ANTON ÇEFA: Poezia e Iliriana Sulkuqit dhe disa konsiderata për poezinë erotike në letërsinë tonë të traditës



(Orvatje për një sprovë)

Në esenë e tij të njohur "Tradita dhe talenti individual", Th. Eliot theksonte: "Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij, është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur." 1).Është e nevojshme dhe e domosdoshme për shkencën letrare të inkuadrojë në gjirin e letërsisë kombëtare shkrimtarët e talentuar, që t'i kuptojë më mirë ata, të përcaktojë në njëfarë mënyre rrënjët e artit të tyre dhe, sidomos, të nxjerrë në pah risitë me të cilat ata e begatojnë më tej sofrën e letërsisë kombëtare. Në këtë këndvështrim, ky shkrim synon të analizojë poezinë erotike të poeteshës së talentuar Iliriana Sulkuqi.
Kritikja e njohur lerare, Klara Kodra ka shkruar: "një damar floriri ekziston në poezinë e Ilirianës" 2). Mendoj se ky damar, më së tepërmi, shkëlqen në motivet erotike, kryesisht në përcaktimin e objektit krijues dhe në trajtimin e tij artistik shikuar nga një vizion femëror, çka është jashtëzakonisht e rëndësishme për letërsinë tonë, sepse një vizion i tillë, për kushtet sociale dhe shkallën e emancipimit shoqëror e shpirtëror të popullit tonë, në përgjithësi, dhe, në veçanti, të femrës, ka ardhur i vonë, disi rryeshëm dhe i tërhequr. Më tepër se kudo, në këtë vizion femëror shquajnë origjinaliteti motivor dhe risitë stilistike të kësaj poeteshe.

Termi poezi e dashurisë, në shkencën tonë letrare, në një kuptim të gjerë, përfshin përveç poezisë erotike edhe poezinë e dashurisë për atdheun, për vendlindjen, poezinë e dashurisë me tematikë sociale, universale, refleksive, etj. Lirika erotike, nga ana e saj, është zhvilluar në hulli të ndryshme si lirikë erotike e pastër, platonike, refleksive, sensuale, etj. Erotikën pornografike, licensioze, letërsia shqipe e traditës nuk e ka miratuar, edhe kur është shfaqur ajo.
Në letërsinë arbëreshe të traditës, si tek De Rada dhe Dara, poezia e dashurisë dhe, në mënyrë të veçantë, ajo degëz gjithnjë e blertë e me freski të përjetshme, poezia erotike, nuk është kultivuar si poezi e veçantë, por topikë të këtij rrafshi poetik, të fuqishëm e me bukuri të rrallë artistike, gjejmë plot në veprat e tyre. Thjesht, poezi erotike ka shkruar vetëm Serembe.
Lirika erotike në letërsinë shqipe zë fill me ciklin poetik "Bukuria" të Naimit, kryevepra e tij dhe një nga perlat më të bukura të poezisë shqipe të dashurisë. E kanë pasuar, duke përmendur më të fuqishmit në realizimin artistik, Lasgushi, Migjeni, Gaspër Pali, Camaj dhe poetë të tjerë bashkëkohës, që nuk mungojnë.
Sulkuqi, si në jetë edhe në art: "Mbi rrugën e gabimeve të mia, rrita veten, / bëra gruan, / bëra nënën, / trajtëzova femrën.” Ndërsa, mbi bazën e një disponimi të ndërgjegjshëm në rrugën e vështirë të artit poetik, ajo "trajtëzoi" një poezi femërore me vlera artistike të larta. Kjo poeteshë zgjëroi dimensionet e poezisë së dashurisë në hapësira poetike pak ose aspak të njohura më parë në letërsinë tonë. Në rrethin tematik motivor, ky polaritet krijues dimensional i saj përkap motivet e dashurisë në hulli poetike të tilla si humanizmi, universalizmi, atdhetarizmi dhe kryesisht erotizmi.
Si edhe poeti ynë i madh i dashurisë, Lasgushi, Sulkuqi dashurinë e ka frymëzim të përhershëm e të pashtershëm. Për atë, dashuria është “ëndrra që mbetet e zgjuar tërë jetën”.
Dhe dashuria, dashuria / me një ëndërr të pafjalë,
Të rrëmben nga frymë e fundit, / të risjell në këngë prapë.
Kjo sepse, siç është shprehur kritiku ynë i njohur Ali Aliu, “dashuria është një etje asnjëherë e shuar, një etje e zhuritur . . .”, “është emocion përherë dhe rishtaz i freskët dhe i përtërirë, emocion që prore fillon nga e para, përkatësisht si përjetim i papërsëritur kurrë njësoj, është ‘lojë e shpirtit.” 3).
Dashuria është kryemotivi i poezisë së saj, është motivi që e sjell dhe e risjell gjithnjë tek vargu. Në një poezi kushtuar Robert Bernsit, ajo shkruan:
Sikur të ishe ende gjallë
Ti, Robert Bernsi i dollisë,
Me ty, një ditë, do dring-ja gotën,
Veç me dolli të dashurisë.
Duke u nisur nga realiteti jetësor konkret, që në këtë rast është admirimi i poeteshës për poezinë erotike të Bernsit dhe njëfarë përfytyrimi për jetën e tij, në këto vargje është njëmendësuar një realitet artistik i gjallë e komunikues me lexuesin i vlerësimit të jetës dhe të veprës artistike të shkrimtarit të madh anglez, në mënyrë të veçantë, të lirikës së tij erotike, dhe i vetë dashurisë si ndjenjë e fuqishme njerëzore.
Në njërën nga poezitë më të realizuara artistikisht – në poezinë kushtuar Eseninit – që zë vend në rrethin më të ngushtë të poezive më të bukura të kësaj poeteshe, është shprehur përhershmëria e frymëzimit nga dashuria si dhe është pohuar ndikimi i pashmangshëm i “poetëve të vdekur”, siç e ka thënë Th. Eliot.
Ku më gjete,
Që më zhveshe,
Gjer në palcë të trupit tim?
Me ty puthem,
Qaj me vete ,
Unë jetime, ti jetim . . .
Të rrembeva
Një beriozë,
Për inat, më zhvirgjërove . . .
Kjo është poezia, me katër topikët e saj: zhveshja, dashuria, rrëmbimi i beriozës dhe zhvirgjërimi. E kursyer deri ku nuk shkon më përtej, kjo poezi në secilën prej këtyre fjalëve ndryn nga një simbolikë me fuqi e bukuri artistike të rrallë. Vargjet e fundit: “Nëse ti / je vagabond, / nuk të bëhem vagabonde”, janë mish i huaj që e dëmton poezinë, një jehonë e vjershërimit deklarativ të realizmit socialist.
* * *
Si në poezinë erotike të fillimeve të traditës sonë letrare, poetesha jonë ekzalton të dashurin dhe vetë ndjenjën e fuqishme të dashurisë, fuqinë e madhe të saj, deri në shkallëzimin më të skajshëm, që është pranimi me dëshirë, kënaqësi dhe qetësi shpirtërore i vdekjes. Në një poezi të shkurtër prej tetë vargjesh, njëri prej të cilëve përsëritet dy herë, thuhet: “Për ty / gjallë hyj në varr . . . " (“Mos harro").
Është ky trajtësim që zë fill që nga "Bukuria" e Naimit, poemthi që zë kryet e vendit në sofrën erotike: “E mora vdekjen në sy, / Do të vdes, të vdes për ty.” Poeti ynë i Rilindjes e himnizon gruan, e bën Perëndi dhe, kështu, të veshur me atribute hyjnore, i nënshtrohet. Poetesha jonë është gati të pranojë një nënshtrim tokësor; ajo i drejtohet të dashurit: “Më fal, udhëtar i pagjumë! / qenkam robinjë e fatit tënd.”
Dashuria përjetohet si një ndjenjë e ndërlikuar dhe kontradiktore dhe, në procesin krijues njëmendësohet si një ndjenjë e madhërishme, substanca shpirtërore e së cilës është mbrujtur me dhimbje e lumturi, me gaz e vaj. Në traditën e erotikës sonë, për të shprehur dhimbjen e fortë , vuajtjen, torturat e dashurisë , sidomos në rastet kur ajo nuk gjen përgjigje, qysh te Gavril Dara dhe, më së voni e më së tepërmi, tek Lasgushi, poeti i papërsëritshëm i dashurisë, është përdorur dendur leksema llaftari a llahtari. Në poezinë popullore kjo fjalë ka kuptimin e frikës së madhe, tmerrit, ankthit, siç e gjejmë, p. sh. tek një këngë popullore: “Vjen një lumë i turbull-o / sa i turbulluar qenka, / sa i llaftarisur qenka!”. Mirëpo në lirikën e lëvruar kjo leksemë ka fituar një konotacion të veçantë e shumë të fuqishëm. Gavril Dara tek “Kënga e sprasme e Balës”, ku në hullinë patriotike ndërthuret dashuria e Marës me Nik Petën, në gojën e Marës ka vënë këto vargje: “Në je gjallë pse nuk kthehe / tek ky gji që llahtariset”; ndërsa Serembe, në poezinë “Këngëtari dhe bilbili” ka strofën: “Eja, vashë, e gëzomë / tash që kam kaq dridhërime / dhe me këngë qetësomë / nga të thellat llaftarime”.
Lasgushi e ka zgjëruar së tepërmi hapësirën konotative të kësaj lekseme. Studiuesi Vehbi Bala ka shkruar lidhur me këtë: “Dashuria përshkruhet si ‘llaftari’, mall që zor se gjen kënaqësi në jetë, dhe që ndjell dëshpërim”4).Studiuesi Sabri Hamiti, llaftarinë tek Lasgushi e ka trajtuar si: “njëra nga figurat çelës të shënjimit të superlativitetit të intensitetit shpirtëror, e pranishme në të gjitha temat e shkrimeve poetike” 5). Gjithsesi, mendoj, se Lasgushi e ka pasur obsesion përdorimin e kësaj fjale. P. sh., ai thotë për gjuhën shqipe: “O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot”.
Më i vonshmi, poeti Gaspër Pali, ka poetizuar: “Muzgu mendët m’i shastisë; / kah shpirti më ban njiherit tmerë e përqethje / me u llaftarisë”.
Sulkuqi i është shmangur me origjinalitet përdorimit të kësaj lekseme. Ajo gjendjen shpirtërore të llaftarisë e ka dhënë shumë bukur, në një rast, me epitetin "e përdjegur", në poezinë "Të vij sonte, apo?" : "Të vij sonte / apo sonte? / A pas vetes së përdjegur", ku është realizuar artistikisht edhe një shkallëzim i kësaj ndjenje, që shkon nga një përndezje e menduar tek përdjegia e shprehur dhe që përbën shkallën më të lartë të dhimbjes, thellësinë më të madhe të plagës. E shprehur ndryshe, kjo lartësi në shkallëzimin e përjetimit dhe të sendërtimit poetik të dashurisë është dhënë edhe në poezinë artistikisht të dobët, prozaike: "Jam e çmendur", ku thuhet: "Jam e çmendur / Më shumë se dashuria".
Në këtë hulli të vetëdijes aristike, tek poezia e Sulkuqit, më së shumti, dashuria pohohet si ndjenjë e vuajtjes dhe si e tillë ka gjetur një realizim mjeshtëror të mirëfilltë:
Nga syri im te syri yt, në udhëshpirti u tret loti . . .
Nga syri yt te syri im / një pikë lot rëndon sa globi . . .
Nëpërmjet përftesës përsëritëse (anaforës): “nga syri im te syri yt”, krijohet ideja e vazhdimësisë, përcjelljes dhe reciprocitetit të ndjenjës përmes syrit, pasqyrë e shpirtit, duke filluar me shikimet mes të dashuruarve, që në esencë është dhimbje e pafund, e cila udhëton mrekullisht në “udhëshpirti”, një formim leksikor original, i krijuar mjeshtërisht, që bart një ngarkesë të fuqishme emocionale, ngarkesën e lotit që rëndon sa vetë globi. Përmasës universale të dashurisë i përgjigjet një dhimbje universale.

* * *
Në rrafshin e shqiptimit poetik, vuajtja e dashurisë në qenësinë e saj është një dhimbje e lumtur, një dhimbje që ndryshon nga çdo dhimbje tjetër njerëzore, sepse përjetohet si dhimbje e ëmbël, që Lasgushi e ka poetizuar si: “këngë e vaj bashkuar”. Ai ka shkruar: “Gjeneza – më precizërisht: ekzistimi i ‘magjisë dhembëse”: qenia e gazit helmplot, që fshihet domosdoshmërisht në gjirin e dashuronjësve, e ka mburimin e thellë. Ky mburim rrjedh nga natyra e dashurisë . . .” 6).
Kjo “këngë e vaj bashkuar” tek poezia e Sulkuqit është një ndjenjë e dëshiruar: “Mos ma zgjo ëndrrën, / dua të dhembë”; ose: “Paguajmë shtrenjtë, / sa shtrenjtë paguajmë / të na dhembë”. Në një poezi tjetër thuhet: “mos ma fshih lotin, lëre të rrjedhë.” Ka aq e aq vargje të bukura rreth këtij aspekti të përjetimit të dashurisë. Përvijohen dy polet ndjenjësore të dashurisë: gëzimi dhe trishtimi, gazi dhe vaji, dhimbja dhe kënaqësia. Tek Sulkuqi, mbizotëron poli i dhimbjes. “Po të mbledh / ditët e dashurisë, / më dalin shumë më pak se një pikë loti. / Po të mbledh / hapësirat e dhimbjes, / kam frikë mos më mbytet globi”.
Gjithësesi, edhe pse në më pak vargje, dashuria ekzaltohet edhe si ndjenja më e lumtur, si sublimitet i këtij pasioni universal të njerëzimit:
Aty ku buzët vure ti,
Po pi burim – burimburuar . . .
M’u deh, o shpirt, me dashuri,
Prej ëndrrës që më mbeti zgjuar . . . !
Buronja borën po e pi,
Ku pijmë të dy të dashuruar . . .
Aty ku buzën vure ti
Po pi burim të kthjellëruar . . .
Nuk janë të pakta motivet që sendërtojnë lumturinë e magjinë e kësaj ndenjeje, sublimitetin e saj. Në to dashuria përjetohet më tepër si ëndërr se sa si realitet, më tëpër si dëshirë se sa si realizim. Kështu poezia e Sulkuqit fiton, ndonjëherë, nota platonike dhe përmasa universale. Ajo në këto raste ecën plotësiht në shtigjet lasgushiane.
Jo vetëm dhimbje e dëshiruar, e ëmbël, dashuria, duke qenë burimi, gjeneratori që vë në lëvizje jetën, forca që e mban gjallë atë, është edhe një dhimbje e nevojshme dhe e domosdoshme: “Nëse më zgjon sot e pas-mot / me heshtje-dhimbje, dashuri, / të kthehem gjethëz në stinë pa mort, / ku edhe dimri fal rini.” (“Zotin e bëj të flas me zë”).

* * *
Një tis i tejdukshëm sensualiteti, i endur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes dëshirës dhe bëmës, mes fantazisë dhe realitetit, përbën një risi tjetër të vyer për letërsinë tonë erotike, që poetja Sulkuqi e ka realizuar me sukses. Më së tepërmi është një frymë sensualiteti që vibron aty-këtu, një shkëndijëzë që feks mbi motivet erotike. Në raste të tilla, realiteti jetësor në vetëdijen artistike të autores krijon një realitet përfytyrues poetik, që bart ide e mesazhe aq të këndshme, të bukura e të hijshme për një poezi femërore. Në këto motive dritësohet një feminitet intim që rrallë ndeshet në letrat tona.
Duhet thënë se që në krye të herës, kur filloi të lavrohet lirika erotike në gjirin e letërsisë sonë, asaj nuk i kanë munguar notat sensuale; por ajo ka pasqyruar kufizimet e kohës dhe duke qenë kultivuar vetëm prej poetëve burra, i ka munguar deri vonë vizioni femëror i trajtimit. Edhe në poemthin erotik “Bukuria” të Naimit, sado që tek ai mbizotëron botëkuptimi panteist dhe femrës i janë veshur atribute hyjnore, nuk mungojnë ngjyrimet semantike sensuale. I dashuruar marrëzisht, Naimi prehet duke puthur këmbët “mëkatare” të së dashurës:
Baltë e pluhur do të bëhem
Të më shkeli këmbë e saj
E të prehem duke puthur
Atë këmbë pasandaj.
Duke ecur i tëri në gjurmët e Naimit, por duke e zëvendësuar sfondin panteist me një sfond magjepës fshatarak, Lasgushi në poezinë “Ti po vjen që prej së largu”, ka kënduar:
Ti po vjen që prej së largu magjiplotë-e dalëngadalë.
Ti po vjen që prej së largu duke shkitur mbi lëndina.
Nënë thembërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.
E si shkon me hap të matur më pushton një dhëmbshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate,
T’i pushtoj i llaftaruar ato hapëza mëkate . . .
Ndërsa, duke poetizuar në frymë popullore, në poezinë e titulluar “Balladë”, në gojën e vashës na ka dhënë pasazhe të gjera sensualiteti:
Trim më more-edhe më shtrove,
Trim më ngrove-e më pushtove’
Trim më puthe-e më mbarove’
Trim o trim seç trimërove.
Në këto shtigje, por një hap më përpara, hasim poetin e talentuar Gaspër Pali, i cili, siç ka vërejtur studiuesi Alfred Çapaliku, “Si rrrallëkush në lirikën shqiptare vizaton ethshëm skena sensualiste, por në çdo sekuencë ndjenja mbetet fisnike dhe nuk ngatërrohet, as në kufirin ekstrem, me instinktin.” 7).
Fike dritën, se terri - the – më pëlqen:
Se kur mkatnohet, vjen mbi shpirt tim terri,
Pse mkati asht terr, e mkati po shpërthen
T’shuhet drita n’dhomën tonë . . .
Në një rast tjetër, duke komentuar poezinë “Zane stuhish”, ky studiues ka shkruar: “Shtjella e kësaj poezie është erotike, gjer në konsumim të plotë” 8).
E u shkrimë bashkë me shoqi-shojnë
Si dy-tri dru në votër nji flakë përftojnë.
Në këtë rrafsh poetik, Sulkuqi tregohet e kursyer, pa teprime në strukturën tekstore dhe në të njëjten kohë me një nëntekst poetik të pasur. Një xhevahir i rrallë poetik është poezia "Mështeknë". Vetë përcaktimi i objektit poetik - (mështekna është berioza e Eseninit, birch i Frostit, maranxhja e Camajt) - të sugjeron një motiv femëror. Mështekna është një dru pylli i viseve tona të ftohta, me trung të drejtë e të hijshëm, me lëvore të lëmuar e të bardhë, herë-herë me një lëkurë si me do luspa të mëdha që në hije-dritat që krijojnë përfton përjetime poetike. Ajo duke "u veshur dhe zhveshur" fiton një konotacion figurativ të fuqishëm. Camaj i ka kënduar: "Një bimë maranxhe çveshet pa turp / në pikë të mjesditës.”
Mështeknë
Buzët më humbën mes buzëve,
Gishtërinjtë mbi tastjerat e brinjëve
Trupi si grusht i mbledhur…
Mështeknë, më thuaj, kaq vjet
Si e ruan,
Moj, virgjërinë?”
Në tri vargjet e para dritësohet një skenë e vërtetë dashurie, e cila për një piktor modernist të talentuar do të shërbente si frymëzim për të realizuar një kuadër të madhërishëm. Në vargjet e fundit, me një kapërcim të befasishëm pindarik, përthehet linja poetike dhe jetësohet pyetja e pyetjeve, - një motiv erotik krejt i rrallë për letrat tona të dashurisë. Rrallë, shumë rrallë, është ndjerë në letërsinë tonë erotike femërore kjo dozë e fuqishme feminiteti dashuror, që sikur i është tëhuajtur zbrazëtisë së reflektimit në art të përjetimeve të tilla, të cilat për t'u realizuar kërkojnë talent, mjeshtëri, guxim dhe çiltërsi. E pra, poezia shqipe i ndjen të nevojshme këto trajtesa motivore.
Me inters për mënyrën e qasjes ndaj objektit artistik dhe, sidomos, për mënyrën e çuditshme se si e përthen atë, çka është e natyrës së ecurisë poetike të kësaj poeteshe, siç e vërejtëm tek "Mështeknë", na paraqitet poezia "Qamë në shteg Qabeje" Tek kjo poezi sendërtohet një kalim i befasishëm e i çuditshëm i motivit nga lehtësimi shpirtëror i dhimbjes së shkaktuar nga plaga e dashurisë tek lumturia që krijon po kjo dhimbje. Motivi shndërrohet e zhvillohet në "gaz e vaj": "Qamë e qeshëm bashkë, / nën udhë e mbi udhë" për të vazhduar "Qeshëm. Më pas qamë / si dy klithma shpirti . . . / Ndaj ag fjetëm bashkë / lodhur nga harrimi.". Vargu i fundit "Ndaj ag fjetëm bashkë, lodhur nga harrimi "vjen si përthyemje mbas përthyemjes.

* * *
Duke na dhënë elemente kreative të frymëzuara nga raste konkrete të përjetuara, me të cilat lexuesi mund të krijojë "historinë" e dashurisë apo të dashurive të saj, Sulkuqi ka pasuruar erotikën tonë me motive të reja, që nuk janë ndeshur më parë në letërsinë tonë. Ja ndonjë shembull: në poezinë “E hershme e shkruar sot", trajtohet një motiv origjinal dhe krejt i veçantë. Dy vajza dikur kanë dashur të njëjtin djalë, një dashuri e mbetur pa përgjigje. Sulkuqi poetizon, duke iu drejtuar shoqes së vet: "Dikur të thashë: / nëse e do siç unë e dua / ta fal, mos të t'humb edhe ty". Ka kaluar kohë, kujtesa që ngjallet kur takohen me njëra-tjetrën ringjall një plagë, që rishtas dhemb e djeg dhe bëhët për poeten farë e një bimësie poetike të njomë e të freskët: "Në takimet tona, ndodh shpesh, / një lot të na djegë mbi faqe . . . ". Një tekst i thjeshtë, por me një nëntekst poetik figurativ e emocional të pasur. Në poezinë "Kritikë Dashurisë", flitet për një letër "me një fjalë prej qielli" dërguar "mot e mot më parë", të cilën ia kujton i dashuri mbas shumë kohësh "vite-drite u dashka të vijë një përgjigje".
Vetë procesi krijues në rrafshin e poezisë erotike është në vetvete një dhimbje, që lind për ta mposhtur dhimbjen e plagës së dashurisë, për ta sfiduar atë, "llaftarinë", po njëkohësisht është edhe një delir lumturie, (kur ajo gjen përgjigje). Në poezinë që po shqyrtojmë është vargu, pra krijimi i poezisë, që "e zë për krahu" poeten dhe e "degdis ndër dhembje" dhe është po vargu që "i shkrin" "shtratin e ngrirë nga ethja". Me fjalë të tjera, plaga që hap në shpirt dashuria është sfidë që shfren gjatë aktit krijues poetik dhe i jep poetit lehtësim shpirtëror, prehje, pauzë qetësie. Një disponim i tillë shpirtëror është, mesa duket, një veçori e përgjithshme e veprimtarisë krijuese, por në rastin e poezisë erotike, ku dhimbja individuale është më intensive, është më e theksuar. Kafka ka shkruar: “Për artistin, arti është vuajtje përmes së cilës ai lirohet për t’i përballuar një vuajtje të re.” 9).
Më së shumti, lirika erotike e Sulkuqit është refleks i një lutjeje, një dëshirë e ndezur, një gjakim i zjarrtë që pasioni përvëlues i dashurisë, i përjetuar si ëndërr, të shndërrohet në realitet; por që përgjithësisht, nuk e kalon këtë prag, pra nuk jetësohet: “Fshihma lotin / prej një ëndrre / bëma ëndrrën të vërtetë’ (“Fshihma lotin”); ose “Prita hënën / të trokisja në portën tënde / si ëndërr”.
Nuk mund të lihet pa u vënë re se leksema endërr, sikurse edhe disa leksema të tjera që përbëjnë çelësa poetikë në frymëzimet e kësaj poeteshe, ka një konotacion të pasur që ndryshon nga një motiv në një tjetër. Kështu, ajo në më të shumtën e rasteve nuk përdoret në kuptimin e saj të parë, leksikologjik, si ëndërr gjumi, dhe as si një gjendje ëndërtare e njeriut të zgjuar, por në kuptimin e vetë ndjenjës së dashurisë, është metaforë e këtij pasioni. Në poezinë “Vetëm ti”, thuhet: “Unë e di / se vëtëm ti, / përmbi gji më je shetitur, / që nga sot e mot e mot / që kur ëndrra më trazoi.” Ose, “Pa të ftuar më erdhe në ëndërr . . . / pa emër, pa të shkuar, pa të ardhme, / ‘të tashmen’ – në ëndërr jetova. / si ‘e tashme’ frikur u largove” (“Emër pa emër”). Duhet thënë, gjithashtu, se nganjëherë është vështirë të përcaktosh në mënyrë kategorike kuptimësinë e kësaj lekseme si stilemë, sepse ajo mund të interpretohet kështu dhe ashtu: “Në shtratin e ëndrës t’u futa . . . / me aromë gruaje të marrë, / tek ëndrra ime u ktheva.”

* * *
Në motivet e dashurisë si endërr e parealizuar shpesh zotërojnë notat e një keqardhjeje për një rini të ikur, të parinuar, për një dashuri të parealizuar, dhe që gjithnjë tingëllon si një thirrje për ta respektuar dashurinë, për t’i dhënë asaj vendin që i takon në jetë, d. m. th. kryevendin. “Hej, ç’më ikën puthjet! (Nuk e di se ku . . . ?) / ngrinë mbi buzë të ngrira / a mbi fjalë pa prush! ?” (Puthjet).
Këtij cikli motivor i takon poezia e bukur tejet origjinale “Si shpend drejt vdekjes”:
Përballë të erdha si njeri
As nuk më pe, as nuk më preke . . .
Mërgova fshehtas te loti im
Si zogth i trembur prej një ngrice . . .
Loti, një tjetër çelës i poezisë së Sulkuqit, në vargun që shkëlqen nga dhimbja: “mërgova fshehtas te loti im”, ka konotacionin e ëndrrës, dashurisë, vuajtjes. Në poezi të tjera, ai ka edhe konotacionin universal të vuajtjes njerëzore dhe të dhimbjes për vuajtjet e të tjerëve, që shfaqet në mjaft poezi të saj.
Herë të tjera, duke marrë karakter universal, poezia e Sulkuqit kthehet në ankesë, qortim, kritikë deri në protestë ndaj kushteve shoqërore, ekonomike e shpirtërore, po edhe subjektive, që i bëhen pengesë dashurisë, si në poezinë “Kreshendo”:
Do të lutem për të fundit herë
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
për vajzat që flirt bëjnë me vete,
për meshkujt që s’dinë ku venë,
për burrat që dehin burrërinë . . .
për djemtë që kërkojnë dashurinë.”...
Në poezinë "Nga gjithë sa kam shkruar", poetesha me nota keqardhjeje gjykon dashurinë a dashuritë e mbetura pa përgjigje. Rinia kalon dhe "s'mund të ndizesh më / kur në hi je tretur". Gabon ai që pretendon të mjekojë plagë të vjetra: "Kush premton që di / të mbyllë një plagë të vjetër, / pa dashje gabon, / hap një plagë tjetër.". Por, përballë këtyre notave pesimiste e disfatiste ngrihet madhërishëm dashuria e femrës si nënë dhe si motër:
Çdo gjë që kam shkruar,
Fjalë poezish - do t’i gris harruar
Pa dhimbje në shpirt
Do mbetem veç nënë
Do mbetem veç motër,
Kështu qenka thënë
Jeta bëhet lodër.
Ky motiv trajtohet, gjithashtu, në poezinë “Dashuritë e mia”. Ndërsa, në poezinë “Puthuni, aktorë”, për dashurinë e pakufishme të nënës, thuhet që ajo rron “edhe kur i shkulet zemra”.
Në erotikën shqipe të traditës, ka shembuj të bukur, në të cilët dashuria e mbetur pa përgjigje, dashuria e pafat, vuajtja e pangushëlluar, e ka drejtuar muzën poetike në shtigje të tjera dashurie, në ato universale. Me një simbolikë të tejdukshme, në poezinë “Dejtënori” (Detari), Serembe gjen jo vetëm prehje dhe qetësim shpirtëror, por edhe lumturinë, duke e bartur ndjenjën drejt një ideali po aq të lartë e të fisëm.
Ti te ky dhe . . . pushonj
Te deti û dejtënor!
Ti prehe, û luftonj
Me shi, rrufe dhe bor!
Po ti, kopilje, e di
Se yti më së jam:
Ruata te nj’yll û i zi
E t’e shurbenj û kam.
Kur drita e zbardhën qiellin
Dejtënori ëndrrat harron.
E ka për nuse fjamurin,
Për mall detin këndon.
Dashuria është ndjenjë e fuqishme. Me elemente simbolike të hiperbolizuara, që bartin kumte poetike të pasura, jepet fuqia e madhe e pasionit: “Në më thëntë shpirti “Po”/ mbi dhjetë shpifje fluturoj, / e shkërmoq një mal të tërë, / dhe një lis e hedh në tokë, / le të ketë lisi rrënjë.” (“Në më thëntë shpirti ‘Po”).
Shpesh përjetimi i këtij pasioni të fuqishëm paraqitet si dehje shpirtërore, gjendje jo normale e njeriut, delir, etj. Në poezinë “Dy dehje”, thuhet: “Di se nga dy dehje / njëra rri me mua.”. Për te sakrifikohet çdo gjë: “Prej teje, / dua botën e rremë / pa ty, s’e dua as të vërtetë.” Për t’u theksuar është se koncepti për dashurinë në erotikën e Sulkuqit është real, i jetës. Ndërsa Lasgushi ndonjëherë i atribuon dashurisë një burim abstrakt, të mëvetësishëm: “Se s’dashuronja as un’ as ti, / po dashuronte dashuria”; Sulkuqi e zbret në tokë: “Po nuk u deshem ne të dy, / s’ka si të duhet dashuria”. Në një poezi tjetër, jetësohet një situatë edhe më konkrete : “Ditën / zihemi me dashurinë, / natën / për te na merr malli.”.
Poezia e dashurisë, në përgjithësi, dhe, në mënyrë të veçantë, motivet erotike tek kjo poeteshë kryqëzohen shpesh me motivet e mërgimit, çka nuk është e re në poezinë tonë gojore dhe të lavruar; por në poezinë e saj janë të gjalla notat e aktualitetit të mërgimit shqiptar të viteve të fundit, më së tepërmi, i detyruar nga kushtet ekonomike, politike e shoqërore. Nuk duhet harruar edhe një impuls shpirtëror i shqiptarit për mërgimin. Çabej ka vënë re që “dëshira e përhershme e shqiptarit për shtegtim” ka gjetur pasqyrimin e saj në “këngët e përmallshme të mërgimit” 10). Ky kryqëzim motivesh ka jetësuar poezi të ndjeshme dhe shpesh shumë të bukura. Në poezinë "Mbamë këtu" (Bisedë me veten), poetesha i drejtohet vetes:

"Mbamë këtu, nëse je imja?
mos më degdis në dhè të huaj!
ku të më qajë një korb i verbër,

ku të këndohem e harruar".
Në poezinë “Letër burrit nga Shqipëria në NY”, theksohet tensioni i ndarjes, në një vështrim më tepër sensual. "...Dhe kthehem, / përkthehem / në shtratin e gjerë . . . / gjysmë e çarçafit . . . / agohet pa rrudhur/... " Ndërsa në poezinë: “ . . . Që të afrojnë me ndarjen”, përsëritet me një realizim krejt të ri motivi i mëparshëm: “Të të puth në shtratin e zjarrtë, / nuk mund! / të m’i ftohësh afshet e natës, gjithashtu.”

* * *
Në fushën e lirikës erotike të traditës, kritikën tonë letrare e ka shqetësuar dukuria e diskrecionit, mungesa e identifikimit nga ana e poetëve për vajzën që kanë dashur, dukuri kjo që është shfaqur që tek Naimi, në poemthin erotik“Bukuria” dhe ka vazhduar, me ndonjë përjashtim të rrallë, deri tek Migjeni, që është cilësuar si “poeti më i skajshëm i mundshëm në poezinë tonë të traditës”, dhe “poeti, ashtu siç fshehu lidhjen emocionale me një vashë që e desh nga sytë e bashkëkohanikëve dhe bashkëqytetarëve, po me aq rreptësi e fshehu edhe nga lexuesi i vargjeve të tij” 11).
Pa mohuar kushtet shoqërore të kohës, që janë bërë pengesë për të shfaqurit publik të së dashurës a të të dashurit, dhe vetë mëndësinë e kohës, mendoj se shkak i kësaj dukurie është edhe natyra e përmbajtur e shqiptarit. Çabej, një nga njohësit më të mirë të psikologjisë së popullit tonë, ka shkruar: “Thelbi shpirtëror i popullit tonë është rezervimi” 12). Çajupi, përveç emrit të gruas së vdekur, Evgjenisë, ka përmendur emra që sipas gjase janë emra fiktivë. Kështu edhe Camaj. Ndryshon puna me Gaspër Palin, që përmend në lirikat e tij erotike emrin e vajzës që dashuroi dhe me të cilën pati marrëdhënie intime, Kleyden, shqiptuar me aq bukuri e brishtësi artistike në poezitë: “Dritë të mshehuna”, “Vashë e panjohtun”, “Zane stuhish”.
Sikur e ndjen peshën e rëndë të diskrecionit të poezisë së traditës, Sulkuqi bën përpjekje të çlirohet prej saj. Në poezinë “Pas 30 vjetësh”, poezi kushtuar shokut të maturës, “poetit dhe njeriut fisnik Nexhip Ejupi”, që dikur shkruante vjersha për te, ajo poetizon: “Të t’them të drejtën, / vjershat kur lexoja, / ‘kështu jam veç unë’ – me vete mendoja”. Por “më mirë që nuk fole, / më mirë që s’të kuptova. / Kaq bukur s’do shkruaje, / sot s’do të takoja”. (është fjala për një takim poetësh).
Gjithsesi, u shpall apo nuk u shpall idenntiteti i së dashurës a i të dashurit, nuk ka ndonjë vlerë në rrafshin e realizimit poetik: as nuk e bën më të përsosur dhe as nuk e lë të mangët poezinë.

* * *
Mjeshtëria në fushën e poezisë erotike të Iliriana Sulkuqit qëndron në vlerat estetike të kësaj poezie, që njëmendësohen në përcaktimin e objektit poetik, në mënyrën e qasjes ndaj tij, gjuhën, stilin, figuracionin. Ajo që e dallon më së shumti veçorinë e përcaktimit të objektit poetik është burimi i këtij objekti nga rrethanat jetësore të poetes; dhe ajo që e dallon mënyrën e qasjes ndaj objektit poetik është sinqeriteti i plotë, çka përbën një nga çelësat e suksesit, mos më kryesorin, përveç talentit të padiskutueshëm dhe pjekurisë së arrirë artsitike. Kritiku ynë i shquar, Mitrush Kuteli ka thënë: “Në kazuistikat personale (rrethanat, rastet jetësore, shënimi im, A. Ç), buçet e duket poeti i vërtetë” 13).
Me një ndjeshmëri të theksuar ndaj fjalës poetike, Sulkuqi ka krijuar një fjalor të vetin plot fluiditet lirik, të cilit i paraprijnë leksemat-stilema shpirti, ëndrra, loti, dashuria, e ndonjë tjetër që, siç e vumë në dukje më lart, janë të pasura me kuptimësinë figurative, që nga domethënia e tyre semantike e deri tek vezullimet përsiatëse filozofike për dashurinë.
Fjalë të reja ka krijuar ajo nga brumi i gjuhës sonë simbas ligjësive të fjalëformimit të shqipes dhe, në ndonjë rast duke e thyer atë, por gjithnjë me vlera të qarta e të hijshme semantike e stilistike, që bartin ngarkesa emocionale shpesh të fuqishme. Pa ndonjë karakterizim dhe pa ndjekur ndonjë kriter, po përmend disa prej tyre: pranverë erëtërfil, shall kripëgrisur, ndjellafjalë, burim-burimburuar, rroba blerëfalur, botë bardhëngrirë, moj trupëz-zhveshura, po pi burim të kthjellëruar, grirojnë retë, bletëroj, bletërohem, i hirëm, liqeni klithmërohet, fli vogël-gjyshe, shoqe-madhe, ngjyrëshpirti, udhëshpirti, supe-dhimbjet, fjalë-rreze, mallzjarr, mall-pritjeje, bukuri-plage, vjeshtë-okrën, pragfjetje, largndarje, flori-nëne, nina-nana-djepërie, përzgjime, hapnajë, etj.
Këto formime i japin një shprehësi të veçantë të një bukurie të rrallë artistike poezisë së Sulkuqit. Ndonjëherë një fjalë e vetme i jep vlerë poezisë ose e dëmton atë. Fjalët bëjnë çudinë në artin letrar dhe çudia në lirikë, sidomos në lirikën erotike, është më e madhe se kudo tjetër. Sulkuqi e di mirë këtë. Dhe ja sesi me fjalë të sajat, ajo i thur himne dashurisë, sublimon lumturinë që fal ajo, jep dehjen e përhershme të pasionit:
Aty ku buzët vure ti,
Po pi burim-burim-buruar . . .
Dehu, o shpirt, me dashuri
Prej ëndrrës që më mbeti zgjuar.
Buronja borën po e pi,
Ku pijmë të dy të dashuruar . . .
Aty ku buzën vure ti
Po pi burim të kthjellëruar . . .
Një përkujdesje të veçantë kjo poeteshë i kushton organizimit fonetik tingullor të fjalës, vargut, strofës. Në këtë dukuri fonologjike-stilistike, një rol të rëndësishëm luajnë përsëritjet, të cilat përbëjnë një nga veçoritë kryesore stilistike të poezisë së saj. Nëpërmjet tyre, shpesh krijohen harmoni imitative tingujsh, fjalësh e shprehjesh, që jo vetëm i japin një hijeshi të brishtë, të veçantë e origjinale vargut, por edhe pasurojnë nëntekstin semantik dhe, sidomos, emocional të poezisë:
Nëpër zgjime – / zgjoj e zgjohem /
Bletëroj e s’bletërohem (Përzgjime).
Veçoria kryesore e figuracionit në poezinë e Sulkuqit është të qenët larg manisë për të absolutizuar abstraksionin poetik, dukuri që nxjerr kokën tek mjaft poetë të sotëm. Natyrshëm që poezisë së sotme nuk mund t’i mohohet abstragimi; asaj duhet t’i mohohet një absragim i pashpjegueshëm. Kritiku letrar Agim Vinça ka shkruar: “Arti i kohës sonë e ka intensifikuar abstraksionin poetik, si një primat të vetin. Kritika letrare, që është vetëdije e veprës, duhet ta zbresë atë në nivel racional-analitik” 14). Një gjë e tillë kërkon domosdoshmërisht që simboli ose figura të ketë një “nivel racional-analitik”, që duhet zbuluar, shpjeguar e komentuar. Duke iu shamngur simbolikës së errët dhe metaforave të dyshimta, që i lënë vend më së tepërmi hamendjes sesa argumentimit ndjenjësor dhe racional, Sulkuqi arrin të sendërtojë një poezi me një nëntekst të pasur figurativ dhe njëheri mjaft emocional. Një figuracion i tillë, i thjeshtë deri në kufi thjeshtësie, i pasur tejet me nëntekst poetik që bart mesazhe fisnike e të hijshme, të ndjell një dëshirë të pashuar për lexim e rilexim, dhe pas çdo leximi të pasuron nëntekstin poetik:
Mos ma fshij lotin,
Lëre të rrjedhë
Në lumin e rrudhur,
Ku lahet një hënë,
E joshur nga yjet.
Vargje të tjera, në të cilat shqiptohet keqardhja për dashuri të parealizuar, kullojnë bukuri përftesash metaforike dhe shprehësish stilistike:
U putha a s’u putha . . .
Dielli u dogj brenda vetes,
Hëna m’u ftoh nëpër duar.

* * *
Veçori tjetër e metodës krijuese të Sulkuqit është përdorimi i dendur i tri pikave të retiçencës, përdorimi i dendur i presjeve, pikëçuditëseve, etj. Dihet që një përdorim jashtë mase i një elementi poetik a stilistik, që vjen e shndërrohet në manierë a obsession, e dëmton veprën letrare. Kur pauza përdoret me vend krijon mundësinë e persiatjeve për një kuptim e zbërthim sa më të mirë të konotacionit të një fjale, vargu, strofe a poezie.
Nuk është pa vlerë edhe “arkitektura” e poezisë; përkundrazi, ajo ka rolin e saj, që nuk është thjesht viziv, nuk ka thjesht funksionin e bukurisë së pamjes a plotësimin e nevojës për shlodhje-kalim syri. Ajo ndikon në bartjen e mesazhit dhe ndihmon për një kuptim sa më të mirë të tekstit dhe, sidomos, të nëntekstit poetik nga ana e lexuesit, e aktivizon atë më shumë në përvetësimin e tyre. Po bie vetëm një shembull: poezia “Mështeknë”, për tekstin dhe nëntekstin që ka, natyrshëm njëmendësohet në dy strofë; ndërsa në vëllimin poetik “… Më kërkon falje” është botuar në monokolonë; në antologjinë poetike “Poezi” është botuar në tre distikë dhe në një strofë treshe. (!)
Përfundimisht, Iliriana Sulkuqi ka një poetikë të veten, veçori të stilit artistik që e dallojnë atë, veçori që burojnë nga temperamenti tejet i hovshëm impulsiv, talenti i padiskutueshëm dhe pjekuria artistike. Ajo ka sjellur në sofrën kombëtare të poezisë erotike një poezi femërore me nota liriko-dramatike, me vlera të larta estetike, dhe, siç e kemi thënë më lart, ka zgjëruar dimensionet e poezisë së dashurisë në hapësira poetike pak ose aspak të njohura më parë; ka krijuar përftesa semantike dhe stilistike originale të hijshme e të pasura në kuptimësinë poetologjike, duke siguruar kështu një komunikim të përhershëm me lexuesin.

Referenca:
1). Th. S. Eliot, “Tradita dhe talenti individual”. Cituar sipas Anton Nikë Berishës “Çështje teorike të letërsisë”, shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2005.
2). Klara Kodra, “Poezi e qartësisë”, në vëllimin “Poezi” të Iliriana Sulkuqit, f. 251.
3). Ali Aliu, “Kërkime – Studime, kritika, ese”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f. 292.
4). Vehbi Bala, “Lasgush Poradeci dhe poetë të tjerë të viteve 20-30”, në “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1983, f. 528.
5). Sabri Hamiti, “Lasgush Poradeci - Vdekja e Nositit”, shtëpia botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 30.
6). Lasgush Poradeci, “Poezi, et coetera . . .”, tek “Lufta e penave – Zgjedhje antologjike e polemikës shqipe”, nga Sevdai Kastrati, “Botimet Toena”, Tiranë, 2002, f.424
7). Alfred Çapaliku, “Gaspër Pali – Jeta dhe vepra”, shtëpia botuese “Camaj – Pipa”, Shkodër, 2002, f. 42.
8). Alfred Çapaliku, vepër e cituar, f. 46.
9). Franz Kafka, cituar sipas Anton Nikë Berishës “Njëmendësia e fjalëve – Mundësi interpretimesh letrare”, shtëpitë botuese “Shpresa & Faik Konica”, Prishtinë, 2006, f.226.
10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatitur për shtyp nga Brikena Çabej, shtëpia botuese MCM, Tiranë 1994, f.43.
11). Ali Aliu, vepër e cituar, f. 331.
12). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 28.
13). Mitrush Kuteli, “Poetë dhe detraktorë”, tek “Lufta e penave”, f. 490.
14). Agim Vinca, “Aspekte të kritikës sonë”, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 125.