Showing posts with label Vita et Gestis. Show all posts
Showing posts with label Vita et Gestis. Show all posts

Shpend Topollaj: Këngëtarja e pafat (Cântăreaţa nenorocoasă)

Kujtimit të Jorgjie Velos

Ndofta pak e mbajnë mend Jorgjien sot. Atë mexosopranon e bukur me atë zërin e rrallë. Dhe patjetër që akoma më të pakët janë ata që e dinë fatin e saj dhe mënyrën tragjike se si vdiq. Pas mbarimit të Liceut në Tiranë, Jorgjies i doli bursa për të vazhduar studimet e larta në Konservatorin e Bukureshtit. Ajo e priti me shumë gëzim këtë. Rumania seç kishte një histori të ngjashme me atë të Shqipërisë. Sidomos pushtimet romake dhe ato turke i afronin shumë këto dy vende. Ne kishim Skënderbeun, një hero që i bashkoi princët shqiptarë, dhe rumunët një shekull e gjysmë pas tij nxorën Mihai Trimin, që bashkoi tri principatat, duke mbetur kështu si simbol kombëtar për atë popull. Bukureshti, buzë lumit Dëmbovica, degë e Danubit, që ishte bërë kryeqytet qysh nga viti 1659 (nën sundimin e princit Gheorghe Ghica / Gjika), me ndërtimet, kishat mesjetare dhe njerëzit e shquar të shkencës dhe kulturës, ishte një qytet i madh dhe plot gjallëri.

Paul Vinicius: Si nisa duhanin dhe femrat (Cum m-am apucat de fumat și femei)

Rreth moshës 14 vjeçare… isha njëfarë „djathë i mirë në lëkurë të qenit”, siç më ‚përkëdhelte’ dhe më ‚spiunonte’ tek prindërit, kur vinte tek ne gjoja i shtyrë nga çështje shpirtërore dhe miqësoro-pedagogjike, por, në fakt, vinte për t’i shtuar ndonjë kacidhe xhepit të tij, z. Mërtinash, profesori i vizatimit dhe njëherazi kujdestari im në pesë klasat e fundit të fillores. Isha i atillë, sepse, - hej, Zot! - kisha fuqi e vrull sa për pesë, kisha një tufë idesh kaçurrele në kokë dhe gati gjithmonë unë isha kokë turku saherë duhej bërë ndonjë e pabërë, prandaj edhe nota ime në sjellje nuk qe kurrë më e lartë se 6.45…