Savatie Baștovoi: Dhunti dhe çmime – një dekalog (Haruri și prețuri – un decalog)


Savatie Baştovoi (l. 4 gusht 1976, Kishinjev) është murg ortodoks, eseist, poet dhe romancier rumun.

1. Mos harro se duhet të vdesësh
Kur isha dy vjeç, rashë nga koleshka e lidhur pas kalit, ndërsa babai eci më tutje pa më vënë re. Babai ishte pylltar asokohe dhe ngjarja ndodhi bash te porta e Orikovës. Kur kali u nis, unë rashë mbi dëborë dhe u përzieva me qiellin e bardhë të dimrit. Atëhere pata për herë të parë vegimin e vetmisë dhe të vdekjes. Mbaj mend se isha i veshur me një ca kominoshe të kaltra me kapuç. U ktheva i heshtur në shtëpi, tek nëna, duke u çapitur ngadalë, për t’i dhënë tim eti kohë të më arrinte.

2. Mos harro se duhet të duash
Gjëja më e tmerrshme që mund t’i ndodhë një njeriu është të mos e duan. Por besoj se edhe më e tmerrshme është të mos duash. Gjithmonë e kam pasurt më të lehtë t’i dua njerëzit, të gëzohem kur i shoh. Prandaj s’kam pasur asnjë pengesë për ta kuptuar Ungjillin. Kur bëja ndonjë të pabërë, nëna më thoshte: ”Largomu, nuk dua të të shoh!” Ky ishte për mua ndëshkimi më i hidhur, të cilin e përjetoja si një dëbim nga Parajsa. Shën Isak Siriani thoshte se zjarri i ferrit nuk është gjë tjetër veçse dashuria e humbur, të cilën je i dënuar ta shohësh përjetë.


3. Mos e çmo në të holla atë që Zoti ta ka bërë dhuratë
E kam kuptuar këtë në rinin e hershme. Isha nxënës në Liceun Artistik (Octav Băncilă) të Jashit, nëna më çoi në Shën Petërburg të shoh Ernmitazhin. Atje bujtëm tek një familje abhazësh, një grua e ndarë nga burri, me dy fëmijë, por tejet e shkathët. E quanin Izolda dhe ajo ma bleu të parën kitarë. Zoti i dhëntë shëndet! Kishte një furrë gatimi dhe fitonte mirë. Unë kurrë nuk kisha parë aq të holla. Izolda shiste mish të pjekur natën, gjer në të gdhirë, se ishin netët e bardha. Ndonjëherë dilja edhe unë me ta, se ishte diçka tërheqëse. Ata piqnin e shisnin mish, ndërsa unë vizatoja mbi një dosje të mbështetur mbi gjunjë. Kur ata hanin, unë kisha kohë t’u ‘vidhja’ portretet. Një burrë tullac e gazmor m’u afrua dhe nisi të bërtiste: “Po ky jam unë! Jam vërtet unë! Sa të bën të ma shesësh?” Unë jua fal, nuk shes. Dhe ia dhurova atë portret. Burri më dha megjithatë një dollar, ishte viti 1991. Pastaj iku. Unë mbeta me dollarin. E futa në një fletore dhe nuk e përdora kurrë.

4. Mos e beso të keqen
Sa herë ka ndodhur të mendoj keq për dikë, vetëm kam humbur. Jam ndjerë i pistë, pjesëmarrës në një ujdi që e ndyn njeriun. Kam përgojuar edhe unë njerëz, dhe koha më ka dëshmuar gjithmonë se s’kam pasur të drejtë. Parapëlqej të gaboj duke ruajtur mendimin e mirë për dikë të keq, sesa të arrij të besoj diçka të keqe për dike të mirë. Çdo e keqe është një gënjeshtër. E keqja, siç thoshte I lumturi Agustin, nuk ekziston. E keqja është një mungesë e madhe, mungesa e së mirës dhe e dashurisë. Prandaj të besosh të keqen është njëlloj sikur të zhytesh në mungesë, në gënjeshtër.

5. Mos e pandeh veten të humbur
Jam një qënie e prirur ndaj dëshpërimit dhe i njoh të gjitha të këqijat që dalin nga kjo rënie shpirtërore. Por një ditë më erdhi mendimi shpëtimtar. Thashë se Zoti i njihte rëniet e mia, edhe të shkuarat, edhe të ardhmet, e megjithatë më kish krijuar, e Zoti nuk sjell askënd në botë për ta humbur. Nëse jemi lindur, kjo nënkupton se Zoti ka besim të plotë tek ne. Është një kurajo e madhe të mendosh se Zoti ka besim tek ti. Në dëshpërim e sipër, njeriu është i aftë të bëjë çdo të keqe, ai hap luftë kundër vetes dhe ka një kënaqësi demoniake për të shkelur parimet e veta, duke u vetëvrarë shpirtërisht. Besoj se çdo prift i vërtetë i nis këshillat pas rrëfimit të dikujt me fjalët: “Mos u dëshpëro!”

6. Mos e pandeh veten shenjtor
Shën Siluan Atoniti thoshte: „Dy mendime të mos i pranosh e të mos i besosh, i pari se nuk do të shpëtohesh, dhe i dyti se je shenjtor”. Mos e pendeh veten më të mirë se të tjerët. Ajo që mund të bësh, me hirin e Zotit, mund të jetë më e mirë se e fqinjit, por kjo s’domethënë se ti je më i mirë në krahasim me të, vetëm ajo që bën është më e mirë. Dhuntitë e Zotit nuk merren mbrapsht, por gjithkush që mburret me gjërat e veta arrin të errësohet dhe ta përdorë dhuntinë e vet sëprapthi, duke humbur më pas dinjitetin.

7. Mos hyrë dorëzanë
Sa herë jam bërë dorëzanë për dikë, i kam ngatërruar njerëzit dhe kam bërë keq. Që kur e mbaj mend veten, hyja të shpëtoja dynjanë. Drogmenë, pianecë, gra të rrahura nga burrat etj. Nuk shpëtova askënd, por vetëm telashe, lekë të vjedhur, sende të zhdukura, grindje me fqinjët. Arrita në përfundimin se, po deshe të ndihmosh dikë, ndihmoje aq sa të mbajnë forcat, pa përzier edhe njerëz të tjerë. Kjo nënkupton se je bërë dorëzanë, ke garantuar që ata do të ndreqen dhe të përfaqësojnë. Kam lexuar dikur në Shembujt e Solomonit këshillën “Mos hyrë dorëzanë”. Kur lexojmë Shkrimin e Shenjtë, ne kuptojmë dhe mbajmë mend vetem aq sa kemi përjetuar, ndërsa fjalët e tjera nuk i shohim.

8. Mos u hakmerr dy herë
Hakmarrja është mëkat, por është njerëzore. Shkrimi Shenjtë thotë se nuk duhet të ndëshkosh dy herë për të njëjtin gabim, parim që hyri edhe në të drejtën romake. Mund të kuptoj një gjest hakmarrjeje, ndonëse është më mirë të mos hakmerresh, por huajsohem nga njeriu që hakmerret dy herë, pra pafundësisht, për një gabim të vetëm. Kur u hakmora njëherë, shkoi si shkoi, më fali Zoti, po kur u hakmora për së dyti, u përmbys gjithçka në kokën time dhe kuptova se kisha luftuar kundër vetes.

9. Mos fito me çdo çmim
Njerëzit që duan të jenë fitimtarë më çdo çmim, dikur humbin gjithçka. Parapëlqej të pandehem si humbës ndonjëherë, për të ruajtur shansin e fitores së mbrame. Njëherë, një peshkop rumun ma lëvdoi politikanin A. N. (ishte viti 2004): “Përfytyroni, ky njeri ka pasur në shkollë vetëm dhjeta, asnjë nëntë. E jashtëzakonshme, apo jo?” Iu përgjigja: “Nuk kam besim tek njerëzit që marrin vetëm dhjeta”. “Po pse?!” u çmerit ai. “Sepse njerëz të tillë nuk dinë të humbin, dhe ai që s’di të humbë të shet për një fitore kalimtare”.

10. Mos qesh me turpin e askujt
Kur isha i vogël, dëgjova djemtë e mëdhenj tek qeshnin me dikë që qe kapur në një mëkat të turpshëm. Më pas, sa herë e takoja atë njeri apo dëgjoja të flitej për të, më vinte ndërmend, pa dashur, mëkati i tij. Por kurrë nuk e thashë me gojën time atë mëkat dhe u solla ndaj atij njeriu sikur të mos dija asgjë. As tani, kur ai ka vdekur, nuk mund ta them atë që kam dëgjuar, se nuk dua t’ia trazoj turpin.