Dy fjalë për lirikën e Mitrush Kutelit

 Akad. Kopi Kyçyku


Në fillim të viteve 2000 përktheva në rumanisht tri nga prozat e njohura të Mitrush Kutelit (Lumi i madh, Xha Brahua i Shkumbanores dhe Pranverë në Transilvani, që u përfshinë në antologjinë „Bukuria që vret” (Librarium Haemus, Bukuresht, 2006) bashkë me proza të zgjedhura nga shtatë klasikë të tjerë të letrave shqipe. Nga të dhënat e shtypit kulturor rumun të asaj kohe, del se Kuteli, - që pat jetuar vite me radhë në Rumani, - ishte një zbulim dhe një vegim për lexuesin e zgjedhur dhe kritikën rumune. Një prozator që kujtonte tërthorazi prozën më të mirë të Ion Creangă-s (Amintiri din copilărie), por jo si ndikim. Ishte më fort aftësia dhe dhuntia e Kutelit për t’u ushqyer e rifreskuar mënyrat popullore të rrefimit ballkanik, por tashmë të vendosura mbi një kulturë moderne tejet të pasur dhe në një hap me kohën. Kritika nxori në pah thelbin poetik të shumicës së rrëfimeve kuteliane. Përmes Revistës Haemus, themeluar në vitin 1998, vijuam të bënim sadopak të njohur edhe lirikën e Kutelit. Nuk kam parasysh këtu lirikën e tipit nolian, me ritme marshesh e kushtrimesh dhe me tragjizëm gati shekspirian. Dua të them dy fjalë për lirikën shpirtërore, në mund ta quajmë kështu, e cila, gjatë kohës së diktaturës së proletariatit, qarkullonte nën dorë dhe gojarisht, ndër lexues që nuk ishin shformuar nga realizmi socialist i të lexuarit të letërsisë. 

Po të shohim me vëmendje ato pak lirika tashmë të njohura të Kutelit, do të zbulojmë një un poetik që njeh me rrënjë:

- poezinë popullore, toskërisht e gegnisht (Kuteli mblodhi e botoi, veç vargje mbi gurë varresh, edhe Këngë e brithma nga qyteti i djegur),

- poezinë moderne shqipe (në radhë të parë Nolin e Lasgushin, të cilëve u botoi nga një përmbledhje poezish),

si dhe poezinë më të mirë rumune e evropiane.

Njëherazi, ky un poetik njeh thellësisht edhe poezinë e zgjedhur të shkruar në rusisht, që nga Pushkini e Shevçenko e deri tek Jesenini. Dhe është një un që, ndonëse shkëlqen si prozator, kritik e shqipërues, ka vetëdijën e të qënit edhe poet, shprehur qartë në vargun Unë, Mitrushi, poet shqiptar). 

Mendoj se ajo që e shquan qartë poezinë e Kutelit nga mjeshtrat prej të cilëve ka mësuar dhe falë veprave të të cilëve është formuar e përsosur, mbetet çiltërsia. Për shembull, tek Më di a nuk më di”, hasim vargjet:

 

Më di a nuk më di se qaj,

më di a nuk më di se vuaj

në orët e thella të natës,

kur ngrihem i çmendur të shkruaj

me gjakun e zemrës të shkruaj.

 

Poeti shkruan me gjakun e zemrës, jo me bojë. Dhe nuk ngurron ta thotë këtë hapur, thjesht, si në një bisedë të zakonshme. Ai nuk ndruhet se mos tingëllon patetik. Sepse nuk shtiret. 

Tek „Bie shi”, vuajtjet e poetit na përcillen edhe më qartë. Ai shkruan në një hapësirë:

 

ku ndjehem nga jeta i huaj,

nga vendi i lemjes* i huaj. 

Bie një shi „i qetë”, por që „e bluan dhe e vret”. Në një gjendje të tillë, poeti arrin caqet e një dëshpërimi njëherazi migjenian e lasgushian, por që i dhurohet lexuesit me çiltërsinë e një rrëfimi para vdekjes. Një rrëfim që nuk kërkon shpërblim:

 

Të duash të mos jesh njeri,

Dhe gurëve t’u kesh zili,-

Se gurët s’vuajn’ kur bje shi 

Lirika e Kutelit përdor një figuracion të thjeshtë e të kapshëm. Lënda poetike vepron si një metaforë më vete, duke ia nënshtruar fjalët vizionit të shkëndijës së parme të shkrimit. Edhe kur përdor një tjetër qënie njerëzore si përcjellëse të kumtit artistik, estetik e letrar (gruan e panjohur me emrin Adriana, Mëmën, së cilës i shkruan nga burgu, apo Bashkëshorten, së cilës i lutet të mos e presë më) gjuha e Kutelit i përshtatet në çast secilit lexues dhe krijon një urë bashkëbisedimi të fshehtë, shpirtëror. Ato që të beson autori nuk mund t’i përcjellësh më tej përveçse në trajtën në të cilën t’i ka besuar ai. 

Lirika shpirtërore e Kutelit është medoemos edhe atdhetare, pavarësisht se shpreh jo vetëm zhgënjim të hollë e vuajtje të pamerituara e të duruara në heshtje. Këto vuajtje ia shkakton atdheu (më saktë njerëzit që veprojnë në emër të tij), por ai i duron po për hir të atdheut (dhe të njerëzve që nuk veprojnë dot në vend të atdheut). Por çdo durim ka një fund, i cili për Kutelin nuk ka kurrsesi trajtë mohimi. Përkundrazi. Në poezinë Jam shkëputur”, për shembull, poeti shënon:

 

Jam shkëputur e kam ikur shumë herë

Nga vendi im për në vende të largët,

Për një mot, për shumë vjet, përgjithënjë…

Dhe jam kthyer rishtas e rishtas

Në çerdhen time,

Nën qiellin tonë të lehtë,

Në ajrin e tejdukshëm.

Se malli i madh më digjte

Më hiqte në plëngun tim

 

Pastaj, befas, kërkon falje se nuk do të kthehet më. U kërkon falje atyre që e çmojnë, por edhe atyre që do të dinë, ose do të ngrihen mbi smirat e gjata dhe do ta çmojnë pas ikjes. Pa bujë e pa kërkuar shpagime, poeti shkon:

 

Në vendin e heshtjes së përherëshme,

Ku s’ka dhimbje e ankthe,

Por gjumë harrese

dhe qetësi të katërciptë…

 

Kjo poezi e Kutelit, sikurse letra e mirënjohur drejtuar së shoqes, mbyllet me disa këshilla për fëmijët dhe me bekimin që ata të jenë të lumtur. 

Duhet shtuar se lirika kuteliane ka edhe një përmasë satirike, përdorur fuqishëm në ndonjë fabulë apo prozë poetike. Edhe këtu, tipari kryesor është çiltërsia. Besoj se vetëdija atdhetare e intelektuale e Kutelit e pengonin të krijonte vepra të pranueshme e aq më pak të botueshme në një shoqëri që i qe nënshtruar plotësisht ideologjisë në pushtet. Mbase për këtë arsye, lirika e Kutelit përqëndron në vete forcën e veprave të shkruara për të mos u botuar shpejt, ose për t’u botuar pas vdekjes. Nëse si njeri Kuteli njohu mërgimin jashtë trojeve, ndërsa si shkrimtar: atë brenda trojeve, si poet, ai përjetoi dhimbshëm mërgimin brenda botimeve të një epoke të pamëshirshme. Nga ky mërgim kemi dhuratë të çmuar lirikën e tij dhe mirënjohjen që e shkroi kur „njeriu ua ka zili gurëve”.



* Vëreni përdorimin e fjalës lemje nga gegnishtja. Shqipja e Kutelit nuk ka sinorë krahinorë apo mendësish.