Oshënari mendon për ligjin e Zotit
nateditë; gjithashtu, ai çon ditenatë një lufte të paprerë me jo-mikun. Ai
duhet të mposhtë shtatë sprova (të
fitojë shtatë forcime):
E para – të ndërpresë vullnetin e vet.
E dyta – t’i dorëzohet dëgjesës së plakut të vet (prijësit shpirtëror).
E treta – ta thajë veten për hir të
Zotit.
E katërta – ta dojë varfërinë.
E pesta – të mposhtë dashurinë ndaj
vetes.
E gjashta – të përunjësohet.
E shtata – t’ia dorëzoje shpirtin e vet
Zotit, pra të lerë gjithçka në vullnetin e Zotit.
Të shohim çfarë “dekoratash” fiton oshënari
nga Zoti për fitoret në tokë:
E para – paqja e ndërgjegjes.
E dyta – shpirti dhe trupi kanë paqen që
vjen nga Zoti.
E treta – shpirti do Zotin dhe, duke E
parë, mendon se Zoti na do.
E katërta – falë dashurisë së Zotit,
njeriu e do sivëllain si veten.
E pesta – shpirti gjen çlodhjen në
Zotin dhe sheh madhështinë e Zotit dhe mëshirën e Tij.
E gjashta – shpirti ec në tokë dhe
punon me duar, por mendja është tek Zoti dhe, duke E parë, harron tokën, sepse
dashuria e Zotit e tërheq shpirtin që Të dojë Zotin e Dashur.
E shtata – shpirti ndjen hirin e Zotit
në mendimet e veta.
E teta – shpirti ndjen hirin e Zotit në
zemër.
E nënta – shpirti ndjen hirin e Zotit në
trup.
E dhjeta – dashuria e Zotit i hap Mbretërinë
e qiejve dhe shpirti njeh përmes Shpirtit të Shenjtë se si është Zoti ynë.
Lidhur me këto që shkrova, ju kërkoj
falje për të gjitha gabimet juve që do të më lexoni dhe ju kërkoj të luteni për
mua.
Por i shkrova këto i tërhequr nga
dashuria e Zotit, me të cilën nuk ngopem. Ulem në tryezë dhe krejt shpirti im është
i mbushur nga Zoti dhe asnjë mendim i mbrapshtë nuk më afrohet dhe nuk ma
pengon mendjen që të shkruaj për Zotin, të Cilin e dua. Por kur mbaroj së
shkruari, mendimet vijnë sërish dhe ma turbullojnë mendjen e dobët e të
pafuqishme, e atëbotë i qahem Zotit të Mëshirshëm, e Zoti më mëshiron mua,
krijesën e tij të përmbysur.
[Fragment nga “I përhirshmi Siluan Atoniti, Mes ferrit të dëshpërimit dhe ferrit të përunjësisë,
përkthyer rumanisht nga Pr. Prof. Dr. Ioan Ica dhe Diac. Ioan I. Ica jr.,
Editura Deisis, Sibiu, 2001]