Para se të
nisim shtjellimin e temës sonë, është e domosdoshme të trajtojmë në vija të
përgjithshme mendimin shkencor të gjithëpranuar mbi dukurinë e moderninetit në
art e në letërsi. Vetëkuptohet që këto faqe s’janë tjetër veçse një përpjekje
për të sjellë thelbin e kësaj dukurie, zbuluar e përgjithësuar prej kaq e kaq
studiuesish të huaj.
Me qëllimin e
përvijimit të një ideje më konkrete se ç’nënkupton në vetvete modernizmi si koncept dhe çfarë përfaqëson
si lëvizje në mendësinë botërore, në kulturë, teknologji dhe në psikologjinë e
përgjithshme shoqërore, duhet të rikthehemi në kohë, për të këqyrur gjenezën
dhe faktorët përbërës nga të cilët u formua kjo lëvizje. Modernizmi lindi si
një term me anë të cilit fillimisht tregohej prodhimi arkitektonik. Më tej ky
term do të fitonte terren në shumë fusha të rëndësishme të veprimtarisë
njerëzore; me modernizëm do të
cilësohej edhe arti i ri figurativ që u zhvillua në Spanjë, veçanërisht në
Katalonjë me përfaqësuesit e tij Gaudi, Puig Cadafalch. “Gjatë njëqind e pesëdhjetë vjetëve të
fundit, terma të tillë si “ modern”, “modernitet” dhe së fundit “modernizëm”,
si dhe një numër nocionesh që lidhen me to, janë përdorur në kontekste
artistike apo letrare për të përcjellë kuptimin gjithnjë e më të mprehtë të
relativizmit historik, i cili në vetvete është një formë e kritikës së traditës
”[1].
Fjalën
“modernitet” e ndeshim për herë të parë, tek Shatobriandi më 1849, por nuk mund
të lihet pa u përmendur fakti se këtë term e hasim edhe në një diskutim të
Bodlerit mbi artin bashkëkohor. Në Gjermani, në fillim të vitit 1887, termi modernitet bëhet një parullë e
shkrimtarëve, që sot klasifikohen si natyralistë. Gjithmonë ka qëne e vështirë
të datohet me përpikmëri shfaqja e një koncepti, aq më tepër kur koncepti në
shqyrtim ka qenë gjatë gjithë historisë së tij kaq i ndërlikuar dhe kaq i aftë
për të mbjellë mospajtime sa koncepti i “modernitetit”. Megjithatë dihet se
ideja e modernitetit mund të konceptohet vetëm e brendashkruar në kornizën e
një vetëdije të caktuar për kohën, pra, të kohës historike, lineare dhe të
pakthyeshme, që rrjedh pandalshëm përpara. Moderniteti si nocion do të qe
ndoshta krejt i pakuptimtë për një shoqëri, e cila nuk pranon konceptin kohor –
të rrjedhës së njëtrajtshme e të përshkallëzuara të historisë, ku
bashkërendohen kategoritë e kohës bazuar në një model mitik dhe
gjithpërtëritës. “Megjithëse ideja e modernitetit është e lidhur pothuaj
vetvetiu me shekullarizmin, elementi përbërës kryesor i saj është ndjenja e
kohës së pakthyeshme, dhe ky element nuk do të thotë se nuk përputhet me nocionin Ëeltanschauung, qoftë edhe kur lidhet me
pikëpamjen eskatologjike judeo – kristiane të historisë”[2]. Në
këtë mënyrë shpjegohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë hipoteza në të cilën,
debatet rrahin rreth mendimit se edhe pse nuk ishte aspak e pranishme në botën
e lashtësisë pagane, koncepti mbi modernitetin lindi gjatë Mesjetës së
krishterë. Pikërisht gjatë Mesjetës fjala modernus,
si ndajfolje dhe emër, u formua prej ndajfoljes modo që do të thotë “ e kohëve të fundit, pikërisht tani”. Në
pikëpamjen e studiuesit britanik Anthony Giddens mbi këtë dukuri, me anë të së
cilës shenjohet bashkohësia, shpaloset ideja se përpos kësaj “moderniteti
drejtohet thelbësisht kah e ardhmja, në mënyrë të tillë që e ardhmja gëzon
gjendjen e modelimit kundërshtues”[3].
Në letërsi
nëpërmjet këtij termi letrar do të përfaqësohej përvoja letrare e poetëve dhe
prozatorëve të gjuhës spanjolle dhe portugeze
e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Studiuesit e
modernizmit, pas realizimit të një sërë studimesh dhe debatesh të shumta mbi
formën e lindjes dhe përhapjes së kësaj rryme në mbarë botën, kanë arritur në
përfundimin se babai i modernizimit mendohet të jetë R. Dario, që, veç të
tjerash, solli edhe risi leksikore dhe sintaksore në gjuhën dhe letërsinë
spanjolle. Esteti i njohur Th. Ë.
Adorno, i përmbahej mendimit se modernizmi para së gjithash është emancipimi
historik i harmonisë si një ideal. Këtë qëndrim të tij për modernizmin, Adorno
e mbështeste në tre koncepte bazë të cilat kanë të bëjnë me:
- Abstraksionin
- Disonancën
- Të renë (në art dhe kulturë)
(Vijon në Revistë)