Abstrakt:
Trajtesa sjell në vëmendje ditarin si gjininë më të lëvruar
në krijimtarinë e pasur të shkrimtarit, eseistit, poetit dhe filozofit Isuf
Luzaj. Përmes kësaj gjinie autori ka synuar ndërtimin e modelit të figurës së
vetvetes përmes përqasjes me figurën e profetit. Trajtesa ndjek rrugën e
ndërtimit të këtij modeli profetik si përmes mënyrës së përzgjedhjes së fakteve
jetike ashtu edhe mënyrës së përdorimit të stilistikës së qëlluar. Po përtej
ndërtimit të qëllimshëm të modelit të vetvetes, ditaret e Isuf Luzajt janë
dëshmi letrare eseistike të një personazhi historik aktiv, të një njeriu
erudit, të një mësonjësi ngulmues dhe një kritiku të paepur ndaj shoqërisë.
Fjalë kyçe: Isuf Luzaj, ditare, letërsia shqipe, kritika
Përpjekja e
kahershme e Isuf Luzajt për t’u paraqitur e përballur me lexuesin e tij në
gjuhën shqipe dokumentohet jo vetëm nëpërmjet veprave të botuara dhe të njohura
tashmë si: Rrëfimet, (poezi,1937), Gloria e çmendjes, (poemë, 1995), Ekzistenca dhe boshësia, (ese
filozofike, 1996), Sëmundjet e shekullit
tonë, (ese filozofike, 1999), Lamtumira
e yjeve, (poemë, 2001), Topografi
labçe, (poemë, 2001), Përtej së mirës
dhe së ligës,(ese filozofike, poezi, 2003), Rindërtimi i fuqive shpirtërore, (ese filozofike, 2005, Filozofia e bukurisë, (ditare, rrëfime
për veten, 2009), por edhe nga një korpus i gjërë dorëshkrimesh[1], të cilat
presin dritën e botimit.
E gjithë
krijimtaria e Luzajt mund të quhet një rrëfim i pandalshëm e i sinqertë për
vetveten, ngulitur në kryeqendër, e
për botën përqark të përcaktuar e të paraqitur po sipas vetes, tipar ky dallues
për një shkrimtar modern. Mëvetësia dhe subjektivizmi në trajtesat eseistike,
vetëdija letrare në ndërtimin e strukturave të hapura në prozë ku ndërthuret
dokumentarizmi autobiografik me trillimin, si dhe fryma kritike përballë
himnizmit romantik, përbëjnë edhe thelbin e modernitetit të veprës së Luzajt.
Projektimi i modelit të vetvetes fillon tërthorazi që në poezitë lirike e
romanin autobiografik “Lumejtë rrjedhin të kuq”, për t’u shfaqur qartazi në
ditaret e shumta në dorëshkrim, si: Përpjekja
e viganëvet (Lufta e Vlorës), Ditari politik, Kujtime pleqërie, Ditari i
përpjekjes, Ditari i një zonje shqipëtare, Kujtime të një ditari të humbur,
Ditari, Autobiografi, Ditari i mësonjësit, etj. Autori dëshmon se gjatë
gjithë jetës së tij ka mbajtur pranë “një fletore dhe një laps për të
regjistruar përshtypjet”[2], kujtimet,
mendimet duke formuar kësisoj një lëndë “aq heterogjene sa është natyra e vetë
jetës; aq homogjene sa mund të jetë mendimi i një mërgimtari në shërbim të të
huajve që provojnë punën e tij”[3].
Por e gjithë kjo lëndë nuk është ende në duart e lexuesit dhe kritikës, gjë që përbën edhe një kufizim për të formuluar një mendim të përmbyllur e shterues mbi figurën e vetevetes të paraqitur nga autori. Kjo trajtesë do të përqëndrohet në dy ditaret e botuara në mënyrë fragmnentare në librin e fundit “Filozofia e bukurisë”[4]: “Ditari i përpjekjes” dhe “Ditari i mësonjësit”.
a.
Figura e
modelit të ofruar nga Luzaj
Luzaj ka lënë gjurmë të jetëshkrimit të vet gati në të
gjitha tekstet qofshin këto ese, poezi apo roman, e aq më tepër në ditarë. Në
të gjitha format e shkrimit autori është shndërruar në narrator e model
njëkohësisht. Mjafton të përmendim romanin Lumenjtë
rrjedhin të kuq(1954), ku herë pas here kemi ndërfutje në tekst të ditarëve
realë të autorit si dhe informacion mbi ngjarjet e luftës në Shqipëri. Romani,
i pazakonshëm për kohën e shkrimit, dëshmon për vetëdijen e lartë subjektive të
autorit e paaftësinë e vendosjes së një distance mes vetes dhe personazhit të
romanit, apo jetës personale dhe jetës së personazhit. Romani, poezitë, esetë
përbëjnë në vetvete një vazhdë të autobiografisë së autorit. Nëse në ditarë
autori ndërton boshtin e ngjarjeve të mbërthyera në data, në poezi, roman e ese
ndërton anën tjetër të jetës së tij, atë shpirtërore, kulturore, gjithë fuqitë
krijuese e mendore. Po të shprehemi me termat luzajanë, ky korpus përbën Esencën e Luzajt, ndërsa ditarët Ekzistencën. Në shumë raste poezitë janë
shkruar pas një ngjarje jetësore dhe e rrëfejnë emocionalisht duke shërbyer
kësisoj si material autobiografik. Kështu në poezinë: “Kohë turpi”, që dëshmon për gjyqin mbi librin e parë të autorit:
Në Korçë u hap gjyqi i zi,
Prapë goxha ceremoni,
S’u lejua gazetari,
protestoi Gjergj Bubani:
“Kjo nuk është drejtësi
Gjykohet një djalë i ri,
Përse shkruajti poezi
Të pa faj, pa ligësi
Posi një ëndërr behari!”,
e shumë të tjera.
Kësisoj për të zbuluar Luzajn dhe jetën e tij me të
gjitha dimensionet, ndihmojnë po njëlloj si ditarët ashtu edhe krijimtaria.
Luzaj e ndërton vetveten duke përdorur shprehitë e
përunjësisë së profetit. Ditarët janë ndërtuar hem si dëshmi të
mbushura me informacion ngjarjesh e njerëzish, hem si përpjekje për të ndërtuar
mitin e vetvetes.
Në Ditarin e
përpjekjes ose siç e emërton Në
shërbim të Shqipërisë, autori e ndërton personazhin-model që në titull si
shërbyes të devotshëm, duke i mëshuar shenjtërimit si njeri, i cili i është
përkushtuar tërësisht çështjes së Atdheut. Introduksioni i ndërtuar me kodet e
ligjërimit poetik, gjakon të ngjallë emocionin e lexuesit për një njeri të
pazakontë që ia ka kushtuar jetën idealeve të larta. Prezantimi i vetvetes me
binomet antonimikë të pjesoreve: burgosur/admiruar:
dënuar/admiruar[5] përbëjnë
skajet e ndërtimit të figurës mitike si figura paralele të Krishtit, Budës,
Konfucit etj; të cilët u dënuan nga shoqëria në një periudhë të caktuar të
jetës së tyre dhe u admiruan më pas në përjetësi. Autori vijëzon kësisoj
kornizën ku do të përshkruajë modelin. Përunjësia është në disa raste parakusht
vlerësimi e jo rrjedhojë përshkrimi, si:
“Në mes të më se gjurmë kuintali dorëshkrimesh diçka do
të ketë qenë që të vlente për shoqërinë e gjorë shqiptare.”[6]
Vetëvlerësimi trasmetohet tek lexuesi nëpërmjet
emocionit, me qëllimshmëri të paracaktuar; lexuesi vendoset para faktit që ka
të bëjë me një figurë të rëndësishme që i është përkushtuar Atdheut dhe që ka
bërë një jetë interesante, “si një stuhi e fërtunë që fillon që në agim të parë
e vazhdon gjer në perëndim të diellit”. Sipas autorit është sinqeriteti ai që e ka gozhduar në
kryqin e kohës dhe mosrënia në
kompromis me ndërgjegjen. Ky prezantim është ftesë për të njohur një hero, të
cilin “armiqtë e kanë admiruar dhe miqtë e kanë larguar” dhe që ka qenë “një
ushtar në shërbim të Shqipërisë”. Personazhi i krijuar është në antitezë me
shoqërinë dhe në luftë mes konformizmit dhe idealit. Që në fillesë Luzaj i njeh
vetes disa tipare që karakterizojnë profetin[7]:
- Sinqeritetin, të lidhur me drejtësinë, thënien e së vërtetës, si tiparin thelbësor
të karakterit të tij, që shërben dhe si bazë mbështetëse për besueshmërinë e
ditarëve dhe kujtimeve. Me armën e “së vërtetës lakuriqe, të gjallë e pa stoli”
autori dëshmon vlefshmërinë e punës së tij, e cila kësisoj vlerësohet, a
priori, si një shërbim ndaj Atdheut. Kjo dashuri për të vërtetën, sipas Luzajt
është dashuria më fisnike. “Dashnorët më të shquar të kësaj dashurie DESCARTES,
LOCKE, LEIBNITZ, BERKLEY, HUME, KANT i dhanë dritë qytetërimit. Pas Zotit vjen
e vërteta e, vetëm kjo i afron njerëzit me Zotin.”[8] Nisur nga vetia
personale, e ngritur spirale deri tek mendimtarët më të mëdhenj të kohërave e
drejt Zotit, lartohet figura e modelit të njeriut të drejtë, që përbën bazën e
vlerave njerëzore.
- Guximin, vendosmërinë,
këmbënguljen, që ia njeh vetes si tipar në shumë rrethana historike të
përmendura vijueshmërisht në ditar, si p.sh. pas përplasjes me kuestorin
italian, Salvonin, ku qëndrimi i mbajtur dhe fjalët e thëna përafrojnë me
shprehitë e një heroi: “Sa për kërcënimin më bëni të qesh. Shqiptari frikën s’e
njeh e, fjala frikë që s’është shqip, s’ka ekzistuar në fjalorin tonë.”[9] Në modelin e
synuar, Luzaj i njeh vetes këmbënguljen për punën dhe studimin, si një tipar që
nxjerr në dritë edhe “një mendje mesatare si e imja”, shprehet me një modesti
të qëllimtë, meqenëse është vendosur në përmbyllje të rrëfimit të një ngjarje
në universitetin e Sorbonës me prof. Andre Lalande[10].
- Ndershmërinë, kuptuar si vetëpërmbajtje dhe si në marrëdhënie korrekte me njerëzit e sidomos
me gjininë femërore. Miqësia me Anetta Tribiolin, ndihmon në shfaqen e një ane
tjetër të karakterit të modelit; krahasimi i marrëdhënies së tyre me atë të
Krishtit me Marien, synon përafrimin e modelit me profetin: “Adhurimi është ajo
ndjenjë transhedentale që fillon me admirim, respekt, nderim kundrejt personës
së adhuruar derisa bindemi që ajo është diç superiore nga vetja jonë, diç më e
mirë...si përpara figurës së bukur të Marijes.”[11]
Nëse do të shtohej edhe maturia si virtyt, do të kishim plotësimin e katër virtyteve
kryesore të njeriut, në të cilat besojnë gati të gjitha besimet. Autori nuk ia
njeh vetes sjelljen e matur dhe në përshkrimet e viteve të rinisë pohon rrëmbimin dhe mospërmbajtjen, si shenja të karakterit energjik, të cilat më vonë
është përpjekur t’i riparojë për të arritur paqen shpirtërore.
Po ashtu dëshmon luftën e brendshme shumëvjeçare për të
mundur hakmarrjen e zemërimin si të meta karakteri, luftën për të falur armikun, duke dashur të vishet me vetinë më të lartë
karakterizuese të shenjtorëve, atë të Faljes.
Kështu tek Përtej së mirës e së ligës
shkruan: “...kur mendoj që shoku im i pjesës më të mirë të jetës, me të cilin
kam harxhuar net, stinë dhe vite duke kërkuar udhë shpëtimi; me të cilin kam
thyer bukën në sofrën time, miku, shoku, vëllai që fjeti në shtratin tim, kur
qe nevoja emergjente:[...] ai shok, kur u ngjit në fron tirani e dënoi fëmijën
tim të vdesë urie në punë të detyruar në kanale e këneta. Kur mendoj që po ta
kisha në dorë jetën e tij, do ta falja, duke iu lutur të largohej nga sytë e
mi, atëherë jam i sigurt që kam arritur zonën e lartë të NIRVANËS: përtej së
mirës e së ligës.”[12]
Po cilat janë rrugët nëpërmjet të cilave Luzaj arrin të
ndërtojë modelin e vetvetes:
Së pari, personazhi
model në ditarë ka gjithnjë vetëdijen për
qëllimet e larta dhe ideale të shenjta, “Mendova që mund t’i shërbeja më
shumë vendit duke mos e zbrazur këtë radhë, sesa duke e zbrazur;... e kisha
marrë me qëllim patriotik, por jo nga frika... ” apo më tej: “tani s’më duhet
më arma: kam shkollën, kam 52 burra për t’i bërë njerëz.[13]” ose: “Ah, sa mirë
e shpjegoja historinë komëbëtare në burg, si nuk e kam shpjeguar kurrë në jetën
timë! Me sa entuziazëm, me sa shpirtësim, me sa gjallëri!”; “Në shërbim të
Shqipërisë me anë të së vërtetës, të guximit, të therorisë”[14]; “Më kanë mbajtur
rob me zinxhirë të hekurt: dashuria për atdhe, dëshmorët e kombit dhe Ideali,
arsyeja e jetës sime, ai Ideal që as u realizuar dhe as do të realizohet në
shekullin e ardhshëm”[15].
(...)
Studimi i plotë në Haemus Plus 2017-'20
[1] Faksimile e listës së plotë e dorëshkrimeve të autorit, të shkruara
me dorën e Isuf Luzajt dhe të vulosura pre tij, në të cilën deklaron se ka 93
vëllime në arkivin e tij personal, të cilat ia lë në besim për t’i botuar
shkrimtarit Xhevat Beqaraj; Arkivi i Isuf
Luzajt.
[2] Isuf Luzaj,
Filozofia e bukurisë, fq. 158-159.
[3] Po aty.
[4] Isuf Luzaj,
Filozofia e bukurisw, vep.cit.
[5] Isuf Luzaj
tek Filozofia e Bukurisë, vep. cit.,
fq. 17, shprehet: “Burgosur prek gjindarmëvet të Zogut gjatë regjimit zogist,
admiruar prej magjistratëvet të Zogut gjatë pushtimit Italian: burgosur prej
policisë italiane gjatë okupacionit, admiruar prej magjistratëvet të Italisë
gjatë emigracionit: dënuar prej komuniztevet gjatë luftës vëllazërore, admiruar
prej tyre në kohën e pas luftës.”
[6] Po aty.
[7] Katër janë
vetitë kryesore pozitive të njeriut të përshkruara si në Bibël ashtu dhe në Kuran:
maturia, drejtësia, vendosmëria,vetëpërmbjatja.
[8] Isuf Luzaj,
Filozofia e bukurisë, vep.cit.,fq.21.
[9] Po aty,
fq.26.
[10] Po aty,
fq.156.
[11] Po aty,
fq.80.
[12] Isuf Luzaj,
Përtej së mirës e së ligës, vep.
cit.,fq. 52.
[13] Isuf Luzaj,
Filozofia e Bukurisë, vep. cit.,
fq.29.
[14] Po aty, fq.
21.
[15] Po aty, fq. 110.