KOPI KYÇYKU: Idealet, pastaj materialet...



Para ca ditësh, një i njohuri im, ish-oficeri S. P., njeri tepër i ndershëm, i cili pat vuajtur disa vjet në burgjet e diktaturës “për agjitacion e propagandë”, më luti t’u hidhja një sy dy dorëshkrimesh me poezi. Fjala është për dy përmbledhje voluminoze të të përndjekurve politikë. Gjatë leximit të vëmendshëm dhe ndreqjes së ndonjë gabimi gjuhësor apo thjesht gramatikor, jo një herë u përlota nga ndjeshmëria e lartë, nga thellësia e mendimeve, nga pjekuria, por edhe nga niveli i lakmueshëm artistik i krijuesve, të cilët, me qëndrimin krenar e të paepur, u bënë shëmbull frymëzimi për brezat. Kam parasysh, ndër shumë të tjerë, Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Uran Kostrecin, Ylber Merdanin etj. Teksa kurmet i kishin të stërmunduar e të zinxhiruar, vargjet e shpirtit të tyre të gjerë si deti, mbetën të lirë. Vargjet e metaforat nuk mund të lidheshin dot me pranga nga xhelatët ngaqë ishin të ngjizura me lëndë jomateriale - ideale, hyjnore, që flatron lart, larg mynxyrave tokësore. Shumica e poezive të autorëve të përfshirë në vëllimet në fjalë, ashtu si të Pano Taçit, Agim Mustës, Bedri Myftarit etj në antologji të tjera, krahas atdhedashurisë dhe himnizimit të lirisë, mbartin e kumtojnë edhe mesazhe zemërgjerësie e tolerance, duke kërkuar vënien në vend të së drejtës me humanizëm, larg hakmarrjes e dukurish të tjera të kësaj natyre.
Por, fatkeqësisht, disa krijime të përfshira në vëllimet që zura në gojë më sipër, të hedhura në letër pas ngadhnjimit të demokracisë në Shqipëri, kam përshtypjen se dalin nga “binarët” e drejtë të trajektores që po përshkon, - përtej ndeshjeve të natyrshme politike, por edhe përmes këtyre, - mbarë vendi ynë.
Duke nxjerrë dashur pa dashur në plan të parë aspektet materiale, përqëndrohet vëmendja tek fytyra, ndonjëherë “e parruar”, e shoqërisë shqiptare, dhe harrohet që “radiografimi” i saj vërteton se kemi të bëjmë me një organizëm të shëndetshëm, jo të sëmurë. Arritjet e mëdha e të gjithanshme, të shënuara gjatë afro dy dhjetëvjetshave të fundit e sidomos në këtë gjysmë dekadë të qeverisjes Berisha, flasin bindshëm për vitalitetin e një populli të lirë. Veprat e panumurta në industri, në bujqësi, në ndërtim e në infrastrukturë; rritja e vazhdueshme e cilësisë së jetesës dhe lartimi i shkallëzuar i nivelit arsimor-kulturor të të gjitha kategorive sociale, janë mishërimi dhe materializimi në praktikën e përditshme i idealeve të bijve më të mirë të kombit, pra edhe i të përndjekurve politikë, të cilët nderohen e respektohen nga shteti dhe nga mbarë shoqëria. Këto performanca, që do të ishin të papërfytyrueshme, deri edhe disa vite më parë, qoftë edhe nga optimistët më të guximshëm, kanë kërkuar jo vetëm energji mendore e fizike, por edhe fonde kolosale. Këto të fundit janë shpenzuar pangurrim, sepse i shërbejnë zhvillimit të vendit dhe interesit të të gjithë shtetasve, në qytet e në fshat, krejt shoqërisë. Nga ana tjetër, një gjë e tillë, pra shpenzimi “me bujari” i fondeve në sektorët e mësipërm, natyrisht që dikton kursimin dhe kufizimin, në një masë apo në një tjetër, të fondeve që mund dhe duhej të caktoheshin për destinacione të tjera. Këtu kemi parasysh edhe shpërblimin e të përndjekurve politikë. Kërkesat e tyre janë trajtuar si plotësisht të drejta dhe qeveritë e të gjitha kahjeve, që kanë drejtuar vendin gjatë kësaj periudhe gati njëzetvjeçare, janë përpjekur të bëjnë diçka në këtë drejtim, pa e zgjidhur dot problemin plotësisht, deri tani. Por ky “mosrealizim” mendoj se nuk duhet të shfrytëzohet për të goditur majtas-djathtas dhe për të krijuar përshtypjen se kemi të bëjmë me një zhgënjim të pafund, apo me mosmbajtje të premtimeve të dhëna ndaj të përndjekurve politikë. Kuptohet, “as Roma nuk u ndërtua për një ditë”, por as nuk është gjetur ende ndonjë formë respekti, mirënjohjeje e nderimi që ta kthejë vetmohimin e djeshëm të idealistëve në paqe shpirtërore sot, madje në mundësi reale që shlyerja e vuajtjeve t’i afrojë ish të përndjekurit në procesin e evropianizimit të Shqipërisë. Mbase këto pamundësi, pa përmendur humbjen e natyrshme të durimit, bëjnë që poezia t’u nënshtrohet insinuatave apo këmbënguljeve pamfletore se “bijtë e shefave tanë të djeshëm, janë bërë shefa të bijve tanë", apo që aksh parti (një e më shumë të tilla) qënkan maska të Partisë së Punës, të drejtuara nga vegla të ish-Sigurimit famëkeq!
Dihet se një sistem politik i ri ndërtohet mbi të vjetrin, duke u shoqëruar e përsosur me shndërrime rrënjësore, të gjithëmbarshme. Por kjo nuk parakupton kurrsesi një proces që ngjan me “tabula rasa”, pra me rrafshimin e gjithçkaje, sikurse predikonin proletkultasit më 1917, në Rusi. Në këtë këndvështrim, jo vetëm pasardhësve të krerëve komunistë, por gjithkujt që i ka shërbyer regjimit diktatorial, - me përjashtim të atyre që kanë bërë krime, - demokracia nuk ua mohon të drejtën ta rishohin me sy autokritik qëndrimin vetjak dhe mundësisht, me bindje, të marrin pjesë në ndërtimin e shoqërisë së re. Lidhur me dukuri e ngjarje të këtij lloji, populli ka fjalën e urtë: “Nga ferra del trëndafil”, ashtu siç ka edhe të anasjelltën e saj.
Si të gjithë qytetarët shqiptarë, edhe unë ushqej bindjen se poezi me rënie të papëlqyera, që zgjohen saherë autori i jep përparësi anës tejet materiale të jetës, në dëm të asaj shpirtërore, duke shformuar idealet për të cilët luftuan dhe u flijuan mijra bij e bija të kombit, nuk përfaqësojnë veçse diçka aksidentale, kalimtare.