Në vuajtje përhumbur, të kotësisë sime
Si gjethja nëpër ujra, rrufé humbur në qiej
Të më lejojnë të kthehem në botën me paqtime
Si magjistar jam lutur paprá në yj-e diej.
Asgjë të mos përmendë hijen e jetës sime
Të ik si frymëmarrje, si tingull, si shkëndijë
Si loti që derdh femra, më kot, ndër ngashërime
Mendja ime plot ëndrra – si skelë rri-të rrijë.
Se ç’është në këtë botë, dhe ç’është sot poeti
Që zërin vetmitar pak ia dëgjon kush do
Vërtitet i panjohur mes botës që e treti
Kurkush nuk do t’ia dijë në rron më apo jo.
Një copëz vele është, një zemër, flluskë-e kotë
Që ndruajtur rropatet në motin zemërhekur
Më mirë të mos qe shfaqur ai në këtë botë
Në vend të vdiste sot, më mirë dje të kish vdekur.
Gjeniu Eminescu e shihte veten si gjethe, teksa gjethe që era i ngre heraherës përpjetë mburren sikur të kenë shpikur fluturimin.
(Shqipërimi dhe komenti nga A.-Ch. Kyçyku, 2002)