Valeriu Matei: Ekuacionet e pezmit (Ecuaţiile disperării)

Valeriu Matei (lindur me 31 mars 1959 në komunën Kazangic, rrethi Lăpușna, Basarabí), shkrimtar, akademik, themelues dhe / ose drejtues institucionesh, botues vizionar, prani e jashtëzakonshme në jetën dhe vetëdijën kulturore e shkencore rumune, autor i një sërë veprash letrare – Shtylla prej zjarri (Stâlpul de foc, 1988), Gjumë ujku (Somn de lup, 1990), Elegjitë e Djalit Plangprishës (Elegiile Fiului Risipitor, 2010), Kafeneja „Kambana” (Cafeneaua „Clopotul”, 2016), Ziliada (lojë fjalësh zi – ditë, rum. dhe Iliada, Iaşi, 2008); 101 poema (București, 2009); Kafeja e gotës së dashurisë (Cafeaua din paharul iubirii), Râmnicu Sărat, 2011); Kryqëzata Ballkanike (Cruciada Balcanică, Chişinău, 2013); Gurë të bardhë, gurë të zinj (Pietre albe, pietre negre, CD, Chişinău, 2013); Ekuacionet e pezmit (Ecuaţiile disperării, Bucureşti, 2015); Nata e shenjave. Poemat e qëndresës antisovjetike dhe antikomuniste (Noaptea semnelor. Poemele rezistenţei antisovietice şi anticomuniste, Iaşi, 2019); Anatomia e reales (Anatomia realului, Iaşi, 2021), Mbrëmësore mbretërore (Vecernie regală, Chişinău, 2021). Ka shkruar edhe pjesë teatri, ese, studime etj. Siç ka vënë re kritika e specializuar, Valeriu Matei „nuk shkruan me stilograf, por me degën e një shelgu lotues”.

Poeti është edhe një nga figurat emblematike të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare të Basarabisë. Poezia e tij është përkthyer anglisht, frëngjist, spanjisht, shqip, gjermanisht, rusisht, italisht, bullgarisht, greqisht, letonisht, azerisht, maqedonisht, hungarisht, sllovakisht, suedisht, turqisht etj.

Kompozitorë dhe interpretues të njohur kanë krijuar, frymëzuar nga vargjet e tij, vepra muzikore në zhanre të ndryshme.

Valeriu Matei ka përkthyer nga poezia franceze, spanjolle, ruse, angleze dhe letoneze.

I janë akorduar shumë çmime letrarë e kulturorë, mes të cilëve Çmimi ”Mihai Eminescu” i Akademisë Rumune (1996, për vëllimin Vdekja e Zenonit (Moartea lui Zenon), Çmimi i Madh ”Nichita Stănescu” për poezi (1995), Çmimi i Madh ”Nichita Stănescu” – Opera Omnia dhe Trofeu ”Nichita Stănescu” (2002), Çmimi për letërsi i diasporës rumune në Gjermani (2004), Çmimi ”Frontiera Poesis” i Festivalit Ndërkombëtar Poesis (2007, Satu Mare), Çmimi për poezi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Moldavisë (2008 dhe 2010), Çmimi ”Libri i Poezisë i Vitit” i Panairit Ndërkombëtar të Librit (Kishinjev, 2010) etj. Është dekoruar me Urdhrin Kombëtar "Ylli i Rumanisë" (Steaua României), në gradën Komandor (2004), me Urdhrin e Republikës (Republika e Moldavisë, 2010), me Medaljen "Mihai Eminescu" (Rumani, 2000), me Medaljen ”Dimitrie Cantemir” (Republika e Moldavisë, 2013), me Medaljen ”Mihai Eminescu” (Republika e Moldavisë, 2014) etj.  

 

1.

qytetthe mbi eshtra, Xhokonda të mbështjella në

veshjen e tymtë të një buzëqeshjeje

të hapur si një stacion treni,

 

Danubi prej lotësh nuk ka më shtrat

kripa e dherave është kalbur në gjak,

 

jo fitore, jo vetmi,

qeni hipur majë piramidës

do të vdesë në trekëndshin vigjilues

i dërrmuar në mesnatë

prej një fije bari

 

 

2.

përmes mendimit kolektiv të rrugës

kalon rinia e përskuqur e mjegullës

 hipur mbi kalë të bardhë,

kalon shqiponja e mbarsur e shënjuar

në të vetmen vijë të trurit

me yllin e kuq në pesë cepa të verbër,

 

kalon kamioni me xhamat të vrimuar

nga mustaqet e mëdha të xha xho-së,

kalëron një bullafiq i vrenjtur

mbi jetën politike

dhe një rreze e përkthyer në prapashtesat e habisë

puthitur me një emër apostulli,

 

kalojnë, kalojnë, na kalojnë,

nëpër mendimin kolektiv, nëpër

mënyrën e të menduarit të përbashkët

kurrgjëja, orvatja e kurrgjësë,

fjalimet e kameleonëve gagaçë

gjasmues të mendimit kolektiv të rrugës

 

 

3.

ka diçka përtej fjalëve –

domethënia e fshehur e çastit që ka ikur,

kuptimi i kuptimit ku lëviz

si në një kënetë që ka zënë

kore të hollë në diell,

asnjë hap majtas,

asnjë hap djathtas

kuptimit të kuptimit -

përtej është shurdhimi i dritës

dhe zhurma pa ngjyrë,

 

asgjë nuk të pret përpara,

asnjë ushtri milingonash nuk ta pret udhën,

asgjëja të ndjek nga pas,

 

ka diçka përtej fjalëve

kur këneta e heshtjes mbulohet nga luspa

peshqsh që rrëshqasin si lotuse të tharë

të mirë për një pije të harresës

së kuptimit të kuptimit,

 

ngriji qepallat dhe kalo me shikim

gjithnjë më tej, derisa të bëhesh

urë e pashme përtej kënetës,

tingull i qartë i dritës së vonë

për hatër të afrimit të kuptimit

të përtej fjalëve

 

 

4.

vetmia e një poeme më fillikate se unë

e zhvillon çastin pa iluzione, iluzionin e çastit,

 

plasaritja e mendjeve bëhet njëherazi me

hedhjen e shtizave të përtej Uralit -

 

ç’gjueti, o Zot, dhe bie shi me shallvare

nga të cilët linden kazakë duke vallzuar,

 

goditje nga trekëndshi, nuhatje gjaku,

brohoritje... rroftë vetmia

e poemës pa vetmi,

 

të vetmes poemë të një ikjeje

si një shkundje ëndrrash,

si një rizbutje fajkonjsh

maj-qershor 1993 

 

 

Këmisha e Grigore Vierut

(Cămaşa lui Grigore Vieru)*

 

Në ballkonin ku Poeti vështronte qiellin,

si një flamur të thyer në një luftë të padrejtë,

këmisha e tij e kaltëryer e kapur nga ngrica

e dimrit të ashpër, si një ushtar besnik pret

ta veshë Poeti; por ai ka ikur nga shtëpia

për të veshur këmishën e vdekjes – barrë e rëndë

për zemrën e tij të plagosur e të djegur

prej gënjeshtrës maskareshë, nga helmi barbar

hedhur mbi ne nga ustallarët e farsave

që kanë marrë pushtetin – urrejtja pa shpirt, pa tru,

qose i kuqërremtë, i mballosur me parrulla gjoja atdhetare,

me shikimin tërë qime dhe buxhetfryrë,

qatipi i ndyrë në shërbim të hordhive të neveritshme…

 

Me një rreze dielli në terrin e pafund

Poeti vinte për të të sjellë të vërtetën,

ashkël kombi, ndarë dhe keqtrajtuar,

fëmijë jetim, që i është vjedhur e ardhmja.

 

Poeti përballte tufane dhe stuhi,

shira me gurë dhe çarje dheu

që të të sillte ikonën e të parëve të tu të vërtetë,

të të nxirrte prej territ përmes besës dhe fjalës.

Jo dimri e shtypi, jo mjegulla e natës –

humnera e gënjeshtrës dhe e urrejtjes e coptoi,

thika e Judës ia çau gjoksin e tij të brishtë,

koha e mbytur nga të fëlliqurit

e bëri të vishte këmishën e t’et të vdekur

në udhëkryqet e fatit,

këmishën e përgjakur të vdekjes me të gjitha dhembjet e saj...

 

Në ballkonin e Poetit rrezet e diellit të zbehtë e të nxirë

ledhatojnë fijen e jetësqë i ka mbetur në këmishën me yje,

si një zog i qiellit ajo përpëlitet dhe flatron në pafundësi...

Thuaji, moj nënë e pikëlluar, Perëndisë,

 që Poeti vdiq,

Thuaji, nënë Marie, Zotit

që verbi nuk ka vdekur!

e diel, e diel, 18 janar 2009 

 

 

 

Shira në prill

(Ploi în aprilie)

 

bie shi në prill me zhurmë hapash të lodhur

sikur me foshnjat jetime sot po vajton Perëndia

dhe nuk nxënka çadra e rinisë

(më të rinj me një vdekje vazhdimisht)

siç rrimë pas shtizave të ftohta të shiut të mbështetur,

 

është dita e Ringjalljes, por lajmi nuk i ka ziua të famshmit

e fatit, që të plotësohet, i mungon edhe një popull,

na kanë varrosur në pluhurin e urrejtjes së tyre

bëlbëzuesit e gëzueshëm tek marrin të hollat

 

dhe rruga e tyre është vazhdimisht në fillim,

 e dyzuar si një gjuhë gjarpri,

kthesat i mbart përtej zakonit, natyrës,

nga lugina e vajtimit retë zbresin ngadalë dhe të holla

fijet e ftohta të shiut si telat e këputur të harpave...

hapat ndërpriten të rrezatuar nga e tashmja e papërcaktuar,

masa e sfinksit të pluhuruar rreh agimet,

në kodikët e çastit parakalojnë të falur gabimet,

thirrja e memecërisë përkund regjistrin ngadalë

 

dhe bie shi sikur të tulatte

 etjen e pasosur të vdekjes

në pllaja me varret e sapogërmuar...

dhembje dhe iluzione - zbrazëtia na mban rob

 

mbledh rripa mosgjëje mbi thundrën e shtatores së zgjyrës 

11 prill 1999

 

Zogjtë

(Păsările)

 

Ringjallur

pranë varresh

si ca shkronja

pa fjalë

mbledhin

çastet e jetës

dhe perëndimet

dhe mëngjeset

me flatra resh

përziejnë, valëvitin

hirin e tokës

dhe zjarret e përtejmë.

 

1984

 

* Poet i shquar i rumanishtes, figurë emblematike e kulturës rumune (1935-2009)

 

Zgjodhi e shqipëroi Kopi Kyçyku