(Letër një prindi, me të cilin kemi fëmijët bashkëmoshatarë)
Më lejo të të drejtohem sot më
këtë letër ty miku im, që ke fëmijët në të njëjtën shkollë me fëmijët e mi dhe në
lagjen time. Ndoshta përshëndetemi shpesh vetëm me lëvizje koke, edhe pse mund
të dimë për njëri-tjetrin disa gjëra për shkak të asaj që dimë nga fëmijët
tanë.
Gjithnjë kam dashur të të shkruaj e të të flas. Madje, sa herë i kam nisur letër tim biri në ditët e parë të shkollës kam kuptuar që ai nuk do mundet t’ia dalë i vetëm çfarëdo që t’i shkruaj unë. Nuk do t’ia dalë as vetëm me shokët dhe shoqet e tij. Nuk do t’ia dalë as vetëm me fjalët e mësuesve. Ata kanë nevojë për ne dhe ne duhet të dimë se si t’ia dalim që të mos u transmetojmë atyre vetëm nga dështimet tona, nga hapat që nuk i mbërritëm dot në jetët tona.
E di mik, që nuk është aspak e
lehtë t’u flasim sot fëmijëve për mënyrën se si duhet të sillen. Për shumë
prindër është e vështirë pasi fëmijët sot kanë më shumë informacion, kanë parë
filma pa fund, dinë ato gjëra të cilat ne i mësonim shumë vonë jo vetëm për
trupin tonë dhe për ndjenjat tona. Por është mirë që t’i themi disa gjëra
përpara se të piqemi sy më sy për të zhbërë ndonjë gjë që mund ta kishim
rregulluar duke folur shumë kohë më parë, qoftë edhe në ato pak minuta që jemi
parë në oborrin e shkollës.
E di, mik, se ne të rriturit
shpesh ankohemi se nuk kemi më se ç’të bëjmë, se të këqinjtë janë më të fortë
dhe se gjithçka për jetët tona është vendosur nga të tjerët. Por, siç thotë
edhe filozofi spanjoll Fernando Savater, kjo logjikë nuk është veçse një
justifikim për lirinë tonë që nuk kemi arritur ta përdorim si duhet, është një
justifikim për dështimet tona. Pikërisht, këtë pafuqinë tonë kërkoj unë që të
mos ua themi atyre si rrugën e parë drejt së nesërmes. Le të mos i helmojmë
fëmijët me atë që ne e ndërtuam vetëm si justifikim për atë që nuk mundëm dot
ta bënim, se ndryshuam rrugë, se llogaritëm dhjetra çaste përpara se të bënim
sikur nuk pamë gjë nga rrëzimi i përditshëm i yni dhe i miqve tanë.
Më lejo të të kujtoj vetëm një
çast të mahnitshëm nga dhjetra e dhjetra që mund të gjesh në historinë
botërore: Në kulmin e Apartheidit në Afrikë, Nelson Mandela u kërkonte
mbështetësve të tij, që nga burgu ku vuante dënimin politik, që ata të mendonin
se i përkisnin një brezi që mund të ndryshonin botën. Vite më pas ai ishte në
krye të atyre që besuan vërtetë se mund ta bënin dhe që arritën të shmangin me
qetësi një nga regjimet më raciste në glob.
Dhe historia e njerëzimit ka
histori plot shpresë, që mund t’u japin fëmijëve kurajën për të besuar se do
t’ia dalin në këtë jetë pa pasur nevojë për ligësinë si armë.
Ne, miku im, shpesh u flasim
fëmijëve tanë për të ardhmen pa parë aspak nga e shkuara. Të veshur me euforinë
e çastit, duke parë larg për të ardhmen e fëmijëve tanë, harrojmë që e shkuara
na thërret për të kuptuar se ajo që kërkojmë ne për të ardhmen e fëmijëve ka
jetuar thuajse kudo dhe gjithnjë me njerëzit. E nga shumë leksione të së shkuarës
do të kuptojmë se armët më “moderne” do të vijojnë të mbeten Mirësia dhe
Guximi. Asnjë armë tjetër nuk ka shkëlqimin e tyre. Asnjë armë tjetër nuk të
sjellë fitore më të ëmbël. Ndaj, nëse duam vërtet që fëmijët tanë të bëjnë një
jetë me kuptim, le t’i pajisim fëmijët me këto armë.
Mund të ndodhë që t’u dukemi
fëmijëve tanë sikur po i pengojmë të ecin me hapin e kohës. Por, dije miku im,
se, nëse nuk i kemi rrëfyer fëmijëve se si mund të bëhesh Njeri, nuk kemi pse
të presim që një ditë ata të jenë krenarë për atë ç’ka do bëjnë.
Le t’i flasim se sa kënaqësi
është të kesh miq në jetë. Le t’u kërkojmë që të shikojnë me dashuri nga
Tjetri, që kanë në bangë, në shkollë, në lagje. E sidomos të shohin se mësuesi,
duke edukuar fëmijët tanë, ushqen fëmijët e tij, ashtu siç i ushqejmë ne ata me
punët tona. Vetëm ashtu mundet që t’u kemi dhënë një mundësi të besojnë se nuk
janë vetëm, se mund të bëjnë përpara në rrugën që kanë dëshirë. Ndryshe, mund
t’i bëjmë të fitojnë pa fund, të jenë ta pasur, madje edhe të zgjuar, por edhe
të jenë vetëm, të skllavëruar nga mungesa e guximit, e të mos kuptojnë kurrë
fuqinë e madhe që ka dora e zgjatur ndaj tjetrit.
Le t’u flasim fëmijëve ne të
parët që të mos shikojnë askënd nga ngjyra, nga pamja e jashtme, nga veshja. Le
t’u kërkojmë atyre që shohin shokun apo shoqen e bangës si një pasuri në rrugën
e gjatë të jetës. Le t’u mësojmë se ne jetë nuk mund të ecësh duke imituar të
tjerët, por duke besuar se mund t’ia arrijnë duke qenë vetvetja.
E di miku im, mund të kesh
edhe ti dhjetëra argumente për të më lënë të kuptoj se kështu mund të rrisim
fëmijë që nuk do të jenë të zotët të kapin hapin e kohës, që mund të mbeten
viktima të brutalitetit të jetës, se do të duken qesharakë përpara shokëve që
kërkojnë me çdo kush të fitojnë. Ndoshta je në një mendje me mua për faktin se
sot ndershmëria nuk është monedha më e vlerësuar në përditshmërinë tonë. Por ne
kemi detyrë të këmbëngulim për t’ua ngulitur faktin e vjetër të botës se,
ligësia nuk prodhon dot asgjë të mirë dhe se mungesa e dashurisë të çon në
Askund në botën e Hiçit.