Edval ZOTO*: Zhvillimi i profesionit ushtarak dhe sfidat bashkëkohore**

Dedikuar ushtarakëve dëshmorë të Forcave të Armatosura shqiptare Major Klodian Tanushi dhe Nëntetar Zarife Hasanaj, rënë në krye të detyrës në Letoni, maj 2019.”

Profesioni ushtarak përbën një objekt të rëndësishëm e themelor të sociologjisë ushtarake dhe shkencës ushtarake në përgjithësi. Në këtë artikull trajtohet debati mbi profesionin ushtarak i klasikëve të sociologjisë ushtarake, si Huntington e Janowitz, si dhe sillen në vëmendje dhe aspekte më specifike të këtij objekti studimi nga autorë të mëvonshëm me qëllimin për të paraqitur një historik të shkurtër i zhvillimit të profesionit ushtarak, për të evidentuar faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e tij, si dhe diskutuar sfidat bashkëkohore ndaj unikalitetit të tij në një plan të përgjithshëm, por dhe në rastin e Shqipërisë.

I. Profesioni ushtarak në studimet sociologjike

Profesioni ushtarak në aspektin sociologjik ka tërhequr mjaft vëmendje sidomos që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Nismëtari i debatit sociologjik mbi profesionin ushtarak ishte Samuel Huntington, me veprën e tij The Soldier and the State (Ushtaraku dhe Shteti, përkth. i aut.) (1957, në Moten, 2011). Sipas përcaktimit të tij “trupa moderne e oficerëve është një organizëm profesional, dhe oficeri ushtarak, një profesionist”. Huntington e lidh ekskluzivisht profesionin ushtarak me trupën e oficerëve, dhe profesionalizmin në këtë drejtim e karakterizon me tre atribute: përgjegjësinë – forcat ushtarake janë një krah i armatosur i shtetit dhe të vendosura në mënyrë strikte nën kontrollin civil dhe oficerët profesionistë e përdorin ekspertizën e tyre vetëm në dobi të shoqërisë; korporatizmin (corporateness, në origjinal – shën i autor.), sipas të cilit profesioni është i kufizuar, dhe ka një sistem promocioni të kontrolluar, nënkultura autonome krijohen si pasojë e institucioneve vokacionale komplekse, si dhe revistat, shoqatat, shkolla, ritet, traditat, uniformat dhe shenjat dalluese i përforcojnë ato; dhe, ekspertizës, e cila në mënyrë profesionale arrihet pas një periudhe relativisht të gjatë edukimi, dhe dija intelektuale ushtarake e përftuar krijon mundësi ruajtje nëpërmjet trashëgimive të shkruara. Sipas Huntington zhvillimi i profesionit ushtarak duhet të karakterizohet nga një konservatorizëm i detyruar. Ushtaraku dhe Shteti i Huntington (1957), jo vetëm që do të shenjojë veprën e parë serioze mbi sociologjinë e profesionit ushtarak por dhe do të përbëjë bazën e studimeve të tjera plotësuese si dhe ngritjen e debatit mbi profesionin ushtarak dhe karakteristikat sociologjike të tij.

Në vijim emra të rëndësishëm të sociologjisë do të trajtonin në studimet e tyre profesionin ushtarak duke ndihmuar kështu në zhvillimin e sociologjisë në këtë drejtim por edhe duke hedhur themele të qëndrueshme shkencore. Martin Janowitz, do të botonte The Professional Soldier (Ushtaraku Profesionist, përkth. i autorit) në vitin 1960, Bengt Abrahamsson Military Professionalisation and Political Power (Profesionalizmi Ushtarak dhe Fuqia Politike, përkth. i autorit) në 1972, dhe Charles Moskos From Institution to Occupation – Trends in Military Organization (Nga themelimi tek punësimi – Trende në organizimin ushtarak, përkth. i autorit) në vitin 1977. Siç e përmbledh Bolin (2008), Janowitz dhe Abrahamsson, kritikuan tezën e Huntington se arsimimi ose profesionalizmi i ngurtë e konservator ushtarak do të ishte në dobi të ushtarakëve, dhe mbronin tezën se profesionalizmi ushtarak duhet të zgjerohet dhe pasurohet me modele alternative të karakteristikave të oficerëve, e sidomos në diversifikimin e aftësive të tyre. Sipas përmbledhjes së shkurtër që Baucom (1985) i bën veprës së Janowitz, dhe që është e vlefshme të paraqitet për këtë studim, trupa e oficerëve është e përbërë nga disa “tipe/karaktere” oficerësh. I pari, lideri heroik, i cili përfaqëson traditën luftarake në shërbimin ushtarak, është mishërimi i shpirtit marcial dhe vlerave e vetive personale luftarake. Së dyti, oficeri menaxher, është ai i cili është më i shqetësuar me aspektet praktike e konkrete të luftimit, si dhe me mënyrat e mobilizimit të burimeve kombëtare për luftë. Ndërsa së treti, oficeri teknologjist (military technologist, origj.) është ai i cili ka ngjashmëri me oficerin menaxher, por që ka njohuri të gjera teknike, por pa qenë as shkencëtar dhe as inxhinier, dhe që ka nevojë dramatike për progres teknologjik të vazhdueshëm në organizimin ushtarak. Moskos gjithashtu ofronte një model tjetër të vetin sipas të cilit profesionalizmi ushtarak bëhej më i dobishëm për vetë organizatën ushtarake por edhe për shtetin.

Kritika ndaj Huntington[1], si vepra e parë në llojin e vet, pavarësisht se ka shkaktuar e vijon të ushqejë debatin kritik në sociologjinë ushtarake, gjithsesi nuk ka prekur konceptet themelore të tij të shtruara në përkufizimin dhe identifikimin e elementëve social-kulturorë në profesionin ushtarak. Për efekte të objektit të studimit të kësaj eseje, Huntington (1957, në Heinecken, 1997) përcakton se besnikëria dhe devotshmëria ndaj shërbimit dhe ndaj kombit janë kualitetet më të dëshiruara në individët që rekrutohen për t’u bërë pjesë e trupës ushtarake të oficerëve. Për shkak të funksionit unik të ushtarakut, që është përdorimi i dhunës në mënyrë të organizuar, shoqëria dhe ushtria si organizatë kërkojnë tek individët që bëhen pjesë e profesionit ushtarak një devotshmëri të lartë ndaj shërbimit. Ushtarakët kërkohet të demonstrojnë standarte të larta patriotizmi, disipline, kurajoje, dhe vetëmohimi përgjatë kryerjes së detyrave të tyre, si dhe të demonstrojnë përgjegjësi në përdorimin e aftësive të tyre në interes të shoqërisë. Për këtë arsye, dhe rrjedhimisht konsiderohet e përkundërt me etikën dhe standartet profesionale që ushtarakët profesionistë të organizohen në grupe interesi (sindikata, unione, etj) për të kërkuar përfitime financiare, ose të përdorin aftësitë e tyre kundër shtetit në interes të fuqizmit të ‘establishmentit ushtarak’. (Heinecken, 1997) Përcaktimet bazë që bën Huntington, por edhe sociologët e tjerë pavarësisht kohës së kaluar, janë në thelb të institutit të profesionit ushtarak dhe në ditët e sotme.
Në një periudhë të mëvonshme Dutu, Mostoflei, Sarcinschi (2003, në Macovei, 2014) duke shqyrtuar e studiuar rastin e profesionit ushtarak në Rumani shprehen se “profesionisti ushtarak është një person tejet i kualifikuar, i karakterizuar nga kompetenca, përgjegjësia dhe esprit de corps. Ai është një ekspert me njohuri të specializuara dhe aftësi mbi një fushë të gjerë të aktivitetit njerëzorAftësitë e tij vijnë si rezultat i një ekspertize të përshtatshme teorike në institucione të ndryshme të specializuara, si dhe një eksperiencë të gjatë në fushën përkatëse.” Macovei, një sociologe rumune, vijon duke argumentuar se kompetenca e profesionistit ushtarak arrihet nëpërmjet ushtrimeve teorike dhe praktike në institucione të specializuara dhe të plotësuara me eksperiencën e fituar gjatë ushtrimit të këtij profesioni. Përgjegjësia e profesionistit ushtarak provohet nëpërmjet ushtrimit të përshtatshëm e realizimit të detyrave dhe misionit në nivelin më të lartë të zotëruar të aftësive dhe njohurive të tij. Esprit de corps që e karakterizon profesionistin ushtarak është specifik për grupin përkatës profesional (profesioni ushtarak) dhe kërkon një pranim të brendshëm të vlerave si: nderi, besnikëria, besimi, ndërshmëria, dinjiteti, krenaria, disiplina, devotshmëria, solidariteti, etj., të gjitha ato vlera që formojnë etosin ushtarak.
Karakteristikat e profesionit ushtarak, të cilat janë të trashëguara e zhvilluara përgjatë kohës gjenden të shprehura në formën e kërkesave, dhe detyrimeve themeltare në dokumentat përkatëse të brendshme ushtarake, të cilat trajtojnë veçantinë e profesionit ushtarak. Një shembull i këtillë është Doktrina referenciale e ushtrisë[2] amerikane mbi profesionin ushtarak (ADRP-1, 2013) ku shprehet se profesioni ushtarak (në ushtrinë e SHBA) është një vokacion unik i ekspertëve të certifikuar në hartimin, gjenerimin, mbështetjen dhe aplikimin etik të forcës tokësore, e që shërben autoritetin civil dhe që i është besuar mbrojtja e Kushtetutës, dhe e të drejtave dhe interesave të popullit amerikan. ‘Profesionisti i ushtrisë’ është një anëtar i profesionit ushtarak i cili përmbush kriteret e kompetencës, karakterit dhe angazhimit. Karakteristikat kryesore të profesionit ushtarak në ushtri janë: besimi, ekspertiza ushtarake, shërbimi me nder, esprit de corps, dhe kujdestaria ndaj profesionit. (Po aty, p. 6-8)

II. Zhvillimi i profesionit ushtarak përgjatë historisë moderne

Zhvillimi i profesionit ushtarak është i pandarë nga zhvillimi i shtetit dhe rrethanave e karakteristikave identifikuese të shtetit në momente të caktuara historike. Traktati i Vestfalisë në 1648, i cili bëri të mundur vendosjen e një paqeje të gjerë në Europë, dhe mundësoi fillimin e krijimit të shteteve-kombe, u bë kësisoj dhe shkas për nisjen e zhvillimit të profesionit ushtarak në kuadër të karakteristikës kryesore të tij, që qëndron e vlefshme dhe në ditët e sotme – profesioni ushtarak në shërbim ekskluziv të shtetit dhe interesave të tij.
Një ndarje kohore në vija të gjera e japin Dandeker dhe Watts (në Kuhlman dhe Dandeker, 1991), të cilët evidentojnë tre periudha madhore të zhvillimit të profesionit ushtarak, në raport me zhvillimin e shtetit, të cilat fillojnë nga shekulli i 17-të: periudha e kapitalizmit liberal, periudha e kapitalizmit të organizuar, dhe periudha e kapitalizmit neo-liberal. Sipas tyre kalimi në profesionin ushtarak me karakteristika moderne (ushtritë në shërbim të shteteve përkatëse) u bë i mundur pikërisht nga nënshtrimi i ushtarakëve ndaj një burokracie shtetërore, e cila e shkëputi profesionin ushtarak nga mercenarizmi. Ky kalim u bë gradualisht nga shek. 16-të deri në fund të shek. 19-të, kur industrializimi i shpejtë bën të mundur shfaqjen e kapitalizmit liberal. Në këtë përiudhë, në kapërcimin ndërmjet shek 19-20, profesioni ushtarak u instalua përfundimisht si një përbërës i domosdoshëm dhe u racionalizua në brendësi të sektorit publik.
Në periudhën e kapitalizmit të organizuar, profesioni ushtarak pati një rritje të privilegjeve dhe të rëndësisë për shkak të rolit të ushtrisë në mbështetjen dhe sigurimit të prodhimit në aspektin politiko-ekonomik, por sidomos në garantimin e vijimit të këtij modeli të shtetit (kjo është periudha e dy luftërave Botërore dhe përvijimi i Luftës së Ftohtë).
Në fazën e kapitalizmit neoliberal profesioni ushtarak është bërë pjesë dhe ndikohet nga ndërkombëtarizmi dhe globalizmi, siç ndikohet dhe vetë shteti. Në këtë fazë Dandeker dhe Watts vënë re se profesioni ushtarak fillon të zbehë karakteristikat e tij të natyrës konservatore si pasojë e humbjes së monopolit të ushtrisë në sigurimin e shoqërisë, rritjen dramatike të fuqisë së qeverisë civile kundrejt ushtrisë, rënien e rëndësisë së kulturës ushtarak si pasojë e zbehjes së etikës ushtarake, si dhe zhvlerësimit në rritje të profesioni ushtarak si pasojë e zhvlerësimit të statusit të ushtarakut në tërësi.
Këto periudha gjithsesi kanë një karakter të përgjithshëm dhe trajtojnë profesionin ushtarak në një këndvështrim të gjerë. Në brendësi të tyre ka nën-periudha të shumta në të cilat vërehen re ndryshime të rëndësishme të profesionit ushtarak. Këto nën-periudha jo domosdoshmërisht janë të njëkohshme për ushtri të ndryshme. Për qëllimin e këtij studimi do të merret në studim dhe do të sillet si shembull zhvillimi i profesionit ushtarak në SHBA përgjatë shekullit të 20-të deri në kapërcimin e Luftës së Ftohtë.
Duke shqyrtuar historinë e zhvillimit të profesionit ushtarak në SHBA në kuadrin konceptual të Janowitz, Moten (2011) shprehet se profesioni ushtarak në Amerikë në gjysmën e parë të shek. të 20-të karakterizohej nga konkurrenca midis ushtarakut në trajtën e liderit heroik, me atë në trajtën e oficerit menaxher. Periudha e Luftës së Ftohtë do të ndikonte që në profesionin ushtarak të zhvillohej një model hibrid ushtaraku, diçka e mesme midis liderit heroik dhe atij menaxher. Në vijim, Moten do të arrijë në përfundimin se kjo balancë e arritur, me “shtendosjen” dhe fundin e Luftës së Ftohtë do të sillte zbehjen e liderit heroik, kapërcimin përtej liderit menaxher, dhe do t’a kthente modelin e profesionistit ushtarak drejt trajtës së liderit teknologjik. Duke shqyrtuar zhvillimet konkrete historike, rreth zhvillimit të ushtrisë dhe profesionit ushtarak në Amerikë, mund të provohet dhe se qasja konservatore e Huntington mbi modelin e zhvillimit të profesionit ushtarak nuk rezulton e saktë. Sipas Huntington, ushtria amerikane, ose më saktë trupa e oficerëve (Huntington e përzgjedh këtë trupë si etalon për trajtimin e profesionit ushtarak, shën. i autorit) u profesionalizua në gjysmën e dytë të shek. 19-të si pasojë e izolimit nga shoqëria civile. Baucom (1985) e hedh poshtë këtë qasje duke argumentuar se profesionalizmi i ushtrisë amerikane filloi rreth vitit 1820 dhe u përvijua përgjatë gjithë shekullit të 19-të, dhe kjo jo për shkak të izolimit të ushtrisë në garnizone të mëdha e hisorike jashtë qendrave të banuara por në përputhje me trendet sociale, të cilat inkurajuan profesionalizimin në terma ligjore, akademike dhe mjekësore. Zhvillime të rëndësishme në këtë aspekt vihen re dhe tek forca detare amerikane duke nisur nga viti 1830.
Në fillim të shek. të 20-të, Ushtria, Marina dhe Forcat Desantuese Marinse (US Marines) të SHBA ishin në një nivel profesionalizmi, duke pasur shtabe të përgjithshme në kontroll të ekspertizës në nivelet strategjike dhe operacionale; juridiksione të ndara për ekspertizën në nivel force tokësore dhe force detare; një sistem arsimimi hierarkik, ku ishin të përfshira Kolegjet e Luftës; rregulla strikte rekrutimi dhe promovimi të mbështetura në vjetërsi dhe meritë; etikë shërbimi e cila vlerësonte nënshtrimin ndaj kontrollit civil; si dhe nën-kultura profesionale të pasura me elementë si uniformat, terminologjinë, sjelljet, dhe traditat përkatëse që e dallonin secilën nën-kulturë nga tjetra, si dhe nga shoqëria civile. Si shembull të profesionalizmit në profesionin ushtarak që ishte arritur si pasojë e ndërveprimit ushtarakë-shoqëri civile Baucom sjell zhdërvjelltësinë e mobilizimit, fitoren e luftërave botërore dhe çmobilizimit të shpejtë ushtarak pas luftërave nga ana e forcave ushtarake amerikane. Ai duke trajtuar periudhën e pasluftës dhe ndikimin në profesionin ushtarak merr rastin e zhvillimit të një nën-kulture, ose nën-profesioni të ri brenda profesionit ushtarak, trupën e nënoficerëve. Në periudhën e pasluftës në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të trupa e nënoficerëve në SHBA mori një rol të rëndësishëm në brendësi të të gjitha forcave ushtarake amerikane dhe jo vetëm u rrit në numër por edhe roli i nënoficerit u fuqizua në mënyrë të rëndësishme në aspektin e ushtrimit të lidershipit në brendësi të profesionit ushtarak.
Duke vijuar në kronologjinë historike, fundi i shek. 20 dhe përfundimi i Luftës së Ftohtë do të sillte dukuri që do të shenjonin ndryshime domethënëse në sociologjinë e profesionit ushtarak dhe në profesionin ushtarak në vetvete, si: ridimensionimi i ushtrive (sidomos në vendet e Lindjes), kalimi nga një rekrutim i detyruar në rekrutim vullnetar, si dhe rritja e vëmendjes së ushtarakëve ndaj aspekteve të përkujdesjes civile ndaj tyre. Zhbërja e ndarjeve ideologjike Perëndim-Lindje, në fundin e viteve ‘80 e fillimvitet ‘90, solli një ndryshim të qënësishëm sidomos në sasinë e fuqisë ushtarake të të gjitha vendeve. Të gjitha vendet, e sidomos ato të Lindjes “politike”, në pamundësi për të përballuan koston financiare të mbajtjes së një trupë të madhë ushtarake, por dhe në mungesë të arsyeve ushtarake, ndërmorën reforma të mëdha duke zvogëluar numrin e ushtarakëve aktivë. Në planin e zhvillimit të profesionit ushtarak, tashmë presioni i rritjes së profesionalizmit të ushtarakëve ishtë i lartë si asnjëhërë më parë. Lilo (2008) duke marrë parasysh zhvillimin e profesionit ushtarak në Shqipëri pas ndryshimeve politike të fillimviteve ‘90, shprehet se trasformimi dhe reformimi i FARSH në fillimvitet ‘90 e zvogëloi forcën ushtarake, pasi tashmë nevojitej një trupë e vogël oficerësh të mirëtrajnuar, të përshtatshëm me kërkesat e kohës dhe fleksibël. Edukimi i tyre mori një rëndësi të madhe pasi jo vetëm do i aftësonte për marrjen e detyrës së parë, në rastin e oficerëve të sapodalë nga akademitë e formimit por edhe për t’i mësuar atyre të jenë fleksibël ose lehtësisht të përshtatshëm në përballimin e situatave të ndryshme, karakteristikë e mjedisit modern operacional.
Ndryshimi i mënyrave se si qytetarët lidhen me profesionin ushtarak të nivelit bazë - pra shërbimin në nivel trupe, në mënyrë të detyrueshme ose në bazë të vullnetit të lirë, ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e profesionit ushtarak në tërësi në këtë periudhë. Eksperienca e një vendi fqinj me Shqipërinë është e vlefshme për t’u përmendur në këtë ese. Duke studiuar rastin e Rumanisë, pas heqjes së shërbimit të detyruar ushtarak (e kryer në vitin 2007) dhe kalimit në shërbim ushtarak vullnetar, Dutu (2007, në Macovei, 2014) sjell disa aspekte të ndikimit të këtij ndryshimi sipas niveleve të ndryshme të organizmit të Forcave të Armatosura rumune:
- Në nivelin institucional, të gjitha aspektet rreth burimeve njerëzore ndryshuan (rekrutimi, menaxhimi i karrieres, ruajtja e ekspertizës, etj.)
- Në nivelin organizativ, karakteristikat themelore të njësive ushtarake, dhe organizimi i mbrojtjes së territorit kombëtar ndryshoi, dhe tashmë vëmëndja u përqëndrua në modularitetin e njësive ushtarake, fleksibilitetin dhe ndërveprueshmërinë e tyre.
- Në nivelin identitar, në karakteristikat e profesionit ushtarak, natyra dhe misioni i ushtrisë, si dhe vendi që ajo mbante në shtetit rumun u ripërcaktua. Krahas misionit historik (ruajtja e sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit të territorit shtëtëror dhe të qytetarëve) u shtuan dhe misione të reja, misionet paqeruajtëse, misionet kundër terrorizmit ndërkombëtar, misionet në kuadër të organizatave ndërkombëtare, etj.
- Në nivelin operacional, pjesëmarrja e gjerë në misione ndërkombëtare si dhe realizimi i detyrave tradicionale në mënyrë të njëkohshme, solli një rritje të operacionalitetit të forcave ushtarake.

Duka marrë parasysh këto zhvillime Macovei (2014) shton se ushtria rumune ndërmori fushata të shumta reformuese të cilat ishin të vështira dhe delikate, të cilat zhvilloheshin në kushtet e mungesave të theksuara buxhetore si dhe nën presionin e madh të brendshëm kundër ndryshimeve, sidomos në fillimin e ndryshimit.
Ndryshimet e fundshekullit të 20-të e të fillim-shekullit të 21-të, vetvetiu, qoftë prej rritjes së konkurrencës profesionale, por dhe trendeve të përbashkimit të elementëve ushtarakë me ato civilë, sollën dhe tronditjen e disa aspekteve konservatore të profesionit ushtarak, siç janë motivimi e dovotshmëria ndaj shërbimit, të cilat janë zbehur tashmë. Zbehja e motivimit të devotshmërisë ndaj shërbimit dhe rritja e vëmendjes ndaj elementëve të “punësimit” sic janë: rroga, siguria e punësimit, kushtet e përgjithshme të punës, etj. është vënë re në trupën e oficerëve që në vitet ‘70 të shekullit të shkuar (Segal dhe Lengermann 1980, në Heinecken, 1997). Moskos (1986, në Heinecken, 1997) e shpreh këtë ndryshim nëpërmjet dallimit të legjitimimit të “vlerave të tregut” kundrejt vlerave “normative” nga ana e ushtarakëve të kohës. (në vitet 70-80 të shek. të 20-të). Të njejtat karakteristika vihen re dhe nga Heinecken në vitet ‘90 në rastin e kandidatëve për oficerë në Afrikën e Jugut, dhe Heinecken e shpreh këtë ndryshim duke klasifikuar në ‘profesionistë ushtarakë’ dhe në ‘profesionistë me uniformë’.

III.Faktorë përcaktues të trendeve të zhvillimit të profesionit ushtarak dhe sfidat aktuale

Profesioni ushtarak dhe profesionistët ushtarakë janë elementë përbërës të shtetit, i cili është organizimi më i lartë e më kompleks shoqëror njerëzor. Kësisoj trendet e zhvillimit të profesionit ushtarak do të ndjekin në një vijë të gjerë zhvillimin e shtetit. Gjithsesi, disa faktorë për ndryshim kanë një efekt më të madh transformues te profesioni ushtarak se tek të tjerë. Heinecken (1997), përzgjedh si faktorë ndikuesë në zhvillimin e profesionit ushtarak faktorë si: mungesa e kërcënimeve të qarta ndaj Shtetit dhe shoqërisë së tij si dhe perceptimi[3] popullor ndaj tyre; kalimi nga shërbimi ushtarak i detyruar tek shërbimi vullnetar; ndryshimi i profilit të kandidatëve për oficerë (heqja e kufizimeve klasore për kandidatët për oficerë dhe hapja e konkurseve gjithëpërfshirëse); reduktimi i numrit të ushtarakëve; ndryshimet në benefite ekonomike e sociale të ushtarakëve në krahasim me sektorin civil. Sipas Battistelli (në Kuhlman dhe Dandeker, 1991) profesioni ushtarak përballet me katër dilema kundërshtuese në raport midis tyre: centralizimin/ decentralizimin; integrimin/ diferencimin; konservatorizmin/ inovacionin; dhe, formalizimin/ informalizimin. Snider (2008) duke trajtuar rastin e SHBA, përzgjedh katër faktorë përcaktuesë për formësimin e rolit të ushtarakëve: shoqëria, klima botërore, teknologjia dhe sfidat profesionale të vetë profesionit ushtarak. Në të njejtin mjedis, Box (2012) futet më në thellësi dhe shqyrton fenomenin e liderit “toksik” që ai e përkufizon si “lider që manifeston sjellje destruktive dhe shfaq karakteristika personale dizfunksionale, të cilat dëmtojnë profesionistët nëpërmjet helmimit të entuziazmit, kreativitetit, autonomisë, dhe shprehjes së inovacionit.” Rëndësia e lidershipit brenda profesionit ushtarak është themeltare dhe prania e liderëve toksikë shkatërron besimin tek istitucionet ushtarake si dhe i dëmton ato, prandaj dhe ky fenomen, i cili gjendet i pranishëm në masë të papërcaktuar në organizmat ushtarakë, është një nga faktorët me ndikim në profesionin ushtarak, sidomos kur liderë të tillë gjenden të vendosur në katet e sipërme të hierarkisë ushtarake. Bolin (2008) duke shqyrtuar rastin e profesionit ushtarak në Suedi, përmend faktorë si: zhvillimet në politikën ndërkombëtare, duke filluar nga fundi i Luftës së Ftohtë; evolucioni teknologjik; reduktimet e gjithanshme në Forcat e Armatosura dhe tendenca për uljen e shpenzimeve për mbrotjen; zgjerimi i juridiksionit të veprimit të forcave ushtarake, që në rastin e Forcave të Armatosura suedeze ka ndjekur tre drejtime: në zgjerimin e përgjegjësive të ushtarakëve me rol jo vetëm në kohë luftë por edhe në kohë paqeje, me zgjerimin e territorit të veprimit të tyre duke dalë jashtë territorit shtetëror suedez, si dhe me zgjerimin e objektit të veprimit të forcave të armatosura jo vetëm në terrenin gjeografik dhe kundër një agresori shtetëror por në mjedise të ndryshme duke përfshirë terrorizmin dhe veprimin kundër aktorëve të ndryshëm jo-ushtarakë e jo-shtetërorë. Sipas Caforio (2008) arsyet kryesore të ndryshimeve në profesionin ushtarak nga vitet ‘90 ishin: angazhimi gjithnjë e në rritje i ushtarakëve në operacione të ndryshme nga ato luftarake, pjesëmarrja në operacione gjithnjë e më shumë me karakter ndërkombëtar, si dhe marrja e roleve diplomatike nga ushtarakët që merrnin pjesë në këto misione. Ndërsa Winslow (2010), një sociologe e njohur sidomos në fushën e sociologjisë së gjinive në profesionin ushtarak, evidenton dhe studion rolin e femrave në profesion, duke e përfshirë dhe pjesëmarrjen gjithnjë e më aktive të femrave në profesionin ushtarak pa asnjë kufizim, si një nga faktorët e zhvillimit të profesionit ushtarak. Bolin (2008), duke identifikuar trendin në rritje të angazhimit të femrës në profesionin ushtarak, gjithashtu mbështet argumentin se prania e seksit femër në profesionin ushtarak është jo vetëm një e drejtë njërëzore që nuk ka përse t’u mohohet femrave, por edhe pasi zhvillimet kanë treguar se Forcat e Armatosura kanë nevojë për ekspertizën femërore, dhe në përgjithësi kanë më shumë nevojë për aftësitë intelektuale e sociale se sa për muskuj.
Duke patur parasysh këto faktorë është e qartë se profesioni ushtarak në ditët e sotme përballët me sfida të rëndësishme të cilat në hapësira të ndryshme sipas shteteve dhe Forcave të Armatosura të tyre shfaqen me peshë dhe efekte të personalizuara. Në rastin rumun, Macovei (2014) ndër sfidat e profesionit ushtarak dhe komunitetit profesionist ushtarak rendit rënien e nivelit të konkurrueshmërisë së profesionit ushtarak në përballjen me profesionet civile, në tregun e punës. Një sfidë tjetër për ushtrinë gjithashtu është dhe ruajtja e ushtarakëve, e sidomos të oficerëve të cilët janë në kufijtë e periudhave të skadimit të kontratave të shërbimit. Macovei sugjeron se autoritetet vendimmarrëse duhet të marrin parasysh se profesioni ushtarak gjithnjë e më tepër zhvillohet në kushtet e ekonomisë së tregut dhe pavarësisht aspekteve ekonomike, organizatat ushtarake, jo vetëm duhet të angazhohen në sigurimin e pagave konkurruese, ofrimin e karrierave të qarta dhe motivuese, si dhe ofrimin e mundësive për kualifikim civil për ushtarakët pas daljes nga shërbimi, por duhen të veprojnë edhe në kuadër të zvogëlimit të presionit psikologjik ndaj të cilit nënshtrohen ushtarakët, të cilët janë të vetëdijshëm se megjithëse kanë një shkallë shumë më të lartë specializimi se punonjësit në sektorin civil, ata paguhen më pak. Për këtë qëllim Macovei sugjeron se organizatat ushtarake duhet të kundërveprojnë duke marrë masa për të rritur kohezionin, përmirësimin e komunikimit brenda grupit, si dhe përmirësimin e situatës psiko-sociale të ushtarakëve. Në përfundime të ngjashme arrin dhe Heinecken (2008) e cila mbështet pohimin se angazhimi i një individi kundrejt një organizate varet nga shkalla e plotësimit të ndërsjelltë të nevojave të të dyja entiteteve. Kjo e vendos organizatën ushtarake në një situatë sfiduese pasi ajo kërkon nga anëtarët e saj (ushtarakët) një angazhim shumë më të lartë se sa mund të kërkojnë organizatat civile nga punonjësit e tyre, ndërkohë që këto të fundit në të shumtën e rasteve ofrojnë dhe benefite më të mëdha. Heinecken duke studiuar motivimin për të përqafuar profesionin ushtarak të kandidatëve për oficerë në Akademinë Ushtarake të Afrikës së Jugut vërejti se është në rritje tendenca për karakterizimin e profesionit ushtarak si një punë të zakonshme, dhe zbehjen e motivit të devotshmërisë ndaj shërbimit që implikon profesioni ushtarak. Heinecken arsyeton se kjo tendencë vjen si pasojë e rënies së statusit të profesionit ushtarak në shoqëri, si dhe presionit të madh që rrjedh nga ndryshimet e vazhdueshme organizative, dhe që ushtrohet ndaj ushtarakëve. Një sfidë e rëndësishme për profesionin ushtarak në kushtet aktuale kombëtare e botërore është dhe arsimimi dhe edukimi i tyre. Bolin (2008), në ndjekje të vijës së mendimit të Janowitz thekson se një sistem edukimi i përshtatshëm me kërkesat e kohës dhe në përputhje me sfidat profesionit mund të jetë i tillë veçse nëse është i integruar me edukimin civil.
Duke marrë parasysh trendet e zhvillimit të profesionit ushtarak dhe sfidat me të cilat përballet ky profesion në kohërat e sotme, është tejet e rëndësishme qe organet shtetërore civile të vetëdijësohen për efektet që shkakton vendimmarrja dhe kontrolli i tyre mbi profesionin ushtarak me veprimet por dhe mosveprimet e tyre. Profesionisti ushtarak, tashmë nuk është një vegël në trajtën e një çekiçi të rëndë që mund të shkallmojë dyer të trasha, por një çelës i sofistikuar që me lëvizje dhe vendosmërinë e duhur mund të hapë me lehtësi çdo derë bllokuese, dhe aq më pak profesionisti ushtarak nuk është më një ëndërrimtar apo aventurier romantik i drejtuar nga dëshira për lavdi e dekorata në ekspedita ekzotike, por një “përbindësh” i mirë e social, me aftësi intelektuale të nivelit akademik, i prirur drejt automatizimit e teknologjisë, i ndjeshëm ndaj mungesave në mirëqënien personale e familjare, por dhe ndaj klimës profesionale të përditshme. Profesionisti ushtarak është sidomos një kërkues i paepur i përmirësimit e zhvillimit të vazhdueshëm të profesionit për të cilin ai është i vetëdijshëm për sakrificat që e shoqërojnë në çdo hap.

III.I Sfidat ndaj profesionit ushtarak në Shqipëri: Nevoja emergjente për njohjen e karakteristikave të profesionit ushtarak dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tij

Studimet e mirëfillta sociologjike rreth profesionit ushtarak në Shqipëri janë të mangëta, e sidomos studimet përsa i përket periudhës së pasviteve ’90-të kur Forcat e Armatosura të vendit i janë nënshtruar ndryshimeve thelbësore. Trajtesat rreth profesionit ushtarak në vendin tonë për këtë periudhë kanë karakter përshkrues e historiografik, se sa karakter analitik sociologjik, nëpërmjet të cilit do të kishte qenë e mundur të shpjegoheshin elementët e karakteristikat në ndryshim të profesionit ushtarak por dhe ngjarjet më të rëndësishme të cilat kanë ndikuar marrëdhëniet ndërmjet institucioneve ushtarake dhe atyre civile, por dhe marrëdhëniet ndërmjet profesionistëve ushtarakë e atyre civile, ose ndërmjet vetë ushtarakëve. Në mënyrë empirike mund të evidentohen një sërë ngjarjesh e tematikash të cilat mund të trajtohen më interes në kuadër të zhvillimit të studimeve sociologjike por dhe vetë sociologjisë së profesionit ushtarak në Shqipëri duke nisur që nga krijimi i ushtrisë shqiptare në 4 dhjetorin e vitit 1912 e deri në periudhën bashkëkohore:
- Pavarësimi i vendit dhe përvoja luftarake e popullsive shqiptare në formësimin dhe institucionalizmin e ushtrisë përgjatë viteve të para të pavarësisë;
- Prania dhe ndikimet e këshilltarëve të huaj në formësimin e karakteristikave të profesionit ushtarak në Shqipëri;
- Ndryshimet në qeverisje, dhe ndikimi i përpjekjeve të brendshme politike në vend përgjatë periudhës midis dy luftërave botërore;
- Prania italiane dhe ndikimi i marrëdhënieve Shqipëri-Itali përgjatë qeverisjes së Ahmet Zogut;
- Roli i Luftës Antifashiste-NacionalÇlirimtare në ri-organizimin ushtarak të vendit pas Luftës së Dytë botërore, në aspektin e organizimit dhe institucionalizmit ushtarak;
- Ndikimi i aleatëve lindorë përgjatë periudhës së regjimit komunist, e sidomos në planet e formësimit akademik e profesional të ushtarakëve të kohës, prania e traditave dhe zhvillimi i nën-kulturave për shkak të rritjes drastike të kapaciteteve dhe aftësive luftarake në krahasim me periudhat e mëparshme, si dhe elementët demografike e kulturorë të ushtarakëve të kohës;
- Ndikimi i ndryshimeve politike në fillimvitet ’90-të në Shqipëri dhe i reformave ushtarake që i pasuan, ku spikasin shkurtimet e mëdha në personel dhe pajisje;
- Ndikimi i ngjarjeve të vitit 1997 aspektin e motivimit dhe disiplinës ushtarake;
- Anëtarësimi në organizmat ndërkombëtarë, e sidomos në NATO, dhe roli i aleatëve perëndimorë në reformimin e ushtrisë shqiptare;
- Ndryshimet e strategjive kombëtare të sigurisë dhe ndikimi në profesionin ushtarak;
- Heqja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe kalimi në ushtri profesioniste;
- Ndikimin e ndryshimeve të shpeshta të praktikës e metodave të arsimimit themelor të oficerëve;

Në një aspekt tjetër më pak kronografik, është e domosdoshme kërkimi dhe studimi sociologjik i çështjeve e faktorëve të mëposhtëm:
- Ndikimet krahinore dhe rajonale në profesionin ushtarak ose nën-kulturat e tij;
- Rolin e gruas në profesionin ushtarak;
- Nivelin kulturor dhe arsimor të ushtarakëve të shqyrtuar në mënyrë krahasimtare në periudha kohore dhe sipas llojeve të trupës (oficer, nënoficer, ushtar);
- Ndikimi i shërbimeve jashtë vendit në operacione paqeruajtëse;
- Ndikimi i ushtarakëve shqiptarë të formuar jashtë vendit;
- Përkujdesjen sociale të familjes së ushtarakut dhe ndikimin e kushteve ekonomiko-sociale të ushtarakëve në profesionin e tyre;
- Faktorët e motivimit/demotivimit të profesionistëve ushtarakë;
- Nivelin e homogjeneizimit të trupës së oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve;
- Ndryshimet në planin e botëkuptimit mbi profesionin ushtarak midis profesionistëve ushtarakë të formuar/titulluar në periudhën përpara viteve ’90, pas viteve ’90, por përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe atyre pas anëtarësimit, si dhe elementët e “përplasjes”;
- Rolin e kontrollit civil e demokratik mbi Forcat e Armatosura dhe ndikimin në profesionin ushtarak;
- Ndikimet e papërshtatshme politike, elementët e kriminalizimit dhe nepotizmit.

Studimi dhe shtjellimi i çështjeve të mësipërme ka rëndësi themelore për njohjen e profesionit dhe profesionistëve ushtarak në Shqipëri dhe do të lejonte krijimin e një baze të shëndoshë dijesh për zhvillimin e mëtejshëm, jo vetëm të studimeve sociologjike ushtarake, por dhe në zhvillimin tërësor të profesionit e profesionistëve ushtarakë shqiptarë. Një ushtri dhe një trupë ushtarakësh që njeh veteveten, zhvillimet, karakteristikat pozitive, por sidomos problemet që qëndrojnë në bazë të profesionit ushtarak, është një ushtri që zhvillohet në mënyrë të shëndetshme e të qëndrueshme.

IV.Referenca

Army Doctrine Reference Publication, (2013) 1-The Army Profession, HQ, Department of the Army Washington DC, http://data.cape.army.mil/web/repository/doctrine/adrp1.pdf
Baucom, Donald R., (1985) The professional Soldier and the Warrior Spirit. Strategic Review, http://www.au.af.mil/au/awc/awcgate/au-24/baucom.pdf
Bazo, Jeronim, (2006) Shaping the future – A new profile of the Albanian Military Officer. USAWC, Carlisle Barracks, Pennsylvania, http://www.dtic.mil/dtic/tr/fulltext/u2/a449425.pdf
Bolin, Anna (2008) The military profession in change – the case of Sweden. Lund Political Studies, Nr. 151, https://lup.lub.lu.se/search/publication/53eef419-d5e1-410d-84f2-3f0104340e7d
Box, John E., (2012) Toxic leadership in the Military profession. US Army War College, Carlisle Barracks, Pensylvenia, http://www.au.af.mil/au/awc/awcgate/army-usawc/box_toxic_leadership.pdf
Caforio, Giuseppe, (2008) “The military profession, public trust, and public interest” Connections, The Quarterly Journal, Fall Edition, http://davidpublishing.academia.edu/giuseppecaforio
Qazimi, Pëllumb, (2013) Histori e ushtrisë shqiptare : 1912-1991 : studim monografik, Tiranë, Naimi,
Heinecken, Lindy (1997) Stress and Change in the Military Profession: Attitudes of Officer Students at the South African Military Academy, Scentia Militaria, South African Journal of Military Studies 1997:27, https://core.ac.uk/download/pdf/37351420.pdf
Huntington, Samuel (1957) The Soldier and the State Cambridge, MA: Harvard University Press
Janowitz, Morris (1960) The Professional Soldier: A Social and Political Portrait, New York, Free Press
Kuhlmann, Jurgen and Dandeker Christopher, eds. (1991) Stress and change in the military profession of today, Munchen, https://core.ac.uk/download/pdf/37351420.pdf
Lilo, Ardian (2008) Officer candidates education and training in the AAF, US Army Command and General Staff College, Fort Leavenworth, Kansas, http://www.dtic.mil/dtic/tr/fulltext/u2/a502166.pdf
Macovei, Crenguta Mihaela, (2014), “Factors that influence the commitment of military students to profession”, Romanian Land Forces Academy, http://www.uav.ro/jour/index.php/app/article/view/417
Moskos Jr., Charles C. (1977) The All-Volunteer Military: Calling, Profession, or Occupation?, Parameters, http://ssi.armywarcollege.edu/pubs/parameters/Articles/2010winter/Moskos_Jr.pdf
Moten, Matthew, (2011) Who is a member of the military profession? JFQ 62:3:2011, http://www.dtic.mil/dtic/tr/fulltext/u2/a546558.pdf
Snider, Don M. (2008) Dissent and strategic leadership of the military professions. Strategic Studies Instittute, US Army War College, Carlisle Barracks, Pennsylvania, https://www.globalsecurity.org/military/library/report/2008/ssi_snider.pdf
Winslow, Donna (2010) Gender and military sociology Swedish National Defence College, Stockholm, http://www.worldcat.org/title/gender-and-military-sociology/oclc/878431400




[1] Për Huntington, ushtria duhej të punonte si një institucion konservator dhe të zhvillonte vlera profesionale që ishin të njëtrajtshme me misionin tradicional të saj: luftimi dhe fitimi i luftërave për kombin, nën drejtimin e qeverisë dhe legjislacionit në fuqi. Profesionisti ushtarak nuk duhej të shqetësohej për çështje sociale ose politike, por të fokusohej vetëm në çështje që i takonin menaxhimit dhe zhvillimit të luftërave. Profesioni ushtarak duhej të zhvillohej nga brenda dhe në këtë mënyrë të maksimalizonte efektivitetin dhe suksesin në arritjen e misionit ushtarak. Në këtë mënyrë, sipas Huntington, do të ruhej legjitimiteti dhe kontrolli civil mbi forcat e armatosura si dhe profesioni ushtarak do të mbetej një entitet i pastër profesional, korporativ si dhe ekspert në drejtimin luftarak. Gjithashtu pjestarët e profesionit do të do të ndryshonin thellësisht nga popullsia për nga vlerat, besimet dhe sjellja.
Për Janowitz, nga ana tjetër, sistemi ushtarak do të duhej të ishte i hapur, për të përthithur vlerat dhe sensibilitetet e shoqëri ku vepronte, dhe nga e cila domosdoshmërisht ishte i varur për mbijetesë dhe sukses. Aty ku Huntington e shihte profesionin ushtarak si një sisem të pavarur dhe të lidhur me shoqërinë veç nëpërmjet drejtimit politik, Janowitz e shihte si një sistem dinamik, të ndërvarur, të integruar, të kontrolluar dhe të legjitimuar nëpërmjet aftësisë së tij për t’iu përshtatur shoqërisë të cilës i shërben.
[2] Ushtria, në kuptimin e Forcës Tokësore. Forca të tjera të armatosura në SHBA janë Forca Detare, Forca Ajrore, Forcat Desantuese Marinare dhe Roja Bregdetare. Ushtria është forca e armatosur më e vjetër e SHBA, e krijuar që në vitin 1775.
[2] Perceptimi i kërcënimit nga qytetarët e BE, si metrikë, nuk u përfshi në sondazhet e zhvilluara nga EuroBarometer (seri sondazhesh të zhvilluara nga Komisioni Evropian që nga viti 1973 e që vijojnë dhe aktualisht, ku qytetarët e vendeve të BE pyeten për aspekte me tematikë të gjerë) nga viti 1989 në vitin 2002. Përfshirja e kësaj metrike u bë vetëm si pasojë e sulmeve terroriste në vitin 2001.
[3] Perceptimi i kërcënimit nga qytetarët e BE, si metrikë, nuk u përfshi në sondazhet e zhvilluara nga EuroBarometer (seri sondazhesh të zhvilluara nga Komisioni Evropian që nga viti 1973 e që vijojnë dhe aktualisht, ku qytetarët e vendeve të BE pyeten për aspekte me tematikë të gjerë) nga viti 1989 në vitin 2002. Përfshirja e kësaj metrike u bë vetëm si pasojë e sulmeve terroriste në vitin 2001

* Edval Zoto shërben me krenari në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe është diplomuar në Naval Postgraduate School, në SHBA, Universitetin e Biznesit dhe Studimeve Ndërkombëtare në Gjenevë, Zvicër dhe ISSAT, në Tiranë, Shqipëri, si dhe në Universitetit e Torinos, Itali. Ai është anëtar i certifikuar i Shoqatës së Ekzaminuesve të Certifikuar të Mashtrimeve (ACFE), me seli në Austin, Teksas, SHBA, anëtar i Institutit të Audituesëve të Brendshëm Shqiptarë (IIA Albania) dhe i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), me seli në Tiranë, Shqipëri. Ai është studiues, botues, dhe lektor i apasionuar mbi çështjet e mashtrimit e korrupsionit korporativ si dhe riskut të investimeve në vendet në zhvillim, kundër-terrorizmit dhe sigurisë, historisë ushtarake dhe inteligjencës.

**Gjetjet, opinionet apo sugjerimet e shprehura në këtë punim përfaqësojnë vetëm mendimet personale të autorit dhe jo qëndrime zyrtare të asnjë prej institucioneve apo organizatavee në të cilat autori është i angazhuar apo mban marrëdhënie profesionale. Çdo ngjashmëri në këtë aspekt është krejtësisht e rastësishme.