Shkëndia për qëmtimin e Realizmit Socialist dhe
praninë e i/rrealizmit brenda corpus-it të tij, i
përket vitit 2009. Teksa përktheja për revistën Poeteka një
antologji të poetëve futuristë italianë, në 100 vjetorin e shpalljes së
Manifestit të lëvizjes avant-gard me shpërfaqje sa artistike aq edhe sociale e
politike në angazhimet e veta, u vu në lëvizje ai mekanizëm intuitiv dhe logjik
njëherazi, që filloi të vëzhgonte më me kujdes jo vetëm çështjet e cilësimit
të realizmit të Realizmit Socialist brenda katalogut të lëvizjeve
artistike me bazë realizmin, por veçanërisht çështjet e cilësisë së
realizmi të medodës letrare të Realizmit Socialist.
Pjesë e këtyre vëzhgimeve të atëhershme u bënë edhe
mitet me sfond të ngjashëm social dhe politik, apo zbulimi i disa vatrave
metodologjike e tekstore ku realizmi i Realizmit Socialist shfaqet
si variant i realizmit pas modernizmit.
Prej këtej, Realizmi Socialist filloi të gjurmohej si
shmangje ndaj realizmit të pretenduar apo më pranë një forme të “realizmit
moral”, “subjektivizëm etik” me bazë “quassi-realizmin”, që të nisin drejt
termave “realizëm postmodernist” dhe “anti-realizëm”[1].
Prej këtej filloi të bëhet më i dallueshëm fakti se
zgjerimi i i/rrealizmit[2] në trup të Realizmit
Socialist nxitej nga krijimi i një “forme monarkike” në perceptimin e
këtij realiteti, në trashëgimin e një realiteti të vetëm dhe në
riprodhimin e po këtij realiteti në forma të shumta, por jo të shumëllojshme
që, tekefundit, ishin e njëjta formë e shumëfishuar e një monorealiteti të
programuar.
Këtë lloj i/rrealizmi brenda realizmit, filozofi
dhe esteti Henry Nelson Goodman e cilëson me termin “versione të botës”,
por këtij përcaktimi i bashkëngjiten edhe të tjerë si, “pluralizmin epistemik”[3],
të cilët përkufizojnë shumësinë e formave të njohjes, siç e gjejmë të arsyetuar
nga studiuesi Evgeny Dobrenko[4].
Të gjitha këto vështrohen të lidhura me atë formë
realizmi që ngulmon t’u japë përgjigjeve pyetjeve mbi atë se çfarë ishte në
thelb realizmi i prodhuar nga Realizmi Socialist. Ishte ai një gjuhë e re arti
apo gjithçka ishte thjesht një iluzion aristik[5]?
Për më tepër, ngjall kureshtje mendimi nëse ishte
socializmi si rend, ai qe e krijoi Realizmin Socialist, për të “zbukuruar
realitetin” në vendet ku kjo metodë u zbatua apo kishte ndodhur e kundërta, ku
vetë Realizmi socialist ishte ai që prodhoi dhe e riprodhoi socializmin, duke i
dhënë këtij sistemi utopik statusin e realitetit, siç mund ti jepet formë
materiale një ideje?
Engeny Dobrenko sjell argumete se socializmi i
vërtetë ka lindur prej artit të Realizmit socialist dhe se ky Realizëm
socialist rezultoi institucioni më efektiv sociopolitik i stalinizmit, që edhe
e krijoi dhe e ngriti atë në statusin e metodës[6].
Së këtejmi buron edhe pyetja nëse kishte pasurim të
formave të pasqyrimit të realitetit nga ana e artistëve të kësaj metode
krijuese? Apo gjithçka që ndodhi brenda përvojës totalitare gjatë gjysmës së
dytë të shekullit XX, si të Lindje ashtu edhe në Perëndim të Europës, nuk ishte
gjë tjetër veçse zbatim i funksionit prej iluzionisti të artit që, duke iu
adresuar socializmit, mundësoi fluturime vetiake drejt së ardhmes dhe
pritshmërive futuriste, që e zëvendësuan realitetin me një gënjeshtër të
parëndësishme estetikisht?
Riprodhimi i shumëfishuar i të njëjtit realitet
brenda letërsisë së Realizmit socialist, kishte të bënte jo me toposin,
por me logosin, për shkak se poetika mbeti e njëjtë edhe pse harta
e vendosjes së narrativës ndryshonte nga njëra vepër në tjetrën dhe nga njëri
vend në tjetrin.
Gjuha monolite e mjeteve të të shprehurit çonte
drejt absolutizmit të një mono-realiteti që, siç u pa, iu
kundërvu formave plurale të shfaqjes, të perceptimit dhe të pasqyrimit. Kjo
trashëgimi letrare - monopolin e së cilës në narracion e kishte vetëm shteti -
nuk rezultoi të ishte tjetër veçse formë e një monologu. Thënë ndryshe, vendin
të një republike me pluralizëm formash, prirjesh e mjetesh letrare, e zuri
forma e monarkisë absolute.
Autoriteti suprem ishte ai që ushtronte pushtetin e
vet të plotë mbi formën e vetme të lejuar të pasqyrimit të realitetit: atë të
realizmit socialist.
Absolutizími i realitetit të vetëm, i
ushqeyer nga principe politike, nga frymëzime theo-ideologjike dhe gjykime
etike, prodhoi dhe mbajti gjallë një “realitet – mumje”[7], që i
takonte njëkohësisht më shumë të ardhmes sesa aktualitetit që, falë letërsisë
përjetohej sikur ishte apo, por që ndodhet përtej dhe që iu ofrua masave si një
fakt-fiction, përmes letërsisë së Realizmit socialist.
Prania e një forme të këtillë realizmi i krijoi
klimë të përshtatshme riaktivizimit të disa llojeve të veçantë të
miteve-klishe, të cilat zunë vend edhe në peizazhin e ri letrar shqiptar mes
viteve 1949-1989.
Burime të mëhershme konfirmojnë priren të vendosin
një rend tjetër në kronologjinë e njohjejes e komunikimit mes letërsisë
shqiptare dhe lëvizjeve, shkollave e rrymave të modernizmit. Këto burime zënë
fill kemi gjetur në shtypin shqiptar mes viteve ’30-’40 ku, mes të tjerash
qëmtuam paragrafë që vënë në dijeni se në Shqipëri dhanëci “kan nisë
me hye pak nga pak natyralizmi, verizmi, madje surealizmi, ermetizmi për mos me
thanë futurizmi”.[8].
Duke e vëzhguar si luftë për hapësira letrare
polemikën mbi modernen në letrat shqiptare mes viteve ’30-’40, kemi ndeshur
edhe detaje të tjerë që e pasurojnë panoramën mbi praninë e marrëdhënieve e
dijenive mbi rrjedhat kulturore europiane të atyre viteve. I tillë është teksti
i Nexhat Hakiut, më pas pjesë e trupit botonjës së redaksisë së revistës
letrare “Bota e Re”, por i ndëshkuar më pas, i cili në vitin e
fundit të Luftës II shkruan kështu në Bashkimin
e Kombit: “Futurizmat, dadaizmat, ermetizmat e tjera kësodore lindin e perndojnë,
kurse arti i vërtetë përmes klasikvet, ka lindur dhe ka mbetur përjetë”[9].
Lidhur me shkallën e ndikim-aplikimit të rrymave
moderne mbi disa autorë shqiptarë, si për shembull Gaspër
Pali, shprehet edhe Kolë Ashta, i cili shkruan: “Sensualizmi, verizmi,
realizmi, surealizmi, klasiqizmi, romantiqizmi, ermetizmi, simbolizmi
kapërthehen në nji mënyrë të pazgjidhun në shpirtin poetik...”,[10] dhe
ku për arsye të njohura, “Rrymat e ndryshme letrare, të cilat i a
trazojnë vetdijen, nuk marrin trajtë të préme...”,[11].
Prej kësaj merr vëmendje edhe gjurmimi i mënyrave
të tjera, veç atyre të pretenduara, lidhur me zanafillën, ecurinë, vonesat dhe
sidomos me trashëgiminë progresiste dhe pozitive letrare të realizmit
paraardhës, mbi të cilën u mbështet Realizmi Socialist.
Përmes këtyre priremi të shprehemi e të qartësojmë
jo vetëm për zanafillën si importim apo si përshtatje të
metodës së Realizmit Socialist për realitetin shqiptar, si dhe jo thjesht
mbi kufijëzimet që rrodhën prej tyre, por edhe kufijtë bashkues
e ndarës brenda metodës së realizmit socialist, e cila, siç do e vërejmë në
kapitujt pasardhës, nuk paraqitet e homogjenizuar në format e saj të drejtimeve
lokale.
Po ashtu, dokumentet dhe interpretimet nënvijëzojnë
se pavarësisht modelit të “importuar” dhe avancimit të tij drejt “imponimit të
modelit lindor” herë bolshevik e herë sipas formatimit të revolucionit kulturor
kinez, por edhe gjendjes së gatishmërisë së një pjese jo të vogël të
shkrimtarëve për të përqafuar me parapëlqim metodën e realizmit, si
alternativën më të mirë në pasqyrimin e realitetit të ri shqiptar, është e
nevojshme t’i mëshojmë më fort faktit se realizmi socialist do të hasej me
mjaft probleme serioze jo thjesht dhe vetëm në “përshtatshmëri”, por edhe me
“depërtueshmëri” në truallin e letërsisë shqipe në rast se nuk do të kishte
pasur një traditë pararendëse sado të shkurtër të realizmit letrar që ishte
importuar thuajse tërësisht nga Perëndimi.
Argumete mbi çështjen e trashëgimisë, e ndeshim
te Sterjo Spasse, i cili shpreh idenë se Realizmi Socialist mund të zhvillohet
i mëvetëm, pa mbështetje, pa paraardhje letrare dhe pa pasur fare
nevojë për vepra të realizmit kritik.
Në diskutimin e tij me titull Atmosfera
letrare, mbajtur në Konferencën e Tretë, të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë
ndeshim argumentin në vijim: “Pas mendimit tim, jo vetëm t’i lëmë për më vonë
veprat e realizmit kritik, por e mira e të miravet të mos dalin kurrë vepra
letrare të realizmit kritik sot, që kemi metodën e Realizmit Socialist”.[12]
Qasjet e ofruara më herët vihen në funksion të
vrojtimit të cilësisë së realizmit brenda letërsisë së
Realizmit Socialist, si një mundësi për të vëzhguar shkallën e përfaqësimit të
reales brenda metodës, përpikëmërinë dhe madje fetishizmimin në pasqyrimin e
realitetit dhe të realiteveve të brendashkruara, të cilat, jo rrallë çuan në
daljen nga shtrati i reales dhe i realizmit të mbicilësuar si socialist.
Por edhe pse realja dhe realizmi, si forma të
pasqyrimit të realitetit, ushtruan dhe ushtrojnë ndikim në jetën sociale,
politike, etike, estetik dhe teologjike, pyetja shtrohet në këtë formë: me
ç’mjete e metoda u bë e mundur që Realizmi Socialist, kjo formë e çuditshme e
realizmit, u identifikua me realen dhe me të vërtetën, me vetë realitetin,
kur të qenit real, si një konceptet qendror në teorinë
e Lacan-it, vështrohet si krejt i pamundur[13]?
Kësisoj e kemi veçuar tanimë interesimin për të
vëzhguar përballjen realizëm/i-realizëm brenda shtratit
të Realizmit socialist, llojin e realizmit që u aplikua dhe
sidomos cilësinë e këtij realizmi.
Ndërkaq na mbetet të hetojmë në se të qenit
realizëm i cilësuar – socialist – ndikoi mbi thelbin e vetë
realizmit? Ky cilësim a e çoi atë realizëm më pranë reales apo e shndërroi në
“realizëm spekullativ” në korelacion me universalen,[14] në fotorealizëm dhe
në forma të tjera, që ndikuan në transformimin e një letërsie me
bazë realiste në një letërsi i-realiste?
Në veprën e tij Languages of Art,
studiuesi Nelson Goodman mbron tezën që i njeh arteve jo vetëm kontributin në
të kuptuarit e botës, por mbi të gjitha ndihmesën e tyre në “ndërtimit dhe
rindërtimin e realiteteve”[15] që përjetojmë.
Në këndvështrimin këtij autori i/rrealizmi lidhet me sistemin e
përfaqësimit të reales përmes versioneve të botës që
pasqyrojmë edhe përmes arteve.
[1] Lidhur me shtjellimin e termave të cilësuar
shih: Christine Baron, Manfred Engel Realism/Anti-Realism in
20th-Century Literature. “Rodopi”. 2010.
[2] Termi i/rrealizëm këtu
përdoret në kuptimin që filozofë si Nelson Goodman adresonin për të treguar
mënyrat specifike të jo/realitetit. Termi i/rrealizëm në
rastin tonë, nuk i referohet post-realistëve si Donald Barthelme apo krijuesit
e “fictionit të ri”, të cilën pohonin se të gjitha format e shkrimit mund të
ofronin vetëm versionet e veçanta të realitetit më fort se sesa përshkrimet e
njëmendta të tij.
[3] Nelson Goodman, Languages of
Art, Languages of Art: An Approach to a Theory of Symbols, “Hackett
Publishing Company”. Indianapolis, 1976.
[4] Shih Evgeny Dobrenko Political
Economy of Socialist Realism, kreun “Socialism as Will and
Representation”. “Yale University Press”, 2007.
[5] Ernst Gombrich, Art and
Illusion, Princeton University Press. 2000.
[6] Evgeny Dobrenko, vepër e
cituar.
[7] Rreth metaforës së mumjes dhe muzeut si
meta-realitet shih: Vladislav Todorov, Red Square, Black Square:
Organon for Revolutionary Imagination, “State University of New York
Press”, New York, 1995, f.5.
[8] Bala, M. A kemi nji
dram modern shqiptar, “Kultura Islame”, 7, 1942.
Faqe f. 214-217.
[9] Aldër, Letërsija kombtare.
“Bashkimi i Kombit”, Tiranë, 1944, 27 Gusht, f. 3.
[10] Ashta K., Vdekja
e nji letrari të ri: Gaspër Pali, “Tempo”,
Nr. 20. Milano, 1942, f. 28.
[11] Po aty.
[12] Shih Sterio Spase, Atmosfera
letrare, Konferenca e Tretë, Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë
1950.
[13] Mbi pamundësinë e të qenit real shih për më
gjerë Shoshana Felman, Jacques Lacan and the
Adventure of Insight: Psychoanalysis in Contemporary Culture. “Cambridge:
Harvard University Press”, 1987; si edhe Jacques Lacan, Critical
Evaluations in Cultural Theory. “Routledge”, New York, 2003.
[14] Zupanćić, A., Realism in Psychoanalysis,
in Lacan and philosophy: The new generation, re.press Melbourne
2014, pg. 21-34, (cituar sipas Alenka Zupanćić (Meillassoux 2008).
[15] Shih Nelson Goodman Languages
of Art, “Goodman”, 1976 dhe Ways of Worldmaking, “Hackett”,
Indianapolis, 1978.