Paul Vinicius: historia e një plage të freskët

(l. 1953, Rumani)

e pra
kur kthehem unë në vendin
që të tjerët
rëndom
e quajnë nështëpi
nata ka rënë kaherë
dhe nis beteja me shkallët.
janë ca shkallë të koklavitura
spirale
motra me terrin
dhe alkoolin në venat e mia
e që tek bredhin sa andej-këndej
më marramendin.

s’është aspak e lehtë të zbresësh
bashkë me shkallët
nga kati i shtatë në të pestin
vëlla me terrin
dhe me alkoolin në venat e mia
që enden
të dehura me gjak
sa andej këndej
nëpër trupin e vrimuar e pothuajse të huaj
si ndonjë fabrikë rreziqesh.

ndonëse s’është rasti
përfytyrimi im mbi parajsën
është një fushë e rrafshët
plot me tryeza
me karrike
pa kurrfarë shkallësh
dhe
aty-këtu
nga një pijetore.
Shqipëroi A.-Ch. Kyçyku