Ju lutem një identitet për lexuesit tanë?
Istref Haxhillari: Jeta ime është fare e thjeshtë për cilindo dhe tmerrësisht e ndërlikuar për mua. Krijimtaria ime është një krisje e shpirtit të hepuar nëpër mote. Në kuptim metaforik njeriu i përngjet lisit, rrënjët e të cilit janë e shkuara, trungu e sotmja dhe lastarët e ardhmja. Ndër tre komponentët, rrënjët e padukshme, kohësia e kurrënjohur plotësisht, përjetohet tej përmasave reale zmadhuar e shformuar, pasqyrim konveks i tyre. Rrënjët e padukshme jetësojnë të sotmen dhe përimtojnë të ardhmen, mbushin me lëngun limfatik duknajën dhe fantazinë, vërtetësoren dhe imazhet prej të cilave më ka buisur shpirti që në rininë e herëshme. Kujtesa e mbingarkuar prej gjithfarë fiksionesh nduk dhe kurdis mekanizmin e pakuptuar të nënvetëdijes, prej nga ndihem çuditërisht i ngacmuar e i shqetësuar.
Jam lindur në Pogradec ku mbarova arsimin e mesëm. Në vitin 1977 u diplomova për Fizikë në Universitetin e Tiranës. Më 1985 kam kryer kursin pasuniversitar për këtë specialitet.
Mësues dhe drejtor shkolle, pastaj inspektor, shef i arsimit të rrethit Pogradec, përgjegjës i burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore etj. Aktualisht mësues në shkollën e mesme të qytetit.
I martuar me tre fëmijë.
Jam dashuruar me letërsinë që në fillesë të karierës sime. Prej disa vitesh kam botuar tregime, ese dhe publiçistikë në shtypin periodik, një pjesë e të cilave u botuan në prill 2007 në librin “Përthyerje„ pjesa e parë, ndërkohë që kam në përfundim pjesën e dytë të kësaj përmbledhjeje.
Tregime të tjera të botuara në faqet letrare të disa gazetave të Tiranës si:
Pertej vetmisë
Legjendë e gurtë
Danishi
Thikat e Vardarit
Përthyerja e poetit
Sykaltra
Brishtesi etj,
janë pritur me interes nga lexuesit dhe kanë motivuar ktijimet e mëvonëshme.
Romani “Pesha e kohës„ botuar nga Shtëpia Botuese Toena është libri i dytë.
Titull i rëndë për një roman?
Istref Haxhillari: Keni të drejtë. Pyetja juaj më nxit dhe obligon të përshkruaj hullinë përmes së cilës u formësua romani.
Përmbi njëqind vjet të shkuara fizikani francez i parmasave të mëdha, Lagranzhi, zbuloi ligjin e veprimit më të vogël apo parimin e minimumit, të cilit i nënshtrohen të gjithë përbërësit e botës inerte. Fuqia e parimit të Lagranzhit është e gjithësishme, vepron pa dallim mbi sendet: çdo sistem fizik apo objekt i veçuar gjithnjë synon cakun me energji më të vogël të mundshme, ku prehet përjetësisht derisa kryhet punë së jashtmi për ta nxjerrë prej plogështisë. Nis sërish të funksionojë, shpenzon rezervën e dhuruar për të shkuar medoemos në përshfaqjen e gjumit energjitik. Shembulli i orës me kurdisje apo lavjerrësit matematik, që ndalet së fundi në qëndrimin vertikal, ilustrojnë qartazi gjeninë e Lagranzhit.
Forca e ideve të mëdha shpaloset në thjeshtësinë dhe kohësinë e tyre. Parimi i veprimit më të vogël është shëmbëllesë e këtij kuptimi filozofik, pasi të gjitha sistemet, krijuar përgjatë më shumë se një shekulli nga plazmimi i tij, nënshtrohen pa kushte, pa asnjë mëdyshje, pa përjashtim.
Jam krejtësisht i bindur se kjo ligjësi vepron me të njëjtën fuqi mbi shpirtin njerëzor dhe produkteve pafund të tij, krahasimisht gjendjes inerte. Cilido ndodhet dendur bosh, pa asnjë ide apo mendim, pa ndonjë motiv për të bërë diçka të dobishme, shkon pashmangshmërisht drejt gjendjes së mjegullt me energji shpirtërore minimum. Po ja, shfaqet një mik, dikush i ndodhet pranë njeriut në ditë të tillë, i jep kurajë, forcë sikur derdh mbi të gjallërinë e nevojshme për të mbledhur veten dhe rinisur punën e lënë përgjysmë. Nëpër hulli të dhimbshme, që përjetojnë të gjithë një ditë, miq të tillë jo të zakontë janë ilaç përmbi të tjerë.
Kur punoja mbi romanin “ Pesha e kohës ”, gjendesha shpesh zbrazët, pa asnjë vragë për të vazhduar rrjedhën e ngjarjeve, më dukej se barra që kisha marrë përsipër nuk bënte për shpatullat e mia, shkurt puna e nisur përngjiste me aventurat që nuk shpien askund. Aq shumë ndieja mungesën e ideve sa edhe fizikisht më mpinte plogështia, hapat në rrugë të pasigurta, shprehja e fytyrës së murrëtyer nuk shprehte asgjë të përcaktuar. Ligështinë, zvarritjen shpirtërore përthyer fizikisht e vinin re shumë njerëz, po rrallëkush më nxiste, ngacmonte receptorët e imagjinatës sime. Kështu zinte fill vagëlluar një vijë e spërdredhur, në fund të së cilës shkëndijonte dritëza e mekur, që i fryja me kujdes të mos shuhej. Megjithë përpjekjet, radhazi nuk arrija ta mbaja ndezur, më ikte përduarsh. Shenjoja një vijëz tjetër, pastaj tjetër që çonte së fundi në zjarrin e këndellur ngazëllues.
Në të shkuarën më patën impresionuar rrëfimet e bujshme për njohësit e shpatullave të bagëtive të cilët parashihnin të ardhmen. Përqark tyre sillej filozofia e kohës; ata nderoheshin përmbi qeveritarët, shndritnin brez pas brezi si dijetarë. Njohësit linin pas iskra diturie, copëza këshillash, mençurinë njerëzore që udhëtonte pa pushuar dhe tejçohej si thesar i çmuar. Nektari i substancës fluide kristalizohej në trajtën e grimcave brouniane që përsilleshin padukshmërisht në atmosferën kohëtare. Produkt kondesues të kësaj materie eterike, krijova Njohësin e librit tim, burrin e ditur mbresëlënës që nuk nuk mund t’i përkiste sojit të qeveritarve përhumbur pa kthim në harresë, siç ka ndodhur përgjatë shekujve, ndaj vërshoi vetë pa dyzuar në togun e njohësve, bashkësinë e të mençurve. Përmes fjalës së hijshme u rrek t’i largojë Krojanët ( të lënduarit ) prej hakmarrjes, që do të përcillej gjatë si vijë dredharake gjaku në emër të aktit ende pakryer, por pa sukses. Mendësia e rrënjës e shtyn njeriun të gërmojë dhe t’i referohet lashtësisë për të ndërtuar të tashmen, sjelljen e përditshme. Forca tërheqëse e së shkuarës, bota e të vdekurve ushtronte mbi Krojanët trysni të papërballueshme, rrëshqiste përmbi logjikën e brishtë të të gjallëve njëjtësisht me tangjenten që kapërcen sferën.
Kur ndjeu se fjalët u përthithën shurdhër të pafuqishme përballë moralit të lashtë vrastar, sikundër drita mbi trupin absolutisht të zi, ndoqi shtegun diplomatik. Parashikoi në shpatullën e deles vdekjen e rëndë pas tre muajsh në vëllazëri dhe dasmën e papërcaktuar përkrye gjashtë muajve. Krojanët e pandjeshëm kundruall gjykimit përligjës të ardhësit shtangën, u përkeqën prej kumtit, fantazia u vu në lëvizje, shpirtrat e trazuar morën të krisur dhe dora e hakmarrjes mbeti pezull.
Depërtoi me të vërtetë Njohësi në rrjedhat e ngjarjeve përmes shpatullës? Për më tepër, besonte ai në shenjat e asaj kocke mjerane e cila na paskej fuqi magjike? Zor t’i pranonte një mendje e ditur si ajo e personazhit tim. Të tjerët po. U bindën tërësisht për dasmën, që e torrën gjerë e gjatë mes tyre, po thellë nënvetëdijes ata i përkeqi ajo vdekja pas tre muajve, dhimbje e rëndë që nuk dihej kush e kishte rrisk, pasi gjer aty e la kumtin njohësi i mençur.
Mes tyre bluanin pa reshtur dasmën. Duhet të bënin krushqinë e papëlqyer, të zgjidhnin turpin e zi, apo hakmarrjen për nderin e përlyer? Dialogu mes tyre kapërcente të zakontën, më tepër ishte bisedë me të vdekurit, rrënjët e jetës dhe ekzistencës, që kumtonin nga bota e përtejme sjelljen, mënyrën e tyre të jetesës. Fijet e arsyetimit qenë produkt i bashkëjetesës surealiste me të ikurit pa kthim, që nuk jetonin fizikisht po në trajtë fushe elektromagnetike i mbështillnin sikundër gjarpërinjtë e llahtarshëm Laokontin e mitologjisë. Forca e kësaj bashkëjetese ishte e papërfytyrueshme me ndikim magjik përtej imagjinatës së të gjallëve. Imazhet e botës së përtejme, në trajta gjithfarësh mbushnin jetën e përditshme.
Kur ndaheshin bluanin atë tjetrën, hidhësirën dhe vrisnin mendjen gjatë, përpëliteshin nëpër jorganë, përpiqeshin ta largonin nga vetja, po vdekja trupëzuar prej bestytnisë, u dilte në përgjumje dhe i tmerronte. Me drapërin mprehur mirë, u mbështillte kokat si duaj gruri dhe kur bëhej gati t’i priste, zgjoheshin të lebetitur. Gdhihej dhe sikur e harronin të keqen, bluanin sërish hakmarrjen, po me fuqi të prera, pa guximin e mëparshëm që gremisi Njohësi përmes shpatullës.
Dita dhe arsyetimet mes vedi u jepnin guxim të përndiqnin gjurmët e hakmarrjes. Të gjallët flisnin me zërin dhe arsyen e të vdekurve. Vinte nata e errët, tymnajë mbushur me të panjohura dhe bestytni të larmishme pa cak, përzinte guximin i mbështillte me krahët e errët dhe i frikonte si në përrallat mëkatare ku heronjtë e vdekur lemerisin të gjallët.
Te kumti mjeshtëror i Njohësit përmes shpatullës, filloi të zbehej hakmarrja dhe tkurreshin Krojanët nursëzë. Ndoshta gratë e papërfillura ditën në kuvend, u shtinin në vesh natën frikën nga vdekja që do të vinte medoemos. Kuvendi dyshe i natës, ku merrnin pjesë një burrë e një grua dhe kjo e fundit fliste më shumë me zemër, kishte forcë më të madhe nga pleqërimi burrërisht ditën, kur i jepnin kurajë njëri - tjetrit për të thurur gjakmarrjen.
Burri përkeqej, mundohej ta mbante veten, po në thelb ndiente se gruaja kishte të drejtë, ndaj të nesërmen, sybuavitur nga pagjumësia, leqendisur prej arsyetimit të saj, nuk e kishte guximin e parë. Krisja vazhdonte të thellohej, ciflat përimtoheshin ngadalë, por me siguri dhe hakmarrja ngriu derisa koha me peshën e vet çoi në zgjidhjen logjike, të drejtë dhe njerëzore.
Në vrundullin e materies së kudondodhur, koha dallon veçan prej të gjithë përbërësve të saj. Vlera e një elementi përcaktohet nga ngjeshja e copëzave të imta, që luan rol vendimtar ndër shumësinë e cilësive të tjera. Ari, platini, radiumi e të tjerë metale të çmuar janë më të dendur nga të tjerët, veçori që determinon supremacinë e tyre. Po gjithsesi asnjë prej metaleve të vlerësuara nuk ka peshën e kohës, ndaj e rendis atë pa asnjë hezitim në krye. Përfytyrni një vajzë të bukur njëzetvjeçare me të gjitha hiret e moshës, përjetoni mendërisht bukurinë më sublime që ka plazmuar natyra. Përpiquni të sillni imazhin e saj pas shtatëdhjetë vitesh kur të jetë plakë e krrusur, rrudhur me brazdat e thella të fytyrës. Mbyllni sytë si në një simultanë, sjellje iluzive në njëkohësi të ngjarjeve shpërndarë në periudha të ndryshme dhe krahasoni pamjet që përshfaqen, dallimin lemerisës. Përjetoni çmendurinë e krahasimit. Vetëm koha është e aftë të prodhojë shformime të tilla të substancës njerëzore, përtej asaj të vdekjes. Askush nuk i reziston kohës. Asgjë nuk është e pakthyeshme dhe nuk zotëron reversibilitetin e llahtarshëm, rrjedhjen e njëkahëshme të kohës.
Ma merr mendja se njerëz të fuqishëm, kohëlargët kanë mençuruar njëlloj për t’u përcjellë të tjerëve idetë, qëndrimet dhe filozofinë. Krishti i drejtë, me dashuri të pamatë për kohëtarët dhe brezat e mëvonshëm, u përpoq t’i shtynte turmat drejt besimit në një Zot, drejt fesë unike me parime të larta morale mishëruar në Bibël, tharmi i kulturës së atëhershme dhe mëpastajme, poleni i
diturisë njerëzore, me fuqi të pamatë parashikuese për zhvillimet e pritshme. Bibla ishte përzgjedhje e ndihmesës së përbashkët të mendjeve më të fuqishme të njerëzimit përgjatë 1300 vitesh para Krishtit.
Ai dhe miqtë e tij apostuj nuk arritën të bindin njerëzinë, se hebrejtë prekeshin në interesat thelbësore prej besimit në një Zot, pasi jetonin me përgatitjen dhe shitjen e idhujve të panumërt, që populli çoroditur nga predikues të shumtë, i blinte me çmime të larta. Nuk është e lehtë të kthjellosh e ndriçosh me fjalë turmat, siç ndodhi dendur nëpër spërdredhjet e moteve. Beteja mes politeizmit dhe ateizmit, kultit të idhujve gjithfarësh dhe besimit të Zoti ka qënë nga më të ashprat e njerëzimit, tejzgjatur në shekuj, me mizori të llahtarshme, të paimagjinueshme.
Përfytyroni kthinën ku rrinë ulur trembëdhjetë burra, që kanë marrë mbi shpatulla fatet e botës nëpër rrokullimën e shekujve e mijëvjeçarëve, mendje të ndritura dhe shpirtra të dhembshur e ligështuar. Gota e verës, e famshmja kupë e argjendtë Graali, qarkullonte dorë më dorë, ajka e mendjeve të pazakonta me vështrim hyjnor në botën e mjegulluar projektonte të ardhmen e njerëzimit, gjindje që nuk dinin ç’bënin me paditurinë e tyre. I pari i atij grupimi, ngjashmërisht me Njohësin e shpatullave, ndoqi rrugën diplomatike. Pasi piu me fund kupën Graali, kumtoi se duhej mrekullia, legjenda për të dritësuar njerëzimin. Jezusi, më i mençuri i të gjithëve plazmoi kryqëzimin, vdekjen e vrojtuar dhimbshëm prej të gjithëve haptaz dhe ngritjen në qiell që nuk e pa askush. Turmat, kur hynë të nesërmen në shpellën e Betlehemit, gjetën çarçafët bosh. Mrekullia u arrit, s’mbetej pikë dyshimi, Zoti shpalosi vullnetin e tij. Kështu zuri fill krishtërimi, filozofia më jetëgjatë e botës, falë mençurisë së një njeriu. Kupa e argjendtë udhëtoi nëpër botë e nëpër kohë, mbrojtur me përkushtim nga besimtarët që nuk nguruan ta shpallin vepër emblematike për gjithë krishtërimin, ta shenjtërojnë si të ishte qënie njerëzore, Shën - Graali, deri sa u vendos në muzeun britanik të kultit pas nje odiseje të stërgjatë.
Sido të jetë e vërteta, Jezu Krishti mbetet qënie e jashtzakonshme, endi përmasën e munguar, besimin të Zoti, disiplinoi turmat dhe i përcolli drejt një jete me parime e norma të larta morale. Me siguri bota nuk do të arrinte zhvillimet e kohëve moderne pa fenë e krishterë, apo të tjerat që erdhën më pas dhe njëlloj predikonin moralin njerëzor drejt të cilit përqëndrohej sjellja e tyre.
Europa shpuri qytetërimin ndër fiset aborigjene të Amerikës dhe Afrikës, më së pari përmes përhapjes së fesë kristjane si hap ftillues, shpleksës për t’i shndërruar nga njerëz të egër në qenie të kulturuara. Pa Krishtin dhe krishtërimin, pa fenë dhe besimin në Zot, njerëzimi do të zgjaste shumë zgjimin për të arritur kulturën aq evidente të kohëve tona.
Kapërcyelli shqiptar nuk do të ishte aq i dhimbshëm po të mos masakrohej mizorisht feja, institucionet e saj dhe të krijohej “ njeriu i ri ”, mostër që nuk deshi pas Zotit, as prindrit dhe të afërmit e tij.
Le t’u falemi Krishtit dhe të tjerë burrave të zgjuar pas tij, mes të cilëve Muhameti vlerësuar nga dijetarët e perëndimit, cilado të jetë e vërteta e lindjes së tyre.
Ndoshta besimtarët e devotshëm do të më qortojnë për herezi apo blasfemi. Dua t’u kumtoj se meditimet e mia të zgripshme teokratike janë himn për fenë dhe vlerat e mëdha që mbart besimi. Nuk ve në dyshim ekzistencën e Krishtit dhe shenjtorëve të përndritur, as besimin fetar. Jo, kurrë! Por nuk mund të besoj naivitetin e detyruar të kohës tejet të thinjur përballë mençurisë dhe zhvillimeve moderrne, ndaj në përsiatjet e mia synoj përmasën vërtetësore, ashtu si e përfytyroj lindjen e besimit kristian. Ndoshta nuk është tamam kështu, po kush mund të argumentojë saktësisht të kundërtën?
Herezia është sëmundje e pavetëdijshme e gjthkahershme dhe fatkeqe e njerëzimit. A nuk janë heretikë piktorët e ikonave që vizatojnë Krishtin dhe Zotin me fytyrë njeriu, për më tepër të atyre që njohin më mirë? Nuk është herezi të paraqesësh hyjnoren, të pavdekshmen me pamjen e krijesave vdektare, mbushur me mëkate pa fund, sikundër është njeriu? Domosdo mëkaton “ se cënon premisën themelore të besimit, karakterin mbinjerëzor të fesë ” sikundër kumtojnë teologët. Sikur majmunët të kishin ndërgjegje a nuk do ta përfytyronin perëndinë me tiparet e fizikut të tyre dhe jo pamje tjetër më të hijshme?
Gjithsesi herezia e njohur e Ariusit dhe arianistëve që dyshonin natyrën hyjnore të Krishtit, është më pak e dëmshme se mohimi i ekzistencës fizike të tij dhe besimit te Zoti.
Të gjithë njerzit e letrave e kanë pranuar si të padiskutueshme formulën e ngjizjes së veprës që Heminguej e ka përcaktuar “është me rrezik për një shkrimtar të flasë për veprën që e ka akoma në duar, sepse kështu si të thuash rrezikon “ ta thajë atë ”. A mendoni njëlloj?
Istref Haxhillari: Si ngjizet një vepër letrare? Ju cekët linjë delikate paksa fluide, ku druaj se definohet ndonjë rregullsi e pranueshme për të gjithë. Sigurisht nuk shpërball Heminguein e madh, krejt jashtë mundësive të mia, vetëm mund të ravijëzoj përvojën modeste të zefilljes së romanit tim, që nuk çapit përplotërisht në vragën e nobelistit të shquar. Kam përshtypjen se sprovat krijuese nuk hyjnë në të njëjtën hulli, nuk mund t’i binden saktësisht ndonjë ecurie fikse përgjithësuese, njëngjyrëshe.
Plazmimi letrar, ndoshta edhe i tragave të tjera të artit, i ngjan së tepërmi ngjizjes së fëmijës në barkun e nënës. Akti i formësimit në zanafillë është proces i fshehtë brendësor dhe i pakuptuar, s’e di askush veç krijuesve potencialë, madje shansi i pjalmëzimit është i pakapshëm për vetë çiftin ngjizës. Kur duken shenjat e para të shtatzanisë gruaja e paqartë në fillesën fshehtarake, e pasigurt ngurron t’i shfaqet partnerit të afërt, po kur sigurohet plotësisht i jep lajmin me gëzim të parrëfyer. Të dy lumturohen, hamendësojnë vajzë apo djalë, shpalosin dëshira, kundërshti, pastaj në vijimësi përkujdesen ta publikojnë ndër njerëzit më të afërt.
Përjetimi i mbrujtjes së krijesëzës tejçohet në rrethin e zgjeruar, tashmë përtej dyshes nismëtare. Lajmi nuk përhapet më tej gjersa ngjizja bëhet e dukshme nuk fshihet më, veç në raste të pakuptimta kur gruaja s’del nga shtëpia dhe burri s’i shprehet askujt, me pak gjasa kohët e sotme, përjashtimisht barrës së turpshme, tinzare që adoleshentja pa përvojë synon ta strukë skajërisht, në se nuk dështon. Në rastin fatal të dhimbshëm e kundërnatyrshëm fshehtësia ruhet gjer në fund, aborti i frikshëm zhbën gjithçka si të mos ketë qënë kurrë.
Përkeqje të tilla ngjasojnë me “ intelektualë ” që mbajnë fshehur pjellën, nëse kanë sajuar diçka, vetëizolohen brenda gardhit ngritur artificialisht siç thua ti plot finesë, nuk e përshfaqin “ veprën e jetës ”, dyzuar se të tjerët ndoshta buzëqeshin me gatesën fatkeqe, shëmtaraqe të shpëlarë. Në se “ krijimi ” përzgjat shumë e lënë pas dore harruar në ndonjë qoshe si gjellë e thartuar, “ abortojnë ”dhe kur i pyesin japin përgjigje asnjëkuptimshme ose shumëkuptimshme.
Kur lindet foshnja a mund të ndryhet kundrejt botës kurioze, variabël e zhurmshme? Tërthoras përimtohet një vragëz e vetme, shteg veçimi misterioz i krijesës së gjorë, pa e shfaqur askund. Përkujdesja e zymtë gjymtuese ka qenë duknajë evidente në fshatra dhe zona urbane, për fëmijë ngjizur me zor, sidomos pas dështimeve të pavullnetshme. Shpesh, trembur se njomëzakun e brishtë mund ta “merrnin mësysh”, që në përfytyrimet naive përthyhej si tendencë vrastare e dashakeqve, gra dhe burra sybardhë apo gri të shpëlarë, fëmija strukej nëpër fshehtësira sharlatane ose maskohej në trajta të përçudnuara. Në vogëli kam dëgjuar bestytni të tilla, që shkonin në tejskaj, ku trazohej dukja me imazhe të pabesueshme, e vërteta me imagjinatën si në një planet që shpërfill ligjet tokësore të gravitetit dhe syri i keq plaste kuaj, lopë apo dele. Një grua me sy të bardhë përzier me gri shkërmoqi varrenë prej hekuri me të cilën thyenin gurë. Si nuk shpërbën foshnjën e thyeshme si qelqi syri i keq me fuqi fshehtarake të pazakontë?
Përkundër ligështisë lemerisëse si mbrojtje nga e keqja, fëmija veçohej gjatë ose shëmtohej artificialisht sikundër ndodh rrallë edhe sot, kur i lyejnë me bojë të zezë, blozë deri lëngun vaginal. Në këtë pikë njerëzit kanë përqasur dendur reflekset mbrojtse të kafshëve. Oktapodi që përndjen rrezik lëshon një tymnajë të errët neveritëse me erë të rëndë për të larguar grabitqarët përreth. Mund të sillen shumësi ilustrimesh të tilla. E natyrshme fshehja e përjetshme e fëmijëve atavistë rast fort i rrallë, kur ngjasojnë me pamje kafshësh ose mbulohen nga lesh i dendur nëpër gjithë trupin apo të tjera shformime të frikshme. Krijesa të tilla nuk mund të përshfaqen dhe janë brenga të thellë, të pazakonta.
Më tej, rrugës së përdredhur të jetës, fëmijë të tillë mbetën anemikë në sjelljet e tyre, veprojnë çuditshëm, nganjëherë jo normalisht, nuk afrohen në shoqëri dhe të tjerët i shpërfillin, i shikojnë shtrembër. Formimi mangësor mbetet tërë jetë, ata vuajnë pasojat e fshehjes së pakuptimtë.
Vijmë në pyetjen tuaj të ngjizjes së veprës letare, përngjasimin me lindjen dhe nxjerrjen në jetë të fëmijës. Tek njeriu i letrave në fillim lind ideja e krijimit, ngasja e së cilës mund të jetë gjithfarësh, mbresë e afërt apo e largët, ngjarje të veçanta ose të zakonta, përjetime fantazie apo ëndrra. Mbresa rri tulatur thellë nënvetëdijes, herë humbet harrohet për ca kohë, pastaj shfaqet sërish, bëhet ngacmuese dhe tek krijuesit e mirëfilltë arrin kufijtë e torturës. Thonë se Mendelejevit që studjoi për një kohë të gjatë mundësinë e vendosjes së rregullit në shumllojshmërinë e elementeve kimike, tabela e sistemit periodik iu përshfaq në ëndërr dhe ai u ngrit natën e shkruajti. Ndoshta mund të jetë legjendë, diçka e zmadhuar, por në thelbin e vet mbart ngacmimin e vazhduar të idesë torturuese përjetuar gjatë.
Kohë më parë nxënës në gjimnaz, nëna më tregoi historinë e shamisë që kishte bërë bujë dikur, fashitur me kalimin e viteve, madje shumica nuk e sillnin ndër mend. Gjyshi im riosh çapkën, i kishte vënë syrin një vajze të hijshme. Vinte rrotull po nuk mundej t’i shfaqte pasionin përvëlues, pasi atëhere turpi lahej me gjak dhe zbatohej rreptësisht sjellja e kahershme për nderin e femrës. Ende fare i ri, droja nuk e linte t’i shfaqej të atit. Kur të vinte koha do t’i gjenin një nuse sipas sërës, se laraskë pa bisht nuk kishte mbetur. Robëruar pas Zyles së brishtë plot nur ( ajo u bë më pas gjyshja ime ), mbeti gjatë në mëdyshje të dhimbshme. Përngritja kulmoi kur u parhap lajmi shpresëprerë se e kërkonin nuse diku larg dhe i ati nuk e solli fjalën keq. Përflitej se rrëmbimi i shamisë njëjtësohej me shnderim skajor, njëlloj përdhunimi pas të cilit vajzën s’e merrte asnjë burrë. U kap vagëlluar pas këtij shtegu vezullues, ( si të bëhej më tej! ), i rrëmbeu tinëz me vërtik shaminë kur ajo pamendësisht lante rroba në çesmë.
Njerëzit e Zyles u inatosën, buçkaritën, shanë, u betuan e përbetuan. Lajmësi i largët treti, dredhoi pas njollosjes turpëruese; i ati i gjyshit çoi njeriun e tij, sendërtoi nderin e vajzës dhe përmbushi “ marrëzinë ” e të birit. Pas ngurrimesh, përpëlitjesh, dyzimesh ( e japim s’e japim, pse nuk e kërkoi, po turpëroi vajzën, s’pjekim me sojin… ) së fundi kapitulluan u thyhen dhe paraardhësi im çapkën relizoi ëndrrën jetësore.
Për dreq më kishin vënë emrin e tij. Krenar për gjyshin këmbëngulës që përmbushi guximshëm idilin e tij, ngjarja m’u ngul në tru më përpiu magjishëm. Përtej aktit pasionant përfytyroja mandilet e romaneve, shaminë aristokrate të Dezdemonës, ndijesinë elegante ngjasuese të kryeveprave letrare, po nuk mendoja kurrë ta shkruaja ndonjëherë. Pasi kreva gjimnazin, doja të studjoja letërsi që e kisha në gjak, ëndërr të kahershme. Përpija pa dallim çdo libër si të rastiste, jetoja përditë me personazhet që linin gjurmë në sjelljen dhe konceptet e mia për jetën në tërësi; shkrimtarët e mëdhenj më ngjasonin me perënditë. Në kërkesën ku duheshin vënë tri degë alternative të ndryshme, shkruajta tri herë fjalëzën tunduese “ letërsi ”. Shkoi kot se pafundësisht larg dëshirës, ëndrrës tunduese, përkundër përjetimeve rinore të përditshme më përcuall në shkencat e natyrës. Përfundova universitetin dhe u bëra mësues fizike, por kurrë nuk hoqa dorë nga leximi bota magjike e letërsisë, ku përherë ndihesha i plotë ashtu si edhe sot e gjithë ditën.
Nëpër kohë ngjarja disi e veçantë, vezulluese, materje e padukur vendosur pezull diku në cep të nënvetëdijes, tingëllonte e largët si dritëz e zbehtë që nuk shuhej kurrë. Rikthehej brenda meje dhe më ngacmonte pa pushuar. Asnjëherë nuk imagjinoja ta shkruaja unë që kisha bërë pa hesap ditare orësh mësimi, raporte mbledhjesh dhe disa herë shkrime për fizikën apo drejtimin e shkollës në shtypin pedagogjik të kohës.
Rasti për të nxjerrë në dritë ngasjen qe takimi me Ilinden Spasse, i biri i Sterjo Spasses, romanet e të cilit, veçan libri “ Pse ” dhe tregimet e spikatura më pëlqenin pa masë. Kallzova ndodhinë, shtova detaje imagjinare përzjerje përjetimesh flirtuese vetiake, e dramatizova në përmasa që tejkalonin dhunshëm rrëfimin e thjeshtë të nënës. Futa kapedanët, sajova vajtjen në malësi, furtunën e ngritur nga rrëmbimi të cilin e vesha me imtësira fantazie të shfrenuar. Shkurt gënjeva sa munda, nisur nga tregimi i thjeshtë për prapësinë e gjyshit që nuk e pata njohur kurrë. Ai nuk reagoi, madje u mërzit nga përsiatjet e zgjatura, ama vetë u mbusha përtej të zakonshmes. Ato që sajova më ngjanin të vërteta, i besoja plotësisht. Në vetëdijen time ndodhia e thjeshtë mori përmasa madhore; gjyshi im dashnor i përvëluar kaluar Romeos së Shekspirit, fantazoja skena dashurie nëpër gardhe e groma lajthie, ( jo kështjella e salla mondane të shoqërisë së lartë ) që i përjetoja si të vërteta, se vetë isha atëhere në moshën e aventurave.
Ngasja nuk m’u largua asnjëherë nëpër vite.
Më pas, me disa miq të mij pata rastin të isha në tavolinë me mjeshtrin e letrave, Dritëro Agolli. Në fillim druajtur nga prania e tij, si pimë disa gota me majë u krijua një mjedis intim. Dritëroi erdhi në qef dhe pas ca kohe kërkoi njërin prej nesh t’i mbante këngën e Gani Butkës, vrarë në Pogradec. Me që më vjen disi ndoresh për të kënduar dhe mes nesh nuk pati ndonjë nisjator më të mirë, këngën e mbajta unë.
Ai e pëlqeu, sido që isua qe stonatura vetë. Kështu u miqësuam më tepër se kënga është ilaç i shpirtit, e ushqen dhe i jep forcë njeriut, e bën të guximshëm.
Dritëroi tregoi disa ndodhi me zërin e ngadaltë të plakur që mbartte mbi vete magjinë e rrëfimtarit, ndaj i përpinim. Më pas kërkoi që edhe ne të kallzonim diçka. Unë s’prita, po i karikuar, turbulluar edhe nga rakia pirë me tepri, e përshkrova atë ngjarjen e gjyshit me zbukurime, sajova e fantazova pa kursim, nuk lashë
gënjeshtër pa përdorur dhe rrëfimi doli aq bukur sa ai, po edhe shokët e mij mbetën të habitur.
- More djalë, pse nuk e shkruan këtë histori, qënka interesante, - më tha Dritëroi.
- Ku di unë të shkruaj, asgjë s’kam bërë deri tani.
- Çdo punë e ka një fillim, guxim, - më përkëdheli në sedër.
Rrëfenjëzën e vjetër e tregova me ambicjen se do të ngacmohej ai ta shkruante, jo unë, po shtysa më dha kurajo dhe fillova të mendoj përnjëmend, ngultas. Mbresa e tregimit të nënës udhëtoi gjatë brenda nënvetëdijes sime. Askush nuk pikasi se do të shkruaja, madje as vetë nuk e dija çfarë do të ishte. Me që përmbi ngjarjen vërtetsore kisha shtuar me fantazinë time nja dhjetë herë më shumë, nuk mund të ishte histori e mirëfilltë. Mendova se mund të dilte tregim i gjatë ose novelë, po kurrë roman.
Shkruajta një kapitull rrotull dhjetë faqe, e lexova disa herë ndreqa ndonjë frazë, rregullova ca fjalë derisa më tingëlloj hijshëm. Tërheqës më ngjason mua arsyetova, po ata që njohin vragat e holla të krijimit letrar, pikasin dhe shpleksin imtësira artistike prapa dukjes mëtuese? Ndieja nevojë të brendshme t’i lexonte dikush. Ua besova ca miqve, që hamendësoja se prireshin realisht të gjykonin shkrimin tim. Disa nuk i panë fare, mërmëritën diçka të pakuptueshme si nxitje, të tjerë korektuan gabimet ortografike ngjashërisht me rutinën në fletoret e detyrave të shtëpisë. Më erdhi vërtet keq që u ngarkova punë përtej aftësive dhe inteligjencës. Vaniteti dhe angushtia e tyre arrinte në kufij groteskë. Ama pati të tjerë që e lexuan me habi, të mrekulluar nga mënyra e rrëfimit, sidomos stili i veçantë që rridhte mëvetësisht dhe fjala e përzgjedhur. Më dhanë kurajë, shtysën e nevojshme, sidomos besimin në aftësitë e mia. Më tej vazhdova vrullshëm s’ndalesha më.
Fantazia më punonte pa reshtur, shpesh e gdhija natën duke shkruar. Po çdo faqe rishtare dukej mangësore pa e shpërbluar me miqtë e mi, të cilët erdhën duke u ngushtuar deri sa mbetën tre, redaktori i romanit të ardhshëm, piktori, që nxitur nga zhvillimet e librit ilustronte grafikisht ngjarjen dhe korrektorja letrare.
Për dy vjet këta miq të pakursyer përjetonin njëlloj si unë zhvillimet e ngjarjeve, përtypnin barabar me mua fjalët, shprehjet apo kapitujt. Bashkëpunimi nuk u ndërpre asnjëherë. Fletët e printuara ua jepja ose i lexoja vetë, pastaj përimtonim linjat e ardhshme, këmbenim mendime, kundërshtonim njëri - tjetrin, haheshim. Ndjesitë endnin energjinë e mekur, buisnin fantazinë dhe shteronin plogështinë sfilitëse. Mezi prisja të ulesha para kompjuterit.
Copëza të romanit u botuan nëpër gazeta, që lexoheshin nga njerëz të njohur e panjohur, disa prej të cilëve më dërgonin së largu shenja pëlqyese. Ecuria e plazmimit, rritjes dhe formësimit të librit, fryt i punës së mundimshme ishte e hapur tërësisht, si një fëmijë zbuluar që në fillesë e deri në fund, rritur natyrshëm në liri, pa fshehur asgjë dhe asnjëherë për cilindo që tregonte sadopak interes. Kam përshtypjen se libri ka lexues dhe u pëlqye nga nivele të ndryshme njerëzish edhe si pasojë e mënyrës së hapur pafshehur asnjëherë me të cilën u ngjiz në fillim dhe vazhdoi deri ditën e botimit.
Balzaku thoshte se romani është mundim i gjatë dhe vuajte e madhe. Besoj se kjo është e vërtetë absolute. Në kompjuterin tim janë 27 trajta të librit, nga të cilët të fundit ndryshojnë çdo herë më pak prej njëra - tjetrës. Formën përfundimtare e lexova tri herë në intervale dhjetëditore, nuk bëra dot asnjë ndryshim, atëherë e dërgova për botim. U çlirova nga barra e madhe. Kisha kryer misionin fisnik, u përfala viseve të mia dimensionin e munguar gjatë.
Si është pritur romani juaj nga lexuesi?
Istref Haxhillari: Libri u shkrua në Pogradec, me autor, redaktor, korrektor, kopertinë dhe përkujdesje grafike pogradecarë, për më tepër edhe aroma e tij është tejet liqenore. Rasti e ka sjellë të sodis libra shkruar nga autorë të panjohur, që kërkojnë redaktorë, grafistë, formulues paskrupull parathëniesh, shkrimtarë dhe piktorë të njohur, paguar shtrenjt me të vetmin qëllim ta bëjnë librin intrigues. Ndodh që hyrja është vërtet interesante, kopertina e nurshme nga personalitete me emër dhe tituj, të njohur gjërësisht. Po si mbaron së lexuari përqasjen e hollë mbresëlënëse dhe hyn në brendinë e librit krijohet ndjesia se me lugën e tortës përcjell turshi të pështirë. Kundërshtia mes dy penave bëhet e dukshme dhe shija e librit hidhësirë e paduruar. Vërtetohet rishtas postulati lashtësor se nga brumi i keq nuk gatuhet bukë e mirë as në magje të re, madje do t’i kishte më shumë hije magjja e përafërt sado shemtarake.
Ndonse e përndijoja librin si krijim origjinal, me duknajë befasuese dhe stil të mëvetshëm, nuk kisha siguri si do të pëcillej nga lexuesi i gjerë. I panjohur në fushën e letrave, skeptiçizmi do të përshfaqej me përmasat dhe mentalitetin e mbrapshtë të provincës. Kush do të merrte në Tiranë, Prishtinë apo më tej një libër shkruar nga autor i panjohur? Edhe në Pogradec publiku do ta përjetonte mosbesues sipas parimit dalëboje se çupa e fshatit i ka këmbët e djegura. Ç’janë këta krijues latentë të padëgjuar, ku ishin më parë etj? Natyrisht jo pa të drejtë.
Në tregun e letrave pluskojnë me tepri “ krijime ” pa vlerë, pa asnjë pikë origjinaliteti, shpesh kleptomani dhe plagjiatura të shpëlara. Shkruajnë individë që nuk e njohin mirë gjuhën shqipe me bindjen e patundur në dhuntinë dhe aftësitë e tyre, veçan kur posedojnë mundësi financiare. Bulëzojnë poetë që thurin vargje trimërie si në kohën e luftës për çlirim nga pushtues potencialë apo bejte për gruan, fëmijët, të afërm, kryetarët e shoqatave, deputetë. Vrundullojnë biografi voluminoze për fshatra të vegjël me bëma të mëdha, libra trashaluqë për të pathënat e korifejve famëshumë të kulturës, të cilat kapërcejnë sinoret e trashëgimisë së tyre brilante dhe të kujtojnë përjetesën e xhuxhit zot i fuqishëm nën hijen e viganit të menduar, që as ve re praninë e tij.
Duknajë e trishtë pa cak. Si do të mund të lexojë publiku kaq shumë dokrra? Lexuesit e mirëfilltë janë rralluar për arsye të njohura dhe sot ka më tepër shkrimtarë e poetë që krijojnë se lexues që i shijojnë. A do të vragëzonte libri ynë përmes labirinteve në xhunglën e ngatërruar të letrave, do të dallohej apo humbiste në stokun pa cak të sivëllezërve?
Sipas parimit natyror të tregut, shitja përcakton peshën e librit.
Ndihem mirë që përgjatë tre muajve të parë u shitën 600 kopje, po prekem kur miq e shokë, njerëz të njohur fare pak ose aspak, lexues shijehollë apo të zakonshëm, shprehin vlerësime, shijojnë dramën që mbart libri, vlerat gjuhësore, etnografike, stilin. Vlerësimet e shtypit, gazetat
“ Drita ”, “ Telegaraf ”, “ 55 ” , “ Mokra ”, mediat elektronike prestigjioze TCH dhe TVSH, autoriteteve letrare, prof dr Adratik Kallulli, shkrimtarët Haki Balliu, Bahri Myftari, Meri Lalaj, poetët Flori Slatina e Dhimitër Pojanaku, publiçistët Fahri Muço, Eduard Mazi, Fatmir Toçi, më kanë gazmuar. Shpërblesë e hijshme për mundimin e gjatë.
Cilat janë mendimet tuaja për letërsinë e sotme pogradecare dhe më gjërë?
Istref Haxhillari: Në dallim nga shumë krijues të tjerë dhe një opinioni disi konservator, dëshiroj t’i përgjigjem pyetjes suaj me sinqeritet, pa ekuivoke dhe pa asnjë paragjykim.
Ngacmimi prej hijeshisë plot nur, derdhur pa kursim në viset tona, nëpër kohë ka brumësuar dhe përcjëllë përmes lëngut jetësor vlera vërtet mbresëlënës. Legjendat, gojëdhënat, mitet janë çudi e pakuptuar në përmasa të mjaftueshme. Ato mbeten gjithkaherë madhështi, fshehtësirë, habi, dalldi e pamatë shtysë energjie të shteruar për arsyen njerëzore, kanë ngacmuar dijetarët, estetët, piktorët, krejt shpirtrat e ndjeshëm të planetit përgjatë kohës së shkuar.
A nuk u ngrit vepra e përjetshme e Homerit mbi legjendat e lashtësisë?
Një komb, popull apo bashkësi më e vogël, pa legjenda përjeton venitjen e historisë cunguar në thelbin e saj, pa tharm krijues, bukurinë e së shkuarës dhe të sotmes, është mjeran pa cak. Gjindja rrënjëzgrip ngjason me pemën anemike që nuk ushqen mjaftueshëm trungun, as jep produkte të shëndetshme.
Nëpër mugëtirën e lashtësisë gjallojnë legjenda të hijshme, që flasin pa pushim, me gjuhë simbolesh të mundimshme dhe nxitin fantazinë. Kadmi dhe Harmonia, zefillja e historisë së Pogradecit, copëz dheu me bukuri të pashoqe, mbushën me jetë, mish e gjak liqerin e magjishëm plot hir, përreth të cilit gdhendën pastaj çudira të tjera pa fund.
Parë nga lart treva jonë i ngjason govatës, vegëlz e thjeshtë me vjetërsi marramendëse, shërbesë e kahershme e njeriut.
Në veri hijeshon Qafa e Thanës, vendi i orakujvë të lashtë që parathonin fatin e njerëzve, betejave, kapedanëve të mëdhenj. Në të shkuarën e thinjur Orakulli më në zë i këtij trualli, i parë përmbi të tjerët, pati kthyer mbrapsht hordhi pushtuese gjithfarësh që mësynin begatitë tona. Në se nuk ktheheshin me fjalën hyjnore apo nuk i besonin plotësisht atij, përparonin me fuqi të prera, pa kurajon e fillimit, se u mpihej guximi zemërak dhe ndehej pezull trimëria. Ja kështu, nëpër shekuj e mijëvjeçarë e mbrojti Qafa e Thanës ( apo e së thënës ) këtë ngastrën tonë të çmuar. Tani si përherë i rri nënkresë, e mbron sa mundet nga erërat e ftohta të veriut që vardisen të shkërmoqin mbjelljet apo shkolisin lulet e porsaçelura të pemëve në të këmbyer të stinëve diku ndaj fillimprilli.
Kodra vëngërashe sikur ndan prerazi dy kultura të ndryshme, ndonse të përafërta. Veriorët përmatanë, ndihen disi poshtas atyre më këtë anë, i marrin jugorët model kulture, zakonesh, të foluri dhe më së shumti përpiqen t’u ngjasojnë. Nastradini, esenca e mençurisë popullore, gënjeu e përqeshi sa mundi gjersa kapërceu Qafën e Thanës, ku ndeshi atë vendaliun e panjohur (kaq thotë legjenda hokatare), të cilin e pyeti për ta vënë në lojë sipas sjelljes shpotitse prej karagjozi:
- Kur kryeni nevojën me se e fshini ju të kësaj ane?
- Zotrote mbaro pa të sjell unë atë që kërkon, - u përgjigj jugori anonim.
Pasi kreu miku gazmor atë punën e pështirë që nuk e shmangim dot i dha një tufë me hithra djegëse të reja. Prapa qoshes fshehtarake buisën klithmat e lektisura të Nastradinit, pastaj sharja e famshme: “Qafa e Thanës …..”. U kthye nga erdhi e s’u duk më, se këtej ishin të gjithë hokatarë kur e donte radha e vendi.
Në jug Plloça, kodra levarashe derdhur butësisht përmbi faqe të dheut, nuk e le govatën të rrëshqasë më tej se derdhet uji, shpërndahet tejposhtë gjer në Korçë dhe bën dy prishje bashkë, përmbyt fushën e than liqerin jetëdhënës.
Në lindje Mali i Thatë hijerëndë, pa një fije floku mbi kokën tullace, shtrihet gjatë e gjerë, sa të ha syri nga jugu në veri. Aty nga mesi i tetorit ve takijen e bardhë që e mban të shumtën e kohës gjer në maj e më këtej. Si ngrohet vetë njëfarësoj, nis ato erërat e ftohta që kallkanosin tërë vendin përreth, hyjnë kudo nëpër strehë dhe i bëjnë njerëzit e tërë gjallesat të dridhen si purtekë.Teksa ngrihet thikë përmbi gjol, lartohet e lartohet sikur kërkon të zaptojë retë e robërojë qiellin.
Rrëzë tij brushullojnë shpella pa fund, katakombe të frikshëm zemërakë, qëmoti vend kaçakësh e strehë hallexhinjsh. Aty fshiheshin nëpër kohë guximtarët që përballnin të huajin, aty ngrinte limeret Bendo Shapërdani i Peshkëpisë, krahu i armatosur i Sulit të Starovës. Në përleshje me osmanllinjtë trimat e peshkëpiarit gjysmonin ushtarët e përlargët që pandehnin se komitët buisnin prej dherit ku nuk e prisnin kurrë se mund të gjallonin njerëz. Edhe të liqtë i fshihte Mali i Thatë në barkun e stërmadh dhe nuk tregonte kurrë labirintin spërdredhur thellësive ku lektiseshin gërmuqur, të frikuar prej dorës gjakmarrëse.
Në lindje malet e përthyer të Mokrës, gjelbëroshë e të pashëm si rrallëkund, banuar që në krye të herës, kanë habitur gjithnjë të huajt me thesaret pafund, ku asgjë nuk mungon. Mua më ka bërë përshtypje veçan maja e Gjemthit dimrit mbuluar nga dëbora kur ngjason së largu me qeleshet që kanë mbajtur mokrarët në të shkuarën e gjer vonë. Si duket, kur vendosën të mbajnë kapelë, e vranë mendjen gjatë ç’formë t’i japin, që t’i mbante ngrohtë në dimer dhe të thante djersën verës kur rraskapiteshin nga punët e mundimshme. Edhe t’u jepte pamje të hijshme, t’u qëndronte mirë në kokë e të mos rrëzohej kur përkuleshin për të korur apo prashitur. Si u menduan ca, (jo shumë) vështruan përqark dhe sytë lektisën te ajo takija e Gjemthit e bardhë hijeshumë, rrëzuar gjer poshtë përmbi vetullën e malit çapkën. Kapë më e bukur nuk gjendet pëshpëritën njëzëri dhe ashtu vendosën. Për t’i thurur nuk e patën vështirë e nuk u menduan dy herë se lesh deleje të butë kishin me shumicë, kurse dërstilat përgjatë Shkumbinit qenë radhë - radhë.
Kështu u përshfaq takia mokrare spikatur ndër gjithë kapat endur qëmoti, apo stisur gjithfarësh sot e kësaj dite. Dallgëzimi i kapës përmbi leshra shpaloste karakterin e burrit, shpirtin e tij. Djemtë meraklinj e mbanin përmbi sy, njërën vetull gjysmë zbuluar, sikur u bënin isharet çupave që vështronin tinës, nënqeshnin nëpër buzë dhe iknin nxituar në punë të tyre me shpirtin plot nga nojma çapkëne. Burrat e inatosur e rrasnin thellë në kokë, kurse të lodhur pa fuqi shquheshin së largu nga kapa shembur prapa kokës.
Habia më e madhe, si rrallë ndodh në të tjera vise, janë përthyerjet e çuditshme, shumëllojshe të pafundme në kaq pak vend.
Liqeri i dystë ndërron ngjyrë sa hap e mbyll sytë, merr të gjitha nuancat e kaltërsisë brenda pak çastesh. Tani shquan të kaltrën e hapur, pas pak një kaltërsi tjetër të errët, fill më tej blu e thellë e kështu pambarim. Erërat që fryjnë gjithnjë në drejtime të kryqëzuara, rrymat nënujore shtrirë përgjatë tij si rrënjë të ngatërruara rrapi, përthithin dritën në trajtë ylberi, përzjejnë ngjyrat dhe i trazojnë si piktorët, prandaj siperfaqja e tij ngjason me sytë e lëngëzuar ngjyrosur në bojëqielli të grave sensuale .
Përmbi sipërfaqen e sheshtë të ujit ngrihet thikë Mali i Thatë me guvat e frikshme. Afër e afër hiret e liqerit me shëmtinë e malit, lëndina e ujshme sqimatare me gremisjen e kreshpëruar, dy të kundërta ngjitur si nuk ndodh shpesh. Substancat jetësore të natyrës formësuar në trajta mospajtuese përballë njëra - tjetrës detyrohen mizorisht të qëndrojnë afërëvendosur në kundërshti të përjetëshme. E bukura shpaloset me larmi formash, bashkëjetesë stilesh formësimi. Si për të vërtetuar këtë parim rrezëllitës të eseistikës shpaloset në tjetër pamje shtrirja perëndimore e govatës ku kodrat dhe malet e Mokrës lartohen ngadalë, thyhen butësisht dhe duket hapur se me zor të madh i largohen hijeshisë së liqerit ëmbëlcak.
Fusha e Starovës, pjellore si gratë që lindin motamot fëmijë të pashëm e shëndetshëm, jep në një copëz hapësire gjithfarë drithra, fruta e perime, që habitshëm dallojnë nga njëri cep në tjetrin.
Qepët e famshme të Tushemishtit nuk i arrin as Zagorçani pothuaj ngjitur, gështenjët e Zërvaskës të ëmbla plot shije s’kanë të krahasuar me ato të Pogradecit pak më tej. Në kalanë e qytetit piqet rrushi ëmbëltak, erëmirë që jep verën e famshme si në asnjë pjesë tjetër të fushës e më tej në vijimësi. Nuk di ndonjë vend tjetër me syprinë të vogëlz fare por përthyerje pafund, që kaq dukshëm ndryshojnë nga një qoshe në tjetrën.
Vërtet një trill i mbrapshtë nxirosur nuk deshi për shumë kohë të bulëzojnë produktet në vendin tonë e përmëtej, po e liga perëndoi dhe hiret e dheut po derdhen e harlisen si qëmoti. Gështenjat riveshin kodrat e buta përreth fushës, mollët po lulëzojnë si dikur dhe kalaja përmbi Katjelin e ngurtësuar kushedi qëkur, po rivishet me pjergulla të hijshme.
Përthyerja e vendit paqyrohet besnikërisht në karakteret njerëzore, të larme gjithfarëlloj. Krijimi përsëdytet, njëherë për plazmimin e lëndës inerte pa shpirt dhe tjetrën në ngjizjen e lëndës jetësore ndër qeniet e gjalla. Tushemishtarët punëtorë e kokulur jetojnë vetëm një kilometër përtej vërdovarëve trima e të sertë dhe po aq larg mëmlishtarëve qeflinj që nuk u hahet shumë puna. Linakët e urtë dhënë tepër pas përçapjeve jetësore të llojllojshme, veçan blegtorisë së shtuar, nuk përkujdesen fort për pamje e veshje sqimatarësh, ndërsa përtej udënishtarët qibarë s’para durojnë njeri mbi kokë e kështu pafund.
Larmitë e kudogjendura në njerëz apo dheun e begatë, fare afër për ato kundërshti të pabesueshme, i japin vendit bukuri përrallore në kufijtë e legjendave.
Hiret plot nur grumbullohen mot pas moti, shumohen në trajtë eteri, lëndë inkadeshente e padukshme për shpirtin e zakontë, derisa godasin të përzgjedhurit e Zotit, të cilët i bëjnë ujem, i pështjellin me majën e gjërit pastaj u përhedhin magjinë e së bukurës. A nuk është Lasgushi përzgjedhja e kësaj magjie hojëzuar dora - dorës, ndoshta përgjatë një shekulli para tij? A mund të dyshohet se vjershërimi lasgushian është përimtim nuresh mbledhur prej një kohe fort të gjatë?
Lasgushi ngriti përmendoren e lavdisë së pavdekur shtatëdhjetë vjet më parë, ashtu si edhe themeluesi i prozës moderne shqipe, Mitrush Kuteli, të dy bij të kësaj treve plot hijeshi. Copëza e dheut tonë pasi u ngjiz për një kohë të gjatë i dha vendit e më përtej figura të papërsëritshme. Në treçerek shekulli mbeten maja të larta që do të adhurohen shumë gjatë nëpër motmotshmërinë e thinjur.
Kujtesa është zahireja e shpirtit dhe mbetet e tillë për aq kohë sa ruan përmasa logjike apo sensin e masës, përndryshe kthehet në të kundërtën e vet. Kujtesa e munguar e dy figurave të mëdha të kulturës pogradecare për disa dhjetëvjeçarë qe e dhimbshme, shpërfillja skajore e turpshme, diçka përtej dhunës.
Po edhe kujtesa e shpërdoruar dekadat e fundit tingëllon në të njëtën trajtë të përçudnuar me imtësira shpesh groteske. Eshtë kthyer në standart një tiradë me të cilën fillojnë folësit nëpër ekspozita, paraqitje librash apo veprimtari të këtij lloji: “ Në qytetin e Lasgushit e Mitrushit…” Krejt normale se korifenjtë e letrave këtu janë në sinorin e tyre, brenda artit të cilit i dhanë shumë dhe meritojnë shumë. Si jehonë e vagëlluar e kësaj tingëllime plot dinjitet edhe kur përurohen rrugë, ujësjellës apo lulishte, politikanë dhe folës të tjerë ardhur nga larg na kujtojnë se gjenden në qytetin e Lasgushit e Mitrushit, shpesh me shprehje dijetari që kumtojnë të vërteta të thella të cilat sapo qenkan zbuluar dhe ne vendasit e gjorë nuk i dimë. Kujtojnë se ky refren është e vetmja ndjesi që hyn në shpirtin e njerëzve, e mjaftueshme për të siguruar simpatinë e dëshiruar. Jam i sigurt se shpërdorime të tilla jo vetëm nuk bëjnë përshtypje, por lënë shijen e hidhur të humorit banal, krejt pa vend. Të kujtojnë kohën servile të pështirë kur përuroheshin edhe stallat e bagëtive me motivacionin uniform:“ Nën udhëheqjen e… ”. Si duket njerëzit janë prirur të lënë pas gjithshka po jo traditën, mënyrën e të menduarit me të cilën janë familjarizuar prej një kohe të gjatë, formulën e vjetëruar të përthithjes dhe jetësimit të dukjes njerëzore.
“ Jepini Qezarit atë që është e Qezarit! ”; përqasja më vlerësuese për të çmuar e nderuar pasurinë kulturore të gjigandëve të artit pogradecar.
Lisat e mëdhenj e kanë hijen e gjatë ndaj përreth tyre është ca e vështirë të mbijnë e rriten shëndetshëm të tjerë. Mirpo treçerek shekulli përkëtej ngjizja e pjalmit vazhdon, tharmi grumbullohet sërisht dhe domosdo godet të tjerë krijuesë të talentuar që ngrihen mbi bashkëvendasit dhe flasin me zërin drithërues të artit të vërtetë. A mos është rastësor brezi vezullues i piktorve pogradecarë nga më të vjetrit dhe pastaj të rinjtë, veçuar për mëvetësi ngjyrash e stili në galeritë kombëtare e ato jashtë vendit? Nuk është përtej indinjatës harresa e kriuesve brilantë si Ardian Christian Kyçyku i njohur në ër botë po i panjohur në vendin e tij? A mos është e pashkak poezia e fisme në ditët tona, përkthyer dhe çmuar në disa gjuhë që ka lartësuar lirizmin shqip nëpër botë? Po fenomeni “ Darova ” i patëdytë dhe tepër i dhimbshëm në 50 vite të shkuara a mos ishte i papritur? Dhe në mënyrë të shëmtuar vazhdojnë të shpërfillen e dënohen me harresë edhe sot?!
Jo! Sigurisht jo!
Tharmi i habitshëm e pakuptuar i natyrës së kësaj mënge të dheut ka ngjizur e do të vazhdojë pjalmëzimin mrekulli pas mrekullie, ligjësi e pandryshuar e së bukurës, estetikës, thesar kulture që ka nevojë të çmohet sot e jo t’u mbartet brezave të ardhshëm dhjetra vite pas vdekjes si mallkim gjymtues. Shpërfillja e vlerave të spikatura, mëkat i përsëritur tashmë pa arsye qenësore, është i pafalshëm.
E njëjta situatë gjallon edhe në rrafsh kombëtar. Krijuesit e mëdhenj rrethohen nga vlerësime dalëmode. Kritikët e pakët u thurin lavde në përmasa groteske, më shumë për jehonën e shkuar se veprat letrare që janë dukshëm poshtë lavdishsë së dikurshme. Brezi i krijuesve më të rinj shikohet me dyshim dhe mosbesim të pakuptimtë. Situatë jo normale. Mungesa e kritikës profesioniste dhe objektive, analiza rracionale e prurjeve të reja në letërsi, pa paragjykime, pa dallime mendoj se është nevojë po aq e domosdoshme sa një operacion urgjent kirurgjikal në trupin e të sëmurit.
Në krijimtarinë tuaj ndihet aroma e vendlindjes, veçanërisht historia e saj, apo e shkuara siç e thoni ju. Çfarë u tërheq më së shumti në këtë vragë?
Istref Haxhillari: Legjendat.Vendlindja ime luhatet midis duknajës dhe fantazisë si katete të barabarta trekëndëshi këndrejtë. Dheu i Mokrës përzihet me vegimet që vërtiten përmes tij. Nuk dihet në ka më shumë gjallesa apo fiksione. Imazhet shpërhapen kudo. Njerëzit e kohëve të shkuara në trojet e vendlindjes sime jetonin mes imazheve, lindnin dhe vdisnin në mjegullnajën e tyre, skllavëruar nga fantazi, që i besonin barabar me gurët e valëzuar dhe pyjet e gjera të vendit.
Studjuesi Erich Fromm në librin “ Gjuha e harruar ” te miti, përralla e ritet vëren se ato “ nuk janë vetëm produkt i pasqyrimit fantastik të popujve primitivë, por dhe se përmbajnë kujtime të shtrenjta të së kaluarës…të shprehura me një gjuhë të veçantë, në gjuhën e simboleve ”. Fromm ka dhënë në mënyrë elegante përcaktimin më të plotë e vërtetësor të legjendave, si asnjë tjetër. Askush para ose pas tij nuk ka mundur të deshifrojë aq përplotërisht gjuhën e miteve, simbolikën e mundimshme mërmëritëse dhe kumtin që përcjellin.
Kujtesa ka veti përzgjedhëse, fikson e ngulit sjellje, veprime, ngjarje të holla përshtypjelënëse që e tronditin dhe shpërfill të tjera që nuk lenë vragë, të dorës së dytë apo të rastit. Dukuri të pakuptuara për arsye kohëtare, ngacmuese tejgjatë të palarguara asnjë çast, njeriu përpiqej t’i kthjellojë dhe shkoqisë si mundet. Në përpjestim me kufijtë e njohjes dhe përceptimeve të kaherëshme, dritësimi i ndodhive tejet të dhimbshme mbresëlënëse ishte larg së vërtetës, po brenda përjetimeve njerëzore. Në këtë trajtë u mbartën nga njëri brez në tjetrin, ngjallën habi, gëzim, mburrje apo mosbesim, nënqeshje shpërfillse për zgripin e shpalosjes së tyre nga interpretues të lashtësisë. Shpesh quhen përralla, gënjeshtra që nuk mund t’i pranojë njeriu i kulturuar, ndaj arkivohen në lëmin e trashëgimisë së panevojshme.
Po si ta shpjegojmë jehonën e pambaruar, tingëllimën shekullkapërcyese, trokitjen në kujtesën njerëzore gati përjetësisht? Janë e pazakonta, e lemerishmja, e frikshmja e legjendës që udhëtojnë gjatë dhe përimtohen sot njëlloj si dikur, pavarësisht nga meditimet. Dijetarë si Fromm kanë kapur të padukshmen, nënthënien, kanë lexuar kumtin që legjendat duan të përcjellin mundimshëm me gjuhë totemash të pazëshme, por kumbuese përgjatë qindra e mijëra vitesh. Po sjell për lexuesit tuaj dy legjenda, që janë pritur me interes nga studjues të kësaj fushe në Tiranë.
***
Breza të tërë prej fisit të lashtë Gjyli në Debrovë mbetën dy shtëpi, nuk shtoheshin e shumoheshin si të tjerë. Burra me emër në fshat e më përtej pati gjithnjë fisi i nderuar, nga ata që u shkonte fjala dhe i pyesnin për halle të trupit e shpirtit nga ana e anës. Gra shijeholla e të hirshme, që nderuan sojin po edhe fshatin kudo ku u martuan, patën nxjerrë në mote Gjylat. Atje bënë nga një tufë fëmijë të bukur e të fortë, djem pa hesap dhe çupa si dritë. Gjakun e kishin nga soji i tyre, po qenë tjetër derë e tjetër fis.
Burrat e ndjenin më shumë dhimbjen kur plakeshin dhe vdekja u rrinte mbi kokë. Sikur më tej të mos lindej djalë, emri Gjyli do të shuhej si të mos kishte qënë kurrë, mbi truallin e shtëpive do të mbinte bari dhe këndonte kukuvajka. Më zi se kaq nuk mund të përfytyrohej. Ç’të ishte ky mallkim lemerisës pa fund? Ç’mëkat apo shpagë përmbushi kushedi cili nga parardhësit e lashtë? Nëma ishte e të mirit apo të ligut?
Pyetjeve të dhimbshme, përvëluese nuk u dhanë përgjigje për shumë kohë derisa më i mençuri kohëtar i fisit e përtypi hollë gjëmën e pazakontë. Mallkuesi s’mund të ishte i drejti se nëma e tij nuk zgjatet pambarim. Domosdo qe i ligu, më gjuhëhelmi nga të gjithë; atëhere pashmangësisht oguri i zi vinte prej Sprijës, se më zi nuk kishte tjetër. Gjyli i vjetër do t’i ketë bërë dëm të madh, ndoshta e ka vrarë dhe ajo në grahmat e fundit ka mallkuar. Kështu u krijua legjenda e Debrovës si përgjigje apo shpjegim për një hall shumë të rëndë, më i rëndë nga çdo hall që mund të përfytyrojë njeriu.
Në Mesgur ishte rruga e vetme për njerëzit, që kapërcenin Shkumbinin dhe bluanin bereqet ose shkëmbenin perime, myshk, lëkurë apo shajak me ata përmatanë lumit. Në kohën e Gjylit ku ze fill mallkimi, u shfaq Sprija dhe zaptoi shtegun e kahershëm. Asnjë gjallesë nuk kalonte lumin se e përpinte mostra e llahtarshme që ushqehej më gjak njeriu dhe gjak kafshësh. Mjerimi gjëmëmadh mbuloi vendin, vuajtjet nuk kishin të sosur. Bereqeti bëhej po nuk e bluanin dot, kripë nuk gjenin asgjëkund më këtë anë lumi. Bëhet gjë pa kripë? Jo vetëm nuk jetojnë të gjallët, po nuk plazmohet e ardhmja, ndaj rralluan lindjet ndër gra dhe pjelljet e gjësë së gjallë.
U mblodhën burrat ta pleqërojnë hatanë e zezë. Pas shumë përpëlitjesh, herë me zë të ulët e herë të lartë, kush me të butë e kush egërsisht, vendosën të vrisnin përbindëshin mizor, barrë tejet e vështirë se Sprija dinake, fuqishumë përlante lehtësisht cilindo. Pastaj nuk ishte njeri po qënie e ngatërruar e frikshme si punë gjarpëri mbuluar me lesh bojëhiri të pështirë. Tallej me këdo që afrohej në Mesgur, dhjetë pash që andej nuk bariste gjë e gjallë, as bari nuk mbinte. Të gjthë hodhën sytë nga Gjyli levend e kokëkrisur, që mori përsipër të shpëtonte fshatin nga e keqja stërmadhe, e padëgjuar.
- Ç’farë kërkon për këtë punë? - e pyetën.
- Nallbani të mbathë kalin më gozhdë dy pont përmbi patkonj, - u përgjigj guximtari ngrysur.
- Nuk ke frikë? - pyeti njëri me druatje, pa takt.
- Bëni atë që kërkova! - nuk e zgjati ky.
Ditën e caktuar, Gjyli hipur mbi kalin azgan që i bindej të zotit vetëm me shenja, u afrua në Mesgur. Sprija doli nga uji e gëzuar për gjahun që i çatisi në shteg.
- Mbërrite në kohë or mik, kam dy ditë pa ngrënë, - iu drejtua djalit.
Ai nuk bëri zë, po përqendruar vetëm në një pikë vendosmërisht u lëshua vërtik me shpatën ndehur përpara. Sprija qeshi dhe u hodh t’i merrte armën e mprehtë pa përfillur kalin, i cili me një nojmë të çallëstiarit nguli gozhdët në trupin e përbindëshit. Lubia ulëriu me zë të çjerrë nga dhimbja dhe deshi të largohej, po kali u rrotullua disa herë, gjersa leshi i gjatë u përdrodh rreth këmbëve. Mbi trupin e zënë mjeshtërisht në lak u futën disa herë gozhdët e kalit dhe kllëçi i burrit. Në grahmat e fundit gjakpirsja deshi të dinte emrin e hasmit dhe si e mori vesh mallkoi:
- Në sojin e Gjylit mos u varshin kurrë më shumë se dy armë.
Që atëherë e deri vonë fisi i shquar i Debrovës mbeti me dy familje, kurrë nuk u bënë tri a më shumë.
Kështu shkoqiti plaku i moçëm dhimbjen e sojit, pastaj ia tha të birit vetmitar dhe iku lehtësuar nga kjo botë. Legjenda udhëtoi gjatë. Ata që erdhën më pas nuk u përpoqën të përballnin fatin se tani e dinin pse mbeten gjithnjë vetëm dy familje. Legjenda ndriçonte një dhimbje tejet të madhe, përmbi çdo lëngatë të trupit e shpirtit, ndaj brezat që erdhën admiruan aktin e trimit të Gjylave motmotin e largët.
Pasardhësit mburreshin me stërgjyshin guximtar dhe fshati shenjtëroi emrin e tij përmes legjendës. Më këtej askush nuk u përpoq, se nuk mund të gjente shpjegim tjetër, as sot e kësaj dite.
***
Ndër më të bujshmet e legjendave tona, ajo e Hallmit të Homçanit përcjell dhimbjen lemerisëse përmes forcës së tejskajshme përfytyruese që tejçohet nga mundimi i rrëfimit.
Në shtrirjen kohore joshteruese të njohur, hapësirat shqiptare rrallohen prej largimit detyrues, njëlloj si edhe sot. Largimi prodhon mall drithërues, përngritje, ligështi. Malli grryen shpirtin shkuar vrundujve erozivë që zhbëjnë relievet dhe ndërrojnë pamjen e vendit, mpreh ndjenja imtësuese atomike, të pakuptuara në rrethana të tjera.
Përfytyro burrin e legjendës, larguar prej shtatëmbëdhjetë vitesh në Misirin e largët pa asnjë lajm për gruan, tre fëmijët dhe prindërit. Vite tejzgjatur pa fund punoi trishtueshëm dheut të largët, pa harruar asnjëherë njerëzit e dashur. Çdo ditë në jerm vegimi dhe çdo natë në ëndërr i pati brenda qenies, jetonte me ta si t’i kishte të trupëzuar përqark. Jeta qe kthyer në dyzim të vazhduar. Kuvendonte, merrte izë të fillonte këtë apo atë punë, dëgjonte kthjellët të atin t’i jepte udhë mendimeve të koklavitura, gruan e përlotur si ditën e largimit fatal, djalin e vogël që i pat kërkuar ëmbëlsira, nënën plakë me sy të shuar.
Vuajtjet e nxirosura mbaruan. Kthehet me ndjenjën e plotësimit të detyrës, sakrifica e largimit mori fund, do të ishte sërish mes njerëzve më të dashur në botë. Në hyrje të fshatit gjen pleqësinë mbledhur në zi të rëndë. U lëshua me vrap të përshëndetej po atatë pandjeshëm, me sytë shuar pa ngjyrë, qëndruan ftohtë si ta kishin takuar pak më parë. Një hall mbi hallet, më i rëndë se mali përkrye fshatit, atëhere pa emër, u kishte mpirë ndjenjat, gropuar shpirtin, kishte tharë lëngun e jetës. Kryeplaku kumtoi dhimbshëm me zë të zvargur:
- Or bir, mos na e verë re sjelljen tonë se hataja sillet rrotull fshatit, na ka zaptuar mjerimi. Zoti ka çuar shenjë të ligë, zogun e zi si nata që del në mbrëmje dhe nuk pushon tërë natën gjersa shuhet ylli i sabahut. Thërret me zë të çjerrë “ keq ”. Ne vendosëm të nxjerrim natë për natë një burrë që përgjigjet “ mirë ” në çdo klithje të tij, po sot e kanë bërë të gjithë detyrën dhe dy herë për njeri nuk bën. Me që erdhe në këtë sahat të lig kërkojmë të qëndrosh sonte përballë zogut ogurzi, të shpëtosh vendin, më tej si të jetë shkruajtur. Nga shtëpia i ke mirë.
Ardhësi u mendua. Deshi të pyeste për të tijtë më hollësisht, po ky ishte hall përmbi hallet, brengë e të gjithëve. Ke pritur kaq gjatë, duro natën e fundit i tha vetes dhe shkoi të kryente detyrën. Doli zogu zisjellës majë malit dhe filloi mallkimin e përnatshëm. Mërgimtari përgjigjej. Zuri fill dialogu mortor, kumti i frikshëm ndjellakeq dhe kundërpërgjigja shpresëmirë. Në përsiatjet marramendse mërgimtari mendohej, malli po e grryente si asnjëherë në shtatëmbëdhjetë vite. Ishte kaq pranë fëmijve, gruas, prindërve dhe duhet të merrej me këtë zog të çmendur, sterrë të zi.
Keq - mirë, keq - mirë …
Në përgjumje, rraskapitur nga udha e gjatë, dërrmuar nga malli përhiten fëmijët, gruaja, pleqtë. Djali i vogël kërkonte ëmbëlsirë ( në mendjen e tij ishte tre vjet sa e pati lënë ), e ëma shikonte me dhimbje tërë merak, gruaja sypërdhe nga turpi, i ati tundte kokën qortueshëm. A mund të përballet malli këndellur pacak, mund të përfytyrohet përkeqje më e madhe?
Keq - mirë, keq - mirë, keq…Nuk duroi më:
- Keq e më keq, - iu përgjigj zogut nëmatar.
Atëhere ngjau hataja. Mali ulëriu me tërsëllëmë lemeritëse, si një grua në lindje tmerrësisht të vështirë, u ça më dysh dhe gjysma rrëshqiti me rropullimë të stërgjatur, mori me vete shtëpi njerëz e bagëti dhe i degdisi tatëpjetë lumit fryrë si sprihë. Burri nuk kuptoi asgjë, po kur hodhi sytë poshtë përndjeu gjëmën e papërfytyruar. Shtëpia e tij u shpërbë dhe shkërmoqur me ç’kishte brenda u zhyt në greminën gojëhapur për llahtar. Ktheu kokën, pa gjysmën e mbetur të malit dhe zogun zhdukur pa nishan në gremisjen llahtar. A mund të durohet dhimbje e tillë? Në çastin e fundit, para se t’i fluturonte mendja njëlloj si zogu zhytur në humbëtirë, iu ngulitën fjalët e kryeplakut, hall mbi hall. Vështronte malin e plagosur, shëmtuar nga shembja mendurishte dhe vetëm thërriste:
- Hall mbi hall, hallmbihall…
Atëhere mali mori emrin Hallmbihall, që nëpër motet ligur prej së keqes u kthye në Hallm. Këtu mbaron legjenda e vjetër sa dheri i vendit.
Shembja duket qartaz edhe sot, shembëtira me kohë është lëmuar, pyllëzuar, dy liqene të vegjël pluskojnë nëpër rrëpirën e malit. Jeta vazhdoi, koha u thinj nga vitet, po kujtimi i çarjes fatale nuk u shua asnjëherë.
Si të gjitha gojëdhënat, legjenda e Hallmit tejçon nëpër kohë dhimbje të madhe e të pazakontë, llahtarin e zhdukjes në një copëz kohe të dhjetra shtëpive e qindra njerëzve mbetur pa varr, se Shkumbini rrëmbushur beter i shpuri s’dihet se ku nëpër rrjedhën zgjatur pa fund gjer tutje detit të gjerë.
Sigurisht nuk ka patur asnjë zog nëmatar, që fliste me gjuhën e njeriut, nuk ka patur as kryepleqësi të mbledhur që caktonte nga një burrë përballë fathënit ogurzi, po rrëshqitja ka ndodhur. Dikush parandjeu të keqen e zezë, ka dëgjuar zhurmën e nëndheshme të ujrave që shembën malin dhe merakosur, i përngritur pa natën në ëndërr, të përçudnuar atë që ndodhi. Iu përshfaq zogu i zi majë malit që lëshoi klithmën “ keq ”. Në fillesë pa u zgjuar përpëlitej i përkequr nëpër mbulesa, po më pas ka ndjerë zhurmën rropullitëse të shembjes dhe është zgjuar i pataksur. Doli tek dera dhe vështroi hatanë. Pastaj u ngrit gjysma e njerëve që mbetën gjallë, tmerruar nga groposja e llahtarshme e gjysmës tjetër. Ka patur edhe një kurbetli që mund të jetë kthyer rrastësisht atë mengjes apo më vonë dhe nuk gjeti asnjë nga njerëzit e dashur. Vetëm një ngushëllim sfilitës pati hataja e lemerishme; bashkë me viktimat u zhduk përgjithnjë zogu nëmatar, sjellësi i fatkeqësisë së tejskajshme. Mbi gjysmën e mbetur zotëroi në vijimësi paqja e përvajshme.
U përpoqën të shkoqisin ngjarjen e rëndë. Si nuk e kuptuan shembjen e pritshme? Po atë zhurmën e shurdhët të nëndheshme që dëgjohej natën?
Pas ca kohe burri i ëndrrës e tregoi, ndoshta duke shtuar ca nga vetja. Njerëzve u bëri përshtypje, sikur gjetën dritësimin e së keqes. Gjëma udhëtoi përmbi ëndërr shumë gjatë dhe kur kohëndodhja u largua shumë, mori trajtën e legjendës që njihet sot. Edhe emri i malit përjetësoi ngjarjen. E kobshme gjëma qe për kurbetliun që nuk gjeti asnjeri nga shtëpia e tij, nuk u çmall ndaj shkalloi.
Përkeqja tronditse nuk mund të mbartej thjesht: - u shemb mali. Ashtu do të ishte harruar shpejt. Jo, ajo u vesh me legjendë, rrënjët e së cilës u zgjatën përmes vegimit në zefilljen e gremisjes së madhe. Në trajtën e rrëfimit që njohim sot ajo bëri përshtypje pashterje përgjatë brezave pa fund, ndaj jetoi gjatë e pa prekur si një virgjëreshë dhe çuditi cilindo që e dëgjoi dikur apo e përjeton sot e gjithë ditën.
Po humori si është përcjellë nëpër kohë?
Istref Haxhillari: Në tregimet e mia me temë nga e kaluara kam cekur gjërësisht edhe këtë element të qënësishëm të vendit tim. Gjithkaherë njerëzit kanë tentuar të dinë sa më shumë për vendin ku jetojnë, historinë e dheut që i ushqen dhe siguron vazhdimësinë, mbart jetën nëpër kohën e thinjur dhe ushqen ëndrrat e ardhmërisë.
Copra historish, përralla, bëma të llojllojshme të frikshme, legjenda gjithfarësh dhe shaka të holla mbushnin bisedat e parardhësve tanë nëpër tubime gëzimesh e hidhërimesh. Në këtë pasuri të shpirtit, epos derdhur në trajtë fluide mendësore, gjenin ngushëllim për plagë të rënda, përjetonin ndodhitë e mira apo të liga, të dashura apo të hidhura. Caqet e kësaj kulture të mbartura nga një brez në tjetrin lëviznin mes grupimeve njerëzore tej mase të larmishme, jetësore dhe eterike. Bashkëjetesa e të gjallëve me të vdekurit, mpleksja e jetës së shkurtër me botën e përtejme të amëshuar, thirrja e së shkuarës, historisë mbetet përmasë e përbotshme për të gjitha vendet e të gjitha kohët. Forca e rrënjës nuk zbehet kurrë. Pa të shkuar nuk mund ta ketë të ardhme, askush nuk lind nga hiçi. Ky është thelbi i gjenetikës, shkencës më skrupuloze mes gjithë të tjerave.
Kam përshtypjen se ky dimension themelor i ekzistencës së trojeve tona mbetet spontan, i pjesëzuar në shtresa pasaktësie me brazda të thella bosh, që së bashku kumtojnë zhvlerësim, nëpërkëmbje apo harresë. Nuk është rasti të thellohem në shkaqet e mungesës grishëse, torturësjellëse, ndaj po përpiqem të zhbiroj thesarin e fshehur kudo, të gërmojmë si në përrallën e plakut që fshehu dikur qypin me florinj në një zonë të pacaktuar të kopshtit dhe djemtë e “ gjetën ” pasi gërmuan tërësisht çdo qoshe të tij.
Sigurisht zhgualli i jetës së njeriut apo bashkësisë së krijesave të arsyeshme fsheh mistere pafund, një kompleks vegimesh që mund të gjurmohen përmes hullish fshehtarake dhe vragëza gjithfarësh, të padukura si filli i Arjanës në legjendën e lashtësisë. Në korijen enigmakërleshur të arsyes përplot me të panjohura hyhet përmes logjikës, deduksionit për të arritur nga e veçanta në të përgjithshmen, nga grimcat elementare te Universi. Dhimbjet e mëdha, tejet të rënda, të pazakonta tejçohen përmbi legjenda, udhëtojnë gjatë në trase të sigurt, sprovuar denjësisht në shekuj e mijëvjeçarë, sikundër mëtuam ta ndriçojmë më sipër.
Por është më e lehtë të hysh në dhimbjen e dukshme, ta sendërtosh atë, të dritësosh kumtin e lemerishëm dhe shumë më e vështirë të fijezosh komponentë të tjerë të përhershëm të dukjes njerëzore, ndër të cilët veçohen shakatë, humori i hollë teptisës, që përcjell detaje të këndshme të jetës. Dhimbja është e dukshme nuk fshihet, lexohet lehtë dhe tejçohet natyrshëm e leqendisur, tmerruese, tymnajë shkatërrimtare. Shakaja e padukshme fshihet prapa fjalësh të menduara mirë, të serta për t’u përthithur, apo nojmash delikate dykuptimshme, të errëta, therëse. Gjëma ndehet vetëtimthi, spontane e pavarur prej njeriut që nuk do ta dëshironte kurrë në asnjë rrethanë, hoka sajohet, mendohet, është e pritshme me kohëveprim të gjatë. Ashtu siç janë të kundërta në thelbin e tyre, vishen me mbështjellje të ndryshme dhe përcillen në trajta krejtësisht të kundërta. E tillë është filozofia e ekzistencës, një bashkëjetesë e detyruar e kundërshtive të përjetshme.
Përmes këtij vështrimi, optikë e turbull evazive në brendësinë e vet, do të gjurmoj përmasën interesante, të vështirë por gjithsesi të gëzueshme, optimiste. Nëse dikush do të më inspironte alternativën mes gjëmës së lehtë interpretative dhe shakasë së vështirëzhbiruar, pa mëdyshje do të zgjidhja të dytën. Ndoshta prirja e përjetimit estetik të jetës apo frika ndaj mëkateve, fitore e logjikës pagane të Epikurit ndaj filozofisë së përvuajtur të Krishtit, herezi apo bestytni? Vështirë ta shpjegosh.
Ndër personazhet e spikatur mokrarë, që e kam fokusuar në tregimet e mia me emrin përgjithësues Nozi, është një hokatar i pandreqshëm, që herë shfaqet në një vend e herë në një tjetër dhe pluskon nëpër kohë porsi gomat e shpëtimit përmes furtunave. Askush nuk e di emrin e vërtetë, as moshën e tij. Thonë e quajnë Jonuz dhe për shkurt e thërresin Nozi. Po të shumtit thonë se kur u lind s’i vunë emër pasi qe i shëmtuar dhe nuk mund të quhej Pëllumb apo Pëllumbeshë për të cilin patën vrarë mendjen gjatë dhe qenë gatitur prindërit e tij. Pasi kaloi ca kohë, kur djali pa emër u ngrit në këmbë dhe ngjante si dordolecët e kopshtit që i vendosin për të trembur grabitqarët, dikush i tha të atit:
- Merre këtë Nozin, fute brenda se për një javë nuk afrohet asgjë e keqe këtyre anëve.
Se ç’donte të thoshte i panjohuri me këtë emër askush nuk e kuptoi. Ndoshta artikuloi më kot katër shkronja që i ranë ndër mend, apo desh të thosh tjetër gjë për të vënë në dukje shëmtinë e fëmijës? Ku ta dish!
Disa e thërrisnin xha Nozi, të tjerë më të shumtit, thjesht Nozi. Askush nuk e dinte moshën egzakte të tij, ndoshta as vetë ai. Shumë i gjatë, i dobët, me gropat e faqeve futur brenda, binin në sy sidomos këmbët e holla, veshët e mëdhenj që i dilnin jashtë kapelës dhe çibuku, pjesë e pandarë e portretit të tij. Kushdo që e shikonte, vetvetiu buzëqeshte me pamjen e pazakontë të Nozit, po edhe emrin e tij. Në tërë nahijen nuk kishte asnjë Nozi tjetër. Qenë nja dy Jonuzë po atyre u thoshin për shkurt Nuzi.
Se ç’kishte për të qeshur emri i tij nuk ta shpjegonte dot askush. Ndoshta kontrasti me emrat e tjerë, apo vetëm se e kishte ai dhe askush tjetër. Emri është simbol, formë si punë lëvozhge e padukur, s’ka asgjë të përbashkët me emërmbajtësin, përmbajtjen e tij. Raporti mes tyre respekton gjer në imtësi atë mes formës dhe përmbajtjes, pa qënë realisht të tilla. Njeriu është djepi dhe varri i emrit të tij. Po kur vdes njeriu emri del prej varrit dhe mbetet pezull mes tokës dhe qiellit. Ndoshta rast unikal i papërsëritshëm kur forma qëndron e shkëputur nga përmbajtja. Në Shqipëri ka qënë shumë e përhapur vënia e emrave të gjyshërve nipave të tyre, duke përsëritur në një qerthull pa fund të njëjtin emër për breza stërgjatur shumë në trungun gjenealogjik. Kulti i emrit të përsëritur, mendoj se buron edhe prej bestytnisë së emrit pa varr. Të vdekurit pa varr janë të rrezikshëm po aq sa edhe zhvarrosja e të vdekurve me varr. Emri i pavarrosur zinte vend tek pasardhësi më i parë në përfillje adhurimi të një traditë shekullore. Vetëm pas këtij trnsplanti të çuditshëm, i vdekuri gjente prehje, nuk u dilte të gjallëve nëpër ëndrra të llahtarshme dhe nuk rikthehej mes tyre në trajtë fantazmash prej lënde të tejdukshme si ajri. Fëmija me emër të tillë trajtohej me përkujdesje të veçantë, ishte më i përkëdhelur prej të tjerëve. Kësisoj emërmbajtësi i ri konsiderohej vazhdim i të vjetrit, i visheshin cilësite e tij, thirrej baba ose gjysh. Emri barasvlerësohet me shpirtin pagan që shetiste gjatë nga njerëzit të kafshët apo bimët dhe anasjelltas. Metempsikoza përpiqet të hyjë në thellësitë e fshehtësirës përvëluese të shpirtit të padukshëm, trajtat e tij, udhëtimin enigmatik torturues përgjatë kohëve, zhbiron ekzistencën e misterit më të madh të njeriut. A nuk janë këngët, legjendat, pikturat apo forma të tjera të artit krijime të shpirtit që si të tilla jetojnë gjatë, përtej kohës së shkurtër mjerane të trupit? Të pavdekshme, krijimet e shpirtit kanë epërsi të torturuese ndaj kriuesve të përkohshëm, ndonëse kurora rrezëllitëse të emrave të tyre. Hegeli kishte absolutisht të drejtë kur shpallte supremacinë e shpirtit të tejjetshem mbi lëndën tokësore të pakkohëshme. Shekspiri jetoi vetëm pesëdhjetë e pak vjet, ndërsa vepra e tij vazhdon të kapërcejë shekujt njërin pas tjetrit.
Por njeriu dhe emri pas njëfarë kohe bëhen një, japin dhe marrin nga njëri - tjetri gjithshka, unifikohen, nuk rrinë dot të ndarë. Në rastin e Nozit kjo përputhje arrinte shkallën më të lartë të përsosmërisë, kulmonte natyrshëm, përplotërisht. Emri i tij përfytyrohej në trajtën e gjatovinës së shëmtuar si punë shkopi i hollë e i drejtë. Nuk mund të imagjinohej një Nozi i shkurtër ose i pashëm. Jo kjo s’mund të ndodhte.
Pamja dhe emri i Nozit bënin të vije buzën në gaz, po kur hyje në kuvend të jepte ujë me bishtin e lugës dhe ta vinte kufirin te thana. Nën dukjen e thjeshtë, brenda guackës naive të zgripshme fshihej një botë e pakuptuar, fort e çuditshme, me përmasa vigane. Dukej sikur brenda Nozit me pak mish dhe kocka, brenda volumit imcak fshihej materje me përmasa shumë më të mëdha me dëndësi të habitshme, lëndë inkadeshente e shndritshme që udhëtonte në të tashmen për nga e ardhmja, por edhe ndërronte kahe drejt së shkuarës. E qeshura e tij gurgullonte si burim i kristaltë, rridhte vetvetiu dhe prishte rrjedhjen e njëkahësme të kohës, e kthente mbrapsht, përmbystë me lehtësi ireversibilitetin e saj, pa faj dhe pa e ditur që shkelte një nga parimet themelore të gjithësisë.
Brenda asaj mase qesharake ishin fosilizuar shakatë e botës dhe fermentohej përditë humor i hollë që nuk respektonte rregullat e eseistikës. Nozi nuk e njihte vramendjen, as mërzitej ndonjëherë. Edhe ngjarjet e hidhura pelin i përcillte lezetshëm me humor e shaka. Jo rrallë përjetimet e tij të thjeshta natyrale, pa zenë fill si të tilla, ktheheshin çuditërisht në hoka që mernin dhenë.
E pati thirrur vjehrri për të zënë ca pika të çatisë se i kishin rrëshkitur tjegullat. Vajti, mbaroi punë dhe i thërret vjehrrës lart nga çatia:
- Pa shiko a pikon?
- Ç’të shoh, - i thotë gruaja e shtëpisë, - si do të pikojë kur nuk bie shi?
- Shiko, shiko, - ia kthen dhëndërri përvujtërisht - bëra ujët e hollë unë aty ku ishin pikat.
Në të vërtetë nuk ishte shaka e hollë menduar mirë, siç të jep përshtypjen e parë. Nozi pafajësisht, engjëll i vërtetë i Perëndisë, deshi të verifikojë punën që kishte bërë dhe gjeti praktikën më të zakontë që i shkon nëpër mend një burri në raste të tilla për mungesë uji. Kur vjehrra u tha grave në kroin e fshatit, ato, duke përfytyruar skenën e parapëlqyer për çdo femër të ujëderdhjes së burrave, qeshën me të madhe. Shakaja u shpërhap me shpejtësi dhe jehonë e përforcuar me zbukurime, zmadhuar tej përmasave të thjeshta të së vërtetës erdhi sërish të Nozi, që u habit dhe qeshi si gjithë të tjerët.
Në se akti pafajësisht i thjeshtë, tejet i natyrshëm i urinimit do të ishte kryer nga një tjetër burrë i zakontë pa cilësitë hokatare të Nozit, kjo shaka do të ishte harruar me kohë si shumë rutina të thjeshta njerëzore. Ishte pikërisht personaliteti zgërdheshës, i përgojuar i Nozit që i dha këtij veprimi përmasat e shakasë. Ajo vazhdon të udhëtojë gjatë me freskinë e fillimit, pa u tkurrur e pa u tharë. Në të kundërt, në çdo përsëritje fiton nuanca të reja sipas mjedisit ku zhbirohet, e shtuar e zbukuruar, porsi nuse njomëzake.
Legjendat përcjellin situata të koklavitura, torturësjellëse me mjete shprehëse të holla, të habitshme gjithësaherë, krijesa solide jetëgjatë të shpirtit, që shpërfillin shekujt. Ngjashmërisht shakatë tejçojnë grimca filozofie për zbërthimin e universit njerëzor. Humori kthehet në mësim të gjithëvëmendshëm, që nuk e jep asnjë arketip tjetër, vetëm kur përcjell mesazhe të holla veshur me zhguallin e sarkazmës. Në të kundërt fabulat e këtij zhanri harrohen aty për aty, mbarojnë misionin e çastit dhe rrokullisen në harresë. Ky thelb nuk përcillet në shakatë e stisura rastësore, të cilat rrallë qëllojnë në shenjë, pasi devijohen nga të shumtat që kanë jetë të çastit, fare të shkurtër. Të tjera, menduar mirë, jetësojnë humor të pavdekshëm, formësojnë personalitetin delikat të Nozit, si edhe grupimit të sivëllezërve të tij që pluskojnë nëpër kohë të përlargëta.
Në këtë tragë më të shpeshtë, ze fill Nozi shakaxhi, po sidomos filozof me përmasa të tejjetëshme. Fjalët apo qëndrimet e të tjerëve zgjonin te Nozi hokatarin biologjik. Sjelljet e paarësyeshme dhe mospërfillëse e gërryenin përbrenda si një brengë e pakuptuar, po të mos u përgjigjej ashtu si e meritonin. Madje kur i shpëtonte ndojnë rast i tillë nuk e zinte gjumi netë të tëra.
Në kohën e çuditshme të optimizmit masiv, një lloj opiumi ngazëllyes shpërhapur pa fund e pa anë në masën amorfe njerëzore, kohë e bollëkut të përfytyruar, kur fytyra e vrejtur rrezikohej të pësonte ndëshkime nga më të rëndat, Nozi përjetoi periudhën e artë të humorit të tij të natyrshëm, me lëndë të bollshme që jepte pa kursim duknaja e atyre viteve. Metaforë e dhimbshme e kohës së përvuajtur ishte vetë Nozi, i dobët pa hesap, po përherë i qeshur si të mbarte mbi vete të mirat e botës. Kurrë nuk ankohej nga vështirësitë, gjthnjë ndihej plotësisht i kënaqur me atë jetë të sëkëlldisur. Hallet e mëdha i përcillte me shaka të të kripura. Shkurt ndihej si veshka mes dhjamit.
Kishte një vit përcjellë ushtar djalin e madh diku larg qytetit. Më të rrallë merrte letra prej tij, po të shoqen e këputi malli. Zemra e nënës, tejet e madhe, është gatuar nga lëndë hyjnore e pazakontë, e pakonceptueshme për çdo burrë. Në mitologji përmendet një gur misterioz me peshë pambarimisht të madhe të pakrahasueshme me asnjë element të njohur të natyrës. Për aq kohë sa guri mitologjik ishte i pastër ruante peshën e vet super të rëndë, po kur pluhurosej humbiste thuajse tërë vlerën e tij që përcaktohej nga rëndesa e pazakontë. Ndoshta metafora e këtij guri të çuditshëm është zemra e nënës e shqetësuar pafundësisht përsa kohë rreh dhe është e gjallë, por e pluhurosur e nxirë nën dhe të zi e humbet plotësisht ndjeshmërinë e saj. Ngutja dhe ëndrrat e shpeshta të gruas e nisën për udhë të largët Nozin, atje ku djali kryente me nder shërbimin ushtarak në mbrojtje të atdheut rrezikuar nga armiq të shumtë që mezi prisnin ta gllabëronin.
Rruga e largët e kapiti sa s’bëhet. Në repart i thanë se i biri ishte me shërbim dhe kthehej pas nja dy orësh. Nxori kutinë e duhanit dhe drodhi cigare për komandantin dhe oficerët e tjerë që vajtën t’i bënin shoqëri mysafirit disi të çuditshëm. Për më tepër në jetën e vetmuar prej asketi të ushtarakëve, degdisur majë malit, ardhësi i largët përbënte ngjarje të rrallë.
- Po hë more djem si ia shpini, ka shumë armiq në këto anë, - i pyeti me sinqeritet Nozi.
- Që ka nuk diskutohet, po rrinë fshehur matanë kufirit se nuk ua mban të duken nga anët tona. Barutin e kemi të thatë dhe syrin pishë, - u përgjigj serioz, komandanti i menduar.
- Ashtu më iu lumtë, - i përgëzoi Nozi djemtë me uniformë.
Në zërin dhe sjelljen e tij ushtarakët nuk panë ndonjë gjurmë humori, po kur e shikonin ashtu të gjatë e të thatë, me tipare që të bënin vetiu të vije buzën në gaz, sidomos me fjalët që nuk u linin gjë mangut atyre të eprorëve kur u mbushnin mendjen çdo ditë për armiqtë e shumtë, që kërcënonin pa pushim vendin tonë të begatë e të pamposhtur, se si u vinte për të qeshur ashtu kot fare.
Nozi zuri të tregonte histori të lezetshme për jetën e begatë në ato anët e tij, punën e gjallë të njerëzve, ngazëllimin e paanë të kolektivitetit. Djemtë e dëgjonin dhe mendoheshin në se rrëfimtari ishte leshko apo mendje e hollë që mezi kuptohej.
- Tek ne s’mungon asgjë edhe qumësht dallëndyshe të kërkosh gjen, - vazhdonte të tregonte për punën e njerëzve. - Gratë janë forcë e madhe, punojnë më shumë se burrat, ua kanë bërë tetë me dy. Ku t’i kërkosh e nuk i gjen. Mirpo ka nga ata të vjetrit, që nuk e shohin për së mbari punën e tyre. Kemi një Kajan, që nuk i vjen mirë kur i sheh gratë të punojnë njëlloj e më shumë se burrat. Kishte thënë diku se gratë dhe rakia vetëm për një punë janë; gratë për të bërë fëmijë dhe rakia për të marrë mendjen. Si thoni ju a mund të qëndrojnë këto në kohën tonë të punës dhe solidaritetit?
- Pa punën e grave nuk do të arriheshin këto rezultate, - ia ktheva në një muhabet. - Ki kujdes se këto që thua janë lakra në kokën tënde të plakur. Ja kështu!
Ushtarë e oficerë, ( nuk merrej vesh e nuk i dalloje dot se qenë veshur të gjithë njëlloj ) qeshën me lot nga fjalët gazmore të plakut.
Më në fund erdhi djali nga shërbimi. U përqafuan me dashuri të madhe babë e bir. I ati tregoi hollësisht për të ëmën që e kishte zënë malli sa s’thuhet, vëllezërit e motrat, pastaj në sy të të gjithëve i tha:
- Na bëhet zemra mal që po kryen me nder detyrën e mbrojtjes së atdheut, kështu na shtohet dashuria për ty dhe mallit i thahet koka.
Të gjithë e përcollën me nderime Nozin hokatar. Dukej sikur diçka nga qënia gazmore e plakut mbeti në repartin ushtarak.
Zbriti në qytet. Kohë dreke. U drejtua nga restoranti që i zunë sytë në pjacë të vendit. Lokali plot, mezi gjeti tavolinë të lira në një cep. Porositi drekë të lehtë se aq ia mbante xhepi dhe filloi të hajë. Në atmosferën e zhurmëshme të restorantit askush nuk e kishte mendjen te të tjerët. Në derën hyrëse u shfaq një oficer i ri, elegant dhe i pashëm. Kërkoi me sy nëpër lokal, nuk pa asnjë tavolinë të lirë. U drejtua në cepin ku ishte ulur plaku. Pa thënë asnjë fjalë porositi drekë të pasur me mish dhe pije. Nozi e shikoi disa herë. Donte t’i jepte muhabet po tjetri bënte sikur nuk e vinte re plakun ngjitur me të në tavolinë. Nozit i hipi delli i shakasë që ngacmoi sjellja e trashë e djalit të ri. Kur tavolina u mbush me tërë të mirat e perëndisë dhe oficeri mori lugë e pirun, plaku foli:
- Më njeh mua mor djalë?
Tjetri, mospërfillës, pa e shikuar drejt, i tha:
- Jo nuk të njoh.
- Kam bërë njëzet vjet burg se në luftë isha komandant armik. Sot dola nga burgu. Këtu më njohin të gjithë. Kam hallin tënd mos dëmtohesh. Do të thonë qënka kushëri i armikut.
Oficerit i mbeti luga në dorë. Po e shikonte me habi dhe vëmendje të madhe burrin përballë. Nuk përndjeu asnjë grimë shakaje. Burri serioz me pamje të munduar nga burgu i gjatë, vazhdonte të hante drekën varfërishte. E dinte mirë se ç’do të thoshte ta shikonte njeri më të burgosurin armik. U ngrit me nxitim, shikoi nëpër restorant mos e kishin parë me këtë plak të rrezikshëm dhe u drejtua nga banaku. Pagoi porosinë pastaj u largua me të shpejtë, pa pikë gjaku në fytyrë.
Nozi i kënaqur hëngri drekën princërore porositur nga oficeri injorant dhe i kënaqur sa s’bëhet nga tavolina, po veçan shakaja e goditur, u largua. Zbukuruar shumë përtej së vërtetës, a thua qe ndonjë filozof nga ata të moçmit, e tregoi tërë lezet kudo dhe ajo mori dhenë si të gjitha bëmat hokatare të Nozit dinak. Njerëzit e përmendin shpesh kur vjen rast i ngjashëm me oficerin torollak. Morali i ndodhisë, kthyer në humor, godet mendjelehtët. Mëson gjithkënd të jëtë i vëmendshëm, të përfillë cilindo, sido të jetë pamja e jashtme, që nuk shpalos përplotësisht brendinë e njeriut. Arsyetimet e holla mposhtin pamjen elegante apo muskujt e zhvilluar.
Në kohën e tij Platoni thoshte: - Në tërë botën nuk ka dy gjethe njëlloj. E vërteta e kësaj filozofie e patjetërsueshme, kapërcen kohët dhe vjen e paqme, e freskët si virgjëreshë ditët e sotme. Humori, përshfaqje e këndëshme e jetës, komponente rracionale tejet jetësore, trupëzon përplotërisht vërejtjen e hollë të Platonit. Shumësia e humorit, pjesë integrante e pafundësisë së botës. Ashtu si nuk mund të gjesh dy fytyra apo dy gjethe të njëllojta, nuk mund të gjesh kurrsesi dy mendje të holla apo nojma shakaje të njëjta. Nozi nuk ngjan me askënd nga hokatarët e shkuar apo të mëvonëshmit, sidoqë pa mëdyshje qe pleksje e humorit njerëzor shtresëzuar gjatë nëpër kohë.
Nozi shquhet për sajesat gazmore, në vendin dhe kohën e duhur, që mbeten gjatë në kujtesën e njerëzve për mesazhin e përjetshëm përcjellë nëpër kohë. Sjelljet njerëzore disi të veçanta, përshtypjelënëse, udhëtojnë rehat përmbi anekdota gazmore, rracionale që me pak fjalë thonë shumë. Shpesh binte fjala për zilnë e njerëzve, smirën apo urrejtjen biologjike të skajshme për njëri - tjetrin. Më së shumti objekt i smirës janë sukseset e të tjerëve, pasuria e tyre që ngjallin kundërveprim të habitshëm deri kriminal. Raste të tilla ka pa fund në çdo kohë të ekzistencës dhe çdo vend ku jetojnë njerëz. Kjo ide përcillet në trajta të ndryshme nga njerëzit sipas karakterit dhe mendësisë. Tipat seriozë, studiuesit gjithfarësh rreken të përshkruajnë arsyet psikologjike, faktorët që përcaktojnë dukuri të tilla, thelbësisht të dëmshme. Tregojnë shembuj të bollshëm, argumente gjithfarësh, por ato nuk kapërcejnë kohën, mbetën rrëfenja të çastit, harrohen shpejt se nuk ngjallin interes. Përcjellje të tilla akademike janë domosdo afatshkurtëra, nuk rezistojnë në kohë ndaj bashkohen me harresat e infinitëshme si të mos kenë qenë kurrë.
Hokatari ynë tejçon me humor të këndshëm një situatë të tillë, humor që nuk harrohet dhe nuk vdes kurrë. Veshur me guackë shakaje dukuri të tilla, sjellje të shëmtuara të dhimbshme ngjajnë me kalorësit e bronztë, ekspozuar muzeumeve antike, që ruajnë përjetësisht formën dhe pamjen e qenieve njerëzore brenda tyre, zhbërë tërësisht nga koha.
Së fundi?
Istref Haxhillari: Eshte impresionuese të shpreh idetë dhe disa krijime të miat në revistën tuaj prestigjioze me përmasa europiane, që e kini ngritur ju i dashur Kopi dhe Ardiani i mrekullueshëm, e mbani me vështirësi e sakrifica pa fund, po me dashuri tejet qiellore për vendin dhe gjuhën tonë. Ju ecni në gjurmët e të parëve tanë që më së shumti aty në Rumani hodhen themelet ku zunë fill konturet e Shqipërisë sonë. Uroj që sa më shumë mendje të dlira të bashkohen përreth jush e ta çojnë përpara nismën tuaj të mrekullueshme.
Istref Haxhillari
Janar 2009, në Pogradec