Veprimtaria
letrare artistike në Shkodër i ka burimet e hershme dhe është zhvilluar disi e
veçantë në trungun e letersisë kombëtare, duke i dhënë një kontribut të
ndjeshëm asaj. Siç dihet, Çabej, në përpjekje për të nxjerrë konkluzione sa më
të sakta në studimin e letërsisë sonë, në veprën e tij “Për gjenezën e
literatyrës shqipe”, botuar në vitet 1938-1939 në disa numra të “Hyllit të
Dritës” 1), e klasifikoi atë në katër qarqe kulturore e letrare, njëri prej të
cilëve, ai i pari, është “Qarku katholik i Shqipërisë Veriore”.
Ernest Koliqi,
duke ecur në gjurmët e Çabejt në lidhje me një klasifikim të tillë, studioi më
tej zhvillimet letrare të këtij qarku në punimin e tij “Dy shkollat letrare
shkodrane”, “të cilin autori filloi ta botojë në gazetën “L’ Albanie libre” që
nga viti 1954, për të vazhduar herë mbas here deri më 1961. Çështjes iu kthye
përsëri më 1973, në një shkrim të botuar një vit para vdekjes në revistën
“Shejzat”, ku ndriçoi dhe e pasuroi çështjen edhe me disa ide e vlerësime të
rëndësishme” 2).
Në këtë studim, që
u botua për herë të parë si vëllim më vete nën kujdesin e H. Hasanit, në
Prishtinë, në v. 1998, Koliqi përvijon dy shkolla a rryma letrare shkodrane,
“sejcila me theorina të caktueme të veta” 3), atë të jezuitëve dhe atë të
franceskanëve. “Dy shkollat shkodrane, ka shkruar Koliqi, i dhanë nji kontribut
të madh letërsisë kombtare... Shkolla e Jezuitëve solli në letërsi kombtare
dishiplinën e artit, kultin e trajtës, kërkesën e fjalëve të rralla e të
çmueshme ndër teksta të vjetër dhe në fjalorë. Në zgjedhjen e përmbajtjes u
frymëzue nga parime të nalta morale e qytetare edhe nga idealet e bukuris
klasike. Shkolla e Françeskajvet i hapi dyert e letërsisë s’onë visarit
shprehës populluer, i fali tharmin e krenis shqiptare, gjuhën e ndiesive
burrnore e fisnike të maleve. Landën letrare e nxori nga jeta e mbarë Shqipnis,
sidomos nga ajo e popullit ma të thjeshtë e ma pak të prekun nga influkset e
hueja.”.
Në shkollën
letrare të jezuitëve, Koliqi ka ravijëzuar profilet letrare të Anton Xanonit,
Kolë Thaçit, Ndre Mjedjes, Luigj Gurakuqit; në shkollën letrare të
françeskanve, arbëreshin At Leonardo De Martinin, Fishtën, Gjeçovin, Bernardin
Palajn, Marin Sirdanin, Vinçenz Prendushin, Anton Harapin, Justin Rrotën.
Në kapitullin e
fundit “Fryti i dy shkollave shkodrane”, Koliqi ka theksuar faktin e unjësimit
të dy rrymave letrare në një lum të përbashkët: “Të dyja rrymbat u derdhen në
nji amë, në breznin letrare trashiguese. Lavrimi i gjuhës, mbledhja e
shprehjeve nga goja e popullit, përpjekjet e parreshtuna stilistike, shembujt e
letërsive të hueja, influksi i trajtave ma moderne ia thyen ashpersit edhe
lakuen mjetin letrar në mënyrë qi çdo argument mund të zhvillohet sot pa
vishtirësi.”. Si dëshmi që “gjuha shqipe ka mundësin m’u përdorun në regjistrat
ma të ndryshëm si çdo gjuhë tjetër”, Koliqi sjell suksesin e padiskutueshëm të
përkthimeve nga veprat e letërsive klasike greke e romake, Iliada, Odiseja,
Eneida, prej përkthyesve Henrrik Laca, Pashko Gjeçi dhe Frano Alkaj.
Në fushën e
letërsisë origjinale ka cituar dy pjesë të shkurta poetike nga Dom Ndre Zadeja
dhe Ndoc Vasija, “në të cilat mjeshtrija e stilit pa humbun pastrinë e gjuhës
dhe tue u ndejun në cak normave ma të shtrëngueshme t’artit letrar, arrin në
nji natyrshmëni e në nji përsosje shprehëse krejt moderne.”.
***
Çka ndodhi gjatë
viteve të diktaturës me shkrimtarët dhe letërsinë e kultivuar në këtë qark
letrar, degën më të frytshme të atij trungu lisor që ne e quajmë letërsi
kombëtare? Letërsia dhe gjuha e kultivuar prej saj u mohuan pothuajse
plotësisht dhe shkrimtarët, klerikët dhe intelektualët e përgatitur në shkollat
perëndimore, që kishin gdhendur emrat e tyre në letrat shqipe: At Anton Harapi,
Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Gjon Gazulli, dhe ma të rinjtë: Qemal
Draqini, Mark Çuni etj, u eleminuan fizikisht pas torturash të papërshkrueshme.
U përshkuen nëpër
burgje e kampe pune të detyrueshme: Dom Nikollë Mazreku, At Zef Pllumi, At
Viktor Volaj, Gjon Shllaku, Mark Dema, Guljelm Deda, Arshi Pipa, Sami Repishti,
Zef Zorba, Ernest Perdoda, Tefë Krroqi, Sandër Gera, që e vazhduan ngasjen e
letrave gjatë viteve të burgjeve e kampeve, dhe edhe mbasi u liruan. Veprat e
këtyre disidentëve të heshtur filluan të botohen mbas përmbysjes së regjimit
komunist. Një rast i veçantë është ai i Sandër Gerës, i cili, veç librave të
botuar në hullitë e realizmit socialist, ka shkruar edhe mjaft vepra të tjera,
që ai i përmblidhte në një titull të përgjithshëm “Kangët e nëndheshme”. Në
heshtje, në gegënishten letrare kanë shkruar edhe poeti, shkimtari e kritiku i
talentuar Primo Shllaku dhe shkruesi i këtyne radhëve.
Në diasporë,
Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Sami Repishti, Karl Gurakuqi, Athanas
Gegaj, Anton Logoreci, dhanë një kontribut të paçmueshëm, tue i qëndrue besnikë
gjuhës, letërsisë dhe, në përgjithësi, kulturës gege, të dënuar në atdhe me
vdekje nga çmenduria kriminale absurde e diktaturës dhe veglave qorre të saj.
Mjerisht, nuk kemi të dhëna për veprimtarinë e përkthyesit shumë të talentuar
të dy kangëve të “Iliadës”, Frano Alkaj.
Në atdhe, gjatë viteve
të diktaturës, vazhduan punën si përkthyes të angazhuar nga institucionet
përkatëse shtetërore Henrik Laca dhe Pashko Gjeçi.
Në “letërsinë e
partisë” punuan dramaturgët Kolë Jakova, Fadil Kraja, poeti Llazar Siliqi, e
ndonjë tjetër. Të gjithë personalitetet e tjera letrare, që lindën dhe u rritën
në kohën e diktaturës shtjelluan talentin e tyre në dialektin toskë, që filloi
të imponohet që në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist dhe u
shndërrua, nëpërmjet të një Kongresi ku mungoi plotësisht fjala e lirë, në një
të ashtuquajtur “gjuhë të njësuar” të detyrueshme me ligj, edhe pse koha për
një gjë të tillë të rëndësisë së dorës së parë kombëtare nuk qe pjekur ende,
siç e kanë pohuar gjuhëtarët e mëdhenj e të ndershëm Xhuvani e Çabej.
Cila do të jetë e
ardhshmja e gegënishtes letrare? A mund të pranohet një e ardhme mbi të cilën
të randojë pesha e pafalshme e sakrilegjit të mohimit. Breznitë e ardhshme nuk
kanë për ta pranuar kurrë këtë verdikt. Dhe nuk ka për ta pranuar as vetë gjuha
shqipe, që si një “organizëm i gjallë” ecën, jeton dhe do të jetojë.
Që nga viti 1991,
janë bërë propozime nga më të ndryshmet për të shmangur gabimet që u bënë në
Kongresin e vitit 1972, nën diktatin e politikës. Sot që standardi gjuhësor
është bërë një realitet afër 40-vjeçar, rruga më e drejtë, nëse përmendim
problemet më të rëndësishme, do të ishte pranimi në gjirin e tij i parimit të
dysive në përdorimin paralel të diftongut “ue” krahas diftongut “ua”, përdorimi
i nazalizmit krahas rotacizmit, futja në përdorim e paskajores. Veç kësaj,
kërkohet si nevojë e domosdoshme kultivimi letrar në një gegënishte sa më afër
gjuhës së përbashkët.
Me që shqipja nuk
e ka arritur ende pjekurinë e plotë për një standard të unjësuar plotësisht,
siç kanë qenë të mendimit Xhuvani dhe Çabej, po vë në dukje këtu edhe qëndrimin
e argummentuar letrarisht të Pipës: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh
asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’Europë,
asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije,
kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij.” Dhe në nji rast tjetër:
“Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë
fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm.”
Koha do të bëjë punën
e vet dhe do ta pjekë momentin optimal të krijimit të një standardi të
përbashkët, vertet të përbashkët, shkencorisht të pranuar e të kënaqshëm për
gjithë kombin. Por kjo i takon së ardhmes; nji të ardhmeje jo të largët, mendoj
unë, kur kjo periudhë kalimtare në rrugën drejt lirisë, demokracisë dhe
bashkimit kombëtar do të bahet e tashme.
***
Një dukuri krejt
të veçantë në hullitë e letërsisë shkodrane e përbën poeti Ferik Ferra, i
lindur në Krujë dhe banues në Tiranë. Feriku e ka njohur mirë dhe vlerësuar
ndihmesën e vyer në fushën e letrave të “Qarkut katholik të Shqipërsë Veriore”.
Duke folur për Fishtën 4), ai është shprehur: “Vepra letrare e Fishtës është
kurorëzimi i përpjekjeve katërqinvjeçare të letërsisë sonë të Veriut që niste
nga Buzuku dhe vinte deri te Rilindja”.
Poezia e Ferik
Ferrës e nisi rrugëtimin e saj pikërisht duke u nisur nga shkolla letrare
shkodrane. Të gjitha elemetet që përbëjnë poezinë, motivet, kumtet, gjuha,
lloji, forma, etj. E kanë burimin atje. Atje është pasqyruar, që në krye të
kresë, “nga u nisën vargjet”: nga Shkodra si gjuhë, si natyrë, si histori, si
personalitete, si traditë, si mitologji, si legjendë, si kulturë, si folklorë,
si letërsi, si stilistikë, si metrikë, etj.. Shkurt, nga Shkodra si lëndë dhe
si shpirt.
Poezia e Ferrës jo
vetëm ka ecur në gjurmët e letërsisë shkodrane, por edhe është ripërtrirë e
freskët, e gjallë, e re deri në modernitet. Edhe kur ajo filloi të shkruhej në
gjuhë të njësuar, vazhdoi ta ruante dimensionin shkodran.
Tek vargjet e
Ferrës dëshmohet, para së gjithash, ajo çka e spikat Veriun, trojet ku u
mpiksën legjendat e kreshnikëve dhe doket jetësore të shqiptarit, pasqyra e
gjallë e një shpirti të fisëm, tejet të pasur dhe veçanërisht origjinal, dëshmi
e përjetshme e qenësisë sonë etnike, e identitetit të kësaj qenësie, dhe
shëmbëlltyrë gjenuine para botës. Edhe pse:
“Revanin mësyjnë n’kalin e kohës shekujt,
……………………………………
Veriu mbetë
Në legjendat e Veriut”
Poeti e di mirë që
trevat malësore të Veriut kanë qenë dhe mbeten tharmi i lashtë etnik, ama ku
buron lënda shpirtërore e së ardhmes. Aty nis edhe kënga si shprehja më sublime
e atij tharmi dhe e asaj ame: “O varg që
rrjedhën nis n’kroje t’ Jutbinës!”, poetizon Feriku. Pikërisht në ujin e
kristaltë të atyre krojeve janë freskuar e kanë shuar etjen një mori
frymëzimesh si “Legjenda e Veriut”,
“Lahuta”, “Nata pa agim”, “Yjet e Jutbinës”, “Dialog në Lugjet e Verdha”,
“Drujt e natës”, “Legjenda e mortit”, etj., poezi që përjetësojnë traditën
legjendare e historike, vlerat poetike të dy shkollave letrare të Shkodrës,
duke përjetësuar edhe vargun e poetit.
Herë mbas here,
poeti i kthehet legjendës që thur lavdinë shqiptare dhe e përjetëson atë në
vargje. Poezia, “Lahuta”, megjithëse e shkruar në vitin 2002, na jep një vizion
artistik tejet përgjithësues të shpirtit legjendar dhe historik të shqiptarit.
Kjo vegël primitive, më se e thjeshtë, “lëkurë e hark”, na përcjell “zërin e
gojës së pellazgut” për të vazhduar jetën që mbin në genin ilir nga rrënja e
gurit. Në vargjet e “Lahutës”, lexuesi takohet me Mujin, Ajkunën, Gjergj Elez
Alinë, Rozafën dhe personalitete historike që u kanë dhënë lavdinë trojeve
ilire, arbërore, po edhe Romës dhe Europës. Një simbiozë përgjithësuese e të
gjitha kohëve tona legjendare e historike:
“Nuk ndalet gjaku i Gjergj Elez Alisë,
Me thundrra zhytë në gjakun e Balozit
Mejdanet nëpër kohëra i stolis.”
Mesazhe të
fuqishme me vlera gjithëkohore e gjithëkombëtare jepen përmes këtyre motiveve:
“Rozafa përmbi ujna feks kësaj nate,
...........................
“Mandej ngadalë me duert e saj të irnueme,
Të bardhët gjinj letshëm i qet prej tisit,
Që t’ia thëthijnë me et pinjojt’ e fisit.”
Me sy realist e me dhimbje të thellë
poeti ka parë realitetin e trevave të Veriut, tragjikën e jetës në malësi dhe e
ka poetizuar atë me mjeshtërinë që e karakterizon. Vasha malësore është për
poetin “motër vuejtjesh e gazit kurrnjiherë”, dhe ai i drejtohet asaj: “kuvend me fatin tand bani martina” dhe “duvakun përmbi krye ta çon martina”.
(“Vashë malësore”). Në Malësi, çdo gjë lëviz, jeta, vdekja, qielli, drita, dhe
jashtë çdo gjëje pa lëvizur mbetet vetëm prita. (“Prita”). Me nota të fuqishme
proteste demaskohet zbatimi i jashtëkohshëm i zakonit kanunor, per shkak “se në ngujimet e kohërave të reja / luan
kukaçeftas ligji”, si rrjedhim i të cilit “Në kunjin e ngujimit / vocrraku ka
varur dijen / për të mos e prekur kurrë.” (“Ngujimi”).
Historia e lavdishme luftarake e
malësorëve për mbrojtjen e trojeve, të lirisë, të traditave është bërë subjekt
për vargjet e Ferrës. Krahas Dedë Gjo Lulit, Marash Ucit, Oso Kukës, ngrihet
madhështore figura e gruas, e Norës së Kelmendit dhe e Tringës.
Poezi të veçanta u kushtohen,
gjithashtu, personaliteteve të trevës shkodrane: At Gjergj Fishtës e Dedë Gjon
Lulit (“Nata e vdekjes së dytë”); përkthyesit të “Iliadës”, Gjon Shllakut (“Në
burgun e Iliadës”); poetit Gaspër Pali (“Kangatari”); kantautorit Gac Çuni, që
vdiq tuberkoloz në burgun e Burrelit (“Kaçurrelat”), etj.
Në gjurmët e letërsisë gege ecën edhe
erotika. Poezi artistikisht të ngritura kanë lindur prej frymëzimeve të
vargjeve të këngëve popullore shkodrane. Kështu, erotika me një strukturë e
shtjellim figurativ modern “Arratisje në qiell” është frymëzuar nga vargjet: “Ulu mal të dali hëna, / mali u ul e hëna
s’duket”.
Bukuria e vashës dhe ndjenja mahnitëse
e dashurisë të veshura me një tis të tejdukshëm sensualiteti janë shkrirë në
një në poezinë “Dy copë qielli”, frymëzuar nga kënga e dikurshme dhe e
pavdekshme shkodrane: “Në zaman të asaj bukurije”. Në strukturën e një soneti,
derdhur në shprehje metaforash moderne dhe ndërthurur me elemente të muzës
shkodrane janë dhënë bukuritë femërore: shtati si selvija dhe i bardhë si bora
e Veleçikut, flokët si pendë korbi, sytë si dy copë qielli, qerpikët si krahë
dallëndyshash, buzët si karajfilat e Shkodrës.
Soneti “Natë ilire” është frymëzim i
një nate shkodrane të hershme, të pikëzuar me të gjithë përbërësit poetikë të
poezisë shkodrane të traditës: pejsazhet e mrekullueshme plot detaje të
natyrës, konkretizuar me toponimet gjeografike si Taraboshi, Liqeni,
Kështjella, gërshetuar me jehonat e lashtësive historike, që bartin përmes
simbolikës mitologjike të Rozafës mesazhin e çmueshëm të të mbajturit gjallë të
traditës përmes edukimit atdhetar të breznive të reja:
“Mbi Tarabosh shuen muzgu flakë e hire,
Në terr përzihen të butat rreze hane
E mbi liqe veç nji lundricë ardiane
Heshtjen ia përkëdhel natës ilire.
Qyteti fle i ndêm në myshqe e fire,
Lëkundet mbi shpinë të ujnave, ia kande,
Malet të ulen shesh mbi zaje rane
Presin si n’ andërr agimin e endire.
Rozafa përmbi ujna feks kësaj nate,
Lëpin me vravashka valët e prarueme,
Valët që çohen shpejt si maja shpate.
Mandej ngadalë me duert e saj t’ irnueme,
Të bardhët gjinj letshëm i qet prej tisit,
Që t’ia thëthijnë me et pinjojt’ e fisit.”
Edhe në raste të tjera hasim tablo a
fragmente tablosh natyrore të pamjeve karakteristike të qytetit, ravijëzuar me
hijeshi artistike:
“Mure, kopshte e agime,
Rrugica me pluhur
E lule mbi arkapi”
“Udhave të Kolombit”
Përveç motiveve,
në rrafshin e poezisë shkodrane përkapen dhe bile janë aq të shpeshta elemente
a topikë të botës qiellore si engjëjt dhe të asaj mitologjike, si zanat, orët,
shtojzovallet, drangojtë, etj.
Engjëjt i hasim jo
vetëm në poetikën e klerikëve si Fishtës, Mjedës, Zadejës, Shantojës, etj., po
edhe tek poetët laikë. Ata janë karakteristikë e poezisë shkodrane. Kujtojmë
Gurakuqin:
“Era, tue shkel’ mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue lujtë
Shkonte, vet’ flejshem... Engjujt pa ba zhurmë
Zdrypshin nën krah me m’ruejtë!”
Prania e engjëjve tek Ferra është e
përhershme, që kur nisi të shkruajë poezi dhe deri tek botimet e fundit. Ja
disa shembuj: “Engjujt hapin dyert e studios hyjnore”, (nga përmbledhja e
fundit”Koha e gurit”, botim i vitit 2009, f. 31), “fluturime të tejdukshme
engjujsh”, (po aty, f. 53), “Tufa engjëjsh zbardhin qiellin” (“Flautet e
dimrit”, v. 2008, f. 19). Këto krijesa fetare, që kanë fituar një simbolikë
poetike të veçantë, janë ngjitur deri ndër tituj të poezive: “Heshtje e
tejdukshme engjujsh”, “Në petkun rozë të engjujve”.
Aq shumë hasen engjëjt në vargjet e
Ferrës sa, në një analizë të veten, Dhurata Hamzai ka shkruar: “Poeti Ferik
Ferra është një poet që këndon duke pasur përreth tufa engjëjsh, të cilët nuk
harron t’i dëshmojë edhe në vargje të tijat.”
Po aq e shpeshtë dhe e shtrirë në
gjithë kohën e vjershërimit të Ferrës, është prania e krijesave mitologjike të
trevës së malësive të Veriut, orëve, zanave, shtojzovalleve, etj. Në poezinë
“Bukuria që vret” të përmbledhjes poetike “Nata pa agim”, hasim: “Terthores malit veç nji shtojzovalle / ulet
prej kreshtash...” dhe më poshtë: “Rrëshqet me të shpejtë ajo ora e
Kelmendit”. Tek “Nata e
vdekjes së dytë”: “zanat e malit zbresin fluturimthi” (f. 45); po këtu, f. 19:
“afromi orë e zana”. Në vëllimin “Flautet e dimrit”, një poezi ka titullin:
“Zana të padukshme përrallash” (f. 43).
Me poezinë e dy
shkollave letrare shkodrane, Ferrën e lidh, gjithashtu, teknika e vjershërimit,
mjetet stilistike dhe elemnete tjera të mjeshtërisë artistike. Po biem si
shembull përdorimin e inversionit në renditjen sintaksore të gjymtyrëve të
fjalisë (“ta thurë folenë e trendafiltë deti”), përdorimin e dendur të
apostrofit (“Dy degë t’nji lumi rroken n’gji t’nji zalli”, “N’rreze t’agut
t’majit sapo çelun”); mosnumërimi si rrokje më vete i ë-s fundore të fjalëve,
aplikimin e lirive poetike, etj. “Strukturat gramatikore të gjuhës veriore, të
njohur si një gjuhë poetike... i lejojnë poetit që ai të përdorë mjeshtërisht
liritë poetike si njëri nga elemtet më funksionalë të domosdoshmërisë në
poezi”, ka shkruar studiuesi Dëfrim Cani.
Aty ku njihet dhe
vlerësohet më mirë poeti është aftësia e tij në përdorimin e gjuhës, të fjalës,
sepse gjuha është mjeti i domosdoshëm për të shprehur sa më saktë e sa më bukur
intimitetin frymëzues. Ka thënë Koliqi, një nga shkrimtarët e sofrës së parë të
përdorimit mjeshtëror të gjuhës poetike: “Shqipja asht gjuhë e pasun dhe
sqimatare. Ka në vetvete gjallni kromatike e hire muzikore ende të pazbulueme
të cilat, kur të dalin në shesh nepër lavrim të palodhun të shkrimtarve qi
ushtrojnë me vetëdije të ndritun zejen e tyne, do të jenë kënaqja e krenarija e
breznive të përtardhuna....” 5). Dhe Feriku është një nga lavruesit e palodhur
që është djersitur mbi zagnat e fjalës dhe që na është dëshmuar jo vetëm për
aftësinë njohëse të gegënishtes, po edhe për dashurinë, vlerësimin dhe nderimin
deri në admirim për te.
Aftësia për të
gjetur fjalën ku fryn ajo fshehtësi kuptimore që e ndihmon poetin të nxjerrë në
dritë atë gjendje të shqetë e të fuqishme shpirtërore emocionale, që e kapërthen
në çastet e frymëzimit, dhe atë përfytyrim vetjak ku spikasin persiatjet
filozofike dhe zdritin vizionet metafizike është ajo që i jep jetë komunikimit
me lexuesin. Pikërisht këtu, poezia e Ferrës na dëshmohet e vetëmjaftueshme në
truallin e saj gjuhësor të gegënishtes letrare.
Mbi këtë truall
gjuhësor, ai ka sendërtuar realitetet e tij poetike qysh në hapat e parë kur u
fut në udhën e vjershërimit, në vitet e hershme të 50-ës. Këtë na e ka pohuar
ai vetë me botimin në vëllimet poetike “Nata pa agim” dhe “Flautet e dimrit” të
poezive të përfshira në titullin “Të mbetura n’arkiv, Rruga nga u nis poezia”.
Edhe më vonë, kur
bëri të vetin standardin gjuhësor, ai nuk u shkëput jo vetëm nga leksiku i
gëgënishtes, po edhe nga forma gramatikore të ndryshme si pjesoret,
përcjelloret, paskajoret gege dhe, në përgjithësi, nga elemente të tjera,
stilistike, metrike, etj. që janë karakteristike për poezinë gege. Në këtë
hulli, Ferra jep një shembull të mirë pasurimi të poetikës kombëtare. Kështu,
edhe në përmbledhjen e fundit poetike “Koha e gurit”, ku janë botuar poezi të
viteve 2008-2009, ai ka aktivizuar një mori leksemash gege pak ose aspak të
njohura, dhe po ashtu ka përdorur forma gramatikore karakteristike për
gegërishten. Për më tepër, aty ka tri poezi të shkruara në këtë letrarishte:
“Sy vajzash lidhun”, “Kaçurrelat”, “Nina-nana”.
Në rrafshin e
fjalorit poetik, më vjen mbarë ta krahasoj me Koliqin. Pa i vënë vetes për
detyrë të rëndoj lexuesin me shumësinë e leksemave të përdorura, po përmend
vetëm disa të tilla, që nuk gjenden në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe,
botuar në Tiranë, në v. 1980: lundricë, cilë, terthore, perm, krajatë, pupilë,
rrahe, cijim, çurlikim, unur, të varruemt, kuqlim, burbuqe, kumë, ngulsh,
frotë, vranim, flakadan, trokamë, me konisë, letshem, unji, endire, etj.
Kështu ka ecur
poezia e Ferrës, në vazhdën e vyer e poezisë popullore të trevës së Shkodrës,
duke filluar nga eposi deri tek erotikat e ninullat, në vazhdën e poezisë së
lavrueme prej Fishtës, Mjedës, etj., e deri tek ajo e Migjenit.
Referenca dhe shënime:
1). Botuar për
herë të parë në vitin 1994, në Tiranë, nga Brikena Çabej, në një vëllim me
“Romantizmi në Europë Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare”, me
titullin: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”
2). Nga parathënia
e Anton Nikë Berishës “Ndihmesë e rëndësishme për historinë e letërsisë” në
librin e Ernest Koliqit “Dy shkollat letrare shkodrane”, f. 9
3). Ky citim dhe
citimet e tjera të Koliqit, përveç atij të fundit, janë marrë nga kjo vepër.
4). Ferik Ferra,
“Nata e vedekjes së dytë”, Shtëpia e librit “OMBRA GVG”, v. 2004, f. 123.
5). Radhonjtë e
zjarrit, Anton Nikë Berisha, “Ernest Koliqi poet dhe prozator”, Editrice-Rende,
v.
1995, f. 66.