Vasile Andru (lexohet: Vasíle Ándru, pseudonimi letrar i Vasil Andrukoviçit; n. 22 mai 1942, Bahrinești, Rădăuți, sot Ukrainë, 22 maj 1942 - Bukuresht, 21 tetor 2016), prozator,
dijetar, eseist dhe isihast* rumun, autor, mes të
tjerash, i Nusja vjen me mbrëmjen,
Arkeologjia e dëshirave, Nata e perandorit, Kulla, Mali i kalvarit, Një
gjithësi me një dalje të vetme, Zogjtë e qiellit, Parajsa më e largët, Jetë dhe
shenjë, Terapia e fatit, Mistikë nga Karpatet, Histori dhe fshehtësi në Malin
Atos, Takime me mjeshtra e vizionarë, Isihazmi, ose mjeshtëria e qetësimit. Ka qenë anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, i European
Academy of Performing Arts dhe i disa institucioneve të tjera të rëndësishme.
Në fillim një
anekdotë. Një mësues thyen një degë shelgu para nxënësit. Pastaj i kërkon: ”Më përshkruaj çfarë bëra në këtë çast. Çfarë
bëra?” Nxënësi përgjigjet: „Thyet, me
veprime të shpejta, një degë të gjelbër”. Mësuesi e quan dembel në të
menduar, të joshur nga përshkrimet dhe të paracaktuar që të huajsohet. Nxënësi
kërkon një mënyrë tjetër për të ‚përshkruar’ gjestin e mësuesit. Ai jep shumë përgjigje
shpjeguese, por mësuesi mbetet gjithmonë i pakënaqur; më një fund, nxënësi
kupton se përgjigja e saktë do të kish qenë: të marrë (nxënësi) një degë
shelngu dhe ta thyejë.
Me një fjalë:
mund të shmanget e folura, e cila krijon realitete të dorës së dytë dhe na
largon nga thelbi. Filozofia praktike ka parapëlqyer ta kuptojë veprimin përmes
veprimit, dhe objektin përmes identifikimit me objektin, jo përmes koncepteve.
Jo me shpjegim, por me njësim. Jo me përshkrim, por me rijetim. Përtej
koncepteve. (Nuk di nëse Wittgenstein-i
ka ditur diçka për Hui Nang-un kur ky ka shkruar: „Ajo që mund të tregohet, s’mund të thuhet”). I mençuri ka synuar
gjithmonë ta verë në jetë mençurinë, jo të filozofojë rreth saj.
Për një kohë,
filozofia praktike shihej si tipar i Lindjes. Por ajo është veçanësi, siç
shohim, e një niveli të mendimit, që arrihet përmes një disipline të qetësisë,
pavarësisht nga hapësira gjeografike. Ajo është më fort një veçanësi e njeriut
jokohor, të njësuar, e njeriut të shpirtëzuar në nivele të larta. Vërtet Lindja
e ka çmuar më shumë këtë lloj njeriu dhe e ka kthyer në një ideal të kërkimeve...
Por, mes kësaj, nuk e ka përvetësuar plotësisht dhe përjashtueshëm. Vjen vërejtja:
Por janë, megjithatë, disa dallime mes
Lindjes dhe Perëndimit! Për shembull, në marrëdhënien subjekt-objekt është
vënë re se Lindja shtyn drejt njohjes përmes njësimit, shkrirjes, ndërsa Perëndimi
mjaftohet me dallimin.
Një ecuri e
optimizimit njerëzor ruan sidomos pikëtakimin mes shpirtrave. Ai që praktikon
optimizimin fiton perspektivën e pikëtakimit. Çdo dallim Lindje-Perëndim zhduket
gjatë praktikës. Vetëm një perspektivë didaktike, teorike, e historizuar, ndan
mënjanë dallimet, dhe atëhere arrihet në laguna kulturore dhe paragjykime
etnike. Mbajtja shënim e dallimeve nxjerr në pah mangësitë e praktikës dhe dobësitë
e teorisë.
Në rrafshin e përmbushjes
apo të Përsosjes shpirtërore nuk ka pasur kurrë dallime të mëdha, pavarësisht në
ç’sistem kulturor rritej njëri apo tjetri.
Në mungesë të përmbushjes,
shfaqen dallimet. Kësisoj, Evropa njihet si praktikuese e mendimit dyskajor (bi-polar),
që e ndan subjekt-objektin gjatë njohjes.
Sot vihet re se në
mendimin evropian po kryhen disa ‚ndreqje’. Alan
Watts-i shkruan se tek perëndimorët është
zhvilluar mendimi relativist. Po shtojmë se ka fituar mjaft truall mendimi
i ‚dorës së majtë’, mendimi sipas kategorive dionisiake. Sot një perëndimor nuk
befasohet prej një parim të tipit ‚rrjepu
(zhvoshku / zhvishu) nga e menduara’. Ky parim nuk minon kultin e të
menduarit, siç mund të duket, por e forcon atë. Ai të këshillon t’i shkatërrosh
kushtëzimet mendore dhe shqisore, për të fituar freskinë e përftimit dhe qartësinë
e gjykimit.
Ch. Humphreys shprehet
se njeriu mund të shpëtojë nga çdo armik
dhe nga çdo shqetësim: „e vetmja gjë të cilën njeriu s’mund ta shmangë gjithë
jetën është ideja e paragjykuar”. Të rripesh (zhvoshkesh / zhvishesh) nga e
menduara domethënë të luftosh kundër
zhurmës parazitare mendore, me paragjykimet, me automatizmat psikikë. Të
luftosh me stereotipitë e mendimit, me një mekanikë verbale, me gjurmët e
hershme apo të freskëta që kanë mbetur në psikikë. Të arrish të kesh, më në
fund, një ekran mendor të pastër, ku të projektohet një rrjet i pasur dijesh e
të dhënash.
Mund të shihet
se Rumania nuk e ka përjetuar betejën mes dy skajeve të kulturës (skaji Lindje
dhe skaji Perëndim). Mbase ngaqë ajo ndodhet, gjeografikisht e shpirtërisht,
mes Perëndimit dhe Lindjes; njëri nga ujqit tanë etnogjenë është latin, tjetri
– aziatik...
Tjetër shkak i
mungesës së konfliktit është një lloj pranimi, i heshtur dhe i fortë, i një
gare përmirësimi, përherë të rrezikuar nga etja për çlodhje, përherë e rinisur
nga etja për të qënë.
Shekulli XXI do
të jetë një shekull i kërkimit të qartësisë së plotë mendore. Kështu njeriu do
t’u japë një kuptim sprovave apokaliptike që do t’ia kërcënojnë eksistencën në
Tokë.
* Praktikues i Oratio Mentis, ose Lutja e Zemrës, Lutja e Jezusit (Κύριε Ιησού Χριστέ, Υιέ Θεού, ελέησόν με τον αμαρτωλόν / Zoti Jisu Krisht, Biri i
Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin). Isihia
rrjedh nga isychia – qetësim, gr.