Kur rashë ndesh për herë të parë me “Ndërhyrjet e zotit Shyti” (Dudaj, 2016) të Ardian Vehbiut, ndërsolla në mendje gjithë shqiptarët që kisha njohur me të njëjtin mbiemër. Madje jo vetëm shqiptarët, por edhe disa grekë me grepin -s në fund, Siutis. Gati vetvetiu, m’u përhi aktori Ilia Shyti. Nuk e di përse në imagjinatën time Ilia Shyti mbante gjithmonë një pardesy të gjatë gri në vjeshtë e një pallto të gjatë të zezë në dimër, me kravatën vishnje të errët, që s’e ndante asnjëherë. Ndoshta ngaqë kravata e asaj kohe ndryshonte nga kjo e sotmja, kishte më tepër identitet e sharm, pasi burrat e asaj kohe i kushtonin rëndësi të veçantë ceremonisë së nxjerrjes së saj nga dollapi ose sirtari, vendosjes së saj rreth qafës me sytë ngulimthi në pasqyrë dhe lidhjes së nyjës. Disi kështu e përfytyrova zotin Shyti të Vehbiut, veçse me flokë jo kaq të bardha, me fytyrë më të mprehtë, paksa melankolik dhe në moshë më të ndërmjetme. Pasi Vehbiu ngjan sikur enkas e ka vendosur personazhin e vet mes brezave, si një projekt intergenerational ose ndërbrezash. Z. Shyti ngjason me atë nyjën e kravatës më sipër, që lidh qafën me trupin, që mbush ullukun që ndodhet poshtë qafës, në rrëzë të saj, duke i dhënë vetësiguri, një lloj delikatese, gjestikulacion e duke shërbyer në të njëjtën kohë si litar nyjash mendimi, përsiatjeje, ligjërimi dhe arsyetimi.
Do ishte e padrejtë për z. Shyti të perceptohej si një intelektual i kollarisur, pasi në thelb ai është një figurë anarkike, një anti-konformist që nuk pajtohet me të vërtetat e shërbyera dhe intelektualizmin si fetish; dhe që shquhet për humorin e rafinuar, tonin sarkastik e të indinjuar, nuancat fataliste të dilemave të tij individuale e sociale, racionalizmin konstruktiv e dekonstruktiv dhe “gatimin” e tij filozofik. Është një libër për t’u përtypur e tretur ngadalë, pasi pasqyrimi i panoramës social-psikologjike të realitetit shqiptar në formën e shkurtër të tregimit kërkon nuhatje e teknikë të veçantë përqasjeje. Përnjëmend z. Shyti m’u bë kaq real, saqë arrita ta përfytyroj si specien më personifikuese të tipologjisë shqiptare. Krahas shokut Zylo të Dritëro Agollit dhe pararendësit të zotit Shyti, Maks Gjerazit, asnjë karakter tjetër letrar nga letërsia e mëvonshme shqipe nuk ka arritur të përfaqësojë kaq dukshëm botëkuptimin dhe gamën e gjerë të shfaqjeve dhe stereotipave të njeriut shqiptar. Madje kam ndjesinë se në një garë brenda llojit mes Maks Gjerazit dhe zotit Shyti, zoti Shyti do ketë epërsi në këndvështrim kohor.
Vehbiu me një përkushtim admirues është përkujdesur që çdo emër, fjalë, pikë, presje, pikëpresje, pauzë e një sërë detajesh të tjera të imëta për një sy të kujdesshëm, t’i kalojë një për një në vrimën e gjilpërës së tij krijuese. Në këtë prizëm, përzgjedhja e mbiemrit “Shyti” nuk ngjan të jetë një “aksident letrar”, por kryesisht një përftim racional i tiparit mbiemëror që do ngërthente gjithë tallazin social, kulturor, filozofik, politik, gjuhësor dhe letrar të shkrimtarit. Ndonëse për nga gjatësia e kapitujve libri është më afër kategorisë së tregimit, stili narrativ dhe aura e librit krijojnë qartazi një zhanër hibrid, përtej kallëpeve standarde të stileve letrare.
Z. Shyti mund të jetë një all time classic, por edhe modern times në koleksionin e letërsisë shqipe. Një lloj Doktor Gjilpëre, por edhe Mr Keuner shqiptar i Brecht-it. Është një libër që i shkon çdo stine. Në pranverë z. Shyti del shëtitje nga liqeni me librin e tij nën sqetull ose ulet në ndonjë nga kafetë jo të zhurmshme të Tiranës; në verë mund të shtriqet me plazhistët në ndonjë plazh ranor ose shkëmbor apo nudist, si tek Aventura e një Lexuesi te libri i Italo Kalvinos “Gli Amori Difficili”; në vjeshtë mund të lexojë pjesë të zgjatura nga libri i tij në festivalet e shumta letraro-artistike që gjallojnë në Tiranë; në dimër mund të udhëtojë me trenin e linjës Sofia – Bukuresht – Beograd – Shkup – Sarajevë – Zagreb me librin e tij në xhepin e madh dhe të thellë të palltos së tij të rëndë e me vështrimin meditues në peizazhin e bardhë që shtrihet përtej xhamave.
Konceptimi dhe fragmentarizimi i zotit Shyti në nëntëdhjetë e nëntë tregime të shkurtra e lehtëson lexuesin standard, por dhe atë sporadik, lexuesin e mbingarkuar, lexuesin eksperimental, lexuesin jo-besnik që livadhis me libra të tjerë paralelisht, lexuesin e përqendruar e lexuesin maniak të mos e vazhdojë librin nga pika e nisur, por të ketë liri leximi dhe të ndjekë fillin e tekave dhe huqeve të tij letrare, teksa rreket të lexojë nga e djathta në të majtë siç bëjnë arabët dhe e kundërta, ta nisë nga fundi i fillimit ose fillimi i fundit, t’i kthehet e t’i rikthehet të njëjtit tregim pasi nuk kuptoi pozicionimin e asaj pikëpresjes në fjalinë përkatëse, të sorollatet në qorrsokakët e zotit Shyti, të zbulojë se bunkeri është shpikja më e fundit e zhvillimit të teknologjisë së fortifikimeve, që personi X fitoi lotarinë jo se kishte lindur me këmishë, por se ishte zhivë nga mendja, se botuesi mund të jetë shkrimtar por shkrimtari s’mund të jetë botues, sesi kapitalizmi prodhon diktaturën e lirisë dhe si dikush që mund t’i ndodhë të izolohet në një ishull, të përzgjedhë si mjet mbijetese ushqimin e mendjes me numra telefonikë dhe emra njerëzish.
Ky tregim mbi njeriun e izoluar ishullor të Vehbiut, është ndër tregimet më të dashura për mua nga “Ndërhyrjet e zotit Shyti”. Një banor shkretan zgjedh t’i kundërvihet kulturës snobiste dhe megalomane të një kategorie lexuesish shqiptarë të vetëdeklaruar bibliofilë të thekur, por që në të vërtetë dinë vetëm të turtullisin tituj librash “selektivë” të palexuar ose të papërtypur, në vend të deklaratave pompoze zgjedh të merret me njerëzit. Në pamundësi për t’u arratisur nga vend-izolimi i tij, i cili ka formën e një ishulli, ai reflekton për nostalgjinë e për qenien njerëzore, duke këmbyer katalogun imagjinar të librave më të vlerësuar me katalogun e vyer telefonik të numrave të njerëzve. Pasi anija e shpëtimit për të që lidh ishullin me tokën janë njerëzit dhe dashuria për ta.
Pjesë shkëputur nga libri:
Z. SHYTI ZGJEDH NJË LIBËR PËR
TA MARRË NË ISHULLIN E PABANUAR
“Një gazetë kish organizuar një anketë me personalitete kryesore të penës, të cilët i ftonte të rrëfenin se ç’libër do të donin të kishin me vete, po të ngecnin gjëkundi në ndonjë ishull të pabanuar. Anketa ngjalli interes edhe në grupin tonë. “Faustin” e Goethe-s, tha njëri. “Kuranin”, ia preu tjetri; “Iliadën,” shtoi i treti, “Epin e Gilgameshit” sugjeroi i katërti, “Milosaon” i pesti, “Lahutën e malsisë” i gjashti. Dhe kështu vazhduam: njëri një manual për të mbijetuar në xhungël, një tjetër “Rrëfimet” e Shën Agustinit, një i tretë “Mendimet” e Pascal-it. U përmendën, mes të tjerësh, Faik Konica, Khalin Gibran-i dhe Marcel Proust-i; por nuk u lanë mënjanë as Pjetër Bogdani, Shekspiri, Joyce-i, Eqrem Bej Vlora, Cervantes-i dhe “Elementet” e Euklidit. Pastaj të gjithë pritën të shqiptohej z. Shyti. E përfytyrova veten të braktisur, në ishullin e pabanuar, tha ky, dhe sakaq e ndieva se do të më merrte malli për qytetërimin, ose gjithçka që përndryshe ne sot këtu e marrim si të mirëqenë. Prandaj nuk kam dyshim për ç’do të merrja me vete: LIBRIN E TELEFONAVE. Ashtu do ta kaloja ditën duke kullotur në listat emrore të atyre që i kam njohur dhe të atyre të tjerëve që nuk i kam njohur dot; në listat e bareve, të kafeve, të butikave dhe të birrarive; listat e serviseve të makinave dhe të klinikave mjekësore dhe të floktoreve; listat e sporteleve të shërbimeve publike dhe të zyrave avokatore dhe të shtypshkronjave. Në pamundësi për t’u telefonuar këtyre të gjithëve, do të shijoja thjesht pranëvënien si të librave në një bibliotekë dhe do të meditoja për mistikën e alfabetit, që na sugjeron renditje befasuese të botës, përfundoi z. Shyti”.