Francezët, - me romanin e tyre të ri, me teoritë mbi tekstualizmin, shkrimin si kundërletërsi, - ligjëruan, në fakt, mërzinë si lëndë, qëllim dhe stil në prozën moderne. Shfaqen me kile edhe tek ne autorë tejet të talentuar e me kulturë që shkruajnë për të shkruar, thurin, vallëzojnë, eksperimentojnë. Nuk e kuptoj sa të fituar dalin këta autorë në veten e tyre: ata shtojnë nga një ishull turbullire dhe kaosi në terrin dhe shëmtinë e botës, duke forcuar ngritjen e shpirtrave të vdekur përmes tekstesh ku s’gjendet asnjë ide e qartë, asnjë personazh, asnjë ngjarje. Aty nga fundi i jetës, thuhet se (Roland) Barthes-i qe shprehur ‘po sikur modernët të mashtrohen? Po sikur të mos kenë talent?’ (...) Shkrimtarët tanë ‘modernë’ (onirikë, tekstualistë, surealistë, hermeneutikë etj) janë plot me talent. Mirpo ky talent bluan fjalë, stil, formula, duke sajuar ca lojna e gënjeshtra të cilat lexuesi i zakonshëm i tret me shumë vështirësi dhe pa asnjë fitim apo kënaqësi. (...) Po nis të besoj se kjo lloj letërsie bën pjesë dhe i shtohet (...) procesit të përgjithshëm të shkarjes së shpirtit: jemi ndarë nga filozofia dhe morali i aktit të krijimit, nga kthjelltësia dhe vegimi, nga lexuesi i gjerë, nga fjala e shprehur me kuptim, me ngjarje e nënkuptim (...) Kritika i mbështet këta bij plangprishës të gjuhës e stilit, se ajo vetë, - si një dehje skolastike abstragimesh, - përpiqet të shndërrohet në art më vete, njëfarë nevoje e rrejshme për të filozofuar“*.
* I. D. Sirbu, Jurnalul unui jurnalist fără jurnal
/ Gazeta e një gazetari pa gazetë, 1993.