)
Vizatoja si kaherë
me të zezë Kine.
Një diell të zi
fanitur në melodinë e
një
gjuhe të huaj.
Në rrethin e diellit
mbështillet toka –
jemi posht’e lart
e sërish poshtë
me shpresën të mbërrijmë
gjallë në liman
kur vijat do të nxjerrin
prej nesh
muzikën tonë të
përditshme.
Habeas corpus
Atëbotë mos njohësh
veten
mos e thërrasësh kurrë
emrin tënd…
Kur lëkura të tkurret
nga dhembja
braktise në një cep të
shtëpisë
lehtësisht e bymyer nga
një ajër i njohur do të mbetet.
Një njeri prej ajri do
të shfaqet në botën tonë
Dhe mishin mirëkuptues
lëre atëhere
në dorën e qetësisë. E
shko
rëndë peshojnë kockat në
shpirt
braktisi ku ke kaluar
dhe i lirë
prano jetën tënde.
Matrimonio segreto
Muskujt e botës trandur
nga një gëzim i fshehtë
Portat e kujtesës hapen.
E çliruar nga rëndesa e jetës.
Një dashnor me shumë
krahë më mbështolli
Palma ime më foli.
Me një shije më të lartë
në gojë
Heq dorë nga gazmendi i
shqisave.
Pi ujë nga gishtat e mi
Marr frymë në të
gjelbrën e tij
Të dy kemi notuar nga
nëntoka drejt dashurisë.
O tani, o kurrë, thotë
ai
Dhe unë e kërkoj për burrë në gjuhën e të vdekurve.
Prill
(Aprilie)
Ec lehtas, shkon që mos të prek
Veshjet mbi trup prej helmi nderë.
Tunika të ngrohta mbrétërish
Në një piramidë gjetur kaherë
Unë pres gjersa të lindet një gjallesë
Pa dëshpërim ta shoh të rritur
Do vuaj e duroj ftohmën që hedh
Gjysma e dimrit duke shkitur
Dhe fshehtas e me tmerr kurmin do shoh
Nëse lëkura vrik ka lulëzuar
Do mbaj ngjitur pas gjakut vetëm veshjet
Në të cilat kam dashuruar.
Paraqitja, përzgjedhja dhe shqipërimi nga rumanishtja: A.-Ch. Kyçyku