Showing posts with label Poezi Polake / Poezie Românească. Show all posts
Showing posts with label Poezi Polake / Poezie Românească. Show all posts

Gabriela Melinescu: Terr prej drite jam

p o e z i 

Eseiste, poete, prozatore e shprehjes rumune, franceze dhe suedeze (Bukuresht, 16 gusht 1942- Stockholm, 15 tetor 2024). Pas mbarimit të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Bukureshtit, punoi në revistat e njohura Femeia (Gruaja) dhe Luceafărul (Ylli i Dritës). Njihet si frymëzuesja e mjaft poezive të Nicita Stănescu-t (1933-1983), me të cilin pati një lidhje kohëgjatë dashurie. U vendos në Suedi në vitin 1975, pas martesës me botuesin belg René Coeckelberghs. Deri në atë vit shkroi e botoi vëllimet Ceremoni dimri, Qënie abstrakte, Brenda Ligjit, Një sëmundje me prejardhje hyjnore, Betim varfërie, nderi e nënshtrimi, Mërmëritja e botës, Kundër të dashurit, si dhe dy libra në prozë. Pas vitit 1989, botoi rumanisht Ditar suedez në disa vëllime – vegimtar jo vetëm për jetën letrare europiane, por edhe për shumëgjuhësinë e shkrimtarëve, përkushtimin, vuajtjet krijuese. Në gjuhën suedeze, në të cilën filloi të shkruajë pak kohë pas mërgimit, shkroi e botoi librat: Dera e ndaluar, Zoti pjellor, Babai i gënjeshtrës, Fëmijët e durimit, Ujqit ngjiten në qiell, Mbretëresha e rrugës, Njeriu-zog, Dritë drejt dritës, Ndërrimi i pendëve, Në shtëpi në një vend të huaj, Nëna si Zot, Mbi shpinën e zogut të artë etj. Përktheu rumanisht vepra nga Emanuel Swedenborg, August Strindberg, Stig Dagerman, Gunnar Ekelöf, Kjell Espmark, Brigitta Trotzig dhe Goran Sonnevi. Krijimtaria e Gabriela Melinescu-t është vlerësuar me disa çmime letrare të rëndësishme.

 

Ende është natë

(Încă e noapte)

 

Ende është natë dhe mendoj në terr

për ditën e parë të botës

Në fillim ishte drita

dhe drita ishte errësirë

e ngrohta qe e ftohtë

dhe e ftohta absolute qe e ngrohtë.

Terri u bë lëndor

kapur në trajta të çuditshme

Këta dy sy të rritur në kokë

ndjejnë atë që ndjen Toka

kur mbi të rritet gjelbërimi.

Terr drite jam

dhe mbi kodrat e kurmit tim

lindet mëngjesi.